2010–2019
Jetoni sipas Fjalëve të Profetëve
tetor 2014


Jetoni sipas Fjalëve të Profetëve

Për të qenë në harmoni me qëllimet hyjnore të qiellit, ne e mbështetim profetin dhe zgjedhim të jetojmë sipas fjalëve të tij.

Ati ynë në Qiell i do të gjithë fëmijët e Tij dhe dëshiron që ata ta dinë dhe kuptojnë planin e Tij të lumturisë. Prandaj, Ai thërret profetë, ata që janë shuguruar me fuqi dhe autoritet për të vepruar në emrin e Perëndisë për shpëtimin e fëmijëve të Tij. Ata janë lajmëtarë të drejtësisë, dëshmitarë të Jezu Krishtit dhe të fuqisë së pafundme të Shlyerjes së Tij. Ata i mbajnë çelësat e mbretërisë së Perëndisë në tokë dhe autorizojnë kryerjen e ordinancave shpëtuese.

Në Kishën e vërtetë të Zotit, “kurrë nuk ka përveçse një njeri mbi tokë gjatë një kohe, mbi të cilin kjo fuqi dhe çelësat e kësaj priftërie jepen”. Ne e mbështetim Presidentin Tomas S. Monson si profetin, shikuesin dhe zbuluesin tonë. Ai e zbulon fjalën e Zotit për ta udhëhequr dhe drejtuar të gjithë Kishën tonë. Ashtu si Presidenti J. Ruben Klark i Riu shpjegoi: “Vetëm Presidenti i Kishës … ka të drejtën që të marrë zbulesa për Kishën”.

Lidhur me profetin e gjallë, Zoti i urdhëron njerëzit e Kishës së Tij:

“Ju duhet t’u vini veshin [të gjitha] fjalëve dhe urdhërimeve të tij, që ai do t’jua japë ashtu siç i merr ato, duke ecur gjithë shenjtëri përpara meje;

Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime, plot durim e besim.

Pasi duke i bërë këto gjëra, portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush.”

Për të qenë në harmoni me qëllimet hyjnore të qiellit, ne e mbështetim profetin dhe zgjedhim të jetojmë sipas fjalëve të tij.

Ne gjithashtu i mbështetim këshilltarët e Presidentit Monson dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues dhe zbulues. “Ata kanë të drejtën, fuqinë dhe autoritetin për të shpallur mendjen dhe vullnetin e [Zotit] … , në varësi të … Presidentit të Kishës.” Ata flasin në emrin e Krishtit. Ata profetizojnë në emrin e Krishtit. Ata i bëjnë të gjitha gjërat në emrin e Jezu Krishtit. Në fjalët e tyre ne dëgjojmë zërin e Zotit dhe ndiejmë dashurinë e Shpëtimtarit. “Dhe çfarëdo që ata do të flasin kur nxiten nga Fryma e Shenjtë, do të jetë shkrim i shenjtë … dhe fuqia e Perëndisë për shpëtim.” Zoti Vetë ka folur: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi, është njësoj”.

Ne jemi mirënjohës për një kishë të “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes”. Shtëpia e Zotit është një shtëpi rregulli dhe kurrë nuk duhet të mashtrohemi se ku duhet t’i kërkojmë përgjigjet për pyetjet tona apo të jemi të pasigurt se cilin zë të ndjekim. Ne nuk duhet “të lëkund[emi] dhe të transport[ohemi] nga çdo erë doktrineje”. Perëndia e zbulon fjalën e Tij nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të shuguruar, “për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë”. Kur zgjedhim të jetojmë sipas fjalëve të profetëve, ne jemi në shtegun e besëlidhjes që çon drejt përsosjes së përjetshme.

Nga një nënë e vetme që po përpiqej t’i mbijetonte një periudhe që kishte zi buke, ne mësojmë se çfarë do të thotë ta mbështetësh një profet. Zoti e udhëzoi profetin Elia që të shkonte në Sarepta, ku ai do të gjente një grua të ve të cilën Perëndia e kishte urdhëruar që t’i siguronte ushqim. Ndërsa Elia iu afrua qytetit, ai e pa atë duke mbledhur dru. Ai i thirri: “Shko dhe më merr pak ujë në një enë që të mund të pi”.

“Ndërsa ajo po shkonte për të marrë ujin, ai e thirri [përsëri] dhe i tha: ‘Më sill edhe një copë bukë’.

Ajo u përgjigj: ‘Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia yt, bukë nuk kam, por kam vetëm një dorë miell në një enë dhe pak vaj në një qyp; dhe tani po mbledh dy copa dru për t’i përgatitur për vete dhe për djalin tim; do t’i hamë dhe pastaj kemi për tëtë vdekur’.

Elia i tha: ‘Mos ki frikë; shko dhe bëj si the; por më parë bëj një kulaç të vogël për mua dhe sillma; pastaj ta bësh për vete dhe për djalin tënd’.”

Përfytyroni për një çast vështirësinë e asaj që profeti po i kërkonte të bënte një nëne të uritur. Sigurisht, Perëndia Vetë mund të kishte siguruar ushqim për shërbëtorin e Tij besnik. Por, duke vepruar në emrin e Zotit, Elia bëri ashtu siç u udhëzua, që ishte t’i kërkonte një bije të dashur të Perëndisë të sakrifikonte atë që ajo kishte për ta mbështetur profetin.

Por Elia gjithashtu premtoi një bekim për bindjen: “Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: ‘Ena e miellit nuk do të mbarojë dhe qypi i vajit nuk do të pakësohet deri ditën, që Zoti të dërgojë shiun mbi tokë’”. Zoti i dha të vesë mundësinë që të zgjidhte t’u besonte dhe bindej fjalëve të profetit.

Në një botë të kërcënuar nga zia për drejtësi dhe uria shpirtërore, ne jemi urdhëruar ta mbështetim profetin. Ndërsa ia vëmë veshin, mbështetim dhe pohojmë fjalën profetike, ne dëshmojmë se kemi besimin për t’iu nënshtruar përulësisht vullnetit, urtësisë dhe kohës së Zotit.

Ne ia vëmë veshin fjalës profetike edhe kur mund të duket e paarsyeshme, e pavolitshme dhe e parehatshme. Sipas standardeve të botës, ndjekja e profetit mund të jetë e papëlqyer, e pasaktë politikisht apo e papranueshme shoqërisht. Por ndjekja e profetit është gjithmonë e drejtë. “Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.” “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd.”

Zoti i nderon dhe i përkrah ata të cilët do t’ia vënë veshin udhëzimit profetik. Të vesë nga Sarepta, bindja ndaj Elias i shpëtoi jetën e saj dhe më së fundi jetën e djalit të saj. Ashtu si kishte premtuar profeti, “hëngrën ajo, Elia dhe gjithë familja e saj për një kohë të gjatë … sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të Elias”.

Zoti “do t’i ushqejë ata që i mirëbesojnë Atij”. Fjalët e profetëve janë si mana për shpirtrat tanë. Kur i marrim ato, ne bekohemi, mbrohemi dhe ruhemi si materialisht ashtu edhe shpirtërisht. Kur ushqehemi me bollëk me fjalën e tyre, ne mësojmë se si të vijmë te Krishti dhe të jetojmë.

Plaku Brus R. Mek-Konki shkroi se nëpërmjet profetëve “Zoti zbulon të vërtetat e shpëtimit, … shpëtimit që është në Krishtin; dhe ai përcakton … drejtimin që çon te jeta e përjetshme. … Në çdo kohë, Zoti i jep popullit të tij drejtimin që i nevojitet në çastin kur janë në rrezik dhe nën kërcënim. Dhe me siguri në ditët që do të vijnë, do të ketë raste kur asgjë tjetër përveç urtësisë së Perëndisë, që zbret nga qielli dhe rrjedh nga buzët profetike, nuk do të jetë në gjendje ta shpëtojë popullin e tij.”

Për mua, fjalët e profetëve që m’u mësuan nga mësuesja ime e Dafinave, më dhanë largpamësi për mënyrën si duhet të duket një marrëdhënie e martesës në besëlidhje. Fjalët e profetëve më dhanë besimin dhe shpresën se unë mund të përgatitesha për një shtëpi të lumtur dhe ta kisha atë. Të studiuarit vazhdimisht të mësimeve të profetëve, si të lashtë edhe të sotëm, më mbështeti gjatë viteve të vështira dhe shpesh të lodhshme të lindjes, të të mësuarit dhe të rritjes së shtatë fëmijëve. Fjalët e profetëve në shkrimet e shenjta dhe ato të dhëna mësim nga kjo foltore janë fjalë ngushëllimi, dashurie, force dhe hareje të lumtur që na përfshijnë të gjithëve.

Kur ua vëmë veshin fjalëve të profetëve, ne e ndërtojmë shtëpinë dhe jetën tonë mbi një themel përjetësisht të sigurt, “shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, Biri i Perëndisë, … që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në … mjerimi[n] dhe … vuajtje[n e] pafund”.

Ne e kemi një zgjedhje. Ne mund të zgjedhim ta shpërfillim, tallim, marrim nëpër këmbë fjalën e Krishtit të folur nga shërbëtorët e Tij të shuguruar apo të ngremë krye kundër saj. Por Shpëtimtari dha mësim se ata që e bëjnë këtë do të dëbohen nga populli i Tij i besëlidhjes.

Ndërsa e lexojmë dhe e studiojmë plot lutje fjalën e shenjtë profetike me besim te Krishti, me qëllim të vërtetë, Fryma e Shenjtë do t’ua thotë të vërtetën mendjeve dhe zemrave tona. I hapshim veshët tanë për të dëgjuar, zemrat tona për të kuptuar dhe mendjet tona që misteret e Perëndisë të mund të shpalosen në pamjen tonë.

Unë jap dëshminë time se Jozef Smithi ishte dhe është profeti i thirrur nga Perëndia për të rivendosur ungjillin e Jezu Krishtit dhe priftërinë e Tij në tokë. Dhe dëshmoj se me Presidentin Monson ne sot udhëhiqemi nga një profet i vërtetë i Perëndisë. Zgjedhshim të qëndrojmë me profetët dhe të jetojmë sipas fjalëve të tyre derisa të bëhemi të bashkuar në besim, të pastruar në Krishtin dhe të mbushur me njohurinë e Birit të Perëndisë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.