Eja, Më Ndiq
30 Nëntor – 6 Dhjetor. Moroni 1–6: “Për t’i Mbajtur në Udhën e Drejtë”


“30 Nëntor – 6 Dhjetor. Moroni 1–6: ‘Për t’i Mbajtur në Udhën e Drejtë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“30 Nëntor – 6 Dhjetor. Moroni 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Alma duke pagëzuar njerëz tek Ujërat e Mormonit

Minerva Teichert (1888–1976), Alma Pagëzon në Ujërat e Mormonit, 1949–1951, vaj në dru të presuar, 91 x 122 cm. Muzeu i Artit i Universitetit “Brigam Jang”, 1969

30 Nëntor – 6 Dhjetor

Moroni 1–6

“Për t’i Mbajtur në Udhën e Drejtë”

Përpara se të filloni t’i planifikoni veprimtaritë mësimore për fëmijët, studiojini me lutje kapitujt te Moroni 1–6, duke kërkuar parime e vargje që e ndieni se ata kanë nevojë t’i kuptojnë.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të tregojnë atë çfarë kanë qenë duke mësuar rreth Moronit. Ju mund të përdorni “Kapitullin 53: Moroni dhe Mësimet e Tij” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 154–155) për t’i ndihmuar që të kujtojnë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Moroni 4–5

Unë e marr sakramentin që të tregoj se do ta kujtoj gjithmonë Jezu Krishtin.

Sakramenti mund të jetë një përvojë e shenjtë shpirtërore – edhe për fëmijët e vegjël. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta përdorin kohën gjatë sakramentit për të menduar për Jezusin?

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një figurë të njerëzve duke marrë sakramentin (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 108). Kërkojuni fëmijëve t’ju thonë se çfarë ndodh gjatë sakramentit. Çfarë duhet të bëjmë gjatë sakramentit?

  • Ftojini dy anëtarë të lagjes që të vijnë në klasë për t’u lexuar fëmijëve vargjet te Moroni 4:3 e 5:2 dhe të tregojnë arsyen përse e marrin sakramentin çdo javë. Kërkojuni që të sugjerojnë gjëra që mund të bëjnë fëmijët, që t’i ndihmojnë të mendojnë për Jezusin gjatë sakramentit dhe për ta kujtuar gjithmonë Atë.

  • Këndoni një këngë që i ndihmon fëmijët të mendojnë rreth Jezusit, të tillë si “Reverently, Quietly” [“Me Nderim, Qetësi”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 11). Kërkojuni fëmijëve që të ushtrohen duke qëndruar ulur me nderim sikurse do të bënin gjatë sakramentit.

Moroni 6:1–3

Unë mund të përgatitem që të pagëzohem.

Përshkrimi nga Moroni i njerëzve që u pagëzuan në kohën e tij, mund t’i ndihmojë fëmijët të përgatiten për ta marrë këtë ordinancë të rëndësishme sot.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni fraza nga Moroni 6:1–3 që na mësojnë se kush mund të pagëzohet. Shpjegoni fraza që fëmijët mund të mos i kuptojnë. Për shembull, një kuptim i “zem[rës së] thyer dhe shpirt[it] të penduar” është që të ndiejmë keqardhje për mëkatet tona (Moroni 6:2). Tregoni rreth mënyrës se si ju u përgatitët për t’u pagëzuar ose pyetni dikë që është pagëzuar kohët e fundit që të shpjegojë mënyrën se si ai apo ajo u përgatit. Ndihmojini fëmijët të mendojnë mënyrat se si mund të përgatiten për t’u pagëzuar një ditë.

  • Paraqitni figura të njerëzve duke u pagëzuar (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 103, 104) dhe lërini fëmijët të flasin rreth asaj që shohin në figura. Ndihmojini të vënë re hollësi, të tilla si ujin dhe veshjen e bardhë. Pyetini fëmijët rreth arsyes përse pagëzohemi dhe shpjegoni arsyen përse ju zgjodhët që të pagëzoheshit.

Moroni 6:4–6, 9

Unë bekohem kur shkoj në kishë.

A e kuptojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim arsyen përse shkojmë në kishë çdo javë? Moroni 6 jep disa arsye të rëndësishme.

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët rreth arsyes përse u pëlqen që të shkojnë në kishë dhe ndihmojini që të përmendin disa nga gjërat që bëjmë në kishë. Lexojuni atyre disa prej këtyre gjërave nga Moroni 6:4–6, 9 dhe ftojini që të aktrojnë ose vizatojnë figura të vetes së tyre duke i bërë disa prej këtyre gjërave (të tilla si lutja, predikimi, të kënduarit dhe marrja e sakramentit).

  • Ndihmojini fëmijët të këndojnë një këngë rreth frekuentimit të kishës. Tregojuni fëmijëve arsyen përse ju pëlqen të shkoni në kishë dhe se si ju ka bekuar ajo.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Moroni 2–6

Fryma e Shenjtë është një dhuratë e shenjtë.

Fryma e Shenjtë përmendet disa herë te Moroni 2–6. Si mund t’i përdorni këta kapituj për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë mënyrën se si Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë ata?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të gjejnë çdo varg te Moroni 2–6 që e përmend Frymën e Shenjtë ose Shpirtin. Lexojeni secilin nga këto vargje së bashku dhe kërkojuni fëmijëve të renditin në tabelë gjërat që mësojnë rreth Frymës së Shenjtë. Si mund të na ndihmojë Fryma e Shenjtë?

  • Tregojuni fëmijëve për një rast kur e ndiet ndikimin e Frymës së Shenjtë, qoftë në kishë ose diku tjetër. Shpjegoni se si e dinit që ishte Fryma e Shenjtë dhe se si ju ndihmoi Ai. Ftojini fëmijët të tregojnë ndonjë përvojë që kanë pasur me Frymën e Shenjtë dhe nxitini të përpiqen për ndikimin e Tij.

    e re duke marrë një bekim

    Dhurata e Frymës së Shenjtë jepet me anë të vënies së duarve.

Moroni 4–5

Unë e marr sakramentin që të tregoj se do ta kujtoj gjithmonë Jezu Krishtin.

Kur fëmijët e kuptojnë shenjtërinë e sakramentit, ata kanë më shumë gjasa ta trajtojnë atë me nderim dhe të ndihen pranë Perëndisë gjatë kësaj ordinance.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani fraza nga Moroni 4:3 dhe 5:2 në shirita të veçantë letre dhe kërkojuni fëmijëve që t’i vendosin frazat në rendin e duhur. Sipas këtyre vargjeve, përse është i rëndësishëm sakramenti?

  • Ftojini fëmijët të përfytyrojnë sikur një mik po vjen në mbledhjen e sakramentit për herë të parë. Si do t’ia shpjegonin mikut të tyre se çfarë është sakramenti dhe përse e marrim atë? Nxitini që t’i përdorin vargjet te Moroni 4:3 dhe 5:2 në shpjegimet e tyre.

  • Ftojini fëmijët të tregojnë gjëra që bëjnë familjet e tyre gjatë sakramentit për të qenë nderues dhe për të menduar rreth Jezu Krishtit. Çfarë idesh të tjera kanë ata? Ftojini që të zgjedhin një prej këtyre ideve dhe të vendosin një qëllim për të harxhuar më shumë kohë duke menduar për Shpëtimtarin gjatë sakramentit.

Moroni 6:4–6, 9

Ne shkojmë në Kishë për të marrë sakramentin dhe për ta përkrahur njëri‑tjetrin.

Fjalët e Moronit mund t’i ndihmojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim, të gjejnë qëllim më të madh në frekuentimin e kishës çdo javë.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani në tabelë Përse vijmë në kishë? dhe kërkojuni fëmijëve të shkruajnë përgjigje të mundshme. Ftojini që të gjejnë përgjigje shtesë te Moroni 6:4–6, 9 dhe shtojani ato listës së tyre në tabelë. Ftojini fëmijët të tregojnë se si janë bekuar nga frekuentimi i kishës. Lërini që duke interpretuar me role t’i shpjegojnë një shoku të një besimi tjetër fetar arsyen përse janë mirënjohës që i përkasin Kishës.

  • Paraqitni figura apo shembuj të prodhimeve me veti ushqyese. Përse është e rëndësishme ta ushqejmë trupin tonë? Lexoni së bashku nga Moroni 6:4 dhe pyetini fëmijët se çfarë mendojnë se do të thotë fraza “ushqeheshin nga fjala e mirë e Perëndisë”. Si na ushqen fjala e Perëndisë?

  • Ftojeni njërin prej fëmijëve ta lexojë citimin vijues nga Plaku Xhefri R. Holland dhe diskutoni se çfarë na mëson rreth mënyrës se si mund ta ushqejmë njëri‑tjetrin: “Shumica e njerëzve nuk vijnë në kishë duke kërkuar thjesht disa fakte të reja ungjillore, ose për të parë miq të vjetër, megjithëse e gjithë kjo është e rëndësishme. Ata vijnë për të kërkuar një përvojë shpirtërore. Ata duan paqe. Ata duan besimin e tyre të forcuar dhe shpresën e tyre të përtërirë. Ata duan, me pak fjalë, të ushqehen nga fjala e mirë e Perëndisë, të forcohen nga fuqitë e qiellit” (“A Teacher Come from God”, Ensign, maj 1998, f. 26). Si mund të ndihmojmë që ta ushqejmë shpirtërisht njëri‑tjetrin në kishë?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Nxitini fëmijët t’u flasin familjeve të tyre rreth arsyeve përse atyre u pëlqen të marrin pjesë në kishë çdo javë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përkrahini prindërit. Me lutje kërkoni mënyra për t’i përkrahur prindërit e fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Si mund t’i përkrahni përpjekjet e tyre për t’ua mësuar ungjillin fëmijëve të tyre? Për shembull, ju mund t’u flitni prindërve rreth nevojave dhe interesave të fëmijëve të tyre ose t’u tregoni atyre atë që po mësojnë fëmijët e tyre në klasë (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25).