“28 Shtator – 11 Tetor. 3 Nefi 17–19: ‘Vini Re, Gëzimi Im Është i Plotë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“28 Shtator – 11 Tetor. 3 Nefi 17–19”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
28 Shtator – 11 Tetor
3 Nefi 17–19
“Vini Re, Gëzimi Im Është i Plotë”
Ndërkohë që kapitujt e mëparshëm tek 3 Nefi u përqendruan kryesisht te fjalët e Shpëtimtarit, kapitujt 17–19 përshkruajnë shërbesën dhe mësimet e Tij mes popullit. Teksa i lexoni këta kapituj, çfarë ju mëson Shpirti për Shpëtimtarin?
Shënojini Mbresat Tuaja
Jezu Krishti e kishte kaluar ditën duke dhënë shërbesë në tokën e Begatisë, duke u dhënë mësim ungjillin e Tij, duke u dhënë njerëzve mundësi të shihnin dhe të preknin shenjat në trupin e Tij të ringjallur dhe duke dëshmuar se Ai ishte Shpëtimtari i premtuar. Dhe tani ishte koha për Të që të largohej. Ai kishte nevojë të kthehej tek Ati i Tij dhe e dinte se njerëzve u nevojitej kohë të përsiatnin atë që u kishte mësuar Ai. Kështu që duke premtuar se do të kthehej të nesërmen, Ai e la turmën që të iknin për në shtëpitë e tyre. Por askush nuk u largua. Ata nuk e thanë se çfarë po ndienin, por Jezusi mund ta ndiente atë: ata shpresonin që Ai do të “rrinte edhe pak me ta” (3 Nefi 17:5). Ai kishte gjëra të tjera të rëndësishme për të bërë, por mundësia për të treguar dhembshuri nuk vjen gjithmonë në kohë të volitshme, prandaj Jezusi qëndroi edhe pak më gjatë me njerëzit. Ajo që pasoi ishte ndoshta shembulli më i dhembshur i dhënies së shërbesës, i shënuar në shkrimin e shenjtë. Ata që ishin të pranishëm, mund të thoshin vetëm se ishte e papërshkrueshme (shih 3 Nefi 17:16–17). Jezusi Vetë e përmblodhi derdhjen e paplanifikuar shpirtërore me këto fjalë të thjeshta: “Tani vini re, gëzimi im është i plotë” (3 Nefi 17:20).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Shpëtimtari është shembulli im i përkryer i dhënies së shërbesës.
Ne dimë se pati rreth 2 500 veta (shih 3 Nefi 17:25) që e përjetuan vizitën e parë të Krishtit, siç shënohet tek 3 Nefi 11–18. Prapëseprapë Shpëtimtari gjeti një mënyrë për t’u dhënë atyre shërbesë një e nga një. Çfarë mësoni nga shembulli i Shpëtimtarit në këtë kapitull rreth dhënies së shërbesës? Për cilat nevoja dha shërbesë Ai? Përsiatni mënyrën se si shembulli i Tij mund t’ju ndihmojë t’u jepni shërbesë të tjerëve.
3 Nefi 17:13–22; 18:15–25; 19:6–9, 15–36
Shpëtimtari na mësoi se si të lutemi.
Përfytyrojeni si do të ishte po ta dëgjonit Shpëtimtarin të lutej për ju. Çfarë mund të thoshte Ai në emrin tuaj? Mësimet dhe lutjet e Tij në këta kapituj mund t’ju japin një ide. Teksa studioni, çfarë mësoni nga shembulli i Krishtit që mund t’i bëjë vetë lutjet tuaja më domethënëse? Çfarë bekimesh nga lutja keni parë në jetën tuaj?
Unë mund të ngopem shpirtërisht kur marr sakramentin.
Ndërsa lexoni vargjet tek 3 Nefi 18:1–12, përsiatni se si marrja e sakramentit mund t’ju ndihmojë të “ngop[eni]” shpirtërisht (3 Nefi 18:3–5, 9; shih edhe 3 Nefi 20:1–9). Për shembull, ju mund të bëni një listë pyetjesh që nxitin reflektim vetjak kur merrni sakramentin, si ato që vijojnë: “Si ndihem rreth Shpëtimtarit dhe flijimit të Tij për mua?”, “Si po ndikon flijimi i Tij në jetën time të përditshme?” ose “Çfarë po bëj mirë si dishepull dhe çfarë mund të përmirësoj?”
Këto fjalë nga Presidenti Henri B. Ajring mund t’ju ndihmojnë të përsiatni për një mënyrë se si sakramenti mund t’ju ndihmojë të ngopeni shpirtërisht: “Teksa e shqyrtoni jetën tuaj gjatë ordinancës së sakramentit, unë shpresoj që mendimet tuaja të mos përqendrohen vetëm te gjërat që i keni bërë gabim, por edhe te gjërat që i keni bërë drejt – çastet kur e keni ndier se Ati Qiellor dhe Shpëtimtari ishin të kënaqur me ju. Mund të shpenzoni madje edhe një çast gjatë sakramentit për t’i kërkuar Perëndisë t’ju ndihmojë t’i shihni këto gjëra. … Kur e kam bërë këtë, Shpirti më ka dhënë sigurinë që, ndonëse jam ende larg nga të qenit i përsosur, jam më i mirë sot nga ç’isha dje. Dhe kjo më jep vetëbesimin se, për shkak të Shpëtimtarit, mund të jem akoma më i mirë nesër” (“Always Remember Him”, Ensign, shkurt 2018, f. 5; [“Gjithmonë Kujtojeni Atë”, Mesazhi i Presidencës së Parë, shkurt 2018, f. 2]).
Dishepujt e Jezu Krishtin e kërkojnë dhuratën e Frymës së Shenjtë.
Mendoni për një lutje që e keni bërë kohët e fundit. Çfarë ju mësojnë lutjet tuaja rreth dëshirave tuaja më të thella? Pasi e kaloi një ditë në praninë e Shpëtimtarit, turma e njerëzve “u lut për atë gjë që dëshironin më shumë” – dhuratën e Frymës së Shenjtë (3 Nefi 19:9). Teksa i lexoni këto fragmente, përsiatni vetë dëshirën tuaj për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Çfarë mund të mësoni rreth kërkimit të shoqërimit të Frymës së Shenjtë?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
3 Nefi 17
Teksa e lexoni këtë kapitull si familje, merrni parasysh të ndaloni herë pas here që ta ftoni familjen tuaj të përfytyrojë sikur po i përjeton drejtpërdrejt këto ngjarje. Për shembull, ju mund të bëni pyetje si këto: “Çfarë vuajtjesh do t’ia sillnit Shpëtimtarit për t’i shëruar?”, “Për çfarë do të donit që Ai të lutej në emrin tuaj?” ose “Cilët njerëz të dashur do të donit që Ai t’i bekonte?” Leximi i këtij kapitulli mund t’ju frymëzojë gjithashtu të luteni për pjesëtarët e familjes suaj, një e nga një, sikurse bëri Jezusi.
3 Nefi 18:1–12
Çfarë do të thotë të “ngop[esh]” nëpërmjet marrjes së sakramentit dhe në ç’mënyrë e përjetojmë atë? Çfarë mësojmë nga vargjet 5–7 rreth arsyes përse Jezusi na e dha ordinancën e sakramentit?
3 Nefi 18:17–21
Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth qëllimeve të lutjes? Si mund ta përmirësojmë fuqinë shpirtërore të lutjeve tona, si individë dhe si një familje?
3 Nefi 18:25; 19:1–3
Çfarë ka përjetuar familja jonë prej ungjillit, që ne duam ta përjetojë edhe çdo njeri përreth nesh? Si mund ta ndjekim shembullin e njerëzve në këto vargje dhe të “mund[ohemi] jashtëzakonisht” (3 Nefi 19:3) për t’i sjellë të tjerët te Krishti, që edhe ata të mund të “ndie[jnë] dhe … sh[ohin]” (3 Nefi 18:25) atë çfarë ne e kemi gjetur tek ungjilli?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.