Të Udhëhequr në Mënyrë të Sigurt Drejt Shtëpisë
Ne shohim drejt qiellit për atë ndjesi të pagabueshme të drejtimit, që të mund të hartojmë dhe të ndjekim një kurs të mençur e të duhur.
Vëllezër, jemi mbledhur si një trup i fuqishëm i priftërisë, këtu në Qendrën e Konferencave si edhe në vendndodhje anembanë botës. Jam i nderuar, por edhe i përulur, nga përgjegjësia që kam për t’ju drejtuar disa fjalë juve. Lutem për Shpirtin e Zotit që të më jetë pranë, teksa ju flas.
Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, më 14 shkurt 1939, në Hamburg të Gjermanisë, po festohej një ditë feste publike. Në mes të fjalimeve të zjarrta, turmave brohoritëse dhe himneve patriotike që dëgjoheshin, luftanija e re Bismark u lëshua në det nëpërmjet lumit Elbë. Kjo, anija më e fuqishme në lundrim, ishte një spektakël marramendës i armatimit dhe makinerive. Ndërtimi kërkoi më shumë se 57.000 skica për armatimet e kalibrit 380 milimetra, të kontrolluara nga radari, të vendosura në një kullë trefishe. Anija kishte qarqe elektrikë prej 45.000 km. Ajo peshonte mbi 35.000 ton dhe pllaka të blinduara jepnin sigurinë maksimale. Mrekullues në pamje, gjigant në përmasa, mahnitës në fuqinë goditëse, kolosi i fuqishëm konsiderohej i pafundosshëm.
Koha e takimit të anijes Bismark me fatin erdhi pak më shumë se dy vjet më vonë kur, më 24 maj 1941, dy luftanijet më të fuqishme në Flotën Britanike, Princi i Uellsit dhe Hudi, u përfshinë në betejë kundër Bismarkut dhe kryqëzorit gjerman Princi Ojgen. Brenda pesë minutash Bismarku kishte dërguar në thellësitë e Atlantikut kryqëzorin Hud dhe të gjithë ekuipazhin prej mbi 1.400 vetash, me përjashtim të tre burrave. Luftanija tjetër britanike, Princi i Uellsit, kishte pësuar dëme të rënda dhe u kthye mbrapsht.
Gjatë tri ditëve të mëtejshme Bismarku u përfshi sërish e sërish në luftë me luftanije dhe avionë britanikë. Në tërësi, forca britanike përbëhej nga pesë luftanije, dy anije aeroplanmbajtëse, 11 kryqëzorë dhe 21 aeroplanë gjuajtës, në një përpjekje për ta gjetur dhe fundosur Bismarkun e fuqishëm.
Gjatë këtyre betejave, predhat e hedhura njëra pas tjetrës shkaktuan vetëm dëmtim sipërfaqësor të luftanijes Bismark. A ishte në fund të fundit e pafundosshme? Atëherë një silur pati një goditje fatlume, e cila i bllokoi fletët e timonit të Bismarkut. Përpjekjet riparuese dolën të padobishme. Me armatimet gati për të qëlluar dhe ekuipazhin të gatshëm, Bismarku mund të lundronte vetëm në një rreth të ngadalshëm. Pikërisht përtej mundësisë për ndihmë ishte forca ajrore e fuqishme gjermane. Bismarku nuk mund ta arrinte sigurinë e portit nga u nis. Asnjëra prej tyre nuk mund ta siguronte vendstrehimin e nevojshëm, sepse Bismarku e kishte humbur aftësinë që të lundronte sipas një kursi të hartuar. Pa timonin, s’kishte as ndihmë, as port. Fundi erdhi pranë. Armatimet britanike i vunë në shënjestër, teksa ekuipazhi gjerman u shkatërrua dhe u mbyt anija që dikur dukej e pashkatërrueshme. Valët e uritura të Atlantikut fillimisht u përplasën në anët dhe më pas e gëlltitën krenarinë e flotës detare gjermane. Bismarku nuk ishte më.
Sikurse Bismarku, secili prej nesh është një mrekulli inxhinierike. Krijimi ynë, megjithatë, nuk u kufizua nga gjenia njerëzore. Njeriu mund të shpikë makineritë më të ndërlikuara, por nuk mund t’u japë jetë atyre apo t’u dhurojë atyre fuqitë e arsyes dhe të gjykimit. Këto janë dhunti hyjnore, të dhuruara vetëm nga Perëndia.
Si timoni jetësor i një anijeje, vëllezër, neve na është siguruar një mënyrë për ta përcaktuar drejtimin e udhëtimit. Feneri i Zotit lëshon dritë mbi të gjithë, ndërkohë që udhëtojmë nëpër detet e jetës. Qëllimi ynë është që të lundrojmë në një kurs të pandryshueshëm drejt qëllimit tonë të dëshiruar – madje mbretërisë çelestiale të Perëndisë. Një njeri pa një qëllim është si një anije pa një timon, që kurrë nuk ka mundësi të arrijë në portin nga u nis. Neve na vjen sinjali: hartoni kursin, ngrini velën, drejtoni timonin dhe vazhdoni.
Sikurse ndodhi me luftanijen e fuqishme Bismark, ashtu ndodh edhe me njeriun. Shtytja e turbinave dhe fuqia e helikave janë të padobishme pa atë ndjesi të drejtimit, atë shfrytëzim të energjisë, atë drejtim të fuqisë që sigurohet nga timoni, i fshehur nga pamja, relativisht i vogël në përmasa, por absolutisht thelbësor në funksionim.
Ati ynë siguroi diellin, hënën dhe yjet – galaktikat qiellore për t’u rrëfyer udhën marinarëve që lundrojnë nëpër ujërat e detit. Neve, teksa ecim në shtegun e jetës, Ai na siguron një hartë të qartë dhe na tregon udhën drejt vendmbërritjes sonë të dëshiruar. Ai na paralajmëron: ruhuni nga devijimet, grackat, kurthet. Ne nuk mund të mashtrohemi prej atyre që do të na drejtonin në udhë të gabuar, atyre fyelltarëve të zgjuar, tërheqës, të mëkatit që na thërrasin këtu apo atje. Në vend të kësaj, ne ndalemi që të lutemi; ne dëgjojmë atë zë të qetë, të vogël, i cili u thotë thellësive të shpirtrave tanë ftesën e dhembshur të Mësuesit: “Eja[ni] e më ndiq[ni]”.
Prapëseprapë ka nga ata që nuk dëgjojnë, që nuk do të binden, të cilët parapëlqejnë të ecin në një shteg që e krijojnë vetë. Shumë shpesh ata u dorëzohen tundimeve që na rrethojnë ne të gjithëve dhe të cilat mund të shfaqen kaq joshëse.
Si mbajtës të priftërisë, ne jemi vendosur në këtë tokë në kohë të trazuara. Ne jetojmë në një botë të ndërlikuar, me rryma mosmarrëveshjesh që gjenden kudo. Skemat politike shkatërrojnë qëndrueshmërinë e kombeve, tiranët ndeshen për pushtet dhe pjesë të shoqërisë duken përgjithmonë të shtypura, të lëna pa ndonjë mundësi dhe me një ndjenjë dështimi. Arsyetimet e shtrembra të njerëzve na tingëllojnë në veshë dhe mëkati na rrethon.
E jona është përgjegjësia për të qenë të denjë për të gjitha bekimet e lavdishme që Ati ynë në Qiell ka ruajtur për ne. Kudo që shkojmë, priftëria jonë shkon me ne. A po qëndrojmë në vende të shenjta? Ju lutem, përpara se ta vini vetveten dhe priftërinë tuaj në rrezik duke shtegtuar nëpër vende apo duke marrë pjesë në veprimtari që nuk janë të denja për ju ose për atë priftëri, ndaluni për të marrë parasysh pasojat.
Ne që jemi shuguruar në priftërinë e Perëndisë, mund të sjellim një ndryshim. Kur e ruajmë pastërtinë tonë vetjake dhe e nderojmë priftërinë tonë, ne bëhemi shembuj të drejtë për t’u ndjekur nga të tjerët. Apostulli Pal këshilloi: “Bëhu[ni] shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe dëlirësi”. Ai shkroi gjithashtu se pasuesit e Krishtit duhet të jenë “si pishtarë në botë”. Dhënia e një shembulli të drejtësisë mund të ndihmojë për ta ndriçuar një botë gjithnjë e më të zymtë.
Shumë prej jush do ta kujtojnë Presidentin N. Eldon Taner, i cili shërbeu si këshilltar i katër Presidentëve të Kishës. Ai dha një shembull të patundur të drejtësisë gjatë gjithë karrierës së tij në punë, gjatë shërbimit për qeverinë në Kanada dhe si Apostull i Jezu Krishtit. Ai na dha këtë këshillë të frymëzuar: “Asgjë nuk do të sjellë gëzim e sukses më të madh sesa të jetojmë sipas mësimeve të ungjillit. Jini një shembull; jini një ndikim për mirë.”
Ai vazhdoi: “Secili prej nesh është parashuguruar për disa punë si shërbëtor i zgjedhur [i Perëndisë], mbi të cilin Ai e ka parë të përshtatshme që t’i japë priftërinë dhe fuqinë për të vepruar në emrin e Tij. Gjithmonë mbani mend që njerëzit po shohin drejt jush për udhëheqje dhe ju po ndikoni jetën e individëve, qoftë për mirë apo për keq, ndikim i cili do të ndihet në brezat që do të vijnë.”
Ne forcohemi nga thënia e vërtetë që forca më e madhërishme në botë sot është fuqia e Perëndisë teksa vepron nëpërmjet njeriut. Që të lundrojmë të sigurt nëpër detet e vdekshmërisë, na nevojitet udhërrëfimi i Lundërtarit të Përjetshëm – madje Jehovës së madh. Ne kërkojmë ndihmë, lutemi drejt qiellit, për të arritur ndihmë qiellore.
Një shembull i mirënjohur i dikujt që nuk u lut drejt qiellit është ai i Kainit, birit të Adamit dhe Evës. I fuqishëm në potencial, por i dobët në vullnet, Kaini i lejoi lakminë, zilinë, mosbindjen dhe madje vrasjen që ta thyenin atë timon vetjak, i cili do ta kishte udhëhequr drejt sigurisë dhe ekzaltimit. Shikimi poshtë drejt botës e zëvendësoi vështrimin lart drejt qiellit; Kaini ra.
Në një kohë tjetër dhe nga një mbret i lig, u vu në provë një shërbëtor i Perëndisë. I ndihmuar prej frymëzimit të qiellit, Danieli interpretoi për mbretin shkrimet në mur. Lidhur me shpërblimet e ofruara – madje një rrobë mbretërore, një gjerdan floriri dhe pushtet politik – Danieli tha: “Mbaji, pra, dhuratat e tua dhe jepi[a] një tjetri shpërblimet e tua”. Pasuri dhe pushtet i madh i ishte ofruar Danielit, shpërblime që përfaqësonin gjërat e botës dhe jo të Perëndisë. Danieli u bëri ballë dhe qëndroi besnik.
Më vonë, kur Danieli e adhuroi Perëndinë pavarësisht nga dekreti që e shpallte atë gjë të ishte e ndaluar, atë e hodhën në një gropë luanësh. Rrëfimi biblik na tregon se mëngjesin pasues “Danielin e nxorën nga gropa dhe nuk u gjet mbi të asnjë lëndim, sepse kishte pasur besim te Perëndia”. Në një kohë të nevojës së ngutshme, vendosmëria e Danielit për të ecur në një kurs të palëvizshëm i hapi udhë mbrojtjes hyjnore dhe siguroi një shenjtërore të sigurisë. Të tilla mbrojtje e siguri mund të jenë tonat, kur ne gjithashtu ecim në një kurs të palëvizshëm drejt shtëpisë sonë të përjetshme.
Ora e historisë, si rëra në një orë rëre, shënon kalimin e kohës. Një trupë e re aktorësh zë skenën e jetës. Problemet e kohës sonë përvijohen kërcënuese para nesh. Gjatë gjithë historisë së botës, Satani ka vepruar pa u lodhur për shkatërrimin e pasuesve të Shpëtimtarit. Nëse iu dorëzohemi joshjeve të tij, ne – sikurse luftanija e fuqishme Bismark – do ta humbasim atë timon që mund të na rrëfejë udhën drejt sigurisë. Përkundrazi, të rrethuar nga ndërlikimet e jetës moderne, ne shohim drejt qiellit për atë ndjesi të pagabueshme të drejtimit, që të mund të hartojmë dhe të ndjekim një kurs të mençur e të duhur. Ati ynë Qiellor nuk do ta lërë pa përgjigje kërkesën tonë të sinqertë. Teksa kërkojmë ndihmë qiellore, timoni ynë, krejt ndryshe nga ai i Bismarkut, nuk do të dështojë.
Teksa shtegtojmë nëpër udhëtimet tona vetjake, lundrofshim të sigurt nëpër detet e jetës. Paçim kurajën e Danielit, që të mund të qëndrojmë të vërtetë dhe besnikë pavarësisht nga mëkati e tundimi që na rrethojnë. Qofshin dëshmitë tona aq rrënjësore dhe aq të forta sa ajo e Jakobit, vëllait të Nefit, i cili, kur u përball me një njeri që u përpoq në çfarëdo mënyre të mundshme t’ia shkatërronte besimin, shpalli: “Unë nuk mund të lëkundesha”.
Me timonin e besimit duke i rrëfyer udhën shtegtimit tonë, vëllezër, ne gjithashtu do të gjejmë udhën tonë të sigurt drejt shtëpisë – të kthyer te Perëndia, për të jetuar me Të përjetësisht. Që kështu qoftë për secilin prej nesh, unë lutem në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, amen.