“26 Tetor – 1 Nëntor. Mormoni 1–6: ‘Unë do të Doja që t’ju Bindja të Gjith[ëve] … të Pendoheni’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“26 Tetor – 1 Nëntor. Mormoni 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
26 Tetor – 1 Nëntor
Mormoni 1–6
“Unë do të Doja që t’ju Bindja të Gjith[ëve] … të Pendoheni”
Ndërsa i lexoni kapitujt te Mormoni 1–6, përsiatni për atë që mësoni nga shembulli i Mormonit. Shënoni atë që ndiheni të frymëzuar të bëni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Mormoni nuk na dha një “rrëfim të plotë” të “pamje[s] kaq të tmerrshme” të ligësisë dhe gjakderdhjes që u pa mes nefitëve (Mormoni 2:18; 5:8). Por ajo që ai shënoi te Mormoni 1–6, është e mjaftueshme për të na kujtuar se sa shumë mund të bien në mëkat edhe njerëzit e drejtë. Mes ligësisë kaq të përhapur, askush nuk mund t’ia vërë fajin Mormonit që u ndie i lodhur dhe madje i shkurajuar. Prapëseprapë përmes gjithçkaje që pa dhe përjetoi, ai kurrë nuk e humbi kuptimin e tij për mëshirën e madhe të Perëndisë dhe bindjen e vet se pendimi është mënyra për ta marrë atë. Dhe, edhe pse vetë populli i Mormonit nuk i pranoi ftesat e tij përgjëruese që të pendoheshin, ai e dinte se kishte një publik më të gjerë për ta bindur. “Vini re”, shpalli ai, “unë u shkruaj të gjitha skajeve të tokës.” Me fjalë të tjera, ai ju shkroi juve (shih Mormoni 3:17–20). Dhe mesazhi i tij për ju, sot, është i njëjti mesazh që mund t’i kishte shpëtuar nefitët në kohën e tyre: “Besoni në ungjillin e Jezu Krishtit. … Pendoh[u]ni dhe … përgatit[u]ni të qëndroni para fronit të gjykimit të Krishtit” (Mormoni 3:21–22).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Unë mund të jetoj me drejtësi pavarësisht nga ligësia përreth meje.
Duke filluar te kapitulli i parë i Mormonit, ju do të vini re ndryshime të mëdha midis Mormonit dhe popullit përreth tij. Ndërsa lexoni kapitullin te Mormoni 1, merrni parasysh të bëni dallimin ndërmjet cilësive dhe dëshirave të Mormonit me cilësitë dhe dëshirat e popullit të tij. Vini në dukje pasojat që i erdhën atij si edhe atyre (ju do të gjeni një shembull te vargjet 14–15). Çfarë mësoni që ju frymëzon të jetoni me drejtësi në një botë të ligë?
Ndërsa i lexoni kapitujt te Mormoni 2–6, vazhdoni të kërkoni mënyrën se si Mormoni e shprehu besimin e tij tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti pavarësisht nga ndikimet e liga përreth tij.
Trishtimi sipas Perëndisë çon në ndryshim të vërtetë dhe afatgjatë.
Kur Mormoni e pa hidhërimin e popullit të vet, ai shpresoi se ata do të pendoheshin. Por “keqardhja e tyre nuk i çonte në pendim” (Mormoni 2:13) – nuk ishte lloji i trishtimit sipas Perëndisë që çon drejt ndryshimit të vërtetë (shih 2 Korintasve 7:8–11). Në vend të kësaj, nefitët ndien trishtim sipas botës (shih Mormoni 2:10–11). Që të kuptoni ndryshimin midis trishtimit sipas Perëndisë dhe trishtimit sipas botës, merrni parasysh të bëni një tabelë ku mund të shënoni atë që mësoni nga Mormoni 2:10–15 rreth këtyre dy llojeve të trishtimit. Tabela juaj duhet të duket diçka si kjo:
Trishtimi sipas Perëndisë |
Trishtimi sipas botës |
---|---|
Trishtimi sipas Perëndisë Vijmë te Jezusi (vargu 14) | Trishtimi sipas botës Mallkojmë Perëndinë (vargu 14) |
Trishtimi sipas Perëndisë | Trishtimi sipas botës |
Trishtimi sipas Perëndisë | Trishtimi sipas botës |
Teksa mendoni thellë për atë që mësoni, merreni parasysh se si ajo mund të ndikojë në përpjekjet tuaja që ta kapërceni mëkatin dhe të bëheni më shumë si Ati Qiellor dhe Shpëtimtari.
Shih edhe Diter F. Uhtdorf, “Ti Mund t’ia Dalësh Tani!”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 55–57.
Duhet ta dalloj gjithmonë dorën e Perëndisë në jetën time.
Mormoni shënoi një dobësi që e pa te nefitët: ata nuk arrinin t’i dallonin mënyrat se si Zoti i kishte bekuar. Presidenti Henri B. Ajring na këshilloi që “të gje[jmë] mënyra që të dallo[jmë] dhe kujto[jmë] mirësinë e Perëndisë. … Lut[uni] dhe … meditoni, duke bërë pyetjet: ‘A dërgoi Perëndia një mesazh që ishte vetëm për mua? A [e] kam parë dorën e Tij në jetën time ose në jetën e fëmijëve të mi?’ … Unë dëshmoj se Ai na do dhe na bekon, më shumë sesa shumica nga ne e kanë kuptuar tashmë” (“O Kujtoni, Kujtoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 67, 69).
Ndërsa i lexoni vargjet te Mormoni 3:3, 9, ju mund të përsiatni mënyrën se si po e njihni ndikimin e Perëndisë në jetën tuaj. Çfarë bekimesh vijnë kur e njohim ndikimin e Tij? Cilat janë pasojat kur nuk e njohim Atë? (Shih Mormoni 2:26.)
Jezu Krishti qëndron krahëhapur për të më pranuar.
Nefitët nuk i pranuan mësimet e Mormonit, por ai kishte shpresë që ky anal do të ndikonte te ju. Ndërsa i lexoni vargjet te Mormoni 5:8–24 dhe 6:16–22, çfarë mësoni rreth pasojave të mëkatit? Çfarë mësoni nga këto fragmente rreth ndjenjave të Atit Qiellor dhe Jezusit për ju, edhe kur mëkatoni? Si e keni ndier Jezu Krishtin duke u afruar drejt jush me krahët të hapur? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni si rrjedhojë?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Mormoni 1:2
Çfarë do të thotë të jesh “i shpejtë për të vënë re”? Mund të gjeni ide tek artikulli i Plakut Dejvid A. Bednar “Quick to Observe” (Ensign, dhjetor 2006, f. 30–36). Si ishte një bekim për Mormonin dhurata e të qenit i shpejtë për të vënë re? Si mund të jetë ajo një bekim për ne?
Mormoni 1:1–6, 15; 2:1–2
A e kuptojnë fëmijët në familjen tuaj se ata mund të zhvillojnë cilësi të mëdha shpirtërore dhe fuqi të madhe shpirtërore edhe pse janë të vegjël? Shembulli i Mormonit mund t’i ndihmojë ata. Merreni parasysh të bëni një bosht kohor për fëmijërinë dhe rininë e Mormonit, duke përdorur moshat dhe ngjarjet e dhëna te Mormoni 1:1–6, 15 dhe 2:1–2. Teksa diskutoni për cilësitë dhe përvojat e Mormonit, vini në dukje cilësi që i kanë fëmijët tuaj, të cilat ju frymëzojnë ju dhe njerëzit e tjerë përreth tyre.
Mormoni 2:18–19
Çfarë fjalësh përdori Mormoni që të përshkruante botën në të cilën jetoi? Si e ruajti ai shpresën pavarësisht nga ligësia përreth tij? Si mund të bëjë të njëjtën gjë familja jonë?
Mormoni 3:12
Si u ndie Mormoni ndaj njerëzve përreth tij, edhe pse ata ishin të ligj? Çfarë mund të bëjmë që të zhvillojmë llojin e dashurisë që pati ai?
Mormoni 5:2
Përse mund të ngurrojmë që t’i lutemi Atit Qiellor kur po hasim vështirësi? Çfarë mund të bëjmë për t’u mbështetur më shumë tek Ati Qiellor?
Mormoni 5:16–18
Për ta ndihmuar familjen tuaj që të përfytyrojë se çfarë do të thotë të “hidhen sa andej këtej si byku në erë” (vargu 16), griseni një fletë letre në copa të vogla dhe lejojini pjesëtarët e familjes që t’i fryjnë ato përreth. Shpjegojuni se byku është një ashkël që del nga një farë dhe është mjaft i lehtë që të fryhet përreth. Në ç’mënyrë është të qenit “pa Krisht dhe pa Perëndi në këtë botë” (vargu 16) si byku në erë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.