“21–27 Shtator. 3 Nefi 12–16: ‘Unë Jam Ligji dhe Drita’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“21–27 Shtator. 3 Nefi 12–16”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
21–27 Shtator
3 Nefi 12–16
“Unë Jam Ligji dhe Drita”
Ka shumë parime që gjenden tek 3 Nefi 12–16. Disa parime vihen në dukje te ky përvijim, por ju mund të gjeni të tjera. Lejojeni Atin Qiellor, nëpërmjet Shpirtit të Tij, t’ju mësojë se çfarë ju nevojitet pikërisht tani.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ashtu si dishepujt e Jezusit që u mblodhën te mali në Galile, njerëzit të cilët u mblodhën tek tempulli në Begati kishin jetuar sipas ligjit të Moisiut. Ata e kishin ndjekur atë ligj, sepse u tregonte shpirtrave të tyre udhën drejt Krishtit (shih Jakobi [LiM] 4:5) dhe tani Krishti qëndronte përpara tyre, duke u shpallur një ligj më të lartë. Por edhe ata prej nesh që kurrë nuk e kanë jetuar ligjin e Moisiut, mund të dallojmë se standardi që Jezusi vendosi për dishepujt e Tij, është një ligj mjaft më i lartë. “Unë do të doja që ju të jeni të përkryer”, shpalli Ai (3 Nefi 12:48). Nëse kjo ju bën të ndiheni të papërshtatshëm, kujtoni se Jezusi gjithashtu tha: “Të bekuar janë skamësit në shpirt, që vijnë tek unë, pasi e tyre është mbretëria e qiellit” (3 Nefi 12:3). Ky ligj më i lartë është një ftesë – një mënyrë tjetër për të thënë: “Ejani tek unë dhe shpëtohuni” (3 Nefi 12:20). Ashtu si ligji i Moisiut, ky ligj na tregon udhën drejt Krishtit – të Vetmit që mund të na shpëtojë dhe përsosë. “Vini re”, tha Ai, “unë jam ligji dhe drita. Shikoni tek unë dhe duroni deri në fund, dhe do të jetoni” (3 Nefi 15:9).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Mësimet e Shpëtimtarit më tregojnë se si të jem një dishepull i vërtetë.
Ka shumë të vërteta, fjalë këshille dhe paralajmërime tek 3 Nefi 12–14. Ja një mënyrë për ta studiuar dhe zbatuar atë që Shpëtimtari e dha mësim në këta kapituj: Zgjidhni një grup vargjesh dhe shihni nëse mund ta përmblidhni atë që vargjet na mësojnë, me një fjali që fillon me fjalët “Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit …”. Për shembull, një përmbledhje e vargjeve tek 3 Nefi 14:1–5 mund të jetë: “Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit nuk janë paragjykues”. Ju mund të doni të zgjidhni një varg nga këta kapituj që është veçanërisht domethënës për ju, dhe ta mësoni përmendsh ose ta kopjoni e vendosni atje ku do ta shihni shpesh. Përsiatni se si mund ta vini në jetë atë që mësoni, në përpjekjet tuaja vetjake për të qenë një dishepull më i mirë i Jezu Krishtit.
Shih edhe Mateu 5–7; Lluka 6:20–49.
3 Nefi 12:1–2; 15:23–24; 16:1–6
Lum ata që besojnë pa parë.
Krahasuar me numrin e përgjithshëm të fëmijëve të Perëndisë, shumë pak njerëz e kanë parë Shpëtimtarin dhe e kanë dëgjuar zërin e Tij, sikurse bënë njerëzit në Begati. Shumica prej nesh janë më të ngjashëm me njerëzit e përshkruar tek 3 Nefi 12:2, 15:23 dhe 16:4–6. Çfarë premtimesh u bëhen njerëzve të tillë në këto vargje? Si janë përmbushur këto premtime në jetën tuaj?
Shih edhe Gjoni 20:26–29; 2 Nefi 26:12–13; Alma 32:16–18.
3 Nefi 12:21–30; 13:1–8, 16–18; 14:21–23
Veprimet e drejta nuk mjaftojnë; edhe zemra ime duhet të jetë e pastër.
Një temë që mund ta vini re në këta kapituj, është ftesa e Shpëtimtarit për të jetuar një ligj më të lartë – të jemi të drejtë jo vetëm në veprimet tona të jashtme, por edhe në zemrat tona. Kërkojeni këtë temë kur Shpëtimtari flet për grindjen (3 Nefi 12:21–26), imoralitetin (3 Nefi 12:27–30), lutjen (3 Nefi 13:5–8) dhe agjërimin (3 Nefi 13:16–18). Çfarë shembuj të tjerë mund të gjeni? Çfarë mund të bëni për t’i pastruar dëshirat e zemrës suaj në vend që të përqendroheni vetëm te veprimet e jashtme?
Nëse kërkoj “gjëra të mira” nga Ati Qiellor, unë do të marr.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “A do Perëndia vërtet të flasë me ju? Po! … O, ka shumë më tepër që Ati juaj në Qiell dëshiron që ju të dini” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 95). Ndërsa e lexoni tek 3 Nefi 14:7–11 ftesën e Zotit për të lypur, kërkuar dhe trokitur, përsiatni cilat “gjëra të mira” mund të dojë Ai që ju t’i kërkoni. Shkrimet e tjera të shenjta vijuese mund t’ju ndihmojnë të kuptoni se si të lypni, kërkoni dhe trokitni. Ato gjithashtu mund të ndihmojnë që të shpjegojnë arsyen përse disa lutje nuk marrin përgjigje sipas mënyrës që e pritni: Isaia 55:8–9; Helamani 10:5; Moroni 7:26–27, 33, 37; dhe Doktrina e Besëlidhje 9:7–9.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
3 Nefi 12:48
Si na ndihmon mesazhi i Plakut Xhefri R. Holland “Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht” (Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 40–42) që t’i kuptojmë fjalët e Shpëtimtarit në këtë varg? Ju gjithashtu mund të gjeni ndihmë te Moroni 10:32–33.
3 Nefi 12:9, 38–42; 14:3–5, 12
Si gjejnë zbatim këto vargje te ndërveprimet midis pjesëtarëve të familjes? Ndoshta familja juaj mund të vendosë disa synime së bashku për të jetuar më besnikërisht sipas këtyre parimeve.
3 Nefi 13:19–21
Këto vargje mund të nxitin diskutim rreth gjërave që familja juaj i mbledh si thesar. A ka disa thesare në tokë që ju mbajnë larg nga mbledhja e thesareve në qiell? Mund ta përforconi këtë pikë duke e udhëhequr familjen tuaj në një gjueti thesari për të gjetur gjëra në shtëpinë tuaj që i bëjnë pjesëtarët e familjes suaj të kujtojnë thesaret me vlerë të përjetshme.
3 Nefi 14:7–11
Fëmijëve më të vegjël mund t’iu pëlqejë një lojë, e frymëzuar nga 3 Nefi 14:8–9, në të cilën ata kërkojnë diçka dhe marrin diçka krejt të ndryshme. Çfarë donte Shpëtimtari që ne të dinim rreth Atit tonë në Qiell kur Ai e dha këtë shembull?
3 Nefi 14:15–20
Cili “frut [i] mirë” na ndihmon ta dimë se Jozef Smithi, ose Presidenti i tanishëm i Kishës, është një profet i vërtetë?
3 Nefi 14:24–27
Mendoni për mënyrat se si mund ta ndihmoni familjen tuaj ta përfytyrojë shëmbëlltyrën në këto vargje. Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të vizatojnë figura, të bëjnë veprime ose të ndërtojnë gjëra mbi themele të ngurta dhe prej rëre.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.