“14–20 Shtator. 3 Nefi 8–11: ‘Ngrihuni dhe Ejani tek Unë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“14–20 Shtator. 3 Nefi 8–11”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
14–20 Shtator
3 Nefi 8–11
“Ngrihuni dhe Ejani tek Unë”
Tek 3 Nefi 8–11 njerëzit dëgjuan zërin e Perëndisë t’u fliste atyre. Teksa i lexoni këta kapituj, kushtojini vëmendje asaj që ju thotë zëri i Tij.
Shënojini Mbresat Tuaja
“Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë” (3 Nefi 11:10). Me këto fjalë Shpëtimtari i ringjallur e paraqiti veten e Tij, duke përmbushur profecitë e bëra gjatë 600 vjetëve të Librit të Mormonit. “Ajo shfaqje dhe ai deklarim”, shkroi Plaku Xhefri R. Holland, “përbëjnë pikën qendrore, çastin më të madhërishëm, në të gjithë historinë e Librit të Mormonit. Ishin manifestimi dhe vendimi që i ishte njoftuar dhe e kishte frymëzuar çdo profet nefit. … Kushdo kishte folur për Të, kishte kënduar për Të, kishte ëndërruar për Të dhe ishte lutur për praninë e Tij – por ja ku ishte Ai me të vërtetë. Dita e ditëve! Perëndia i cili e kthen çdo natë të errët në dritë mëngjesi, kishte ardhur” (Christ and the New Covenant [1997], f. 250–251).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Jezu Krishti është Drita e Botës.
Mund të vini re se temat që lidhen me errësirën dhe dritën – si fizike ashtu edhe shpirtërore – përsëriten gjatë gjithë kapitujve tek 3 Nefi 8–11. Çfarë mësoni nga këta kapituj rreth errësirës dhe dritës shpirtërore? Çfarë sjell errësira në jetën tuaj? Çfarë sjell drita? Si mendoni, përse Shpëtimtari zgjodhi ta paraqiste Veten e Tij si “drita dhe jeta e botës”? (3 Nefi 9:18; 11:11.) Në ç’mënyrë ka qenë Jezu Krishti një dritë në jetën tuaj?
Nëse pendohem, Shpëtimtari do të më mbledhë, mbrojë dhe shërojë mua.
Si mendoni se u ndien njerëzit pasi përjetuan shkatërrimin dhe errësirën e përshkruar tek 3 Nefi 8? Si mendoni se mund të jenë ndier kur e dëgjuan zërin e Shpëtimtarit duke folur për dritën, mëshirën dhe shëlbimin te kapitujt 9 dhe 10?
Edhe pse Shpëtimtari shpalli që shkatërrimi i tmerrshëm ishte rrjedhojë e mëkateve të njerëzve, Ai premtoi se do t’i shëronte ata që do të ktheheshin tek Ai dhe do të pendoheshin (shih 3 Nefi 9:2, 13). Plaku Nil L. Andersen vërejti: “Unë mahnitem nga krahët qarkues të mëshirës dhe dashurisë së Shpëtimtarit për të penduarin, pavarësisht sa egoist ishte mëkati i braktisur. Unë dëshmoj që Shpëtimtari është në gjendje dhe pret me padurim t’i falë mëkatet tona” (“Pendohuni … që të Mund t’ju Shëroj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 41).
Kërkoni tek 3 Nefi 9–10 për prova të mëshirës së Krishtit dhe zellit të Tij për të falur. Për shembull, çfarë gjeni tek 3 Nefi 9:13–22 dhe 10:1–6 që ju ndihmon ta ndieni dashurinë dhe mëshirën e Shpëtimtarit? Përsiatni për përvoja kur e keni ndier Atë duke ju “mbledhur” dhe “ushqyer” (shih 3 Nefi 10:4). Merreni parasysh t’i shënoni këto përvoja në ditar ose t’ua tregoni ato njerëzve tuaj të dashur.
Unë mund të mësoj ta dëgjoj dhe kuptoj zërin e Perëndisë.
A keni ndier ndonjëherë se e kishit të vështirë ta kuptonit një mesazh që Perëndia po jua komunikonte? Ndoshta përvoja e njerëzve tek 3 Nefi 11:1–8 mund t’ju ndihmojë të kuptoni disa parime për të dëgjuarit dhe të kuptuarit e zërit të Perëndisë. Ju mund të shënoni karakteristikat e zërit të Perëndisë të cilin e dëgjuan njerëzit, dhe çfarë bënë ata që ta kuptonin më mirë atë. Si mund të gjejë zbatim ky tregim për përpjekjet tuaja për ta dëgjuar dhe dalluar zërin e Perëndisë në jetën tuaj nëpërmjet zbulesës vetjake?
Jezu Krishti më fton të fitoj dëshmi vetjake për Të.
Pati rreth 2 500 veta të mbledhur në vendin Begati kur u shfaq Jezu Krishti (shih 3 Nefi 17:25). Pavarësisht nga ky numër i madh, Shpëtimtari e ftoi secilin prej tyre, “një nga një”, që të prekte gjurmët e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij (3 Nefi 11:14–15). Çfarë ju sugjeron kjo rreth rëndësisë së pasjes së përvojave vetjake që ndërtojnë besim te Jezu Krishti? Në çfarë mënyrash ju fton Shpëtimtari të “ngrih[e]ni dhe [të vini] tek” Ai? (3 Nefi 11:14.) Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të fitoni dëshmi se Ai është Shpëtimtari juaj? Gjithashtu mund të merrni në shqyrtim se si shembulli i Shpëtimtarit në këto vargje mund t’i frymëzonte përpjekjet tuaja për t’u dhënë shërbesë të tjerëve.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
3 Nefi 8–9
Për ta ndihmuar familjen tuaj të krijojë lidhje me përvojat e përshkruara tek 3 Nefi 8–9, ju mund të ritregoni ose të dëgjoni një regjistrim të pjesëve të këtyre kapitujve në një dhomë të errët. Diskutoni se si mund të ketë qenë qëndrimi në errësirë për tri ditë. Më pas mund të flisni rreth mënyrës se si Jezu Krishti është “drita … e botës” (3 Nefi 9:18).
3 Nefi 10:1–6
Përshkrimi figurativ i një klloçke duke mbledhur zogjtë e saj mund të jetë një mjet i fuqishëm mësimdhënieje për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë karakterin dhe misionin e Shpëtimtarit. Ju mund t’i lexoni këto vargje ndërkohë që familja juaj shikon një figurë të një klloçke dhe të zogjve. Përse një klloçkë nevojitet t’i mbledhë zogjtë e saj? Përse Shpëtimtari dëshiron që të na mbledhë pranë Tij? Çfarë mund të ndodhë nëse një zog do të zgjidhte të mos mblidhej kur thirrej?
3 Nefi 11:1–7
Ndoshta mund t’i lexoni disa prej këtyre vargjeve me një “zë [të] vogël”, të butë (3 Nefi 11:3). Çfarë iu desh njerëzve të bënin që ta kuptonin zërin nga qielli? Çfarë mësojmë nga përvoja e tyre?
3 Nefi 11:21–38
A po përgatitet dikush në familjen tuaj që të pagëzohet? Leximi i vargjeve tek 3 Nefi 11:21–38 mund t’i ndihmojë ata të përgatiten. Si mund t’i ndihmojë përsiatja e mësimeve të Shpëtimtarit në këto vargje pjesëtarët e familjes që janë pagëzuar tashmë?
3 Nefi 11:29–30
Çfarë na mësojnë këto vargje rreth grindjes? Si mund ta “zhduk[im]” grindjen në shtëpinë tonë? (3 Nefi 11:30.)
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.