Të Jetuarit e Ungjillit Plot Gëzim
Mirëbesoni në fuqinë shpëtuese të Jezu Krishtit; zbatojini ligjet dhe urdhërimet e Tij. Me fjalë të tjera – jetojeni ungjillin plot gëzim.
Motrat e mia të dashura, mikeshat e mia të dashura dhe dishepulle të bekuara të Jezu Krishtit, jam i nderuar që kam këtë mundësi për të qenë me ju, teksa hapim një konferencë tjetër të përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Javën që vjen, Presidenca e Parë dhe Dymbëdhjetë Apostujt do të takohen me të gjitha Autoritetet e Përgjithshme dhe udhëheqësit e përgjithshëm të organizatave ndihmëse dhe sesionet e tjera të konferencës sonë të përgjithshme mbarëbotërore do të pasojnë të shtunën e të dielën e ardhshme. I jam tepër mirënjohës Presidentit Tomas S. Monson, profetit të Perëndisë për ditët tona, që më kërkoi ta përfaqësoj Presidencën e Parë, ndërsa unë u flas motrave të Kishës.
Kur e vrava mendjen se çfarë mund të them, mendimet e mia u kthyen te gratë që i kanë dhënë formë jetës sime dhe më kanë ndihmuar përmes sfidave të vdekshmërisë. Jam mirënjohës për gjyshen time që dekada më parë vendosi ta çonte familjen e saj në një mbledhje mormone të sakramentit. Jam mirënjohës për Motrën Evig, një zonjë e moshuar beqare gjermane, emri i së cilës përkthehet “Motra E Përjetshme”. Ishte ajo që ia drejtoi gjyshes sime këtë ftesë të guximshme dhe të mrekullueshme. Jam kaq shumë mirënjohës për nënën time, e cila udhëhoqi katër fëmijë përmes trazirës së Luftës II Botërore. Mendoj edhe për bijën time, mbesat e mia dhe brezat e ardhshëm të grave besnike që do të pasojnë një ditë.
Dhe, sigurisht, i jam përjetësisht mirënjohës bashkëshortes sime, Harietës, e cila më magjepsi kur isha adoleshent, duroi barrët më të rënda të familjes sonë të re si nënë, qëndron pranë meje si bashkëshorte dhe i do e gëzohet me fëmijët, nipërit, mbesat e stërnipërit e stërmbesat tona. Ajo ka qenë forca në shtëpinë tonë si gjatë kohëve të mira ashtu edhe të këqija. Ajo sjell lumturi në jetën e të gjithëve atyre që e njohin.
Më së fundi, jam shumë mirënjohës për ju të gjitha, milionat e motrave besnike të çfarëdo moshe, në mbarë botën, që bëni kaq shumë për ta ngritur mbretërinë e Perëndisë. Ju jam mirënjohës për mënyrat e panumërta se si i frymëzoni, ushqeni shpirtërisht dhe i bekoni njerëzit përreth jush.
Bija të Perëndisë
Jam i lumtur të jem mes kaq shumë bijash të Perëndisë. Kur këndojmë këngën “Fëmi i Per’ndis’ Jam”, fjalët na hyjnë thellë në zemër. Përsiatja e kësaj të vërtete – se ne jemi fëmijë të prindërve qiellorë – na mbush me një ndjenjë origjine, qëllimi dhe vendmbërritjeje përfundimtare.
Është mirë të kujtoni se ju gjithmonë jeni një fëmijë i Perëndisë. Kjo dituri do t’ju mbartë përmes kohëve më të vështira në jetën tuaj dhe do t’ju frymëzojë që të përmbushni gjëra mbresëlënëse. Megjithatë, është e rëndësishme të kujtoni edhe se të qenit një bijë e prindërve të përjetshëm nuk është një tipar dallues që e fituat ose që do ta humbisni ndonjëherë. Ju do të mbeteni përherë e përgjithmonë bijë e Perëndisë. Ati juaj Qiellor ka aspirata të larta për ju, por origjina juaj hyjnore, e vetme, nuk ju siguron një trashëgimi hyjnore. Perëndia ju dërgoi këtu që të përgatiteni për një të ardhme më të madhërishme se çfarëdo gjë që mund ta përfytyroni.
Bekimet e premtuara nga Perëndia besnikëve janë të lavdishme dhe frymëzuese. Në mes tyre janë “frone, mbretëri, principata dhe fuqi, sundime, të gjitha lartësitë dhe thellësitë”. Dhe duhet më shumë se një certifikatë lindjeje shpirtërore apo një “Kartë Anëtarësie si Fëmijë i Perëndisë” për të na kualifikuar për këto bekime të papërshkrueshme.
Por si i fitojmë ato?
Shpëtimtari i është përgjigjur kësaj pyetjeje në kohën tonë:
“Në qoftë se nuk e duroni ligjin tim, ju nuk mund ta fitoni këtë lavdi.
Sepse e ngushtuar është porta dhe e ngushtë është udha që çon në ekzaltim. …
… Pranojeni ju, pra, ligjin tim.”
Për këtë arsye, ne flasim rreth ecjes në shtegun e të qenit dishepull.
Ne flasim rreth bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë.
Ne flasim rreth të jetuarit të ungjillit me gëzim, me tërë zemrën, fuqinë, mendjen dhe shpirtin tonë.
Perëndia Di Diçka që Ne Nuk e Dimë
Dhe, prapëseprapë, disave prej nesh, bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë nuk na bën gjithmonë të ndihemi shumë të gëzuar. Le ta pranojmë: mund të ketë disa urdhërime që duken më të vështira ose më pak tërheqëse – urdhërime të cilave u afrohemi me entuziazmin e një fëmije të ulur përpara një pjate perimesh të shëndetshme, por të urryera. Kërcëllijmë dhëmbët dhe e detyrojmë vetveten që t’u bindemi, me qëllim që të mund të lëvizim drejt veprimtarish më të dëshirueshme.
Ndoshta gjatë kohëve të tilla si këto, ne mund ta gjejmë veten duke bërë pyetjen: “A kemi nevojë me të vërtetë t’u bindemi të gjitha urdhërimeve të Perëndisë?”
Përgjigjja ime ndaj kësaj pyetjeje është e thjeshtë:
Unë mendoj se Perëndia di diçka që ne nuk e dimë – gjëra që janë përtej aftësisë sonë për të kuptuar! Ati ynë në Qiell është një qenie e përjetshme, përvoja, urtësia dhe inteligjenca e të cilit janë pafundësisht më të mëdha se tonat. Jo vetëm kjo, por Ai është edhe përjetësisht i dashur, i dhembshur dhe i përqendruar te një synim i bekuar: të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.
Me fjalë të tjera, Ai jo vetëm që e di se çfarë është më e mira për ju; Ai gjithashtu plot ankth dëshiron që ju të zgjidhni atë që është më e mira për ju.
Nëse e besoni këtë në zemrën tuaj – nëse besoni me të vërtetë që misioni i madhërishëm i Atit tonë Qiellor është të ekzaltojë e të përlëvdojë fëmijët e Tij dhe që Ai e di mënyrën më të mirë se si ta bëjë atë – a nuk ka kuptim që t’i përqafojmë dhe t’i ndjekim urdhërimet e Tij, edhe ato që duken të vështira? A nuk duhet të gëzohemi për shtyllat e dritës që Ai na i ka dhënë, që na udhërrëfejnë përmes zymtësisë dhe sfidave të vdekshmërisë? Ato shënojnë udhën e kthimit drejt shtëpisë tonë qiellore! Nëpërmjet zgjedhjes së shtegut të Atit Qiellor, ju shtroni një themel hyjnor për përparimin tuaj vetjak si bijë e Perëndisë, që do t’ju bekojë gjatë tërë jetës suaj.
Pjesë e sfidës sonë është, mendoj unë, që ne përfytyrojmë se Perëndia i ka të gjitha bekimet e Tij të kyçura në një re të stërmadhe lart në qiell, duke mos pranuar të na i japë ato nëse nuk u bindemi disa kërkesave të rrepta, prindërore që Ai ka caktuar. Por urdhërimet nuk janë të tilla aspak. Në të vërtetë, Ati Qiellor po derdh vazhdimisht bekime mbi ne. Është frika, dyshimi dhe mëkati ynë që, sikurse një çadër, i bllokojnë këto bekime që të mos na arrijnë.
Urdhërimet e Tij janë udhëzimet e dashura dhe ndihma hyjnore për ne që ta mbyllim çadrën, që ne të mund ta marrim shiun e bekimeve qiellore.
Na nevojitet të pranojmë se urdhërimet e Perëndisë nuk janë thjesht një listë e gjatë me ide të mira. Ato nuk janë “marifete jetësore” nga një blog interneti apo citime shtysëdhënëse nga një faqe Pinterest-i. Ato janë këshillë hyjnore, e bazuar në të vërteta të përjetshme, e dhënë për të sjellë “paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”.
Pra ne kemi një zgjedhje. Nga njëra anë, është opinioni i botës me teoritë vazhdimisht të ndryshueshme dhe qëllimet e dyshimta të tij. Nga ana tjetër, gjendet fjala e Perëndisë drejtuar fëmijëve të Tij – urtësia e Tij e përjetshme, premtimet e Tij të sigurta dhe udhëzimet e Tij të dashura për t’u kthyer në praninë e Tij me lavdi, dashuri e madhështi.
Zgjedhja është e juaja!
Krijuesi i deteve, rërave dhe yjeve të pafund po ju afrohet juve pikërisht sot! Ai po ju ofron recetën e madhërishme për lumturi, paqe dhe jetë të përjetshme!
Që të kualifikoheni për këto bekime të lavdishme, ju duhet ta përulni veten, të ushtroni besim, të merrni mbi vete emrin e Krishtit, ta kërkoni Atë me fjalë e veprim dhe vendosmërisht të “qëndroni si dëshmitar[e] të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”.
Arsyeja për Bindjen
Sapo i kuptoni natyrën e vërtetë të Perëndisë dhe urdhërimet e Tij, ju gjithashtu do të kuptoni më mirë veten tuaj dhe qëllimin hyjnor të ekzistencës suaj. Me këtë, shtytja juaj për t’i ndjekur urdhërimet ndryshon dhe bëhet dëshira e zemrës suaj që ta jetoni ungjillin plot gëzim.
Për shembull, ata që e shohin pjesëmarrjen në mbledhjet e Kishës si një mënyrë vetjake për ta shtuar dashurinë e tyre për Perëndinë, për të gjetur paqe, për t’i lartësuar të tjerët, për të kërkuar Shpirtin dhe për ta ripërtërirë zotimin e tyre për ta ndjekur Jezu Krishtin, do të gjejnë një përvojë shumë më të pasur sesa ata që thjesht e kalojnë kohën e tyre të ulur në karrige. Motra, është shumë e rëndësishme që ne t’i frekuentojmë mbledhjet tona të së dielës, por jam sinqerisht i sigurt se Ati ynë Qiellor është më shumë i shqetësuar rreth besimit e pendimit tonë sesa statistikave të frekuentimit.
Ja dhe një shembull tjetër:
Një nënë e vetme, me dy fëmijë të vegjël, kohët e fundit u sëmur nga lija e dhenve. Sigurisht, nuk kaloi shumë kohë përpara se të sëmureshin edhe fëmijët e saj. Detyra për t’u përkujdesur e vetme për veten dhe për të vegjlit e saj u bë pothuajse tepër e madhe për këtë nënë të re. Dhe, si rrjedhim, shtëpia zakonisht e panjollë, u bë e çrregullt dhe e rrëmujshme. Pjata të palara mbushnin lavamanin dhe rrobat u grumbulluan kudo.
Ndërsa ajo po haste vështirësi me fëmijët që po qanin – dhe donte të qante edhe vetë – një trokitje u dëgjua në derë. Ishin mësueset e saj vizitore. Ato mund ta shihnin gjendjen e mjeruar të nënës së re. Ato mund ta shihnin shtëpinë e saj, kuzhinën e saj. Ato mund t’i dëgjonin të qarat e fëmijëve.
Tani, nëse këto motra do të shqetësoheshin vetëm për përmbushjen e vizitave të tyre të caktuara mujore, ato mund t’i kishin dhënë motrës një pjatë me biskota, të kishin thënë se u kishte munguar javën që shkoi në Shoqatën e Ndihmës dhe të kishin thënë diçka të ngjashme me: “Na thuaj nëse ka ndonjë gjë që mund të bëjmë!” Më pas, ato do të ishin larguar plot gëzim, mirënjohëse që patën 100 përqind edhe për një muaj tjetër.
Për fat të mirë, këto motra ishin dishepulle të vërteta të Krishtit. Ato i vunë re nevojat e motrës së tyre dhe i vunë në veprim talentet e tyre të shumta dhe përvojën e tyre. E pastruan kaosin, sollën dritë e qartësi në shtëpi dhe morën në telefon një mikeshë për të sjellë disa ushqime tepër të nevojshme. Kur më së fundi e mbaruan punën e tyre dhe i thanë mirupafshim, ato e lanë nënën e re duke derdhur lot – lot mirënjohjeje dhe dashurie.
Që nga ai çast, mendimi i nënës së re lidhur me vizitat mësimore ndryshoi. “E di”, tha ajo, “se nuk jam thjesht një detyrë për t’u shënuar si e kryer në listën e dikujt të gjërave për t’u bërë.”
Po, mësueset vizitore nevojiten të jenë besnike në kryerjen e vizitave të tyre mujore, të gjitha pa humbur arsyen më të rëndësishme mbrapa këtij urdhërimi: duajeni Perëndinë dhe bashkënjerëzit.
Kur i trajtojmë urdhërimet e Perëndisë dhe pjesën tonë në ngritjen e mbretërisë së Tij si diçka që shënohet si e kryer në listën e gjërave për t’u bërë, ne e humbasim thelbin e të qenit dishepull. Ne e humbasim rritjen që vjen nga të jetuarit plot gëzim të urdhërimeve të Atit tonë në Qiell.
Ecja në shtegun e të qenit dishepull nuk ka nevojë të jetë një përvojë e hidhur. Ajo “është më [e] ëmbël mbi çdo gjë që është e ëmbël”. Nuk është një barrë që na vë poshtë. Të qenit dishepull na i lartëson shpirtrat dhe na i lehtëson zemrat. Na frymëzon me besim, shpresë dhe dashuri hyjnore. Na i mbush shpirtrat tanë me dritë në kohët e zymtësisë dhe me paqe gjatë kohëve të hidhërimit.
Na jep fuqi hyjnore dhe gëzim jetëgjatë.
Të Jetuarit e Ungjillit Plot Gëzim
Motrat e mia të dashura në ungjill, qofshi 8 apo 108 vjeçe, ka një gjë që shpresoj se e kuptoni dhe e dini me të vërtetë:
Juve ju duan.
Ju jeni të shtrenjta për prindërit tuaj qiellorë.
Krijuesi i pafundmë dhe i përjetshëm i dritës dhe jetës ju njeh! Ai kujtohet për ju.
Po, Perëndia ju do pikërisht sot dhe përgjithmonë.
Ai nuk po pret që t’ju dojë derisa t’i keni mposhtur dobësinë tuaj dhe zakonet tuaja të këqija. Ai ju do sot, me një të kuptuar të plotë të ndeshjeve tuaja. Ai është i ndërgjegjshëm që ju drejtoheni lart tek Ai me lutje të përzemërt e shpresëdhënëse. Ai i di kohët kur jeni mbajtur te drita e zbehtë dhe besuat – edhe në mes të zymtësisë në rritje. Ai i di vuajtjet tuaja. Ai e di brejtjen tuaj të ndërgjegjes për kohët kur nuk ia keni dalë mbanë apo keni dështuar. Dhe Ai akoma ju do.
Dhe Perëndia di për sukseset tuaja; edhe pse ato mund t’ju duken të vogla, Ai e pranon secilin prej tyre dhe gëzohet për to. Ai ju do kur u afroheni të tjerëve. Ai ju do kur veproni dhe i ndihmoni të tjerët që t’i mbartin barrët e tyre të rënda – edhe kur ju po ndesheni me vetë barrët tuaja.
Ai di gjithçka rreth jush. Ai ju sheh qartësisht – Ai ju njeh sikurse jeni me të vërtetë. Dhe Ai ju do – sot e përherë!
A mendoni se ka rëndësi për Atin tonë Qiellor nëse makijazhi, veshjet, flokët apo thonjtë tuaj janë të përsosur? A mendoni se vlera juaj për Të ndryshon bazuar në sa shumë pasues keni në Instagram apo Pinterest? A mendoni se Ai dëshiron që ju të shqetësoheni apo dëshpëroheni nëse disa veta nuk ju kanë më mike apo nuk ju ndjekin më në Facebook apo Twitter? A mendoni se pamja tërheqëse e jashtme, masa e fustanit tuaj apo popullariteti sjellin ndryshimin më të vogël në vlerën tuaj kundrejt Atij që krijoi universin?
Ai ju do jo vetëm për atë që jeni pikërisht sot, por edhe për njeriun plot lavdi e dritë që keni potencialin dhe dëshirën të bëheni.
Shumë më tepër nga ç’mund ta përfytyroni ndonjëherë, Ai dëshiron që ju të arrini vendmbërritjen tuaj – të ktheheni te shtëpia juaj qiellore me nder.
Unë dëshmoj se mënyra për ta përmbushur këtë është t’i vendosim dëshirat egoiste dhe ambiciet e padenja mbi altarin e sakrificës dhe të shërbimit. Motra, mirëbesoni në fuqinë shpëtuese të Jezu Krishtit; zbatojini ligjet dhe urdhërimet e Tij. Me fjalë të tjera – jetojeni ungjillin plot gëzim.
Është lutja ime që ju të përjetoni në jetën tuaj një masë të ripërtërirë dhe të zgjeruar të dashurisë së këndshme të Perëndisë; që ju të gjeni besimin, vendosmërinë dhe zotimin për t’i mësuar urdhërimet e Perëndisë, për t’i bërë thesar në zemrat tuaja dhe për ta jetuar ungjillin plot gëzim.
Ju premtoj se, ndërsa e bëni këtë, ju do të zbuloni veten tuaj më të mirë – veten tuaj të vërtetë. Ju do të zbuloni se çfarë do të thotë me të vërtetë të jeni një bijë e Perëndisë së përjetshëm, Zotit të të gjithë drejtësisë. Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë bekimin tim si Apostull i Zotit, në emrin e Jezu Krishtit, amen.