Po, Zot, Unë Do të Të Ndjek
Zoti na fton duke përdorur folje të ndryshme: “Ejani tek unë”, “Më ndiq”, “Ec me mua”. Në secilin rast ajo është një ftesë për të vepruar.
“Pasi vini re, Zoti në urtësi u jep të gjitha kombeve, nga kombi dhe gjuha e tyre, për të mësuar fjalën e tij.” Sot ky shkrim i shenjtë po përmbushet përsëri teksa më është dhënë mundësia për t’i shprehur ndjenjat e mia në gjuhën time amtare.
Ishte viti 1975 dhe po shërbeja në Misionin e Paraguait dhe të Uruguait si misionar i ri. Gjatë muajit tim të parë në mision, udhëheqësit e zonës bënë një aktivitet për të treguar konkretisht një parim ungjilli. Çdo misionari në zonë iu lidhën sytë dhe na u tha se duhej të ndiqnim një shteg që të çonte te salla kulturore. Ne duhej të ndiqnim zërin e një udhëheqësi të veçantë, një zë që e dëgjuam përpara se të fillonim të ecnim. Megjithatë, ne u paralajmëruam se, gjatë udhëtimit, do të dëgjonim zëra të ndryshëm që do të përpiqeshin të na ngatërronin dhe të na nxirrnin nga shtegu.
Pas disa minutash duke dëgjuar zhurma, të folura dhe – në mes të të gjithë kësaj – një zë që tha: “Më ndiq”, u ndjeva i sigurt se po ndiqja zërin e duhur. Kur mbërritëm në sallën kulturore të godinës kishtare, udhëheqësit na kërkuan që t’i lironim sytë. Kur e bëra këtë, e kuptova se ishin dy grupe dhe se unë isha në grupin që kishte ndjekur zërin e gabuar. “Dukej aq i ngjashëm me zërin e duhur”, thashë me vete.
Ajo përvojë e 39 viteve më parë pati një efekt të pashlyeshëm tek unë. I thashë vetes: “Kurrë, kurrë më mos ndiq zërin e gabuar”. Pastaj i thashë vetes: “Po, Zot, unë do të Të ndjek”.
Dua ta lidh këtë përvojë me ftesën e dhembshur të Shpëtimtarit ndaj nesh:
“Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia. …
Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin.”
Ftesa për ta “nd[jekur Atë]” është ftesa më e thjeshtë, më e drejtpërdrejtë dhe më e fuqishme që mund të marrim. Ajo vjen nga një zë i qartë që nuk mund të ngatërrohet.
Zoti na fton duke përdorur folje të ndryshme: “Ejani tek unë”, “Më ndiq”, “Ec me mua”. Në secilin rast ajo nuk është një ftesë pësore; ajo është një ftesë për të vepruar. Ajo i drejtohet të gjithë njerëzimit nga dikush që është Profet i profetëve, Mësues i mësuesve, Biri i Perëndisë, Mesia.
Ftesa “Ejani tek Unë”
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.”
Ju që nuk jeni ende anëtarë të Kishës do ta merrni këtë ftesë nëpërmjet zërit të misionarëve me fjalët: “A do të lexoni Librin e Mormonit? A do të luteni? A do të vini në Kishë? A do ta ndiqni shembullin e Jezu Krishtit duke u pagëzuar nga dikush që ka autoritet?” Si do t’i përgjigjeni kësaj ftese sot?
Ju ftoj ta dëgjoni dhe ta pranoni mesazhin duke thënë: “Po, Zot, unë do të Të ndjek!”
Karlos Badiola dhe familja e tij nga Minasi i Uruguait, po takoheshin me misionarët. Ngaqë misionarët bënin shumë pyetje gjatë mësimeve, ata vendosën të ftonin një fqinjë joanëtare – 14-vjeçaren Norma – për t’i ndihmuar ata të përgjigjeshin. Norma ishte një nxënëse e përkushtuar në shkollë të mesme që po e studionte Biblën në shkollë atë vit, ndaj, kur misionarët bënin një pyetje, Norma u përgjigjej. Ajo ishte një “kërkuese e artë”. Mësimi që u dha atë ditë, ishte rreth Fjalës së Urtësisë.
Kur u kthye në shtëpi pas mësimit me misionarët, Norma e dinte se ç’duhej të bënte. Ajo i tha nënës së saj: “Mami, që tani e tutje s’ka më kafe me qumësht për mua. Vetëm qumësht.” Ai reagim ishte shfaqja e dallueshme e dëshirës së saj për ta pranuar ftesën për të ndjekur Krishtin, kur iu bë nga misionarët.
Që të dy, Karlos Badiola dhe Norma u pagëzuan. Më vonë, duke ndjekur shembullin e Normës, nëna, babai dhe vëllezërit e motrat e saj u pagëzuan gjithashtu. Norma dhe unë u rritëm së bashku në atë degë të vogël, por të fuqishme. Më vonë, kur u ktheva nga shërbimi në mision, ne u martuam. Gjithmonë e kam ditur se do të ishte më e lehtë për mua ta ndiqja Shpëtimtarin me të në krah.
Dikush që është anëtar i kishës dhe e ka pranuar këtë ftesë, e përtërin zotimin çdo javë duke marrë sakramentin. Një pjesë e atij zotimi përfshin zbatimin e urdhërimeve; duke vepruar kështu ju po thoni: “Po, Zot, unë do të Të ndjek!”
Ftesa “Më Ndiq”
“Më Ndiq”, ishte ftesa e Zotit ndaj sundimtarit të ri pasanik. I riu pasanik i kishte mbajtur urdhërimet gjatë gjithë jetës së tij. Kur e pyeti se ç’mund të bënte më tepër, ai mori një përgjigje me një ftesë të qartë: “Eja, … më ndiq”. Sidoqoftë, edhe pse ftesa ishte e thjeshtë, nuk ishte pa sakrificë. Ajo donte përpjekje – të bashkuar me vendimin dhe veprimin.
Profeti Nefi ftoi vetëshqyrtimin kur pyeti: “Dhe [Jezusi] u tha fëmijëve të njerëzve: Më ndiqni mua. Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, a mund ta ndjekim ne Krishtin, në qoftë se nuk jemi të gatshëm t’u bindemi urdhërimeve të Atit?”
Ftesa “ejani tek unë”, për ta dëgjuar zërin e Tij dhe për ta ndjekur atë, ka qenë mesazhi i misionarëve që nga fillimi, duke i ndihmuar shumë njerëz që ta ndryshojnë jetën e tyre njëherë e mirë.
Pesëdhjetë vite më parë, misionarët hynë në dyqanin e orëndreqjes të babait tim, që të linin një orë për ta riparuar. Sikurse bëjnë misionarët e mirë, ata përfituan nga mundësia për të folur me babanë dhe nënën time rreth ungjillit. Babai im i pranoi misionarët dhe nëna ime e pranoi mesazhin dhe ftesën për ta ndjekur Krishtin. Nga ajo ditë e deri sot, ajo ka qëndruar aktive në Kishë. Ajo tha: “Po, Zot, unë do të Të ndjek!”
Ndërsa përpiqeni të vini tek Ai, ju do të merrni fuqinë për të lehtësuar barrët e jetës, qoftë fizike apo shpirtërore dhe të përjetoni një ndryshim të brendshëm pozitiv që do t’u ndihmojë të jeni më të lumtur.
Ftesa “Ec me Mua”
Enoku u thirr për t’ia predikuar ungjillin një populli të vështirë me zemër të ngurtësuar. Ai nuk ndihej në lartësinë e duhur. Ai kishte dyshime rreth faktit në mund ta bënte. Zoti ia qetësoi dyshimet dhe ia forcoi besimin nëpërmjet ftesës “Ec me mua” – një ftesë që, si bastuni i një të verbri apo krahu i një miku, mund t’i drejtojë hapat e dikujt, i cili nuk është i sigurt. Duke e kapur Shpëtimtarin për krahu dhe duke ecur me Të, Enoku zbuloi se hapi i tij u bë i vendosur dhe ai u bë një misionar dhe profet i madh.
Vendimi për të “[ardhur] tek [Ai]” dhe për ta “nd[jekur Atë]” është vetjak. Kur e pranojmë këtë ftesë, niveli ynë i zotimit rritet dhe është atëherë që ne mund të “ec[im] me [Të]”. Ky nivel përcakton një marrëdhënie më të ngushtë me Shpëtimtarin – frytin e pranimit prej nesh të ftesës së parë.
Norma dhe unë e pranuam secili më vete ftesën për të “[ardhur] tek [Ai]” dhe për ta “nd[jekur Atë]” Pastaj, së bashku, duke e përkrahur njëri-tjetrin, ne kemi mësuar të ecim me Të.
Përpjekja dhe vendosmëria për ta kërkuar Atë dhe për ta ndjekur Atë do të shpërblehen me bekimet që na nevojiten.
I tillë ishte rasti i gruas e cila, me përpjekje të mëdha, ia doli të prekte rrobën e Shpëtimtarit ose rasti i Bartimeut, të verbrit, vendosmëria e të cilit ishte një faktor kyç në mrekullinë që ndodhi në jetën e tij. Në të dyja rastet, u dha shërimi i trupit dhe i shpirtit.
Zgjateni dorën tuaj, prekeni rrobën e Tij, pranojeni ftesën e Tij, thoni: “Po, Zot, unë do të Të ndjek!” – dhe ecni me Të.
“Ejani tek unë”, “Më ndiq”, “Ec me mua”, janë ftesa që përmbajnë fuqi të qenësishme – për ata që i pranojnë – për të shndërruar jetën tuaj dhe për të prodhuar një ndryshim brenda jush që do t’ju bëjë të thoni: “[Unë] nuk [kam] më prirje të bëj keq, por të bëj mirë vazhdimisht”.
Si një shfaqje e jashtme e atij ndryshimi, ju do të ndieni dëshirën e fortë që të “ndihmo[ni] të dobëtit, [të] ngri[ni] duart që varen poshtë dhe [të] forco[ni] gjunjët e këputur”.
Çfarë hapash mund të hedhim sot që të “ec[im] me [Të]”?
-
Ushqejeni dëshirën për të qenë një ndjekës më i mirë i Krishtit.
-
Lutuni për këtë dëshirë që besimi juaj tek Ai të mund të rritet.
-
Merrni njohuri nga shkrimet e shenjta, duke e ndriçuar udhën dhe duke e forcuar dëshirën tuaj për të ndryshuar.
-
Merreni sot vendimin për të vepruar dhe thoni: “Po, Zot, unë do të Të ndjek!” Thjesht të diturit e së vërtetës nuk do ta ndryshojë botën tuaj përveç nëse e ktheni njohurinë tuaj në veprim.
-
Ngulmoni te vendimi që keni marrë duke i ushtruar këto parime përditë.
Fjalët e profetit tonë të dashur, Presidentit Tomas S. Monson, na dhënshin shtysë për të vepruar prej dëshirës për ta pranuar ftesën e Shpëtimtarit. Presidenti Monson tha: “Kush është Mbreti i lavdisë, ky Zot i ushtrive? Ai është Mësuesi ynë. Ai është Shpëtimtari ynë. Ai është Biri i Perëndisë. Ai është Vepronjësi i Shpëtimit. Ai na bën me shenjë [të afrohemi]: ‘Ndiqmë’. Ai udhëzon: ‘Shko dhe bëj kështu edhe ti’. Ai lutet: ‘Zbatoni urdhërimet e mia.’”
E marrshim sot vendimin për ta rritur nivelin tonë të adhurimit dhe zotimit ndaj Perëndisë dhe u dëgjoftë me zë të fortë dhe e qartë përgjigjja jonë ndaj ftesës së Tij: “Po, Zot, unë do të Të ndjek!” Në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.