“14–20 Shtator. 3 Nefi 8–11: ‘Ngrihuni dhe Ejani tek Unë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“14–20 Shtator. 3 Nefi 8–11”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020
14–20 Shtator
3 Nefi 8–11
“Ngrihuni dhe Ejani tek Unë”
Lexojini kapitujt tek 3 Nefi 8–11 duke pasur fëmijët në mendje. Idetë në këtë përvijim mund të ndihmojnë ta udhëheqin përgatitjen tuaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit tek shfaqet në kontinentet amerikane, si ajo që është në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ftojini fëmijët të vënë në dukje hollësi në figurë dhe të tregojnë diçka që dinë rreth historisë së përshkruar.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Jezu Krishti më fton që të vij tek Ai.
Ju mund të mos jeni në gjendje t’u tregoni fëmijëve të gjitha hollësitë e shfaqjes së Shpëtimtarit te populli i Nefit, por ju mund t’i ndihmoni ta ndiejnë dashurinë që Ai u tregoi njerëzve tek 3 Nefi 8–11.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve rreth stuhive dhe errësirës së përshkruar tek 3 Nefi 8, duke qenë të kujdesshëm për të mos i trembur ose mërzitur ata. Ju mund të përdorni “Kapitullin 42: Shenjat e Kryqëzimit të Krishtit” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 117–119). Pyetini fëmijët se si mund të ishin ndier nëse do të kishin qenë në ato stuhi dhe errësirë. Shpjegoni se stuhitë dhe errësira qenë shenja që Jezusi kishte vdekur, dhe paraqitni një figurë të Kryqëzimit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 57). Pastaj lexoni nga 3 Nefi 9:13. Çfarë tha Jezusi se do të bënte për ata që pendoheshin? Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë se fjala “shëroj” në këtë varg do të thotë se Jezusi do t’i falte ata.
-
Paraqitni figurën në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ndërsa e përshkruani me vetë fjalët tuaja shfaqjen e Shpëtimtarit të ringjallur te nefitët dhe lamanitët. Lexoni fragmente të shkurtra nga 3 Nefi 11 që do t’i ndihmojnë ata ta ndiejnë shenjtërinë e kësaj ngjarjeje. Ftojini që t’i mbyllin sytë dhe të përfytyrojnë se si do të ndiheshin po ta shihnin Jezusin. Tregojuni fëmijëve se si ndiheni kur i lexoni dhe i përsiatni këto ngjarje. Dëshmoni se Jezusi do që ne të gjithë të vijmë tek Ai dhe ta ndiejmë dashurinë e Tij. Plotësojeni faqen e veprimtarisë me fëmijët.
Jezusi e mbron popullin e Tij si një klloçkë mbron zogjtë e saj.
Imazhi i një klloçke tek mbledh zogjtë e saj mund t’i mësojë fëmijët rreth ngushëllimit dhe mbrojtjes që jep Shpëtimtari nëse do të vijmë tek Ai.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni një figurë të një klloçke tek kujdeset për zogjtë e saj. Lexoni tek 3 Nefi 10:6 dhe flituni fëmijëve për mënyrën se si një klloçkë i thërret zogjtë e vet dhe i mbron ata nën krahët e saj kur ka rrezik. Diskutoni për mënyrën se si Jezusi është sikurse klloçka dhe ne jemi sikurse zogjtë. Si mund të vijmë tek Ai për të gjetur siguri?
-
Vendosni një figurë të Jezusit në mur. Ftojini fëmijët të ecin rreth e rrotull klasës ndërsa lexoni me zë të lartë tek 3 Nefi 10:4. U thoni të shkojnë drejt figurës së Jezusit kur i dëgjojnë fjalët “mbledhur” ose “mbledh”. Përsëriteni këtë veprimtari ndërsa i lexoni vargjet 5 dhe 6. Tregojuni fëmijëve se si keni ardhur te Shpëtimtari për siguri dhe dëshmoni se Ai do të na mbrojë nga rreziqet shpirtërore ndërsa i zbatojmë urdhërimet e Tij.
Jezu Krishti dëshiron që unë të pagëzohem.
Fëmijët të cilëve po u jepni mësim, po përgatiten për t’u pagëzuar. Mësimet e Krishtit në këto fragmente mund t’i ndihmojnë ta dinë përse është i rëndësishëm pagëzimi.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojini vargjet tek 3 Nefi 11:21–26 dhe ftojini fëmijët të ngrihen sa herë që e dëgjojnë fjalën “pagëzo[j]”. Shpjegoni se Jezusi na dha mësim për mënyrën e drejtë si të pagëzohemi. Paraqitni një figurë të një fëmije që po pagëzohet (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 104). Nëse fëmijët e kanë parë një pagëzim më parë, ftojini të përshkruajnë atë që panë. Kush e kreu pagëzimin dhe si e bëri ai atë?
-
Paraprakisht, ftojeni një baba të njërit prej fëmijëve që të marrë pjesë në orën tuaj mësimore dhe t’u tregojë fëmijëve arsyen përse është e rëndësishme që të pagëzohemi me anë të zhytjes nga një person që mban priftërinë. Ai gjithashtu mund t’u shpjegojë fëmijëve atë që do të ndodhë kur të pagëzohen dhe bekimet që do të marrin. Nxiteni që të përdorë vargjet tek 3 Nefi 11:23–26 në shpjegimin e tij.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Kur jam në errësirë, Jezu Krishti mund të jetë drita ime.
Një mesazh i fuqishëm i këtyre kapitujve është se Jezu Krishti është drita e botës dhe Ai mund të jetë drita e jetës sonë.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojini së bashku vargjet tek 3 Nefi 8:5–7, 11–23 dhe 10:9–13 (nëse është e mundur, errësojeni dhomën ndërsa lexoni). Ndalojeni leximin me raste dhe pyetini fëmijët se si mund të ishin ndier po t’i kishin përjetuar këto ngjarje. Lexojini me fëmijët disa prej fjalëve që Jezu Krishti u tha njerëzve ndërsa ata ishin në errësirë (shih 3 Nefi 9:13–14, 18). Përse Jezu Krishti e quajti veten e Tij Drita e Botës? Çfarë i ftoi Jezusi njerëzit dhe neve për të bërë në mënyrë që Ai të mund të jetë drita jonë? (Shih 3 Nefi 9:20–22.)
-
Tregojuni fëmijëve një hartë të botës dhe ndihmojini që të gjejnë Jerusalemin dhe kontinentet amerikane. Shpjegoni që shkatërrimi i përshkruar tek 3 Nefi 8 qe një shenjë për njerëzit në kontinentet amerikane se Jezu Krishti ishte kryqëzuar në Jerusalem. Lexojini së bashku vargjet tek 3 Nefi 11:1–15 dhe kërkojuni fëmijëve t’jua thonë kur të gjejnë diçka në këto vargje që i ndihmon ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë. Tregojuni vargun 37 dhe dëshmoni se Shpëtimtari i do të gjithë fëmijët. Jepni dëshminë tuaj për të vërtetën e asaj që po lexoni.
Unë mund të mësoj ta dalloj zërin e Perëndisë në jetën time.
Në fillim njerëzit nuk e kuptuan zërin që dëgjuan nga qielli. Çfarë mund të mësojnë fëmijët nga ky rrëfim rreth marrjes së zbulesës?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojini vargjet tek 3 Nefi 11:1–4 me fëmijët, duke ndaluar për të bërë pyetje të tilla si “Si mendoni ju, përse njerëzit nuk mund ta kuptonin zërin?” Pastaj kërkojuni që t’i lexojnë vargjet 5–7 për të zbuluar se çfarë bënë njerëzit që i ndihmoi ta kuptonin zërin në zemrën e tyre. Si mund të përpiqemi ta dëgjojmë Perëndinë kur Ai i flet zemrës sonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
-
Luani me zë të ulët një regjistrim të një himni ose të një kënge fëmijësh që është i vështirë për t’u dëgjuar. Pyetini fëmijët nëse mund t’i kuptojnë fjalët e këngës. Pastaj ndihmojini fëmijët të kërkojnë tek 3 Nefi 11:3 përshkrime të zërit nga qielli. Përse nuk na flet Perëndia me zë “të fortë” apo “të ashpër”? Çfarë mund të bëjmë ne për ta dëgjuar më mirë Atë?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i tregojnë dikujt për vizitën e Jezusit në kontinentet amerikane – nëse është e mundur, dikujt që nuk ka dijeni për atë deri më tani.