“2–8 Nëntor. Mormoni 7–9: ‘Unë ju Flas sikur të Ishit të Pranishëm’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“2–8 Nëntor. Mormoni 7–9”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
2–8 Nëntor
Mormoni 7–9
“Unë ju Flas sikur të Ishit të Pranishëm”
Mormoni dhe Moroni patën besim se anali i tyre do t’i frymëzonte njerëzit që do të jetonin në ditët e mëvonshme. Ndërsa i lexoni kapitujt te Mormoni 7–9, shkruajini mbresat që ju vijnë rreth mënyrës se si mund ta vini në jetë atë që po mësoni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Mormoni dhe Moroni e dinin se si ndihej një njeri që ishte i vetëm në një botë të ligë. Për Moronin vetmia duhet të ketë qenë veçanërisht e rëndë pasi babai i tij vdiq në betejë dhe nefitët u shkatërruan. “Madje unë kam mbetur vetëm”, shkroi ai. “Unë nuk kam më shokë, as ku të shkoj” (Mormoni 8:3, 5). Gjërat mund të jenë dukur pa shpresë, por Moroni gjeti shpresë në dëshminë e vet për Shpëtimtarin dhe në njohurinë e tij se “qëllimet e përjetshme të Zotit do të vazhdojnë” (Mormoni 8:22). Dhe Moroni e dinte që një rol kyç në ato qëllime të përjetshme do të luhej nga Libri i Mormonit – anali që po e përmblidhte tani zellshmërisht, anali që një ditë do të “shkëlqe[nte] në errësirë” dhe do të sillte shumë njerëz “në njohurinë e Krishtit” (Mormoni 8:16; 9:36). Besimi i Moronit në këto premtime bëri të mundur që ai t’u shpallte lexuesve të ardhshëm të këtij libri: “Unë ju flas sikur të ishit të pranishëm” dhe “unë e di se ju do t’i keni fjalët e mia” (Mormoni 8:35; 9:30). Ne tani vërtet i kemi fjalët e tij dhe puna e Zotit po përhapet, pjesërisht ngaqë Mormoni dhe Moroni qëndruan të vërtetë ndaj misionit të tyre, edhe kur ishin të vetëm.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Unë duhet të besoj te Jezu Krishti dhe të “mbah[em]” tek ungjilli i Tij.
Fjalët e fundit të shënuara nga Mormoni, të cilat gjenden te Mormoni 7, u drejtohen pasardhësve të lamanitëve në ditët e mëvonshme, por ato përmbajnë të vërteta që janë për të gjithë ne. Çfarë ju mëson mesazhi i Mormonit rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij? Përse mund ta ketë zgjedhur Mormoni këtë mesazh për të përfunduar shkrimet e tij?
Mormoni 7:8–10; 8:12–22; 9:31–37
Libri i Mormonit ka vlerë të madhe.
Presidenti Rasëll M. Nelson pyeti: “Nëse do t’ju ofronin diamante apo rubinë ose Librin e Mormonit, cilin do të zgjidhnit? Sinqerisht, cila ka më shumë vlerë për ju?” (“Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 61).
Mormoni dhe Moroni e dinin se anali që po mbanin do të ishte me vlerë të madhe në kohën tonë, prandaj ata bënë sakrifica të mëdha për ta përgatitur dhe mbrojtur atë. Ndërsa i lexoni vargjet te Mormoni 7:8–10; 8:12–22; dhe 9:31–37, merrni parasysh arsyen përse anali është kaq i vlefshëm në kohën tonë. Mund të gjeni ide shtesë te 1 Nefi 13:38–41; 2 Nefi 3:11–12; dhe Doktrina e Besëlidhje 33:16; 42:12–13. Cilat përvoja ju kanë ndihmuar të dini se Libri i Mormonit ka vlerë të madhe?
Libri i Mormonit u shkrua për kohën tonë.
Jezu Krishti i tregoi Moronit se çfarë do të ndodhte kur Libri i Mormonit të dilte në dritë (shih Mormoni 8:34–35) dhe ajo që Moroni pa, e bëri atë që të jepte paralajmërime të guximshme për kohën tonë. Ndërsa i lexoni vargjet te Mormoni 8:26–41 dhe 9:1–30, përsiatni nëse ka ndonjë shenjë të këtyre qëndrimeve dhe veprimeve në jetën tuaj. Çfarë mund të bënit ndryshe?
Për shembull, Mormoni 9:1–30 përmban mesazhin e Moronit në përgjigje të përhapjes së gjerë të mosbesimit te Jezu Krishti që ai e parashikoi për kohën tonë. Merreni parasysh të shënoni atë që mësoni nga fjalët e tij rreth sa vijon:
-
Pasojat e mosbesimit te Krishti (vargjet 1–6, 26)
-
Rëndësia e të besuarit te një Perëndi zbulese dhe mrekullish (vargjet 7–20)
-
Këshilla e Moronit për ne (vargjet 21–30)
Çfarë mësoni nga Moroni që mund t’ju ndihmojë t’i sillni të tjerët më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Mormoni 7:5–7, 10; 9:11–14
Çfarë na mësojnë këto vargje rreth planit të Atit Qiellor dhe përse na nevojitet një Shpëtimtar?
Mormoni 7:8–10
Çfarë kemi mësuar gjatë studimit tonë të Librit të Mormonit këtë vit, që na ka ndihmuar për ta forcuar besimin tonë te Bibla? Për të filluar një diskutim, ju mund të lexoni së bashku disa shkrime të shenjta nga Libri i Mormonit dhe Bibla që japin mësim të vërteta të ngjashme, të tilla si Alma 7:11–13 dhe Isaia 53:3–5 ose 3 Nefi 15:16–24 dhe Gjoni 10:16.
Mormoni 8:1–9
Si mund të ishit ndier po të kishit qenë vetëm siç qe Moroni? Çfarë na bën përshtypje nga puna që kreu ai?
Mormoni 8:12, 17–21; 9:31
Merreni parasysh t’i lexoni këto vargje si familje dhe më pas lexojeni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland: “Me përjashtim të rastit të Birit të Tij të përsosur, të Vetëmlindur, njerëz të papërsosur janë gjithë çka Perëndia ka pasur si veprues përherë. … Kur shihni papërsosmëri, mbani mend që kufizimi nuk është në hyjninë e kësaj pune” (“Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 94). Përse është e rrezikshme të përqendrohemi te papërsosmëritë e të tjerëve, përfshirë të atyre që e shkruan Librin e Mormonit?
Mormoni 8:36–38
Çfarë do të thotë të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit? Përse dikush mund të turpërohet nëse merr mbi vete emrin e Jezu Krishtit? Si mund të jemi të guximshëm në dëshmitë tona për Shpëtimtarin?
Mormoni 9:16–24
Për ta bërë që një eksperiment shkencor ose një recetë gatimi të dalë me sukses, nevojiten përbërës të caktuar. Merrni parasysh të bëni si familje një eksperiment ose të gatuani një recetë të parapëlqyer përpara leximit të vargjeve te Mormoni 9:16–24. Ndërsa i lexoni vargjet (veçanërisht vargjet 20–21), kërkoni “përbërësit” e domosdoshëm që i bëjnë të mundura mrekullitë. Çfarë mrekullish mund të shohim në botën përreth nesh dhe në familjen tonë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.