Sakramenti dhe Shlyerja
Ordinanca e sakramentit duhet të bëhet më e shenjtë dhe më e shenjtëruar për secilin prej nesh.
Në prag të Gjetsemanit dhe Kalvarit, Jezusi i mblodhi Apostujt e Tij së bashku për herë të fundit për të adhuruar. Vendi ishte dhoma e sipërme e shtëpisë së një dishepulli në Jerusalem dhe stina ishte Pashka.
Përpara tyre ishte ushqimi tradicional i Pashkës, i përbërë nga qengji i flijuar, vera dhe buka pa maja, simbole të shpëtimit të shkuar të Izraelit nga skllavëria e vdekja dhe të një shëlbimi të ardhshëm ende për t’u kryer. Ndërsa darka iu afrua fundit, Jezusi mori bukën, e bekoi dhe e theu, dhe ua dha Apostujve të Tij, duke thënë: “Merrni, hani”. “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim.” Në mënyrë të ngjashme, Ai mori kupën e verës, tha një bekim për të dhe ua dha atyre përreth Tij, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim”, “i cili është derdhur … për faljen e mëkateve”. “Bëni këtë në përkujtimin tim.”
Në këtë mënyrë të thjeshtë, por prapëseprapë rrënjësore, Jezusi themeloi një ordinancë të re për popullin e besëlidhur të Perëndisë. Nuk do të derdhej më gjak kafshësh apo nuk do të digjej mish kafshësh në pritje të flijimit shlyes të një Krishti që do të vinte një ditë. Në vend të kësaj, simbolet e trupit të copëtuar dhe të gjakut të derdhur të Krishtit, i cili tashmë kishte ardhur, do të merreshin dhe haheshin në kujtim të flijimit të Tij shëlbues. Pjesëmarrja në këtë ordinancë të re do të tregonte për të gjithë një pranim solemn të Jezusit si Krishti i premtuar dhe gatishmërinë me gjithë zemër për ta ndjekur Atë dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Për ata që do ta tregonin këtë gjë dhe do ta jetonin jetën e tyre në këtë mënyrë, vdekja shpirtërore do t’iu kalonte pa i prekur dhe jeta e përjetshme do t’u sigurohej.
Në orët dhe ditët që pasuan, Jezusi hyri në Gjetseman, u çua në Kalvar dhe në mënyrë ngadhënjimtare u largua nga varri i Jozefit nga Arimatea. Pas largimit të Tij prej tyre, dishepujt besnikë të Jezusit në Jerusalem dhe rrethinat e tij u mblodhën së bashku ditën e parë të javës për të “thyer bukën” dhe e bënë këtë në mënyrë “ngulmues[e]”. Sigurisht, ata e bënë këtë jo vetëm për ta kujtuar Zotin e tyre të larguar, por edhe për të shprehur mirënjohje e besim për Shëlbimin e Tij të mrekullueshëm për ta.
Në mënyrë domethënëse, kur Jezusi i vizitoi dishepujt e Tij në kontinentin amerikan, Ai gjithashtu themeloi sakramentin mes tyre. Duke e bërë këtë, Ai tha: “Këtë gjë ju do të përpiqeni ta bëni gjithmonë” dhe “do të jetë një dëshmi për Atin, që ju më kujtoni gjithnjë”. Përsëri, në fillim të Rivendosjes, Zoti themeloi ordinancën e sakramentit, duke na dhënë udhëzime të ngjashme me ato që u dha dishepujve të Tij të hershëm.
Ordinanca e sakramentit është quajtur “një nga ordinancat më të shenjta e më të shenjtëruara të Kishës”. Ajo duhet të bëhet më e shenjtë dhe më e shenjtëruar për secilin prej nesh. Vetë Jezu Krishti e themeloi ordinancën për të na kujtuar atë që Ai bëri që të na shëlbonte dhe të na mësonte se si mund ta përdorim me sukses Shëlbimin e Tij dhe në këtë mënyrë të jetojmë me Perëndinë përsëri.
Me bukën e copëtuar dhe të thyer, ne tregojmë që e kujtojmë trupin fizik të Jezu Krishtit – një trup që u godit me dhimbje, hidhërime dhe tundime të çdo lloji, një trup që duroi një barrë të ankthit të mjaftueshme për t’i dalë gjak nga çdo por, një trup, mishi i të cilit u copëtua dhe zemra e të cilit u thye në kryqëzim. Ne tregojmë besimin tonë që, edhe pse po ai trup u shtri për të pushuar në vdekje, ai u ngrit përsëri në jetë nga varri, për të mos njohur më kurrë sëmundje, prishje apo vdekje. Dhe duke e marrë bukën për veten tonë, ne pranojmë se, sikurse trupi i vdekshëm i Krishtit, trupat tanë do të çlirohen nga zinxhirët e vdekjes, do të ngrihen ngadhënjimtarë prej varrit dhe do t’u rivendosen shpirtrave tanë të përjetshëm.
Me një kupë të vogël uji, ne tregojmë se e kujtojmë gjakun që derdhi Jezusi dhe vuajtjen shpirtërore që Ai duroi për gjithë njerëzimin. Ne e kujtojmë agoninë e cila shkaktoi që pika të mëdha të gjakut të binin në Gjetseman. Ne e kujtojmë rrahjen dhe fshikullimin që Ai duroi nga duart e robëruesve të Tij. Ne kujtojmë gjakun që Ai derdhi nga duart, këmbët dhe ija e Tij kur ishte në Kalvar. Dhe ne kujtojmë reflektimin e Tij vetjak për vuajtjen e Tij: “Sa të ashpra ti s’e di, sa therëse ti s’e di, po, sa të vështira për t’u duruar ti s’e di”. Duke e marrë ujin për vete, ne e pranojmë se gjaku dhe vuajtja e Tij shleu për mëkatet tona dhe se Ai do të na i falë mëkatet tona kur i përqafojmë dhe i pranojmë parimet dhe ordinancat e ungjillit të Tij.
Prandaj, me bukën dhe me ujin, ne kujtohemi për Shlyerjen e Krishtit për ne nga vdekja dhe mëkati. Renditja e bukës së pari dhe ujit së dyti nuk është pa rëndësi. Me marrjen e bukës, ne kujtohemi për ringjalljen tonë vetjake të pashmangshme, që përbëhet nga më shumë sesa thjesht rivendosja e trupit dhe e shpirtit. Me anë të fuqisë së Ringjalljes, ne të gjithë do të rivendosemi në praninë e Perëndisë. Ai realitet na paraqet pyetjen themelore të jetës sonë. Pyetja themelore me të cilën ne të gjithë ndeshemi, nuk është nëse do të jetojmë, por me kë do të jetojmë pasi të vdesim. Teksa çdonjëri prej nesh do të kthehet në praninë e Perëndisë, jo çdonjëri prej nesh do të qëndrojë me Të.
Përmes vdekshmërisë, secili prej nesh bëhet i njollosur me mëkat dhe shkelje. Ne do të kemi pasur mendime, fjalë dhe vepra që do të kenë qenë më pak të virtytshme. Shkurtimisht, ne do të jemi të papastër. Dhe pasojën e papastërtisë në praninë e Perëndisë, Jezusi e bëri krejtësisht të qartë: “Asgjë e papastër nuk mund të banojë … në prani të tij”. Ai realitet u bë shumë i qartë nga Alma i Riu, i cili, kur u ndesh me një engjëll të shenjtë, ishte kaq i torturuar, i munduar dhe i vuajtur nga papastërtia e tij sa dëshiroi të “shuhe[j] si në shpirt ashtu dhe në trup, që të mos dil[te për] të qëndr[uar] në praninë e Perëndisë”.
Kur marrim ujin e sakramentit, ne mësohemi se si të mund të bëhemi të pastruar nga mëkati e shkelja dhe kështu të qëndrojmë në praninë e Perëndisë. Nëpërmjet derdhjes së gjakut të Tij të pafajshëm, Jezu Krishti i plotësoi kërkesat e drejtësisë për çdo mëkat e shkelje. Ai më pas ofron të na bëjë të pastër nëse do të kemi besim tek Ai, të mjaftueshëm për t’u penduar; për t’i pranuar të gjitha ordinancat dhe besëlidhjet e shpëtimit, duke filluar me pagëzimin; dhe marrjen e Frymës së Shenjtë. Kur e marrim Frymën e Shenjtë, ne pastrohemi dhe bëhemi të dëlirë. Jezusi e bëri këtë doktrinë shumë të qartë:
“Asgjë e papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e [Perëndisë]; … asgjë nuk hyn në pushimin e tij, vetëm ata që [i] kanë larë rrobat e tyre në gjakun tim. …
Tani, ky është urdhërimi: Pendohuni, të gjitha ju skajet e tokës dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje, në ditën e fundit.”
Kjo është doktrina e Krishtit. Kur e marrim këtë doktrinë dhe e përçojmë jetën tonë sipas saj, ne në fakt lahemi në gjakun e Krishtit dhe bëhemi të pastër.
Nëpërmjet lutjeve të sakramentit, ne e shprehim pranimin nga ana jonë të doktrinës së Krishtit dhe zotimin tonë për të jetuar sipas saj. Në kërkesën tonë drejtuar Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, ne shpallim se “gjithmonë [do] ta kujtoj[m]ë” Birin e Tij të çmuar. Së pari, ne dëshmojmë “gatishmërinë” tonë për të kujtuar. Më pas ne dëshmojmë se ne “vërtet” kujtojmë. Duke e bërë këtë, ne po bëjmë zotime solemne për të ushtruar besim te Jezu Krishti dhe te Shëlbimi i Tij për ne nga vdekja dhe mëkati.
Më tej ne shpallim se do “të zbatoj[m]ë urdhërimet” e tij. Ai është një zotim solemn për t’u penduar. Nëse mendimet, fjalët ose veprimet tona kanë qenë më pak se ç’duhej të kishin qenë në të shkuarën, ne rizotohemi që ta afrojmë më shumë jetën tonë me të Tijën në ditët që do të vijnë.
Më pas, ne shpallim se jemi “të gatshëm të marri[m] mbi vete emrin e Birit”. Ky është një zotim solemn për t’ia nënshtruar veten tonë autoritetit të Tij dhe për të bërë punën e Tij, që përfshin marrjen për veten tonë të çdo ordinance dhe besëlidhjeje shpëtuese.
Kur zotohemi kundrejt këtyre parimeve, neve na premtohet në lutjet e sakramentit se do të “ke[mi] … Shpirtin e tij me [ne]”. Marrja e Shpirtit përsëri është një nga bekimet më të larta, sepse Shpirti është vepruesi që na pastron e na bën të dëlirë nga mëkati e shkelja.
Vëllezër e motra, ngjarja më e rëndësishme në kohë e përjetësi është Shlyerja e Jezu Krishtit. Ai që përmbushi Shlyerjen, na ka dhënë ordinancën e sakramentit për të na ndihmuar jo vetëm që të kujtojmë, por edhe që t’i pretendojmë bekimet e këtij veprimi më të lartë të hirit. Pjesëmarrja e rregullt dhe e zellshme në këtë ordinancë të shenjtë na ndihmon që të vazhdojmë ta përqafojmë dhe jetojmë doktrinën e Krishtit pas pagëzimit dhe, si rrjedhim, të ndjekim e plotësojmë procesin e shenjtërimit. Në të vërtetë, ordinanca e sakramentit na ndihmon të durojmë besnikërisht deri në fund dhe të marrim plotësinë e Atit në të njëjtën mënyrë siç e mori Jezusi, hir pas hiri.
Unë jap dëshmi për fuqinë e Jezu Krishtit për të na shëlbuar të gjithëve nga vdekja e mëkati dhe për fuqinë e ordinancave të priftërisë së Tij, duke përfshirë sakramentin, për të na përgatitur që të “shoh[im] fytyrën e Perëndisë, madje Atit, dhe të jetoj[m]ë”. E marrshim sakramentin javën që vjen dhe çdo javë pas saj, me një dëshirë më të thellë dhe qëllim më të zellshëm, unë lutem në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.