2010–2019
Shërbesat Tona Vetjake
tetor 2014


Shërbesat Tona Vetjake

Dashuria e Jezu Krishtit duhet të jetë udhërrëfyesi ynë, në qoftë se duam të vihemi në dijeni për nevojat e atyre që mund t’i ndihmojmë në njëfarë mënyre.

Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme na jepen mundësia dhe bekimi vetjak për të shërbyer. Për aq kohë sa kam qenë anëtar, unë kam shërbyer në mënyra të shumta. Sikurse thoshte Vëllai Udine Falabela, babai i Plakut Enrike R. Falabela: “Ai që shërben në ndonjë gjë është i mirë për diçka; ai që nuk shërben në asnjë gjë, nuk është i mirë për asgjë”. Këto janë fjalë që është e nevojshme t’i mbajmë në mendjen dhe zemrën tonë.

Kur kam kërkuar udhërrëfim gjatë shërbesës sime, unë kam gjetur ngushëllim duke sjellë ndër mend se Shpëtimtari përqendrohet tek individi dhe familja. Dashuria dhe vëmendja e Tij e dhembshur ndaj individit më kanë mësuar se Ai e njeh vlerën e madhe të secilit prej fëmijëve të Atit Qiellor dhe se është thelbësore për ne që të sigurojmë që i shërbehet çdo individi dhe se ai forcohet nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit.

Në shkrimet e shenjta lexojmë:

“Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë. …

Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja … dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!”

Çdo shpirt ka vlerë të madhe për Perëndinë, sepse ne jemi fëmijët e Tij dhe kemi potencialin për t’u bërë si Ai.

Dashuria e Jezu Krishtit duhet të jetë udhërrëfyesi ynë, në qoftë se duam të vihemi në dijeni për nevojat e atyre që mund t’i ndihmojmë në njëfarë mënyre. Mësimet e Zotit tonë, Jezu Krishtit, na e tregojnë mënyrën. Dhe kjo është se si fillon shërbesa jonë vetjake: duke zbuluar nevojat, më pas duke u përkujdesur për to. Sikurse tha Motra Linda K. Barton, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës: “Së pari vëzhgoni, pastaj shërbeni”.

Presidenti Tomas S. Monson është një shembull i mrekullueshëm i këtij parimi. Në janar të vitit 2005, ai po kryesonte një konferencë të udhëheqësve të priftërisë në Porto-Riko, kur tregoi se si Shpëtimtari dhe shërbëtorët e Tij japin shërbim nëpërmjet shërbesës vetjake. Në përfundim të asaj mbledhjeje të mrekullueshme, Presidenti Monson filloi t’i takonte të gjithë udhëheqësit e pranishëm të priftërisë. Papritur, vuri re se njëri prej tyre po e vëzhgonte gjithçka nga larg, i ndarë mënjanë.

Presidenti Monson u shkëput nga grupi, eci drejt atij vëllai dhe i foli atij. Me emocion, Hose R. Sajasi i tha se ishte një mrekulli që ai i ishte afruar atij dhe një përgjigje ndaj lutjeve që ai dhe bashkëshortja e tij, Jolanda, kishin bërë përpara mbledhjes. Ai i tha Presidentit Monson se bija e tij ishte në gjendje shumë të keqe shëndetësore dhe ai kishte me vete një letër nga gruaja e tij, që ajo dëshironte t’i dorëzohej Presidentit Monson. Vëllai Sajas i kishte thënë bashkëshortes së tij se do të ishte e pamundur përderisa Presidenti Monson do të ishte tepër i zënë. Presidenti Monson e dëgjoi historinë dhe ia kërkoi letrën, të cilën e lexoi në heshtje. Më pas ai e futi atë në xhepin e xhaketës dhe i tha Vëllait Sajas se ai do të kujdesej për kërkesën e tyre.

Në këtë mënyrë, ajo familje u prek nga Zoti ynë, Jezu Krishti, nëpërmjet shërbëtorit të Tij. Unë besoj se fjalët e Shpëtimtarit në shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë gjejnë zbatim te ne “Shko dhe bëj kështu edhe ti”.

Më 21 shtator 1998, uragani Xhorxh goditi Porto-Rikon, duke shkaktuar dëme të gjithanshme. Motra Martinez, pesë fëmijët tanë dhe unë ia dolëm të mbijetonim prej asaj stuhie të madhe dhe erërave me forcë uragani duke qëndruar në shtëpinë tonë. Megjithatë, kaluam dy javë pa ujë të rrjedhshëm dhe pa energji elektrike.

Kur na u mbarua furnizimi ynë me ujë, ishte e vështirë të gjenim më shumë ujë. Nuk do t’i harroj kurrë vëllezërit që na shërbyen duke na siguruar atë lëng të çmuar, as nuk do ta harroj mënyrën e dashur se si na shërbyen edhe motrat.

Herman Koloni erdhi në shtëpinë tonë me një enë të madhe plastike për ujë në kamionçinë. Na tha se po e bënte atë ngaqë, sipas fjalëve të veta: “E di se keni fëmijë të vegjël që kanë nevojë për ujë”. Pak ditë më vonë, Vëllezërit Noel Munjos dhe Herminio Gomes ngarkuan tri enë të mëdha uji në një kamion me karroceri të sheshtë. Ata u shfaqën te shtëpia jonë papritur dhe e mbushën çdo shishe uji që gjendej me ujë të pijshëm, duke i ftuar edhe fqinjët tanë që të mbushnin enët e tyre.

Lutjet tona morën përgjigje nëpërmjet shërbesave të tyre vetjake. Fytyrat e atyre tre vëllezërve pasqyruan dashurinë që Jezu Krishti ka për ne dhe shërbimi i tyre – me fjalë të tjera, shërbesa e tyre vetjake – solli shumë më tepër sesa ujë të pijshëm në jetën tonë. Për çdo bir ose bijë të Perëndisë, është thelbësore të dijë se njerëzit tregojnë interes dhe kujdesen për mirëqenien e tij ose të saj.

Unë ju dëshmoj se Ati Qiellor dhe Zoti ynë, Jezu Krishti, na njohin në mënyrë individuale dhe vetjake. Për këtë arsye, Ata sigurojnë atë që na nevojitet, që ne të kemi mundësinë për të arritur potencialin tonë hyjnor. Përgjatë udhës, Ata vendosin njerëz që do të na ndihmojnë. Më pas, ndërsa bëhemi mjete në duart e Tyre, ne jemi në gjendje të shërbejmë dhe t’i ndihmojmë njerëzit që Ata na i tregojnë nëpërmjet zbulesës.

Në këtë mënyrë, Zoti Jezu Krisht do t’i arrijë të gjithë fëmijët e Atit Qiellor. Bariu i Mirë do t’i mbledhë të gjitha delet e Tij. Ai do ta bëjë këtë një e nga një, kur ata e përdorin siç duhet lirinë e tyre të zgjedhjes morale – pasi e dëgjojnë zërin e shërbëtorëve të Tij dhe i marrin shërbimet e tyre. Atëherë ata do ta njohin zërin e Tij dhe do ta ndjekin Atë. Një shërbesë e tillë vetjake është e pandarë nga mbajtja e besëlidhjeve tona të pagëzimit.

Në të njëjtën mënyrë, të qenit një shembull i mirë i një dishepulli të Jezu Krishtit është letra jonë më e mirë e prezantimit për ata me të cilët mund ta ndajmë ungjillin e Tij. Kur e hapim gojën dhe flasim për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, ne bëhemi “ndihmësbarinjtë e Tij, të ngarkuar me të ushqyerin shpirtëror të deleve të kullotës së Tij dhe të qengjave të tufës së Tij”; ne bëhemi “të dobëtit dhe të thjeshtët” “peshkatarë [të] njerëz[ve]”.

Shërbimi dhe shërbesa jonë vetjake nuk kufizohen te njerëzit e gjallë të kësaj toke. Ne mund të bëjmë punë edhe për të vdekurit – për ata që jetojnë në botën e shpirtrave dhe që, gjatë jetës së tyre të vdekshme, nuk e patën mundësinë për t’i marrë ordinancat shpëtuese të ungjillit të Jezu Krishtit. Ne gjithashtu mund të mbajmë një ditar dhe t’i shkruajmë historitë e familjes sonë për t’i kthyer zemrat e të gjallëve tek të gjallët – si edhe zemrat e të gjallëve te paraardhësit e tyre. E gjitha është rreth lidhjes së bashku të familjes sonë, brez pas brezi, në lidhje të përjetshme. Kur e bëjmë këtë, ne bëhemi “[shpëtimtarë] … në malin e Sionit”.

Ne kemi mundësinë e veçantë për të qenë mjete në duart e Tij. Ne mund të jemi të tillë në martesat tona, në familjet tona, me miqtë tanë dhe me bashkënjerëzit tanë. Kjo është shërbesa jonë vetjake si dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit.

“Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.

Dhe delet do t’i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën.

Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.

Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë.’

Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: ‘Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?

Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?’

Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua’.”

Që ne të mund ta bëjmë këtë është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.