“21–27 Dhjetor. Krishtlindja: Ai ‘Do të Vijë në Këtë Botë për të Shëlbuar Popullin e Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“21–27 Dhjetor. Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020
21–27 Dhjetor
Krishtlindja
Ai “Do të Vijë në Këtë Botë për të Shëlbuar Popullin e Tij”
Fëmijët shpesh janë plot me dëshirë për të folur për mënyrën se si e festojnë Krishtlindjen. Përsiatni se çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar që të përqendrohen te Jezu Krishti dhe mirënjohja e tyre për lindjen e Tij.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët të tregojnë ose vizatojnë diçka që e bën familja e tyre në periudhën e Krishtlindjes për t’i ndihmuar ata që ta kujtojnë Jezu Krishtin.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
1 Nefi 11:13–22; Mosia 3:5–8; Alma 7:9–13; Helamani 14:1–6; 3 Nefi 1:15, 19–21
Jezu Krishti u lind që të ishte Shpëtimtari im.
A e dinë fëmijët të cilëve u jepni mësim se përse e kremtojmë Krishtlindjen? Si mund t’i ndihmoni ata që ta kuptojnë arsyen përse lindja e Jezu Krishtit është një arsye për të kremtuar?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni për lindjen e Jezusit, duke paraqitur figura ndërsa e bëni atë (të tilla si Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 28, 29, 30, 31). Lërini fëmijët të tregojnë atë çfarë dinë. Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’u mësuar fëmijëve se njerëzit që jetonin në kohët e Librit të Mormonit kishin dijeni për lindjen e Jezusit.
-
Lexoni fraza kyç nga Alma 7:11–12 për t’u mësuar fëmijëve atë çfarë bëri Jezu Krishti për ne. Tregoni se përse jemi mirënjohës që lindi Jezu Krishti dhe shprehni ndjenjat tuaja për flijimin e Tij shlyes.
-
Paraqitni figura që pasqyrojnë flijimin shlyes të Shpëtimtarit – të tilla si vuajtjen e Tij në Gjetseman, vdekjen në kryq dhe Ringjalljen (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 56, 57, 58, 59). Kërkojuni fëmijëve t’ju thonë se çfarë shohin te figurat. Ndihmojini të kuptojnë se Ati Qiellor e dërgoi Jezu Krishtin në tokë që të vuante për mëkatet tona, të vdiste për ne dhe të ringjallej në mënyrë që të mund të kthehemi të jetojmë me Të.
-
Këndoni me fëmijët një këngë për lindjen e Jezusit, të tillë si “He Sent His Son” [“Ai Dërgoi Birin e Tij”] ose “Larg në një Koritë” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve]; Himne, f. 20; f. 125). U vini në dukje fëmijëve fraza te kënga që i përshkruajnë bekimet që kemi për shkak të lindjes së Jezusit.
Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin.
Kur ta përfundoni studimin tuaj për Librin e Mormonit këtë vit, kujtojuni fëmijëve se ky libër është “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”, e shkruar për të na ndihmuar që të vijmë tek Ai.
Veprimtari të Mundshme
-
Ngrini lart një kopje të Librit të Mormonit që fëmijët ta shohin. Lexojeni titullin dhe tregoni me gisht nga fjalët “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”. Lërini fëmijët që me radhë ta mbajnë librin dhe ndihmojini që ta gjejnë emrin e Shpëtimtarit te kapaku. U thoni fëmijëve se si ndiheni për Librin e Mormonit dhe mënyrën se si ju ka ndihmuar të mësoni rreth Jezu Krishtit.
-
Jepini secilit fëmijë një figurë të Jezusit ose lërini që të bëjnë vetë vizatimet e tyre për Të. Ftojini që t’i ngrenë lart vizatimet e tyre sa herë që e dëgjojnë emrin e Krishtit ndërsa lexoni vargjet te 2 Nefi 25:23, 26. Dëshmoni se Libri i Mormonit u shkrua për të na ndihmuar që të “besoj[m]ë në Krisht” (2 Nefi 25:23).
-
Tregojuni fëmijëve një prej fragmenteve ose historive tuaja të parapëlqyera nga Libri i Mormonit që ju ndihmon të mësoni për Jezu Krishtin. Pyetini fëmijët për historitë e tyre të parapëlqyera te Libri i Mormonit dhe ndihmojini të kuptojnë se si këto histori na ndihmojnë të mësojmë për Shpëtimtarin dhe të afrohemi më shumë me Të. Vështrimi i disa prej figurave tek Tregime të Librit të Mormonit mund t’i ndihmojë që t’i kujtojnë historitë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
1 Nefi 11:13–22; Mosia 3:5–8; Alma 7:10–13; Helamani 14:1–6; 3 Nefi 1:15, 19–21
Jezu Krishti u lind që të ishte Shpëtimtari im.
Përsiatni se si mund t’i ndihmoni më së miri fëmijët ta kuptojnë rëndësinë e lindjes së Krishtit dhe çfarë do të thotë ajo për ta.
Veprimtari të Mundshme
-
Jepini secilit fëmijë njërën prej referencave të shkrimeve të shenjta që gjenden në faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Ftojini secilin që ta lexojë shkrimin e shenjtë që u ka rënë, të përcaktojë profetin që po fliste dhe të tregojnë një gjë që dinte ky profet për Jezu Krishtin. Jepuni ndihmë ose lërini të punojnë së bashku nëse është e nevojshme.
-
Renditni në tabelë disa prej ngjarjeve që shoqëruan lindjen e Jezusit, siç përshkruhen te Lluka 2:4–14; Mateu 2:1–2 dhe 3 Nefi 1:15, 19–21. Ndihmojini fëmijët t’i shqyrtojnë këto shkrime të shenjta për të përcaktuar nëse ngjarjet ndodhën në Bethlehem, në kontinentet amerikane apo në të dyja ato. Përse jemi mirënjohës që e kemi Librin e Mormonit si një dëshmi të dytë për lindjen dhe misionin e Jezu Krishtit si Shpëtimtari?
-
Lexojini vargjet nga Alma 7:10–13 me fëmijët. Çfarë mësojmë nga këto vargje për lindjen e Jezusit? Po për hyjninë e Tij? Po për misionin e Tij në tokë? Ftojini fëmijët të tregojnë arsyen përse janë mirënjohës për Jezu Krishtin dhe jepni dëshminë tuaj për Të.
Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin.
Duke folur për Librin e Mormonit, Profeti Jozef Smith tha se “një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër” (parathënia e Librit të Mormonit). Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë këtë premtim?
Veprimtari të Mundshme
-
Jepini njërin prej vargjeve vijuese secilit fëmijë: 2 Nefi 25:23, 26; 33:4, 10. Ftojini fëmijët ta lexojnë vargun e tyre dhe të përcaktojnë se çfarë donte profeti i Librit të Mormonit, Nefi, që ne të dinim. Kërkojuni që ta shkruajnë atë që gjejnë në tabelë. Shpjegoni se këto gjëra përshkruajnë një qëllim të rëndësishëm të Librit të Mormonit. Lërini fëmijët që të interpretojnë me role me njëri‑tjetrin mënyrën se si do t’ia shpjegonin një shoku një qëllim të rëndësishëm të Librit të Mormonit.
-
Tregojuni fëmijëve një prej fragmenteve ose historive tuaja të parapëlqyera nga Libri i Mormonit që ju ndihmon të mësoni për Jezu Krishtin. Pyetini fëmijët për historitë e tyre të parapëlqyera te Libri i Mormonit dhe ndihmojini të kuptojnë se si këto histori na ndihmojnë të mësojmë për Shpëtimtarin dhe të afrohemi më shumë me Të. Tregojuni fëmijëve se si ju ka ndihmuar Libri i Mormonit të dini se Jezusi është Krishti. Nxitini fëmijët të mendojnë për një varg apo histori nga Libri i Mormonit që e forcon besimin e tyre te Jezu Krishti. Kërkojuni t’ia tregojnë atë një shoku ose pjesëtari të familjes që nuk ka dijeni për Librin e Mormonit.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i tregojnë familjes së tyre mënyrën se si Libri i Mormonit i ka ndihmuar ata të mësojnë më shumë për Krishtin. Nxitini të tregojnë një varg ose histori nga Libri i Mormonit si pjesë e dëshmisë së tyre.