Muzika
Hyrje nga Presidenca e Parë


Hyrje nga Presidenca e Parë

Tre muaj pasi u organizua Kisha, Zoti, nëpërmjet Profetit Jozef Smith, e udhëzoi gruan e Jozefit, Emën, që të bënte një përzgjedhje të himneve të shenjta për Kishën: “Sepse shpirti im kënaqet në këngën e zemrës; po, kënga e të drejtëve është një lutje për mua dhe ajo do të marrë përgjigje me një bekim mbi kokat e tyre” (DeB 25:12).

Tani, 150 vjet pasi libri i parë i himneve u botua nga Kisha, ne jemi të lumtur të paraqitim këtë botim të rishikuar. Në të përfshihen shumë himne që gjendeshin në librin tonë fillestar të himneve dhe në botime pasuese, sikurse janë përfshirë edhe një numër himnesh të shtuara së fundmi. Të gjitha himnet janë përzgjedhur për të plotësuar nevojat e larmishme të anëtarësisë së sotme mbarëbotërore të Kishës.

Muzika në Mbledhjet Tona të Kishës

Muzika frymëzuese është pjesë thelbësore e mbledhjeve tona të kishës. Himnet ftojnë Shpirtin e Zotit, krijojnë një ndjenjë nderimi, na bashkojnë si anëtarë dhe na sigurojnë një mënyrë për t’i ofruar përlëvdime Zotit.

Disa prej predikimeve më të mëdha janë dhënë duke kënduar himne. Himnet na nxitin drejt pendimit dhe veprave të mira, forcojnë dëshminë dhe besimin, qetësojnë të lodhurin, ngushëllojnë vajtuesin dhe na frymëzojnë për të duruar deri në fund.

Ne shpresojmë të shohim një rritje të të kënduarit të himneve në bashkësitë tona. Ne i nxitim të gjithë anëtarët, me ose pa prirje muzikore, të bashkohen me ne në të kënduarin e himneve. Ne shpresojmë që udhëheqësit, mësuesit dhe anëtarët që thirren për të folur, do t’i drejtohen shpesh librit të himneve për të gjetur predikime të shprehura plot fuqi e bukuri në vargje.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë një traditë të gjatë të të kënduarit në kor. Çdo lagje dhe degë në Kishë duhet të ketë një kor që këndon rregullisht. Ne i nxitim koret ta përdorin librin e himneve si burimin e tyre bazë.

Muzika në Shtëpitë Tona

Muzika ka fuqi të pafundme për nxitjen e familjeve drejt shpirtmërisë dhe përkushtimit më të madh ndaj ungjillit. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet t’i mbushin shtëpitë e tyre me tingullin e muzikës së denjë.

I yni është një libër himnesh për shtëpinë e familjes, sikurse edhe për shtëpinë e mbledhjeve. Ne shpresojmë që libri i himneve do të zërë një vend të rëndësishëm mes shkrimeve të shenjta dhe librave të tjerë fetarë në shtëpitë tona. Himnet mund t’iu sjellin familjeve një shpirt bukurie e paqeje dhe mund të frymëzojnë dashuri e unitet mes anëtarëve të familjes.

Mësojini fëmijët tuaj që t’i duan himnet. Këndojini ato gjatë Shabatit, në mbrëmjen familjare, gjatë studimit të shkrimeve të shenjta, në kohën e lutjes. Këndoni ndërsa punoni, ndërsa luani dhe ndërsa udhëtoni së bashku. Këndojini himnet si ninulla për të krijuar besim dhe dëshmi tek të vegjlit tuaj.

Muzika në Jetën Tonë Personale

Përveç që na bekojnë si anëtarë të Kishës dhe si anëtarë të familjeve, himnet mund të na sjellin shumë përfitim neve si individë. Himnet mund të na e lartësojnë shpirtin, të na japin kurajë dhe të na nxitin drejt veprimit të drejtë. Ato mund të na e mbushin qenien tonë me mendime qiellore dhe të na sjellin një shpirt paqeje.

Himnet gjithashtu mund të na ndihmojnë për t’u bërë ballë tundimeve të kundërshtarit. Ne ju nxitim t’i mësoni përmendsh himnet tuaja të parapëlqyera dhe t’i studioni shkrimet e shenjta që lidhen me to. Atëherë, nëse mendime të padenja hyjnë në mendjen tuaj, këndoni me vete një himn, duke e larguar tej të ligën me anë të së mirës.

Vëllezër e motra, le t’i përdorim himnet për ta ftuar Shpirtin e Zotit në mbledhjet tona, në shtëpitë tona dhe në jetën tonë personale. Le t’i mësojmë përmendsh e përsiatim ato, le t’i recitojmë e këndojmë ato dhe le të marrim prej ushqimit të tyre shpirtëror. Dijeni se kënga e të drejtëve është një lutje për Atin tonë në Qiell “dhe ajo do të marrë përgjigje me një bekim mbi kokat [tuaja]”.

Presidenca e Parë