Eja, Më Ndiq
23–29 Nëntor. Ethëri 12–15: “Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen”


“23–29 Nëntor. Ethëri 12–15: ‘Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“23–29 Nëntor. Ethëri 12–15”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Ethëri duke u futur në një shpellë

Ethëri Fshihet në Zgavrën e një Shkëmbi, nga Gary Smith

23–29 Nëntor

Ethëri 12–15

“Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen”

Shënimi i mbresave mund të ftojë zbulesë të mëtejshme dhe forcim të dëshmisë suaj. Gjithashtu ndihmon që t’i mbani mend mbresat tuaja dhe t’ua thoni të tjerëve në të ardhmen.

Shënojini Mbresat Tuaja

Profecitë e Ethërit për jareditët ishin “të mëdha dhe të mrekullueshme” (Ethëri 12:5). Ai “u tha atyre të gjitha gjërat, që nga fillimi i njeriut” (Ethëri 13:2). Ai parashikoi “ditët e Krishtit” dhe Jerusalemin e Ri të ditëve të mëvonshme (Ethëri 13:4). Dhe ai foli për “shpres[ën] … për një botë më të mirë, po, madje për një vend në krahun e djathtë të Perëndisë” (Ethëri 12:4). Por jareditët nuk i pranuan fjalët e tij, për të njëjtën arsye që njerëzit shpesh nuk i pranojnë profecitë e shërbëtorëve të Perëndisë sot – “për shkak se nuk i sh[ohin]” (Ethëri 12:5). Duhet besim që të besohen premtimet ose paralajmërimet rreth gjërave që nuk mund të shihen, ashtu sikurse Ethërit iu desh besim që të profetizonte për “gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme” mes një populli mosbesues. Moronit iu desh të kishte besim që të mirëbesonte se Zoti mund ta merrte “dobësi[në e tij] në të shkruar” dhe ta kthente në forcë (shih Ethëri 12:23–27). Është ky lloj besimi që na bën “të sigurt dhe të vendosur, gjithmonë plot me vepra të mira, duke qenë të udhëhequr për të lavdëruar Perëndinë” (Ethëri 12:4). Dhe është ky lloj besimi me anë të të cilit “të gjitha gjërat plotësohen” (Ethëri 12:3).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Ethëri 12

Besimi te Jezu Krishti mund të çojë drejt mrekullive të fuqishme.

Shumë njerëz sot, sikurse jareditët në kohën e Ethërit, duan të shohin prova përpara se të besojnë te Perëndia dhe fuqia e Tij. Sidoqoftë, Moroni dha mësim se “besimi qëndron në gjërat që shpresohen dhe nuk shihen” dhe se ju “nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj” (Ethëri 12:6).

Shënojeni çdo herë që gjeni fjalën “besi[m]” tek Ethëri 12 dhe shkruani se çfarë mësoni rreth besimit. Kërkoni përgjigje për pyetje si këto: Çfarë është besimi? Cilat janë frytet e një jete të mbushur me besim? Ju gjithashtu mund të shënoni mendimet tuaja rreth dëshmive që keni fituar “pas provës së besimit tuaj” (Ethëri 12:6).

Shih edhe Hebrenjve 11; Alma 32.

Ethëri 12:1–9, 28, 32

Jezu Krishti na jep “një shpresë më të shkëlqyer”.

Përveç ideve të thella rreth besimit, Ethëri 12 gjithashtu ka shumë për të thënë rreth shpresës – ndoshta mund ta shënoni çdo herë që shfaqet fjala “shpres[ë]”. Ç’domethënie ka shpresa për ju? Cilat ishin arsyet që kishte Ethëri për të “shpres[uar] … për një botë më të mirë”? (Shih Ethëri 12:2–5.) Si ju ka dhënë ungjilli i Jezu Krishtit “një shpresë më të shkëlqyer”? (Ethëri 12:32.)

Vizitoni faqen jepnifalenderime.kishaejezukrishtit.org për të dëgjuar një mesazh nga Presidenti Rasëll M. Nelson rreth mënyrës se si të gjeni paqe dhe shërim – pavarësisht nga rrethanat tuaja.

11:38

Shih edhe Moroni 7:40–41; Diter F. Uhtdorf, “Forca e Pafundme e Shpresës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 21–24; Predikoni Ungjillin Tim, f. 121.

Ethëri 12:23–29

Jezu Krishti mund t’i bëjë gjërat e dobëta të forta.

Kur lexojmë shkrimet e fuqishme të Moronit, është e lehtë të harrojmë se ai shqetësohej rreth “dobësisë [së tij] në të shkruar” dhe kishte frikë se mos njerëzit do të talleshin me fjalët e tij (shih Ethëri 12:23–25). Por Perëndia premtoi se Ai do të “bë[nte] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta” për njerëzit e përulur (vargu 27) dhe fuqia shpirtërore në shkrimet e Moronit është provë bindëse që Zoti e përmbushi këtë premtim.

Pasi të lexoni vargjet tek Ethëri 12:23–29, përsiatni për raste kur Perëndia ju ka ndihmuar të dalloni dobësitë tuaja dhe ju bëri të fortë pavarësisht nga ato dobësi. Ndoshta kjo është një kohë e mirë që të mendoni rreth dobësive me të cilat po ndesheni tashmë. Çfarë ndieni se keni nevojë të bëni që të përuleni përpara Zotit dhe të tregoni besim tek Ai, me qëllim që të merrni premtimin e Tij për të “bë[rë] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta”? (Ethëri 12:27.)

Kur i përsiatni këto vargje, ideja vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell mund të jetë e dobishme: “Kur lexojmë në shkrimet e shenjta për ‘dobësinë’ e njeriut, ky term përfshin dobësinë e … trashëguar në gjendjen e përgjithshme njerëzore, në të cilën mishi ka një ndikim të tillë të pareshtur mbi shpirtin (shih Ethëri 12:28–29). Megjithatë, dobësia në të njëjtën mënyrë përfshin dobësitë tona të veçanta, vetjake, që ne pritet t’i kapërcejmë (shih Doktrina e Besëlidhje 66:3; Jakobi [LiM] 4:7)” (Lord, Increase Our Faith [1994], f. 84).

Ethëri 13:13–22; 14–15

Mospranimi i profetëve sjell rrezik shpirtëror.

Të qenit mbret i jareditëve ishte historikisht një pozitë e rrezikshme. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për Koriantumrin, pasi shumë “njerëz të fuqishëm … kërkuan t[a] shkatërronin” atë (Ethëri 13:15–16). Tek Ethëri 13:15–22 vini re atë që Koriantumri bëri për t’u mbrojtur dhe atë që profeti Ethër e këshilloi të bënte në vend të saj. Ndërkohë që lexoni pjesën tjetër të librit të Ethërit, përsiatni për pasojat e mospranimit të profetëve. Çfarë u ndodh njerëzve kur “Shpirti i Zotit [pushon] së përpjekuri me ta”? (Ethëri 15:19.)

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Ethëri 12:7–22

Teksa i lexoni këto vargje së bashku, ju mund të shqyrtoni disa shembuj frymëzues besimi për të cilat keni lexuar në Librin e Mormonit. Kjo mund të çojë drejt një diskutimi rreth shembujve të besimit në historinë e familjes suaj ose në vetë jetën tuaj – merreni parasysh t’i shënoni këto përvoja nëse nuk i keni shënuar tashmë.

Ethëri 12:27

Përse na jep Zoti dobësi? Cili është roli ynë për të bërë që “gjërat e dobëta, të bëhen të forta”? Cili është roli i Shpëtimtarit?

Ethëri 12:41

A ka ndonjë mënyrë argëtuese që mund t’u mësoni fëmijëve tuaj se si ta “kërko[jnë] … Jezus[in]”? Një mënyrë mund të jetë që të fshihni një figurë të Jezusit dhe t’i ftoni pjesëtarët e familjes suaj të “kërko[jnë]” dhe ta gjejnë figurën. Si e kërkojmë Jezusin dhe si bekohemi kur e gjejmë Atë?

Ethëri 13:13–14; 15:19, 33–34

Mund të jetë interesante për pjesëtarët e familjes suaj që ta krahasojnë përvojën e Ethërit me përvojat e Mormonit dhe të Moronit (shih Mormoni 6; 8:1–10). Si janë ato të ngjashme? Si ishte shtegu i nefitëve drejt shkatërrimit, i ngjashëm me shtegun e jareditëve? (Krahasojeni vargun tek Ethëri 15:19 me vargun te Moroni 8:28.) Çfarë të vërtetash mësojmë që na ndihmojnë të shmangim atë që u ndodhi atyre?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Nxitni bërjen e pyetjeve. Fëmijët nga natyra janë kureshtarë. Nganjëherë ju mund t’i shihni pyetjet e tyre si një shpërqendrim nga ajo që po përpiqeni t’u mësoni. Përkundrazi, shikojini pyetjet si mundësi. Ato janë tregues që fëmijët janë gati të mësojnë – ato ju japin ide për shqetësimet e fëmijëve tuaj dhe mënyrën se si ndihen rreth asaj që po mësojnë (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25–26).

Ethëri i gjunjëzuar në hyrjen e një shpelle

Të Mrekullueshme Ishin Profecitë e Ethërit, nga Walter Rane