Eja, Më Ndiq
7–13 Shtator. 3 Nefi 1–7: “Ngrije Kokën dhe Mos e Humb Kurajën”


“7–13 Shtator. 3 Nefi 1–7: ‘Ngrije Kokën dhe Mos e Humb Kurajën’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“7–13 Shtator. 3 Nefi 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Nefitët dëshmojnë ditën pa natë

Një Ditë, Një Natë dhe Një Ditë, nga Jorge Cocco

7–13 Shtator

3 Nefi 1–7

“Ngrije Kokën dhe Mos e Humb Kurajën”

Nëse keni nevojë për ide shtesë ndërsa përgatiteni të jepni mësim, shihni “Burime Shtesë për Dhënien Mësim Fëmijëve” dhe “Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël” në fillim të këtij materiali burimor.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të tregojnë atë çfarë mbajnë mend që e mësuan javën e kaluar rreth shenjave që Samuel Lamaniti tha se do t’i ndihmonin njerëzit të dinin se Jezusi kishte lindur. U thoni fëmijëve se sot ata do të flasin rreth njerëzve që i panë ato shenja të ndodhnin.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

3 Nefi 1:4–15, 19–21

Një yll i ri u shfaq kur lindi Jezu Krishti.

Rrëfimi i Dhiatës së Re për lindjen e Shpëtimtarit njihet mirë, madje dhe nga fëmijët. Kjo javë është një mundësi e mrekullueshme për t’u dhënë mësim fëmijëve në klasën tuaj rreth mrekullive që dëshmuan nefitët kur lindi Jezusi.

Veprimtari të Mundshme

  • Përpara klasës, vendosni një yll në mur. Ftojini fëmijët të kërkojnë diçka në mur që zakonisht nuk ndodhet atje. U thoni fëmijëve se, kur lindi Jezusi, nefitët panë një yll të ri në qiell. Përmblidheni rrëfimin tek 3 Nefi 1:4–15 dhe 19–21. Ju mund të përdorni edhe “Kapitullin 41: Shenjat e Lindjes së Krishtit” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 114–116).

  • Paraqituni fëmijëve një figurë të lindjes së Shpëtimtarit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 30) dhe këndoni një këngë të parapëlqyer Krishtlindjeje, të tillë si “The Nativity Song” [“Kënga e Ngjarjes së Krishtlindjes”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 32). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se nefitët ishin shumë larg nga vendi ku lindi Jezusi, por ata e dinin se Ai kishte lindur për shkak të shenjave që panë. Dëshmoni se ndonëse ne nuk e pamë lindjen e Shpëtimtarit, Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë të dimë se historitë rreth saj në shkrimet e shenjta janë të vërteta.

3 Nefi 1:20

Fjalët e profetëve përmbushen përherë.

Zoti i tha Nefit: “Unë do … t’i treg[oj] botës se unë do të përmbush çdo gjë që kam bërë të thuhet nga goja e profetëve të mi të shenjtë” (3 Nefi 1:13).

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni figura që ilustrojnë mënyrën se si Perëndia ka folur nëpërmjet profetëve, të tillë si Noeu (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 78; shih Zanafilla 6–7) dhe Samuel Lamaniti (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 81; shih Helamani 14:1–7). Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth këtyre historive.

  • Lexojuni fëmijëve tek 3 Nefi 1:20 dhe jepni dëshminë tuaj se fjalët e profetëve përmbushen përherë. Ftojini fëmijët të dëgjojnë profetin në konferencën e ardhshme të përgjithshme.

3 Nefi 5:13

Unë mund ta ndjek Jezu Krishtin.

Mormoni shpalli: “Unë jam një dishepull i Jezu Krishtit”. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që edhe ata ta shohin veten si dishepuj?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni nga 3 Nefi 5:13 dhe ftojini fëmijët të përsëritin frazën “Unë jam një dishepull i Jezu Krishtit”. Mësojuni atyre se një dishepull i Jezu Krishtit përpiqet ta ndjekë Atë. Paraqitni disa gjëra që bëri Mormoni për të qenë si Jezusi, të tilla si mësimdhënia e fjalës së Perëndisë dhe bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë (shih 3 Nefi 5:13–18). Ndihmoni fëmijët të mendojnë për mënyrat se si ata mund të jenë dishepuj.

  • Në një copë letër, ndihmojini fëmijët të bëjnë gjurmën e dorës së tyre dhe ta presin. Shkruani: “Unë jam një dishepull i Jezu Krishtit” në njërën anë dhe ftojini që në anën tjetër të vizatojnë diçka që mund të bëjnë për të qenë një dishepull (ju mund të duhet t’i ndihmoni të mendojnë për ide). Këndoni së bashku një këngë rreth ndjekjes së Shpëtimtarit, të tillë si “I’m Trying to Be like Jesus” [“Përpiqem t’Jem si Jezusi”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 40).

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

3 Nefi 1:4–21

Premtimet e Perëndisë, të dhëna nëpërmjet profetëve të Tij, përmbushen përherë.

Rrëfimi tek 3 Nefi 1:4–21 mund të ndihmojë në ngritjen e besimit të fëmijëve se Perëndia i mban përherë premtimet e Tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët ta krahasojnë profecinë e Samuel Lamanitit te Helamani 14:1–7 me përmbushjen e saj tek 3 Nefi 1:19–21. Dëshmoni se premtimet e Perëndisë të thëna nëpërmjet profetëve të Tij përmbushen përherë.

  • Lexojeni me fëmijët rrëfimin që gjendet tek 3 Nefi 1:4–10. Pyetini fëmijët se si mund të ishin ndier nëse do të kishin qenë njëri prej besimtarëve që jetuan në atë kohë. Ftojini fëmijët të lexojnë pjesën tjetër të rrëfimit te vargjet 11–15 dhe të sugjerojnë mënyra se si ta plotësojnë këtë fjali: “Mësimi nga kjo histori është …”. Si mund ta shfaqim mirëbesimin tonë te Perëndia kur jemi të shqetësuar apo të shkurajuar?

  • Tregoni diçka që na ka premtuar profeti ynë i gjallë. Çfarë mund të bëjmë për ta treguar besimin tonë se fjalët e profetit erdhën nga Perëndia?

3 Nefi 2:11–12; 3:13–14, 24–26

Ne jemi më të fortë kur mblidhemi tok.

Nefitëve u duhej të mblidheshin tok për hir të sigurisë fizike. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se mbledhja tok me miq të drejtë mund t’u japë gjithashtu forcë shpirtërore?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni me fëmijët vargjet vijuese dhe ftojini që të kërkojnë arsyet përse nefitët u mblodhën tok dhe për bekimet që u erdhën atyre: 3 Nefi 2:11–12 dhe 3:13–14, 24–26. Përse është e rëndësishme për ne që të “mblidh[emi]” sot në familjet tona dhe në kishë? Si mund të na bëjë mbledhja më të fortë shpirtërisht?

  • Përdorni një mësim me send për të dhënë mësim se ne jemi më të fortë së bashku sesa kur jemi të ndarë. Për shembull, ftojini fëmijët të përpiqen të thyejnë një shkop dhe pastaj një tufë shkopinjsh; ose të grisin një fletë letër dhe pastaj një grumbull fletësh. Si jemi ne sikurse shkopinjtë ose letra? Si mund ta forcojmë njëri‑tjetrin kur mblidhemi së bashku në familjet tona ose në kishë?

  • Shpjegoni se Jezusi po e mbledh popullin e Tij në Kishë sot nëpërmjet punës misionare (shih 3 Nefi 5:24–26). Ftojeni një misionar kohëplotë ose një misionar të lagjes të tregojë përvoja që dëftojnë mënyrën se si njerëzit janë forcuar duke u mbledhur në Kishë.

3 Nefi 4:30–33; 5:12–26; 6:14; 7:15–26

Unë jam një dishepull i Jezu Krishtit.

Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta shohin veten si dishepuj të Jezu Krishtit, ashtu siç bëri Mormoni? (Shih 3 Nefi 5:13.)

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një figurë të Mormonit (të tillë si Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 73). Ftojeni secilin fëmijë të marrë radhën dhe të përsëritë atë që tha Mormoni tek 3 Nefi 5:13: “Unë jam një dishepull i Jezu Krishtit”. Çfarë do të thotë të jesh një dishepull i Jezu Krishtit? (Shih DeB 41:5.)

  • Ndajeni klasën në grupe të vogla dhe caktojini secilit grup që të lexojë rreth njërit prej shembujve vijues të dishepujve: lamanitëve të kthyer në besim (shih 3 Nefi 4:30–33; 6:14), Mormonit (shih 3 Nefi 5:12–26) dhe Nefit (shih 3 Nefi 7:15–26). Në ç’mënyrë ishin këta njerëz dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit? Çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndjekur shembujt e tyre?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të mendojnë rreth diçkaje që do të bëjnë këtë javë për të qenë dishepuj të Krishtit. Nxitini që ta shkruajnë atë dhe t’ia tregojnë familjes së tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Paraqitni një shkrim të shenjtë. Zgjidhni një varg që ju duket kuptimplotë (ose ftojini fëmijët të zgjedhin një) dhe paraqiteni atë në klasën tuaj, aty ku fëmijët do ta shohin shpesh. Ju mund ta shfaqni atë për disa javë dhe t’i drejtoheni atij me raste.