Sakramenti – Një Përtëritje për Shpirtin
Shpirti i shëron dhe i përtërin shpirtrat tanë. Bekimi i premtuar i sakramentit është që ne do të “kemi gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”.
Një grup të rejash më pyetën dikur: “Çfarë do të dëshiroje të kishe ditur kur ishe në moshën tonë?” Nëse do t’i përgjigjesha asaj pyetjeje tani, do të përfshija këtë mendim: “Do të dëshiroja që, kur isha në moshën tuaj, ta kisha kuptuar më mirë nga sa e kuptoja domethënien e sakramentit. Do të dëshiroja ta kisha kuptuar sakramentin në mënyrën që e përshkroi Plaku Xhefri R. Holland. Ai tha: ‘Një nga ftesat e pandara në ordinancën e sakramentit është që ajo të jetë një përvojë vërtet shpirtërore, një komunikim i shenjtë shpirtëror, një përtëritje për shpirtin’.”
Si mundet sakramenti “të jetë një përvojë vërtet shpirtërore, një komunikim i shenjtë shpirtëror, një përtëritje për shpirtin” çdo javë?
Sakramenti bëhet një përvojë forcuese shpirtërisht kur ne i dëgjojmë lutjet e sakramentit dhe rizotohemi ndaj besëlidhjeve tona. Për ta bërë këtë, ne duhet të jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Duke folur për këtë premtim, Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Kjo do të thotë që ne duhet ta shohim veten tonë si të Tijët. Ne do ta vëmë vërtet Atë të parin në jetën tonë. Ne do të duam vërtet më shumë atë që Ai do sesa atë që ne duam apo çka bota na mëson që të duam.”
Kur e marrim sakramentin, ne gjithashtu lidhim besë që “gjithmonë ta kujtoj[më]” Jezu Krishtin. Një natë përpara se të kryqëzohej, Krishti i mblodhi Apostujt e Tij rreth Vetes dhe nisi sakramentin. Ai e copëtoi bukën, e bekoi atë dhe tha: “Merrni, hani; kjo është në kujtim të trupit tim që e jap si shpërblesë për ju”. Pastaj Ai mori një kupë me verë, falënderoi, ua dha apostujve të Tij që ta pinin dhe tha: “… Kjo është në kujtim të gjakut tim … i cili derdhet për të gjithë ata që do të besojnë në emrin tim”.
Mes nefitëve dhe përsëri në Rivendosjen e Kishës së Tij në ditët e mëvonshme, Ai përsëriti se ne duhet ta marrim sakramentin në kujtim të Tij.
Kur e marrim sakramentin, ne i dëshmojmë Perëndisë se ne do ta kujtojmë gjithmonë Birin e Tij, jo vetëm gjatë ordinancës së shkurtër të sakramentit. Kjo do të thotë që ne do të shohim vazhdimisht shembullin dhe mësimet e Shpëtimtarit që të na udhërrëfejnë mendimet tona, zgjedhjet tona dhe veprat tona.
Lutja e sakramentit na kujton gjithashtu që ne duhet t’i “zbatoj[m]ë urdhërimet [e Tij]”.
Jezusi tha: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”. Sakramenti na jep një mundësi për shqyrtim të vetvetes dhe një mundësi për ta drejtuar zemrën dhe vullnetin tonë te Perëndia. Bindja ndaj urdhërimeve sjell fuqinë e ungjillit në jetën tonë dhe paqe e shpirtshmëri më të madhe.
Sakramenti siguron një kohë për një përvojë vërtet shpirtërore teksa ne reflektojmë mbi fuqinë shëlbuese e ndihmuese të Shpëtimtarit nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Një udhëheqëse e Të Rejave, kohët e fundit, mësoi rreth fuqisë që marrim ndërsa orvatemi ta marrim sakramentin plot mendim. Duke punuar për të plotësuar një kërkesë te Përparimi Personal, ajo vendosi një synim që të përqendrohej te fjalët e himneve dhe lutjeve të sakramentit.
Çdo javë, ajo kryente një vlerësim të vetes gjatë sakramentit. Ajo sillte ndër mend gabimet që kishte bërë dhe zotohej që të përmirësohej javën vijuese. Ajo ishte mirënjohëse që ishte në gjendje t’i ndreqte gjërat dhe të bëhej e pastër. Duke e kujtuar [këtë] përvojë, ajo tha: “Po veproja lidhur me pjesën e pendimit të Shlyerjes”.
Një të diel, pas vlerësimit të vetes, ajo filloi të ndihej e zymtë dhe pesimiste. Ajo mund të shihte se po bënte të njëjtat gabime pa pushim, nga java në javë. Por atëherë ajo pati një përshtypje të dallueshme se po shpërfillte një pjesë të madhe të Shlyerjes – fuqinë ndihmuese të Krishtit. Ajo po i harronte të gjitha herët kur Shpëtimtari e ndihmoi atë të ishte ajo që duhej të ishte dhe të shërbente përtej mundësisë së saj.
Me këtë në mendje, ajo reflektoi përsëri mbi javën e mëparshme. Ajo tha: “Një ndjenjë gëzimi e depërtoi melankolinë time kur vura re se Ai më kishte dhënë shumë mundësi dhe aftësi. Vura re me mirënjohje aftësinë që kisha për të qenë e kapshme ndaj nevojës së fëmijës tim kur ajo nuk ishte e dukshme. Vura re se një ditë, kur ndieja se nuk mund të arrija asnjë gjë tjetër, isha në gjendje t’i jepja fjalë forcuese një mikeje. Kisha treguar durim në një rrethanë që zakonisht nxirrte të kundërtën nga unë.”
Ajo arriti në përfundimin: “Kur e falënderova Perëndinë për fuqinë ndihmuese të Shpëtimtarit në jetën time, u ndjeva shumë më tepër optimiste kundrejt procesit të pendimit me të cilin po punoja dhe pashë drejt javës vijuese me shpresë të përtëritur”.
Plaku Melvin J. Ballard dha mësim se si sakramenti mund të jetë një përvojë shëruese dhe pastruese. Ai tha:
“Kush nga ne nuk e plagos shpirtin e tij me anë të fjalës, mendimit apo veprimit, nga shabati në shabat? Ne bëjmë gjëra për të cilat na vjen keq dhe dëshirojmë të falemi. … Metoda për të marrë falje është … të pendohemi për mëkatet tona, të shkojmë tek ata kundrejt të cilëve kemi mëkatuar ose bërë shkelje dhe të marrim faljen e tyre dhe më pas të kthehemi te tryeza e sakramentit ku, nëse jemi penduar sinqerisht dhe e kemi vënë veten në gjendjen e duhur, ne do të falemi dhe shërimi shpirtëror do t’u vijë shpirtrave tanë. …
Unë jam dëshmitar”, tha Plaku Ballard, “që ka një shpirt që merr pjesë në administrimin e sakramentit i cili e ngroh shpirtin nga koka te këmbët; ju i ndieni plagët e shpirtit të shërohen dhe barrën të hiqet. Ngushëllimi dhe lumturia i vijnë shpirtit që është i denjë dhe vërtet i dëshiruar për të marrë nga ky ushqim shpirtëror.”
Shpirtrat tanë të plagosur mund të shërohen dhe të përtërihen jo vetëm ngaqë buka dhe uji na kujtojnë për sakrificën e Shpëtimtarit, të mishit e gjakut të Tij, por ngaqë emblemat na kujtojnë edhe që Ai do të jetë gjithnjë “buka e jetës” dhe “uji [i] gjallë” për ne.
Pas administrimit të sakramentit te nefitët, Jezusi tha:
“Ai që ha këtë bukë, ha nga trupi im në shpirtin e tij; dhe ai që pi nga kjo verë, pi nga gjaku im në shpirtin e tij; dhe shpirti i tij nuk do të ketë kurrë uri ose etje, por do të jetë i ngopur.
Tani, pasi e gjithë turma hëngri dhe piu, vini re, ata u mbushën me Shpirtin.”
Me këto fjalë, Krishti na mëson se Shpirti i shëron dhe i përtërin shpirtrat tanë. Bekimi i premtuar i sakramentit është që ne do të “[kemi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”.
Kur e marr sakramentin, ndonjëherë përfytyroj në mendjen time një pikturë që portretizon Shpëtimtarin e Ringjallur me krahët e Tij të zgjatur, sikur Ai të jetë gati për të na marrë në përqafimin e Tij të dashur. Më pëlqen shumë kjo pikturë. Kur mendoj rreth saj gjatë administrimit të sakramentit, shpirti im lartësohet sikur mundem pothuajse t‘i dëgjoj fjalët e Shpëtimtarit: “Vini re, krahu im i mëshirës është shtrirë drejt jush dhe kushdo që do të vijë, unë do ta pranoj; dhe të bekuar qofshin ata që vijnë tek unë”.
Mbajtësit e priftërisë Aarone përfaqësojnë Shpëtimtarin kur ata e përgatitin, e bekojnë dhe e shpërndajnë sakramentin. Kur një mbajtës i priftërisë i zgjat duart e tij për të na ofruar emblemat e shenjta, është sikur Shpëtimtari Vetë po e zgjat krahun e Tij të mëshirës, duke e ftuar çdonjërin prej nesh që të marrë dhuratat e çmuara të dashurisë të bëra të mundura nëpërmjet sakrificës së Tij shlyese – dhuratat e pendimit, faljes, ngushëllimit dhe paqes.
Sa më shumë e përsiatim domethënien e sakramentit, aq më i shenjtë dhe kuptimplotë ai bëhet për ne. Kjo ishte ajo që një baba 96-vjeçar shprehu kur i biri e pyeti: “Babi, pse shkon ti në kishë? Ti nuk mund të shohësh, nuk mund të dëgjosh dhe është e vështirë për ty që të lëvizësh. Përse shkon në kishë?” Babai u përgjigj: “Prej sakramentit. Unë shkoj që të marr sakramentin.”
Ardhtë secili prej nesh në mbledhjen e sakramentit i përgatitur për të pasur “një përvojë vërtet shpirtërore, një komunikim të shenjtë shpirtëror, një përtëritje për shpirtin”.
Unë e di se Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë jetojnë. Jam mirënjohëse për mundësinë që sakramenti siguron për të ndier dashurinë e Tyre dhe për të marrë Shpirtin. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.