Eja, Më Ndiq
19–25 Tetor. 3 Nefi 27 – 4 Nefi: “Nuk Mund të Kishte një Popull më të Lumtur”


“19–25 Tetor. 3 Nefi 27 – 4 Nefi: ‘Nuk Mund të Kishte një Popull më të Lumtur’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“19–25 Tetor. 3 Nefi 27 – 4 Nefi”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Jezusi duke u lutur me nefitët

Lutja e Krishtit, nga Derek Hegsted

19–25 Tetor

3 Nefi 274 Nefi

“Nuk Mund të Kishte një Popull më të Lumtur”

Zoti i urdhëroi dishepujt e Tij t’i shkruanin gjërat që i përjetuan (shih 3 Nefi 27:23–24). Teksa studioni, mbajini shënim përvojat shpirtërore që keni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Mësimet e Jezu Krishtit nuk janë thjesht një filozofi e bukur për t’u përsiatur. Ato janë shumë më tepër se një filozofi – ato kanë si qëllim ta ndryshojnë jetën tonë. Libri “4 Nefi” jep një shembull befasues për këtë, duke ilustruar thjesht se sa tërësisht ungjilli i Shpëtimtarit mund ta shndërrojë një popull. Pas shërbesës kohëshkurtër të Jezusit morën fund shekuj grindjesh ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve. Dy kombe të njohura për mosmarrëveshje dhe krenari u bënë “një, fëmijë të Krishtit” (4 Nefi 1:17) dhe filluan t’i kishin “të gjitha gjërat e përbashkëta mes tyre” (4 Nefi 1:3). “Dashuri[a e] Perëndisë … jetonte në zemrat e njerëzve” dhe “nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë” (4 Nefi 1:15–16). Kjo është mënyra se si mësimet e Shpëtimtarit i ndryshuan nefitët dhe lamanitët. Si po ju ndryshojnë ato ju?

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

3 Nefi 27:1–12

Kisha e Jezu Krishtit quhet me emrin e Tij.

Teksa dishepujt e Shpëtimtarit filluan të themelonin Kishën e Tij anembanë vendit, një pyetje u ngrit që, për disa, mund të duket si një çështje e vogël – cili duhej të ishte emri i Kishës? (Shih 3 Nefi 27:1–3.) Çfarë mësoni rreth rëndësisë së këtij emri nga përgjigjja e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 27:4–12? Në vitin 1838 Zoti zbuloi emrin e Kishës së Tij sot (shih DeB 115:4). Përsiatni secilën fjalë në atë emër. Si na ndihmojnë këto fjalë të dimë se cilët jemi, çfarë besojmë dhe se si duhet të veprojmë?

Shih edhe Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 87–90; M. Rasëll Ballard, “Rëndësia e një Emri”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 79–82.

3 Nefi 28:1–11

Teksa i pastroj dëshirat e mia, unë bëhem një dishepull më besnik.

Çfarë do të thoshit nëse Shpëtimtari do t’ju pyeste, sikurse i pyeti dishepujt e Tij: “Çfarë dëshironi nga unë?” (3 Nefi 28:1). Mendoni për këtë teksa lexoni rreth përvojës së dishepujve të Shpëtimtarit tek 3 Nefi 28:1–11. Çfarë mësoni mbi dëshirat e zemrës së dishepujve nga përgjigjet e tyre për pyetjen e Tij? Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Për të arritur të ardhmen tonë të përjetshme ne do të dëshirojmë dhe punojmë për ato cilësi që kërkohen për t’u bërë një qenie e përjetshme. … Ne do të dëshirojmë të bëhemi si [Jezu Krishti]” (“Dëshirë”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 45). Çfarë mund të bëni për t’i bërë dëshirat e zemrës suaj më të drejta? (Për më shumë informacion se si do të “pësonin ndryshim” trupat e tre dishepujve, shihni vargun tek 3 Nefi 28:37 dhe “Qenie të Ngritura në Qiell”, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.)

4 Nefi 1:1–18

Kthimi në besimin te Jezu Krishti dhe tek ungjilli i Tij çon drejt unitetit dhe lumturisë.

A mund ta përfytyroni se si do të kishte qenë të jetonit në vitet që pasuan vizitën e Shpëtimtarit? Si e ruajtën njerëzit këtë paqe hyjnore për kaq gjatë – gati 200 vjet? Ndërsa i studioni vargjet te 4 Nefi 1:1–18, merrni parasysh t’i shenjoni ose shënoni zgjedhjet që bënë njerëzit me qëllim që ta përjetonin këtë jetë të bekuar.

Përsiatni se çfarë mund të bëni për ta ndihmuar familjen, lagjen ose komunitetin tuaj që të jetojnë në unitet e lumturi më të madhe, sikurse bënë njerëzit te 4 Nefi. Cilat mësime të Jezu Krishtit mund t’i jetoni më plotësisht me qëllim që ta përmbushni këtë synim? Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar të tjerët që t’i kuptojnë këto mësime dhe të jetojnë sipas tyre?

4 Nefi 1:19–49

Ligësia çon drejt përçarjes dhe hidhërimit.

Për fat të keq, shoqëria e Sionit, e përshkruar te 4 Nefi (shih edhe Moisiu 7:18), më së fundi u shpërbë. Ndërsa i lexoni vargjet te 4 Nefi 1:19–49, kërkoni qëndrimet dhe sjelljet që e bënë këtë shoqëri të shpërbëhej. A shihni ndonjë shenjë të këtyre qëndrimeve ose sjelljeve te vetja juaj?

Shih edhe “Kapitulli 18: Ruhuni nga Krenaria”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 243–255.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

3 Nefi 27:13–21

Këto vargje mund t’i ndihmojnë pjesëtarët e familjes që të kuptojnë më mirë atë që donte të thoshte Shpëtimtari kur iu referua frazës “ungjilli im”. Pasi t’i lexoni dhe t’i diskutoni këto vargje, ju mund t’i kërkoni secilit pjesëtar të familjes që të përmbledhë me një fjali se çfarë është ungjilli.

3 Nefi 27:23–26

Si po ia çojmë me shënimin e gjërave që kemi “parë dhe … dëgjuar” – individualisht ose si familje? Përse është e rëndësishme të mbajmë një anal të gjërave shpirtërore?

3 Nefi 27:30–31

Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes ta kuptojnë gëzimin që përshkroi Shpëtimtari në këto vargje, ju mund të luani një lojë në të cilën pjesëtarët e familjes fshihen dhe një pjesëtar tjetër i familjes përpiqet t’i gjejë ata. Kjo mund të çojë drejt një bashkëbisedimi rreth arsyes përse është e rëndësishme ta gjejmë çdo pjesëtar të familjes, kështu që “asnjë prej tyre nuk është i humbur”. Si mund t’i ndihmojmë pjesëtarët e familjes sonë që të qëndrojnë të fortë në ungjill ose të kthehen, në qoftë se janë larguar nga ungjilli?

3 Nefi 28:17–18, 36–40

Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Mormonit kur nuk e kuptoi gjithçka rreth ndryshimit që ndodhi tek tre dishepujt nefitë? Çfarë mund të bëjmë kur nuk e kuptojmë gjithçka rreth një parimi të ungjillit? Presidenti Diter F. Uhtdorf na mësoi: “Perëndia përkujdeset për ju. Ai do të dëgjojë dhe Ai do t’iu japë përgjigje pyetjeve tuaja vetjake. Përgjigjet ndaj lutjeve tuaja do të vijnë sipas vetë mënyrës së Tij dhe në vetë kohën e Tij dhe, si rrjedhim, ju keni nevojë të mësoni ta dëgjoni zërin e Tij” (“Marrja e një Dëshmie për Dritën dhe të Vërtetën”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 21).

4 Nefi 1:15

Për ta pakësuar grindjen në shtëpinë tuaj, ndoshta pjesëtarët e familjes mund të vendosin një synim që të jenë më të dashur me njëri‑tjetrin këtë javë. Pasi të mbarojë java, shqyrtojeni përparimin tuaj së bashku dhe diskutoni se si të treguarit e dashurisë më të madhe ka ndikuar në familjen tuaj.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni zbulesë çdo ditë. Zbulesa shpesh vjen “rresht pas rreshti” (2 Nefi 28:30). Kur përsiatni për vargjet që po studioni, ide dhe mbresa mund t’ju vijnë gjatë gjithë ditës. Mos mendoni për studimin e ungjillit si diçka “për të cilën krijoni kohë”, por si diçka që ju po e bëni gjithmonë (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 12).

Jezusi duke folur me tre dishepuj nefitë

Krishti me Tre Dishepuj Nefitë, nga Gary L. Kapp