Eja, Më Ndiq
7–13 Shtator. 3 Nefi 1–7: “Ngrije Kokën dhe Mos e Humb Kurajën”


“7–13 Shtator. 3 Nefi 1–7: ‘Ngrije Kokën dhe Mos e Humb Kurajën’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“7–13 Shtator. 3 Nefi 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Nefitët dëshmojnë ditën pa natë

Një Ditë, Një Natë dhe Një Ditë, nga Jorge Cocco

7–13 Shtator

3 Nefi 1–7

“Ngrije Kokën dhe Mos e Humb Kurajën”

Nefitët dëshmuan shenja të mrekullueshme, por me kalimin e kohës ata i harruan gjërat që kishin përjetuar (shih 3 Nefi 2:1). Shënimi i mbresave tuaja do t’ju ndihmojë t’i kujtoni përvojat tuaja shpirtërore teksa studioni kapitujt tek 3 Nefi 1–7.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në njëfarë mënyre qe një kohë emocionuese të ishe besimtar i Jezu Krishtit. Profecitë po përmbusheshin – shenja dhe mrekulli të mëdha mes njerëzve tregonin se Shpëtimtari do të lindte së shpejti. Nga ana tjetër, ajo ishte edhe një kohë ankthi për besimtarët ngaqë, pavarësisht nga të gjitha mrekullitë, mosbesuesit këmbëngulnin se “kishte kaluar koha” që Shpëtimtari të lindte (3 Nefi 1:5). Këta njerëz shkaktuan “një potere të madhe në tërë vendin” (3 Nefi 1:7) dhe madje caktuan një datë për t’i vrarë të gjithë besimtarët nëse shenja e profetizuar nga Samuel Lamaniti – një natë pa errësirë – nuk do të shfaqej.

Në këto rrethana sprovuese profeti Nefi “iu lut me gjithë fuqi Perëndisë së tij, në emër të popullit të tij” (3 Nefi 1:11). Përgjigjja e Zotit është frymëzuese për këdo që përballet me përndjekje ose dyshim dhe ka nevojë të dijë se drita do ta mposhtë errësirën: “Ngrije kokën dhe mos e humb kurajën; … unë do të përmbush çdo gjë që kam bërë të thuhet nga goja e profetëve të mi të shenjtë” (3 Nefi 1:13).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

3 Nefi 1:4–21; 5:1–3

Zoti do t’i përmbushë të gjitha fjalët e Tij.

Si e përfytyroni se do të ishit ndier nëse do të kishit qenë njëri prej besimtarëve gjatë kohës së përshkruar tek 3 Nefi 1–7? Si mund të ishit ndier, për shembull, nëse po prisnit për natën pa errësirë që do të lajmëronte lindjen e Shpëtimtarit, duke e ditur se do të vriteshit nëse nuk ndodhte? Ndërsa i lexoni vargjet tek 3 Nefi 1:4–21 dhe 5:1–3, kërkoni atë që bënë Nefi dhe besimtarët e tjerë për ta ruajtur besimin e tyre gjatë këtyre kohëve të vështira. Si i bekoi Zoti ata? Çfarë mësoni që mund t’ju ndihmojë kur e gjeni veten duke pritur për bekime të premtuara nga Zoti?

3 Nefi 1:22; 2:1–3

Harrimi i përvojave shpirtërore më bën të cenueshëm nga tundimet e Satanit.

Ju mund të mendoni se dëshmimi i diçkaje kaq të mrekullueshme sa një natë pa errësirë, do të qëndronte me ju për një kohë të gjatë dhe do të ishte një spirancë për dëshminë tuaj. Por kujtimet e shenjave dhe çudive që dëshmuan nefitët, duket se u venitën me kalimin e kohës. Çfarë i bëri të harronin dhe cilat ishin rrjedhojat e harresës? (Shih 3 Nefi 1:22; 2:1–3.)

Çfarë po bëni që ta kujtoni dhe ripërtërini dëshminë tuaj për të vërtetat shpirtërore? Për shembull, merreni parasysh se si mund t’ju ndihmojë shënimi i përvojave tuaja shpirtërore. Si do t’ua shprehnit dëshminë tuaj njerëzve tuaj më të afërt për t’i ndihmuar që të besojnë?

Shih edhe Alma 5:6; Henri B. Ajring, “O, Kujtoni, Kujtoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 66–69; Nil L. Andersen, “Besimi Nuk Vjen nga Rastësia, por nga Zgjedhja”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 65–68.

3 Nefi 2:11–12; 3:1–26; 5:24–26

Zoti i forcon shenjtorët e Tij kundër rrezikut shpirtëror.

Në kohën tonë zakonisht ne nuk përballemi me banda hajdutësh që na detyrojnë të largohemi nga shtëpitë tona dhe të mblidhemi në një vend. Por përballemi vërtet me rreziqe shpirtërore dhe përvoja e nefitëve mund të përmbajë mësime që mund të na ndihmojnë. Kërkojini këto mësime ndërsa lexoni vargjet tek 3 Nefi 2:11–12 dhe 3:1–26.

Tek 3 Nefi 5:24–26 lexojmë për mbledhjen e popullit të Zotit në ditët e mëvonshme. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si Zoti po e mbledh popullin e Tij sot?

Shih edhe “Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Rininë: Mesazhe nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Motra Uendi W. Nelson”, 3 qershor 2018, ChurchofJesusChrist.org; “Izrael – Mbledhja e Izraelit”, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

3 Nefi 5:12–26; 7:15–26

Unë jam një dishepull i Jezu Krishtit.

Si mendoni, çfarë do të thotë të jesh dishepull i Jezu Krishtit? (Shih DeB 41:5.) Tek 3 Nefi 5:12–26 Mormoni e ndërpreu përmbledhjen e tij të analeve nefite dhe shpalli se ai ishte dishepull i Jezu Krishtit. Tek 3 Nefi 7:15–26 ai përshkroi shërbesën e një dishepulli tjetër – profetit Nefi. Çfarë gjeni në këto dy fragmente që ju ndihmon të kuptoni se çfarë do të thotë të jesh dishepull i Krishtit?

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

3 Nefi 3:13–14, 25–26

Çfarë bënë nefitët për t’u mbrojtur nga armiku me të cilin u përballën? Çfarë po bëjmë ne për ta bërë shtëpinë tonë një vend sigurie dhe mbrojtjeje nga ligësia në botë?

3 Nefi 2:1–3; 6:15–17

Që ta ndihmoni familjen tuaj të mësojë se si Satani mund të na mashtrojë, vizatoni një trup dhe ndërkohë që familja juaj lexon vargjet tek 3 Nefi 2:1–3 dhe 6:15–17, shenjoni pjesët e ndryshme të trupit që përmenden. Sipas këtyre vargjeve, cilat janë disa nga mënyrat se si na tundon Satani që ta harrojmë Perëndinë dhe të kthehemi drejt mëkatit?

3 Nefi 4:7–12, 30–33

Çfarë bënë nefitët kur i panë të vinin hajdutët e Gadiantonit? Çfarë mund të mësojë familja jonë nga nefitët kur ne përballemi me situata të vështira? Çfarë mund të mësojmë nga fjalët e nefitëve mbasi Zoti i ndihmoi në kohën e tyre të vështirësisë?

3 Nefi 5:13; Doktrina e Besëlidhje 41:5

Lexojini vargjet tek 3 Nefi 5:13 dhe Doktrina e Besëlidhje 41:5 dhe diskutoni se çfarë do të thotë të jesh dishepull i Krishtit. Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të flasin rreth rasteve kur ata vunë re tek njëri‑tjetri se ishin dishepuj. Nëse keni fëmijë të vegjël, ju mund të bëni një distinktiv që thotë: “Unë jam një dishepull i Jezu Krishtit” dhe lejojini ta vënë distinktivin kurdoherë që e vini re se po ndjekin Shpëtimtarin.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojeni familjen tuaj që t’i përshtatë shkrimet e shenjta me veten. Nefi tha: “I përshtata të gjitha shkrimet e shenjta për ne, që ato të mund të jenë për përfitimin dhe mësimin tonë” (1 Nefi 19:23). Për ta ndihmuar familjen tuaj që t’i përshtatë shkrimet e shenjta me veten, ju mund t’i ftoni të përsiatin se çfarë do të kishin bërë nëse do të kishin qenë mes besimtarëve të përshkruar tek 3 Nefi 1:4–9. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 21.)

Nefitët dëshmojnë ditën pa natë

Një Ditë, një Natë dhe një Ditë, nga Walter Rane