2010–2019
Libri
tetor 2014


Libri

Historia familjare dhe puna në tempull duhet të jenë një pjesë e rregullt e adhurimit tonë vetjak.

Kur isha një skautist i ri 12-vjeçar, mora për dhuratë një pajisje të re të shumëdëshiruar skautizmi. Ishte një sëpatë me një këllëf të trashë lëkure! Në ngjitjen e radhës në mal për një natë, ne mbërritëm në kamping pasi u errësua, të lagur dhe të ftohur nga bora e dendur në shteg. Gjithçka për të cilën mund të mendoja ishte ndezja e një zjarri të madh bubulak. Unë menjëherë iu futa punës duke e prerë një pemë të rrëzuar me sëpatën time të re. Teksa e godisja, isha i nervozuar sepse dukej se nuk priste shumë mirë. Prej nervozizmit tim, punova më fort. I zhgënjyer, u ktheva në kamping me vetëm pak copa druri. Me anë të dritës së zjarrit të dikujt tjetër, e zbulova problemin. Nuk ia kisha hequr këllëfin sëpatës. Mund të raportoj, sidoqoftë, se këllëfi ishte bërë copash. Mësimi: Unë u shpërqendrova nga gjëra të tjera.

Teksa punojmë drejt ekzaltimit, ne duhet të punojmë për të gjitha kërkesat dhe të mos shpërqendrohemi duke u përqendruar te një ose dy kërkesa apo gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me to. Kërkimi i mbretërisë së Perëndisë të çon te gëzimi dhe lumturia. Nëse nevojitet, ne duhet të jemi të gatshëm të ndryshojmë. Korrigjime të vogla të vazhdueshme janë më pak të dhembshme dhe shqetësuese sesa korrigjime të mëdha të drejtimit të jetës.

Jo shumë kohë më parë, unë dhe Motra Paker udhëtuam për në disa vende të huaja. Ne i bëmë gati pasaportat dhe dokumentet e tjera. I bëmë të gjitha vaksinat, analizat mjekësore, i [morëm të gjitha] vizat dhe vulat e kalimit. Kur mbërritëm, dokumentet tona u shqyrtuan dhe kur qenë plotësuar të gjitha kërkesat, ne u lejuam të hyjmë.

Kualifikimi për ekzaltim është njësoj si përgatitja për të hyrë në një vend tjetër. Secili prej nesh duhet të marrë pasaportën e vet shpirtërore. Nuk i vendosim ne kërkesat, por, individualisht, ne duhet t’i plotësojmë të gjitha ato. Plani i shpëtimit përmban të gjitha doktrinat, të gjitha ligjet, urdhërimet dhe ordinancat e nevojshme për të gjithë që të kualifikohen për ekzaltim. Më pas, “nëpërmjet Shlyerjes së [Jezu] Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet”. Kisha ndihmon por nuk mund ta bëjë këtë për ne. Kualifikimi për ekzaltim bëhet qëllimi ynë për të gjithë jetën.

Krishti e organizoi Kishën e Tij për të na ndihmuar. Ai ka thirrur 15 burra që ne i mbështetim si profetë, shikues dhe zbulues për të drejtuar Kishën dhe për të mësuar njerëzit. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve janë me fuqi dhe autoritet të barabartë, me Apostullin më të vjetër të caktuar si President i Kishës. Të Shtatëdhjetët thirren për t’u ardhur në ndihmë. Kërkesat për ekzaltim nuk i vunë udhëheqësit. I vuri Perëndia! Këta udhëheqës thirren për të dhënë mësim, për të sqaruar, për të nxitur dhe madje për të paralajmëruar në mënyrë që ne të ruajmë drejtimin.

Sikurse shpjegohet në manualin e Kishës: “Në përmbushje të qëllimit të saj për të ndihmuar individët dhe familjet që të kualifikohen për ekzaltim, Kisha përqendrohet në përgjegjësi të caktuara hyjnisht. Këto përfshijnë ndihmën për anëtarët që të jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit, mbledhjen e Izraelit nëpërmjet punës misionare, përkujdesjen për të varfrit e nevojtarët dhe mundësimin e shpëtimit për të vdekurit duke ndërtuar tempuj dhe duke kryer ordinanca mëkëmbëse.” Këto katër pika qendrore dhe të gjitha ligjet, urdhërimet dhe ordinancat e tjera kërkohen dhe nuk janë fakultative. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe duke bërë secilën prej tyre, ne po i shtojmë pasaportës sonë shpirtërore vulat e kërkuara.

Gjatë kësaj konference ne po marrim mësim rreth ndryshimeve që do të na ndihmojnë të gjithëve ne të jemi më të mirëpërgatitur.

Familja është qendra e planit të shpëtimit dhe ndoshta kjo është arsyeja përse ai quhet edhe “plani [i] madh [i] lumturisë”. Presidenti Bojd K. Paker ka thënë: “Qëllimi përfundimtar i gjithë aktivizimit në Kishë është që një burrë e bashkëshortja e tij dhe fëmijët e tyre të mund të jenë të lumtur në shtëpi”.

Presidenti Spenser W. Kimball tha: “Suksesi ynë, individualisht dhe si Kishë, do të përcaktohet kryesisht nga ajo se sa me besnikëri ne përqendrohemi tek të jetuarit e ungjillit në shtëpi”. Puna në tempull dhe për historinë familjare janë pjesë e të jetuarit të ungjillit në shtëpi. Duhet të jetë një veprimtari familjare shumë më tepër sesa një veprimtari e Kishës.

Ka pasur një theks të përtërirë te puna për historinë familjare dhe atë të tempullit nga Presidenca e Parë e nga Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve. Përgjigjja juaj ndaj këtij theksi do ta shtojë gëzimin dhe lumturinë tuaj individuale dhe familjare.

Nga Doktrina e Besëlidhje ne lexojmë: “Dita e madhe e Zotit është pranë. … Si rrjedhim, ne, si një kishë e si një popull dhe si Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme, le t’i ofrojmë Zotit një blatim me drejtësi; dhe le të paraqesim në tempullin e tij të shenjtë, kur të mbarohet, një libër që përmban analet e të vdekurve tanë, të cilët do të jenë të denjë për t’u pranuar plotësisht.”

Ky “libër” do të përgatitet duke përdorur analet në bazën e të dhënave te programi FamilyTree i Kishës.

Po e kontrolloj dhe po i shtoj anale kësaj baze të dhënash sepse dua që emrat e të gjithë atyre që dua të jenë në libër. A nuk doni ju?

Te Doktrina e Besëlidhje seksioni 128 thuhet: “Sepse ne pa ta [paraardhësit tanë] nuk mund të bëhemi të përsosur; as ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur”.

Historia familjare është më shumë se sa gjenealogjia, rregullat, emrat, datat dhe vendet. Ajo është më shumë sesa një përqendrim tek e kaluara. Historia familjare përfshin edhe të tashmen teksa e krijojmë historinë tonë vetjake. Ajo përfshin të ardhmen teksa i japim formë historisë së të ardhmes nëpërmjet pasardhësve tanë. Një nënë e re, për shembull, duke u treguar historitë dhe fotografitë e saj familjare fëmijëve, po bën punë për historinë familjare.

Njësoj si marrja e sakramentit, pjesëmarrja në mbledhje, leximi i shkrimeve të shenjta dhe lutjet vetjake, historia familjare dhe puna në tempull duhet të jenë një pjesë e rregullt e adhurimit tonë vetjak. Përgjigjja e rinisë sonë dhe e të tjerëve ndaj ftesave profetike ka qenë frymëzuese dhe vërteton se kjo punë mund dhe duhet bërë nga të gjithë anëtarët e çdo moshe.

Sikurse shpjegoi Plaku Kuentin L. Kuk: “Ne [tani] kemi doktrinën, tempujt dhe teknologjinë”. Bërja e punës tani është shumë më e lehtë dhe kufizohet vetëm nga numri i anëtarëve që po e bëjnë atë një përparësi. Puna prapëseprapë do kohë dhe sakrificë, por të gjithë mund ta bëjmë atë dhe relativisht më lehtë krahasuar me vetëm pak vite më parë.

Për t’u ardhur në ndihmë anëtarëve, Kisha ka mbledhur dokumente dhe ka siguruar mjete kështu që pjesa më e madhe e punës të mund të bëhet në vetë shtëpitë tonat ose në ndërtesat e lagjeve dhe në tempull. Shumica e pengesave janë hequr. Cilido qoftë perceptimi juaj i kaluar, tani është ndryshe!

Megjithatë, ka një pengesë që Kisha nuk mund ta heqë. Është ngurrimi i një individi për ta bërë punën. Gjithçka që kërkohet për të, është një vendim dhe pak përpjekje. Nuk duhet një sasi e madhe kohe. Vetëm pak kohë me një rregull të qëndrueshëm do ta prodhojë gëzimin e punës. Merrni vendimin për të hedhur një hap, për të mësuar dhe për t’u kërkuar të tjerëve t’ju ndihmojnë. Ata do ta bëjnë! Emrat që gjeni dhe i çoni në tempull, do të bëhen anale për “lib[rin]”.

Edhe me rritjen e ndjeshme të pjesëmarrjes së anëtarëve, ne zbulojmë se relativisht pak anëtarë të Kishës përfshihen rregullisht në gjetjen dhe bërjen e ordinancave të tempullit për familjen e tyre. Kjo bën thirrje për një ndryshim në përparësitë tona. Mos e luftoni ndryshimin, përqafojeni atë! Ndryshimi është pjesë e planit të madh të lumturisë.

Kjo punë duhet bërë, jo për dobinë e Kishës por për të vdekurit tanë dhe për veten tonë. Ne dhe paraardhësit tanë të vdekur kemi nevojë për vulat në pasaportat tona shpirtërore.

“Lidhj[a] bashkëngjitëse” e familjeve tona nëpër breza mund të ndodhë vetëm në tempuj, nëpërmjet ordinancave vulosëse. Hapat janë të lehtë: thjesht gjeni një emër dhe çojeni atë në tempull. Me kalimin e kohës do të jeni në gjendje të ndihmoni edhe të tjerë që ta bëjnë këtë.

Me pak përjashtime, çdokush – çdokush – mund ta bëjë këtë!

Ka bekime të prekshme që e shoqërojnë këtë punë. Shumë prindër dhe udhëheqës shqetësohen rreth kushteve të tanishme të botës dhe ndikimit te familjet dhe rinia.

Plaku Dejvid A. Bednar ka premtuar: “I ftoj të rinjtë e Kishës që të mësojnë e të përjetojnë Shpirtin e Elijas. … Unë ju premtoj se ju do të jeni të mbrojtur ndaj ndikimit në rritje të kundërshtarit. Ndërsa merrni pjesë dhe e doni këtë punë të shenjtë, ju do të mbroheni në rini dhe gjatë gjithë jetës suaj.”

Vëllezër e motra, është koha për t’ua hequr këllëfin sëpatave tona dhe për t’iu futur punës. Ne nuk duhet ta sakrifikojmë ekzaltimin tonë ose atë të familjeve tona për interesa më pak të rëndësishme.

Kjo është puna e Perëndisë, që duhet bërë njësoj nga anëtarë dhe joanëtarë, të rinj e të vjetër, meshkuj e femra.

Po e mbyll duke cituar strofën e parë të himnit 324, duke ndryshuar një fjalë:

[Shenjtorë] t’Per’ndis’ ço’uni!

Gjërat pa vler’ lini.

Zemrën, shpirtin, forcën jepni,

Mbretit t’i shërbeni.

Jezu Krishti është Mbreti! Unë dëshmoj për Të në emrin e Jezu Krishtit, amen.