2010–2019
Jeta e Përjetshme – të Njohim Atin Tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin
tetor 2014


Jeta e Përjetshme – të Njohim Atin Tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin

Perëndia dhe Krishti janë me të vërtetë një Atë dhe një Bir – qenie të ndara, të dallueshme dhe të veçuara, që janë plotësisht të bashkuara në qëllimin e Tyre.

Shumë vite më parë, shfrytëzova mundësinë për të studiuar dëshmitë e fundit të profetëve në secilën periudhë ungjillore. Secili dha një dëshmi të fuqishme për Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Kur i kam lexuar këto dëshmi – dhe shumë të tjera si ato nëpër vite – ma ka prekur përherë zemrën fakti që ndieja se sa thellë Ati Qiellor e do Birin e Tij më të madh dhe se si Jezusi e tregon dashurinë e Tij nëpërmjet bindjes së Tij ndaj vullnetit të Atit të Tij. Dëshmoj se, kur bëjmë atë që është e nevojshme për t’i njohur Ata dhe për të njohur dashurinë e Tyre për Njëri-Tjetrin, ne do të fitojmë “më të madh[en] nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” – madje jetën e përjetshme. Pasi “kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”.

Si mund të bëhet e jona kjo dhuratë? Ajo vjen [duke e bërë atë] çështje zbulese vetjake, për të cilën është folur dhe është dhënë mësim këtë mëngjes.

A ju kujtohet hera e parë që e morët vesh se ka një Perëndi dhe mund të ndienit dashurinë e Tij? Kur isha djalë, e kisha zakon t’ia ngulja sytë qiellit plot yje dhe të përsiatja e ndieja praninë e Tij. Ngazëllehesha tek shqyrtoja bukuritë e madhërishme të krijimeve të Perëndisë – nga insektet vocërrake te pemët vigane. Ndërsa njihesha me bukurinë e kësaj toke, e dija se Ati Qiellor më donte. E dija se isha vërtet një pasardhës shpirtëror, se ne jemi të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë.

Ju mund të pyetni: Nga e dija unë këtë? Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Disave u jepet me anë të Frymës së Shenjtë të dinë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe … të tjerëve u jepet të besojnë në fjalët e tyre, që edhe ata të mund të kenë jetë të përjetshme, nëse qëndrojnë besnikë”. Nga këndvështrimi im, kjo nuk do të thotë që disa njerëz do të jenë përherë të varur nga dëshmitë e të tjerëve.

Dëshmia ime vetjake u rrit kur mësova për Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin nga mësimet dhe dëshmia e prindërve të mi, e mësuesve të mi, e shkrimeve të shenjta – të cilat i lexoja me zell – dhe veçanërisht nga mësimet dhe dëshmia e Frymës së Shenjtë. Ndërsa ushtrova besim dhe iu binda urdhërimeve, Fryma e Shenjtë dëshmoi se ajo që po mësoja, ishte e vërtetë. Kjo është mënyra se si unë arrita ta merrja dëshminë vetë.

Në këtë proces, çelës është kërkimi i zbulesës vetjake. Nefi e fton secilin prej nesh që të “ushqeh[et] me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”.

Përpara ditëlindjes sime të tetë, unë u përpoqa të kisha më shumë njohuri për pagëzimin. Lexova shkrimet e shenjta dhe u luta. Unë mësova se do të merrja dhuratën e Frymës së Shenjtë kur të konfirmohesha. Unë gjithashtu fillova të kuptoja se Perëndia dhe Krishti janë me të vërtetë një Atë dhe një Bir – qenie të ndara, të dallueshme dhe të veçuara, që janë plotësisht të bashkuara në qëllimin e Tyre. “Ne [i] duam at[a], sepse a[ta] na desh[ën] [të] parët.” Dhe pareshtur unë vija re se si Ata e duan Njëri-Tjetrin dhe punojnë së bashku për të mirën tonë. Dëgjojini disa prej shkrimeve të shenjta të shumta që na mësojnë këtë të vërtetë:

Duke dhënë mësim për jetën tonë para lindjes, Ati Qiellor e quajti Jezu Krishtin: “Biri im i Dashur, që ishte i Dashuri dhe i Zgjedhuri im që nga fillimi”. Kur Ati krijoi tokën, Ai e bëri atë “me anë të [Birit të Tij] të Vetëmlindur”.

Nënës së Jezusit, Maries, iu tha se ajo do të lindte “Biri[n] [e] Shumë të Lartit”. Dhe kur Jezusi ishte i ri, Ai i tha nënës së Tij se “duhej të merre[j] me punët e Atit [të Tij]”. Vite më vonë, kur Shpëtimtari u pagëzua, Ati Qiellor foli nga qiejt, duke thënë: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”.

Për t’u mësuar dishepujve të Tij që të luteshin, Jezusi tha këto fjalë:

“Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.

Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.”

Ai i mësoi Nikodemit: “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin”. Dhe Ai i shpjegoi mrekullitë e Tij duke thënë: “Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri”.

Ndërsa ora e Shlyerjes afrohej, Jezusi u lut, duke thënë: “O Atë, ora ka ardhur. … Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj.” Pastaj, teksa barra e mëkateve tona ra mbi Të, Ai u përgjërua: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti”. Në çastet e Tij të fundit në kryq, Jezusi u lut: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” dhe më pas bërtiti, “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!”

Ai atëherë vizitoi shpirtrat e atyre që kishin vdekur, në botën e shpirtrave, për t’u dhënë atyre “fuqi[në] për të ardhur, pas ringjalljes së tij së vdekuri, për të hyrë në mbretërinë e Atit të tij”. Pas ringjalljes së Tij, Ai iu shfaq Maria Magdalenës, duke i thënë: “Unë po ngjitem tek Ati im dhe [tek] Ati juaj”.

Kur erdhi te njerëzit në kontinentin amerikan, Ati i Tij e prezantoi Atë duke thënë: “Vini re Birin tim të Dashur, në të cilin unë jam shumë i kënaqur, në të cilin unë kam lartësuar emrin tim”. Kur Jezusi zbriti mes njerëzve tek tempulli, Ai e prezantoi Veten duke thënë: “Vini re, unë jam Jezu Krishti. … Unë … [e] kam lartësuar Atin, duke marrë përsipër mëkatet e botës.” Kur Ai e dha mësim doktrinën e Tij, Ai shpjegoi:

“Ajo është doktrina që Ati më dha mua; dhe unë dëshmoj për Atin dhe Ati dëshmon për mua”.

“Në të vërtetë … Ati dhe unë jemi një.”

A mund ta shohim një model në këto shkrime të shenjta që dëshmon për Atin dhe Birin si individë dhe qenie të dallueshme? Atëherë, si janë një Ata? Jo ngaqë Ata janë i njëjti person, por ngaqë Ata janë të bashkuar në qëllim, njëlloj të përkushtuar ndaj asaj që “të bëj[në] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”.

Jezusi është Perëndi, prapëseprapë Ai vazhdimisht e dallon Veten si një qenie e ndarë, e veçuar duke iu lutur Atit të Tij dhe duke thënë se Ai po bën vullnetin e Atit të Tij. Gjatë shërbesës së Tij mes nefitëve, Ai u përgjërua: “Atë, unë nuk lutem për botën, por për ata që ti më dhe nga bota … që unë të mund të jem në ta, sikurse ti, Atë, je në mua; që ne të mund të jemi një, që unë të mund të lartësohem në ta”.

Me këtë gjë në mendje, ne nuk habitemi që Rivendosja e ungjillit filloi me shfaqjen jo të një, por të dy qenieve të përlëvduara. Lidhur me Vegimin e tij të Parë, Profeti Jozef Smith dëshmoi: “Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!

Profeti i ri, i cili shkoi te korija për të mësuar se me cilën kishë duhej të bashkohej, shkoi me besim të palëkundur dhe doli që atje me njohurinë dhe një dëshmi për të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin, të cilin Perëndia kishte dërguar. Jozefi, njëlloj si profetët përpara tij, do të ishte atëherë një mjet për rivendosjen në botë të njohurisë që çon në jetën e përjetshme.

Edhe ju mund ta kërkoni Atin tonë Qiellor dhe “këtë Jezus për të cilin kanë [dëshmuar] profetët dhe apostujt” në shkrimet e shenjta dhe në këtë konferencë të përgjithshme. Ndërsa kërkoni zbulesë vetjake – zbulesën tuaj vetjake – ju do të zbuloni se Ati Qiellor ka siguruar një mënyrë të veçantë për ju që ta dini të vërtetën për vete: nëpërmjet anëtarit të tretë të Kreut-Perëndi, një personazhi të shpirtit të cilin e njohim si Fryma e Shenjtë.

“Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra” – përfshirë atë që kam thënë sot – “unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini [me siguri] të vërtetën e të gjitha gjërave.”

Vëllezër dhe motra, dëshmoj se Ati ynë Qiellor do që ne ta kërkojmë këtë njohuri tani. Fjalët e profetit Helaman thërrasin nga pluhuri: “Mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj … , një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien”. Me të vërtetë, ne nuk do të dështojmë.

Ai themel i sigurt është Jezu Krishti. Ai është “Shkëmbi i Qiellit”. Kur ne e ndërtojmë shtëpinë tonë mbi Të, shirat e ditëve të mëvonshme mund të bien, përmbytjet mund të vijnë dhe erërat mund të fryjnë, por ne nuk do të biem. Ne nuk do të biem, pasi shtëpia jonë dhe familja jonë do të jenë ndërtuar mbi Krishtin.

Unë dëshmoj se një shtëpi e tillë është “një shtëpi lavdie”. Aty ne mblidhemi së bashku për t’iu lutur Atit tonë Qiellor në emrin e Jezu Krishtit, Birit të Tij të Dashur. Aty ne i përlëvdojmë dhe u japim mirënjohje Atyre. Aty ne marrim Frymën e Shenjtë dhe “premtimi[n e] jetës së përjetshme, që [Ai na e jep ne]ve, madje [të] lavdisë së mbretërisë çelestiale”.

Jap dëshminë time të veçantë se Shpëtimtari ynë është Jezu Krishti, se Ai jeton, se Ati ynë i Amshuar Qiellor na do dhe kujdeset për ne, se ne kemi një profet në këtë periudhë ungjillore – madje Presidentin Tomas S. Monson – për të na drejtuar dhe udhërrëfyer. Shpirti i Shenjtë i dëshmon se kjo është e vërtetë secilit që shkon e kërkon njohuri. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.