“14–20 Dhjetor. Moroni 10: ‘Ejani te Krishti dhe Përsosuni në Të’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“14–20 Dhjetor. Moroni 10”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020
14–20 Dhjetor
Moroni 10
“Ejani te Krishti dhe Përsosuni në Të”
Disa fëmijë në klasën tuaj mund të kenë përvoja domethënëse nga të mësuarit e Librit të Mormonit në shtëpi. Si mund t’i përdorni ato përvoja për t’i nxitur të gjithë fëmijët t’i lexojnë shkrimet e shenjta në shtëpi?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kalojeni dorë më dorë një kopje të Librit të Mormonit. Kur secili fëmijë ta mbajë librin, kërkojini atij ose asaj të tregojë diçka që i pëlqen rreth Librit të Mormonit – një histori të parapëlqyer, një dëshmi ose një përvojë nga të mësuarit prej tij në shtëpi ose në kishë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund ta di se Libri i Mormonit është i vërtetë.
Kërkoni mënyra për t’i ndihmuar fëmijët ta pranojnë ftesën e Moronit, për t’i kërkuar Perëndisë nëse Libri i Mormonit është i vërtetë.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni një figurë të Moronit tek i gropos fletët e arta (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) dhe kërkojuni fëmijëve të përshkruajnë atë çfarë shikojnë. Ftojini të tregojnë me gisht për nga fletët dhe shpjegoni se në këto fletë u shkruan fjalët që ne tani i lexojmë në Librin e Mormonit. Lërini fëmijët të bëjnë sikur janë Moroni duke shkruar fletët dhe duke i groposur ato. Këndoni së bashku “The Golden Plates” [“T’Artat Flet’”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 61).
-
Tregoni Librin e Mormonit dhe lexoni nga Moroni 10:4. Theksoni se ne mund t’i kërkojmë Perëndisë nëse Libri i Mormonit është i vërtetë dhe Ai do të dërgojë Frymën e Shenjtë për të na dëshmuar. Ju mund të përdorni gjithashtu “Kapitullin 54: Premtimi i Librit të Mormonit” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 156). Tregoni se si Fryma e Shenjtë ju ka ndihmuar të fitoni dëshminë tuaj për Librin e Mormonit. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë ndjesinë që të jep një dëshmi nga Shpirti. Këndoni një këngë për gjetjen e së vërtetës, të tillë si “Search, Ponder, and Pray” [“Kërko, Përsiat dhe Lutu”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 66).
Ati Qiellor më jep dhurata shpirtërore.
Moroni përshkroi dhuratat që Perëndia u jep fëmijëve të Tij kur ata kanë besim në Të. Ju mund t’i ndihmoni fëmijët të kenë besim se Perëndia do t’u japë atyre dhurata shpirtërore.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruajini numrat nga 9 deri te 16 në copa të veçanta letre dhe mbështilleni secilën letër si dhuratë. Lërini fëmijët që me radhë t’i hapin dhuratat. Kur ta bëjnë atë, lexojini së bashku vargjet nga Moroni 10:9–16 që përputhen me numrat dhe ndihmojini fëmijët të përcaktojnë secilën dhuratë shpirtërore. Shpjegoni se këto janë dhurata që Ati Qiellor ua jep fëmijëve të Tij në mënyrë që ne të mund ta ndihmojmë njëri‑tjetrin dhe të bëjmë punën e Tij.
-
Lërini fëmijët të flasin shkurtimisht për dhuratat e parapëlqyera që kanë marrë. Tregojuni fëmijëve dhuratat shpirtërore që ju keni vënë re se Ati Qiellor ua ka dhënë atyre, të tilla si dhuratat e besimit, urtësisë, dëshmisë, mirësisë dhe aftësisë për të mësuar.
Jezu Krishti dëshiron që unë të vij tek Ai.
Merrni parasysh se si do t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se çfarë do të thotë fraza “ejani te Krishti”.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve nga Moroni 10:32 fragmentin “ejani te Krishti dhe përsosuni në të” dhe ftojini fëmijët ta përsëritin frazën me ju. Kërkojuni t’i mbyllin sytë ndërsa e vendosni figurën e Jezusit diku në dhomë. Pastaj, lërini t’i hapin sytë, ta gjejnë figurën dhe të mblidhen rreth saj. Diskutoni me fëmijët për mënyrat se si ne mund të vijmë te Krishti (shih, për shembull, Nenet e Besimit 1:3–4). Përsëriteni këtë veprimtari, duke i lënë fëmijët ta vendosin figurën diku në dhomë.
-
Ndihmojini fëmijët të zbukurojnë etiketa në formë zemre me shkrimin: “E dua Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën time” (shih Moroni 10:32). Si ia tregojmë Perëndisë se ne e duam Atë?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund ta di të vërtetën nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.
Perëndia dëshiron që secili prej nesh ta dijë se Libri i Mormonit është i vërtetë. Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë premtimin e Perëndisë se Ai do “t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruajini në tabelë fjalët Lexoni, Kujtoni, Meditoni dhe Pyesni/Kërkoni. Ftojini fëmijët t’i gjejnë këto fjalë te Moroni 10:3–4. Çfarë duhet të lexojmë, kujtojmë, meditojmë dhe kërkojmë në mënyrë që ta marrim apo ta forcojmë dëshminë tonë për Librin e Mormonit? Vërini fëmijët të kërkojnë ngjashmëritë ndërmjet këtyre vargjeve dhe këngës: “Search, Ponder, and Pray” [“Kërko, Përsiat dhe Lutu]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 66).
-
Ndihmojini fëmijët të kujtojnë disa prej përvojave që keni pasur së bashku nga të mësuarit prej Librit të Mormonit. Shprehni ndjenjat tuaja për Librin e Mormonit, përfshirë mënyrën se si e keni marrë apo forcuar dëshminë tuaj që ai është i vërtetë. Ftojini fëmijët të shprehin ndjenjat dhe dëshmitë e tyre.
-
Tregoni për një rast kur Fryma e Shenjtë ju dëshmoi për diçka. Përshkruani se si u ndiet dhe nga e dinit se ishte Fryma e Shenjtë. Ndihmojini fëmijët të mësojnë nga shkrimet e shenjta vijuese rreth mënyrës se si na flet Shpirti: Gjoni 14:26–27; Doktrina e Besëlidhje 6:15, 23; 8:2–3; 9:7–9; 11:12–14.
Ati Qiellor më jep dhurata shpirtërore.
Ka shumë njerëz në kohën tonë që i “moho[jnë] dhuratat e Perëndisë” (Moroni 10:8). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se këto dhurata ekzistojnë akoma sot.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruajini dhuratat e përmendura te Moroni 10:9–16 në shirita letre dhe vendosini në një kuti dhurate. Shkruajini numrat nga 9 deri në 16 në tabelë dhe ftojini fëmijët që me radhë të tërheqin një letër nga kutia dhe ta përputhin atë me numrin e vargut në tabelë. Çfarë mësojmë për këto dhurata nga vargjet 8 dhe 17–18?
-
Tregoni historinë e daljes në dritë të Librit të Mormonit (shih “Kapitulli 3: Engjëlli Moroni dhe Fletët e Arta”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 13–17). Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë dhuratat e përmendura te Moroni 10:9–16, të cilat Perëndia ia dha Jozef Smithit në mënyrë që ai të mund ta sillte në dritë Librin e Mormonit. Përse dëshiron Ati Qiellor që ne të besojmë në dhurata shpirtërore sot?
Jezu Krishti dëshiron që unë të vij tek Ai.
Si do t’i ftoni fëmijët që të “[vijnë] te Krishti dhe përsos[en] në të”?
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë një pyetje si Çfarë do të thotë të vish te Krishti? Ndihmojini fëmijët të kërkojnë te Moroni 10:32–33 për të gjetur përgjigje të mundshme. Punoni së bashku për të renditur se çfarë do Krishti që të bëjmë ne dhe çfarë na premton Ai se do të bëjë për ne.
-
Tregoni fragmentet ose historitë tuaja të parapëlqyera nga Libri i Mormonit që ju kanë ndihmuar të vini te Krishti dhe ftojini fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë. Përsëritni me fëmijët fjalët e Profetit Jozef Smith nga parathënia e Librit të Mormonit: “Një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të [Librit të Mormonit], se nga ndonjë libër tjetër”. Jepni dëshminë tuaj rreth mënyrës se si ka ndodhur kjo në jetën tuaj.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të luten për një dëshmi më të fortë për Librin e Mormonit dhe pastaj të flasin për dëshminë e tyre me një pjesëtar të familjes ose një mik.