Shpëtoni në Unitet
Me qëllim që ta ndihmojmë Shpëtimtarin, ne duhet të punojmë së bashku në unitet dhe harmoni. Çdo njeri, çdo pozicion dhe çdo thirrje është e rëndësishme.
Ne shpesh e dëgjojmë Presidentin Tomas S. Monson të thotë: “Ndihmoni … për të shpëtuar”. Më vjen në mendje një rrëfim në Dhiatën e Re. Ai është një ilustrim i përkryer për mënyrën se si anëtarët dhe misionarët mund të punojnë së bashku në unitet përmes këshillave të lagjeve për të ndihmuar dhe shpëtuar. Historia gjendet te Marku 2:1–5. Kam zbuluar se përvojat që përdori Jezusi për të na mësuar disa doktrina ose parime, janë gjithmonë më frymëzueset dhe më të lehtat për t’u kuptuar.
Një nga personazhet në këtë rrëfim është një burrë i paralizuar, dikush që nuk ishte në gjendje të lëvizte pa ndihmë. Ky njeri vetëm mund të qëndronte në shtëpi, duke pritur për ndihmë.
Në kohën tonë, mund të ndodhë kështu. Katër njerëz po përmbushnin një detyrë nga peshkopi i tyre për të vizituar, në shtëpinë e tij, një burrë që ishte i paralizuar. Unë mund ta përfytyroj njërën prej tyre duke ardhur nga Shoqata e Ndihmës, njërin nga kuorumi i pleqve, njërin nga Priftëria Aarone dhe, i fundit por jo më i parëndësishmi, një misionar kohëplotë. Në këshillin më të fundit të lagjes, pas këshillimit së bashku rreth nevojave në lagje, peshkopi kishte dhënë detyra “shpëtuese”. Këta të katërt u caktuan që ta ndihmonin këtë njeri që vuante nga paraliza. Ata nuk mund të prisnin që ai të vinte vetë në kishë. Ata duhej të shkonin te shtëpia e tij dhe ta vizitonin. Ata duhej ta kërkonin dhe kështu ata shkuan. Burrin po e sillnin te Jezusi.
“Atëherë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë” (Marku 2:3).
Megjithatë, dhoma ishte e mbushur me njerëz. Ata nuk mund të hynin përmes derës. Jam i sigurt se provuan çdo gjë që mund të mendonin, por thjesht nuk mund të kalonin. Gjërat nuk shkuan aq fjollë sa i kishin planifikuar. Kishte pengesa përgjatë udhës së tyre të “shpëtimit”. Por ata nuk u dorëzuan. Nuk e lanë burrin e paralizuar te dera. Ata u këshilluan së bashku se çfarë do të bënin më pas – si mund ta sillnin burrin te Jezu Krishti për shërim. Puna për ta ndihmuar Jezu Krishtin për shpëtimin e shpirtrave, të paktën për ta, nuk ishte kurrë tepër kërkuese. Ata hartuan një plan – jo të thjeshtë, por e vunë në zbatim.
“Por, duke qenë se nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari” (Marku 2:4).
Ata e ngjitën lart në çati. Duke hamendësuar se nuk kishte shkallë të jashtme që ta ngjitnin, do t’u jetë dashur goxha kohë që gjithsecili të ngjitej në çati. Mendoj se mund të ketë ndodhur në këtë mënyrë: i riu nga lagjja e tij do të jetë ngjitur i pari në çati. Meqë ishte i ri dhe plot energji, nuk duhet të ketë qenë shumë e vështirë për të. Shoku i tij i vizitave të shtëpisë nga kuorumi i pleqve dhe misionari kohëplotë i gjatë e i fortë, do ta kenë shtyrë shumë fortë që poshtë [nga terreni]. Motra e Shoqatës së Ndihmës do t’i ketë kujtuar ata të jenë të kujdesshëm dhe do t’u ketë thënë fjalë nxitjeje. Burrat atëherë do të hapnin çatinë ndërkohë që motra vazhdonte ta ngushëllonte burrin teksa priste të shërohej – që të ishte në gjendje të lëvizte vetë dhe të ishte i lirë.
Kjo detyrë shpëtimi kërkonte që të gjithë të punonin së bashku. Në çastin vendimtar, do të duhej bashkërendim i kujdesshëm për ta ulur burrin e paralizuar nga çatia. Të katër njerëzit do të duhej të punonin në unitet dhe harmoni. Nuk mund të kishte asnjë mosmarrëveshje midis të katërve. Ata duhej ta ulnin burrin e paralizuar me të njëjtin hap. Nëse dikush e lironte litarin më shpejt se tre të tjerët, burri do të binte nga vigu i tij. Ai nuk mund të mbahej vetë për shkak të gjendjes së tij të dobësuar.
Me qëllim që ta ndihmojmë Shpëtimtarin, ne duhet të punojmë së bashku në unitet dhe harmoni. Çdo njeri, çdo pozicion dhe çdo thirrje është e rëndësishme. Ne duhet të jemi të bashkuar në Zotin tonë Jezu Krishtin.
Së fundi, burrin e sëmurë e të paralizuar e vendosën përpara Jezusit. “Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: ‘O bir, mëkatet e tua të janë falur!’” (Marku 2:5). Jezusi tregoi mëshirë për të dhe e shëroi – jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht: “O bir, mëkatet e tua të janë falur”. A nuk është kjo e mrekullueshme? A nuk do të na pëlqente që të na ndodhte të gjithëve ne gjithashtu? Me siguri mua do të më pëlqente.
A njohim dikë në jetën tonë që vuan nga paraliza shpirtërore, dikë i cili nuk mund të kthehet vetë në Kishë? Ai ose ajo mund të jetë një nga fëmijët tanë, një nga prindërit tanë, një bashkëshort/e apo një mik/e.
Me kaq shumë më tepër misionarë kohëplotë të gjendur tani në çdo njësi të Kishës, do të ishte e mençur që peshkopët dhe presidentët e degëve t’i përdorin më mirë këshillat e lagjeve apo të degëve të tyre. Peshkopi mund ta ftojë secilin anëtar të këshillit të lagjes që të vijë me një listë emrash të atyre që mund të kenë nevojë për ndihmë. Anëtarët e këshillit të lagjes do të këshillohen së bashku me kujdes për mënyrën se si mund t’i ndihmojnë më së miri. Peshkopët do t’i dëgjojnë me vëmendje idetë dhe do të caktojnë detyra.
Misionarët kohëplotë janë burime të mëdha për lagjet në këto përpjekje shpëtimi. Ata janë të rinj dhe plot energji. Atyre u pëlqen shumë të kenë një listë me emrat konkretë të njerëzve me të cilët të punojnë. Ata i gëzohen të punuarit së bashku me anëtarët e lagjes. Ata e dinë se këto janë mundësi të mrekullueshme për të gjetur njerëz. Ata janë të përkushtuar në vendosjen e mbretërisë së Zotit. Ata kanë një dëshmi të fortë se do të bëhen më shumë si Krishti ndërsa marrin pjesë në këto përpjekje shpëtuese.
Në përfundim, do të doja të ndaja me ju edhe një thesar tjetër të fshehur që gjendet në këtë rrëfim të shkrimit të shenjtë. Ai është në vargun 5: “Jezusi, kur pa besimin e tyre” (theksimi i shtuar). Nuk e kisha vënë re këtë në të kaluarën – besimin e tyre. Besimi ynë i ndërthurur do të ndikojë edhe në mirëqenien e të tjerëve.
Kush ishin ata njerëz që i përmendi Jezusi? Ata mund të përfshinin shumë mirë të katër [njerëzit] që e mbartën burrin e paralizuar, vetë burrin, njerëzit që ishin lutur për të, dhe të gjithë ata që ishin atje duke dëgjuar predikimin e Jezusit e duke brohoritur qetësisht në zemrat e tyre për mrekullinë që do të ndodhte së shpejti. Ata mund të përfshinin edhe një bashkëshort/e, një prind, një bir apo një bijë, një misionar/e, një president kuorumi, një presidente të Shoqatës së Ndihmës, një peshkop dhe një mik të largët. Të gjithë ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Ne gjithmonë duhet të përfshihemi me zell në kërkimin për t’i shpëtuar njerëzit në nevojë.
Dëshmoj se Jezu Krishti është një Perëndi mrekullish. Jezu Krishti na do të gjithëve ne dhe ka fuqinë për të shpëtuar e shëruar, si fizikisht edhe shpirtërisht. Kur e ndihmojmë Atë në misionin e Tij të shpëtimit të shpirtrave, edhe ne do të shpëtohemi gjatë procesit. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Tij të shenjtë, madje Jezu Krishtit, amen.