Marrja e një Dëshmie për Dritën dhe të Vërtetën
Dëshmia juaj vetjake për dritën dhe të vërtetën jo vetëm që do t’ju bekojë juve dhe pasardhësit tuaj këtu në vdekshmëri, por gjithashtu do t’ju shoqërojë gjatë gjithë përjetësisë.
Ngaqë isha pilot i një linje ajrore, fluturoja orë të shumta përmes kontinenteve dhe oqeaneve gjatë errësirës së natës. Të shikuarit e qiellit natën nga dritarja e kabinës sime, veçanërisht e Udhës së Qumështit, shpesh më bëri të mahnitem nga pafundësia dhe thellësia e krijimeve të Perëndisë – atë që shkrimet e shenjta e përshkruajnë si “botë pa numër”.
Ishte më pak se një shekull më parë kur shumica e astronomëve mendonin që galaktika jonë e Udhës së Qumështit ishte galaktika e vetme në univers. Ata mendonin se gjithçka që shtrihej përtej galaktikës sonë, ishte një hiç i pamasë, një boshllëk i pafundmë – i zbrazët, i ftohtë dhe ku mungonin yjet, drita e jeta.
Ndërsa teleskopët u bënë më të përparuar – duke përfshirë teleskopë që mund të dërgoheshin në hapësirë – astronomët filluan të rrokin një të vërtetë madhështore, pothuajse të papërshkrueshme: universi është në mënyrë marramendëse më i madh nga sa kishte besuar ndokush më parë, se qiejt janë të mbushur me galaktika të panumërta, larg prej nesh në mënyrë të paimagjinueshme, secila duke përmbajtur qindra miliarda yje.
Brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, kuptueshmëria jonë për universin ndryshoi krejtësisht.
Sot ne mund t’i shohim disa prej këtyre galaktikave të largëta.
E dimë që ndodhen atje.
Ato kanë qenë atje për një kohë shumë të gjatë.
Por përpara se njerëzimi të kishte mjete mjaft të fuqishme për ta mbledhur dritën çelestiale dhe për t’i sjellë këto galaktika brenda shikueshmërisë, ne nuk besonim se një gjë e tillë ishte e mundur.
Pafundësia e universit nuk ndryshoi papritur, por aftësia jonë për ta parë e kuptuar këtë të vërtetë ndryshoi rrënjësisht. Dhe me atë dritë më të madhërishme, njerëzimit iu paraqitën peizazhe të lavdishme që kurrë nuk ishin përfytyruar më parë.
Është e Vështirë për Ne të Besojmë Atë që Nuk Mund ta Shohim
Mendoni sikur do të ishit në gjendje të udhëtonit në të shkuarën dhe do të bënit një bisedë me njerëz që jetuan njëmijë apo edhe njëqind vjet më parë. Përfytyroni sikur përpiqeni t’u përshkruani atyre disa nga teknologjitë moderne që ju dhe unë i marrim si të mirëqena sot. Për shembull, çfarë mund të mendonin këta njerëz për ne, nëse u tregonim historitë e avionëve reaktivë, furrave me mikrovalë, pajisjeve të dorës që përmbajnë biblioteka të pamasa dixhitale dhe të videove të nipërve e mbesave tona që menjëherë u tregohen miliona njerëzve në mbarë botën?
Disa mund të na besojnë. Shumica do të na tallin, kundërshtojnë apo ndoshta edhe do të kërkojnë të na bëjnë të heshtim apo të na bëjnë keq. Disa mund të përpiqen të vënë në zbatim logjikën, arsyen dhe faktet, siç i njohin ato, për të na treguar se ne jemi të pamend, të marrë apo edhe të rrezikshëm. Ata mund të na dënojnë se po përpiqemi t’i udhëheqim të tjerët në udhë të gabuar.
Por sigurisht, këta njerëz do të ishin tërësisht të gabuar. Ata mund të jenë qëllimmirë dhe të çiltër. Mund të ndihen tërësisht të sigurt për mendimin e tyre. Por thjesht nuk do të ishin në gjendje të shihnin qartësisht ngaqë nuk e kishin marrë ende dritën më të plotë të së vërtetës.
Premtimi i Dritës
Duket se është një tipar i njerëzimit të hamendësojë se ne kemi të drejtë, madje edhe kur e kemi gabim. Dhe nëse ky është rasti, çfarë shprese gjendet për secilin prej nesh? A jemi të paracaktuar që të vërtitemi pa qëllim në një oqean të informacioneve kundërshtuese, të ngecur në një trap, trarët e të cilit mezi i kemi lidhur së bashku, nga vetë paragjykimet tona?
A është e mundur që ta gjejmë të vërtetën?
Qëllimi i bisedës sime është që të shpall mesazhin e gëzueshëm që Perëndia Vetë – Zoti i Ushtrive, që e njeh gjithë të vërtetën – u ka dhënë fëmijëve të Tij premtimin se ata mund ta dinë të vërtetën për veten e tyre.
Ju lutem, merrni parasysh madhështinë e këtij premtimi:
Perëndia i Përjetshëm dhe i Plotfuqishëm, Krijuesi i këtij universi të pafundmë, do t’iu flasë atyre që i afrohen Atij me një zemër të sinqertë dhe një qëllim të vërtetë.
Ai do t’iu flasë atyre në ëndrra, vegime, mendime dhe ndjenja.
Ai do të flasë në një mënyrë që është e pagabueshme dhe që e tejkalon përvojën njerëzore. Ai do t’iu japë atyre udhërrëfim dhe përgjigje hyjnore për jetën e tyre vetjake.
Sigurisht, do të ketë nga ata që tallen e thonë se një gjë e tillë është e pamundur, se, nëse do të kishte një Perëndi, Ai do të kishte gjëra më të mira për të bërë sesa të dëgjonte lutjen e një njeriu të vetëm dhe t’i jepte përgjigje asaj.
Por unë ju them këtë: Perëndia përkujdeset për ju. Ai do të dëgjojë dhe Ai do t’iu japë përgjigje pyetjeve tuaja vetjake. Përgjigjet ndaj lutjeve tuaja do të vijnë sipas vetë mënyrës së Tij dhe në vetë kohën e Tij dhe, si rrjedhim, ju keni nevojë të mësoni ta dëgjoni zërin e Tij. Perëndia dëshiron që ju ta gjeni udhën e kthimit tek Ai dhe Shpëtimtari është udha. Perëndia dëshiron që ju të mësoni për Birin e Tij, Jezu Krishtin, e të përjetoni paqen dhe gëzimin e thellë që vijnë nga ndjekja e shtegut të dishepullimit hyjnor.
Miqtë e mi të dashur, ja një eksperiment mjaft i drejtpërdrejtë, me një garanci nga Perëndia, që gjendet në një libër të shkrimit të shenjtë, të lashtë, në dispozicion të çdo burri, gruaje dhe fëmije që është i gatshëm ta vërë atë në provë:
Së pari, ju duhet ta kërkoni fjalën e Perëndisë. Kjo do të thotë të lexoni shkrimet e shenjta dhe t’i studioni fjalët e profetëve të lashtë, si edhe të sotëm, lidhur me ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit – jo me qëllim që të dyshoni apo kritikoni, por me një dëshirë të sinqertë për ta zbuluar të vërtetën. Përsiatni për gjërat që do të ndieni dhe përgatiteni mendjen tuaj për ta marrë të vërtetën. “Edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju … që të bëni vend për [fjalën e Perëndisë].”
Së dyti, ju duhet të merrni parasysh, të përsiatni, të përpiqeni pa u trembur të besoni dhe të jeni mirënjohës për sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të Tij, që nga koha e Adamit deri në ditën tonë, duke na dhënë profetë, shikues e zbulues që ta udhëheqin Kishën e Tij dhe të na ndihmojnë ta gjejmë udhën e kthimit tek Ai.
Së treti, ju duhet t’i kërkoni Atit tuaj Qiellor, në emrin e Birit të Tij, Jezu Krishtit, që t’jua tregojë vërtetësinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kërkoni me një zemër të sinqertë dhe me qëllim të vërtetë, duke pasur besim në Krishtin.
Ka edhe një hap të katërt, që na është dhënë nga Shpëtimtari: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e [Perëndisë], do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime”. Me fjalë të tjera, kur po përpiqeni që ta verifikoni vërtetësinë e parimeve të ungjillit, ju duhet së pari t’i jetoni ato. Vërini në provë doktrinën e ungjillit dhe mësimet e Kishës në vetë jetën tuaj. Bëjeni atë me qëllim të vërtetë dhe besim të durueshëm te Perëndia.
Nëse do t’i bëni këto gjëra, ju keni një premtim nga Perëndia – i cili lidhet nga fjala e Tij – se Ai do t’jua shfaqë të vërtetën nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Ai do t’ju japë dritë më të madhe që do t’ju lejojë të shihni përmes errësirës dhe të dëshmoni peizazhe të lavdishme përtej imagjinatës, të pamundura për t’u parë nga syri njerëzor.
Disa njerëz mund të thonë se hapat janë tepër të vështirë apo që për ato nuk ia vlen mundimi. Por unë sugjeroj që kjo dëshmi vetjake për ungjillin dhe Kishën është gjëja më e rëndësishme që mund të fitoni në këtë jetë. Jo vetëm që do t’ju bekojë dhe udhërrëfejë gjatë kësaj jete, por do të luajë edhe një rol të drejtpërdrejtë në jetën tuaj përmes gjithë përjetësisë.
Gjërat e Shpirtit Mund të Kuptohen Vetëm Nëpërmjet Shpirtit
Shkencëtarët e kishin të vështirë ta kuptonin gjerësinë e universit, derisa mjetet u bënë mjaft të përparuara për të mbledhur dritë më të madhe, me qëllim që ata të mund të kuptonin një të vërtetë më tërësore.
Apostulli Pal na mësoi një parim të ngjashëm lidhur me diturinë shpirtërore. “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë”, u shkroi ai korintasve, “sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.”
Me fjalë të tjera, nëse dëshironi ta rrokni të vërtetën shpirtërore, ju duhet të përdorni mjetet e duhura. Nuk mund të fitoni një kuptueshmëri të së vërtetës shpirtërore me mjete që nuk janë në gjendje ta nxjerrin atë në pah.
Shpëtimtari na ka thënë në kohën tonë: “Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë”.
Sa më shumë që i drejtojmë zemrën e mendjen tonë për te Perëndia, aq më shumë dritë qiellore pikon në shpirtrat tanë. Dhe çdo herë që me dëshirë e zell e kërkojmë atë dritë, ne i vëmë në dukje Perëndisë gatishmërinë tonë për të marrë më shumë dritë. Dalëngadalë, gjërat që më parë dukeshin të turbullta, të zymta apo të largëta, bëhen të qarta, të shkëlqyera dhe të afërta për ne.
Në të njëjtën mënyrë, nëse e largojmë vetveten nga drita e ungjillit, vetë drita jonë fillon të zbehet – jo për një ditë apo javë, por dalëngadalë me kalimin e kohës – derisa e hedhim vështrimin pas dhe nuk mund ta kuptojmë plotësisht përse kishim besuar ndonjëherë që ungjilli ishte i vërtetë. Dituria jonë e mëparshme madje mund të na duket e pamend, sepse ajo që dikur ishte kaq e qartë, përsëri është bërë e zbehtë, e turbulluar dhe e larguar.
Kjo është arsyeja përse Pali nguli këmbë shumë që mesazhi i ungjillit është marrëzi për ata që po humben, “por për [ata] që shpëtohe[n] është fuqia e Perëndisë”.
Nuk Ka Asnjë Provë me Lakmus
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një vend për njerëz me të gjitha llojet e dëshmive. Ka disa anëtarë të Kishës dëshmia e të cilëve është e sigurt dhe u shkëlqen e shndritshme brenda vetes. Të tjerë po bëjnë ende përpjekje që ta dinë vetë. Kisha është një shtëpi për të gjithë njerëzit që të mblidhen së bashku, pavarësisht nga thellësia apo madhësia e dëshmisë sonë. Nuk di të ketë ndonjë shenjë te dyert e shtëpive tona të mbledhjeve që thotë: “Dëshmia jote duhet të jetë kaq e gjatë për t’u futur”.
Kisha nuk është thjesht për njerëz të përsosur, por për të gjithë që vijnë “te Krishti dhe [që] përsos[en] në të”. Kisha është për njerëz si ju dhe unë. Kisha është një vend i mikpritjes dhe i ushqyerjes shpirtërore, jo i veçimit ose të kritikuarit. Është një vend ku ne afrohemi për t’i dhënë kurajë njëri-tjetrit, për ta lartësuar e mbështetur njëri-tjetrin teksa vazhdojmë kërkimin tonë individual për të vërtetën hyjnore.
Në fund të fundit, ne të gjithë jemi shtegtarë që po kërkojmë dritën e Perëndisë, ndërkohë që udhëtojmë në shtegun e të qenit dishepull. Ne nuk i dënojmë të tjerët për përmasën e dritës që mund të kenë ose jo; përkundrazi, ne e ushqejmë dhe e nxitim të gjithë dritën derisa të shkëlqejë e kthjelltë, e shndritshme dhe e vërtetë.
Një Premtim për të Gjithë
Le ta pranojmë se, në më të shpeshtën, të fituarit e një dëshmie nuk është një detyrë që zgjat një minutë, një orë apo një ditë. Nuk është diçka që bëhet një herë e merr fund. Procesi i mbledhjes së dritës shpirtërore është kërkimi i një jete të tërë.
Dëshmia juaj për Birin e gjallë të Perëndisë dhe për Kishën e Tij të rivendosur, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, mund të mos vijë aq shpejt sa e dëshironi, por ju premtoj këtë: nëse e bëni pjesën tuaj, ajo do të vijë.
Dhe do të jetë e lavdishme.
Ju jap dëshminë time vetjake se e vërteta shpirtërore do ta mbushë zemrën tuaj dhe do t’i sjellë dritë shpirtit tuaj. Do t’ju zbulojë inteligjencë të kulluar, me gëzim të mrekullueshëm dhe paqe qiellore. Unë e kam përjetuar këtë vetë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.
Sikurse premtojnë shkrimet e shenjta, të lashta, prania e papërshkrueshme e Shpirtit të Perëndisë do t’ju bëjë të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, do t’jua lartësojë vështrimin drejt qiellit dhe do t’jua ngrejë zërin në përlëvdim të Perëndisë Më të Lartë, Strehimit tuaj, Shpresës suaj, Mbrojtësit tuaj, Atit tuaj. Shpëtimtari premtoi që, nëse kërkoni, do të gjeni.
Unë dëshmoj se kjo është e vërtetë. Nëse e kërkoni të vërtetën e Perëndisë, ajo që tani mund të shfaqet e zbehtë, e shpërqendruar dhe e largët, dalëngadalë do të zbulohet e qartësohet dhe do t’i afrohet zemrës suaj nëpërmjet dritës së hirit të Perëndisë. Peizazhe të lavdishme shpirtërore, të papërfytyrueshme nga syri njerëzor, do t’ju zbulohen.
Është dëshmia ime që kjo dritë shpirtërore mund të arrihet nga çdo fëmijë i Perëndisë. Ajo do ta ndriçojë mendjen tuaj dhe do t’i sjellë shërim zemrës suaj e gëzim ditëve tuaja. Miqtë e mi të dashur, ju lutem, mos e vononi çastin që ta kërkoni e forconi dëshminë tuaj vetjake për veprën hyjnore të Perëndisë, madje veprën e dritës dhe të së vërtetës.
Dëshmia juaj vetjake për dritën dhe të vërtetën jo vetëm që do t’ju bekojë juve dhe pasardhësit tuaj këtu në vdekshmëri, por gjithashtu do t’ju shoqërojë gjatë gjithë përjetësisë, mes botëve pa fund. Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë bekimin tim, në emrin e Jezu Krishtit, amen.