“31 Gusht – 6 Shtator. Helamani 13–16: ‘Lajme të Mira Gëzimi të Madh’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“31 Gusht – 6 Shtator”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
31 Gusht – 6 Shtator
Helamani 13–16
“Lajme të Mira Gëzimi të Madh”
Teksa i shënoni mbresat tuaja këtë javë, mendoni rreth mënyrës se si parimet te Helamani 13–16 bazohen dhe i përforcojnë gjërat e tjera që jeni duke i mësuar në shkrimet e shenjta.
Shënojini Mbresat Tuaja
Herën e parë që Samuel Lamaniti u përpoq të përhapte “lajme të mira” në Zarahemla (Helamani 13:7), ai nuk u pranua dhe u dëbua nga nefitët zemërngurtë. Mund të thuhet se ishte si të kishin ngritur një mur të papërshkrueshëm përreth zemrave të tyre, që i pengonte ta pranonin mesazhin e Samuelit. Samueli e kuptoi rëndësinë e mesazhit që dha, dhe tregoi besim duke e ndjekur urdhërimin e Perëndisë “që ai duhej të kthehej përsëri dhe t[ë] profetizonte” (Helamani 13:3). Ashtu si Samueli, ne të gjithë hasim mure kur “përgati[tim] udhën e Zotit” (Helamani 14:9) dhe kur përpiqemi fort t’i ndjekim profetët e Tij. Dhe ashtu si Samueli, edhe ne japim dëshmi për Jezu Krishtin, “i cili me siguri do të vijë”, dhe i ftojmë të gjithë të “beso[jnë] në emrin e tij” (Helamani 13:6; 14:13). Jo kushdo do të dëgjojë dhe disa njerëz mund të na kundërshtojnë aktivisht. Por ata që e besojnë këtë mesazh me besim në Krishtin, gjejnë se ai vërtet përmban “lajme të mira gëzimi të madh” (Helamani 16:14).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zoti na jep paralajmërime nëpërmjet profetëve të Tij.
Në shkrimet e shenjta profetët nganjëherë krahasohen me rojat mbi mur ose në kullë, të cilët paralajmërojnë për rreziqe (shih Isaia 62:6; Ezekiel 33:1–7).
Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Përmes shekujve, profetët e kanë përmbushur detyrën e tyre kur ata i paralajmëruan njerëzit për rreziqet që ishin përpara tyre. Apostujt e Zotit janë në detyrë të vazhdueshme që të vëzhgojnë, paralajmërojnë dhe të kujdesen për të ndihmuar ata që kërkojnë përgjigje për pyetjet e jetës” (“Perëndia Është në Timon”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 25–26).
Ndërsa studioni dhe përsiatni kapitullin te Helamani 13, ju mund t’i shenjoni paralajmërimet e shumta që dha Samueli. Për shembull, çfarë dha mësim ai rreth pendimit? Po rreth përulësisë dhe pasurisë? Si mund të gjejnë zbatim për ju këto paralajmërime? Çfarë paralajmërimesh kanë dhënë profetët kohët e fundit dhe çfarë mendoni se duhet të bëni rreth atyre paralajmërimeve?
Zoti është i mëshirshëm ndaj atyre që pendohen.
Fillimisht Samueli u dërgua te nefitët që të përhapte lajmin e mirë të ardhjes së Shpëtimtarit (shih Helamani 13:7). Ngaqë nuk e pranuan, ai u kthye me paralajmërime të ashpra për gjykimet e Perëndisë. Por ato paralajmërime vazhdimisht përfshinin një ftesë të mëshirshme për t’u penduar; kërkojini këto ftesa gjatë gjithë kapitujve te Helamani 13–15 (shih veçanërisht Helamani 13:6, 11; 14:15–19; 15:7–8). Si zbatohen këto ftesa për ju? Çfarë mësoni nga këto vargje rreth pendimit? Kur e keni përjetuar mëshirën e Perëndisë që vjen nga pendimi?
Shenjat dhe mrekullitë mund ta forcojnë besimin e atyre që nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre.
Te Helamani 14, Samueli shpjegoi arsyen përse Zoti dha shenja për lindjen dhe vdekjen e Shpëtimtarit: “Me qëllim që të mund të besoni në emrin e tij” (Helamani 14:12). Ndërsa studioni kapitullin te Helamani 14, vini re shenjat e lindjes së Shpëtimtarit te vargjet 1–8 dhe shenjat e vdekjes së Tij te vargjet 20–28. Si mendoni, përse këto shenja do të ishin mënyra të efektshme për të treguar lindjen dhe vdekjen e Jezu Krishtit?
A mund të mendoni për ndonjë shenjë që Zoti e ka dhënë për t’ju ndihmuar të besoni tek Ai? Për shembull, profetët kanë parashikuar shenja që do të shfaqen para Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit (shih “Shenj(a) të Kohërave”, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). A është përmbushur ndonjë nga këto shenja në kohën tonë? Shenja të tjera që çojnë te besimi në Jezu Krishtin, mund të jenë më vetjake dhe më pak dramatike. Përdorni një çast për të përsiatur rreth mënyrave si e keni dëshmuar dorën e Tij në jetën tuaj.
Çfarë paralajmërimi jepet rreth shenjave te Helamani 16:13–23? Si mund ta shmangni qëndrimin e njerëzve të përshkruar në këto vargje?
Shih edhe Alma 30:43–52; Ronald A. Rasband, “Sipas Qëllimit Hyjnor”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 55–57.
Ndjekja e këshillës së profetit më sjell më pranë Zotit.
Plaku Nil A. Andersen na mësoi: “Kam zbuluar se kur i studioj plot lutje fjalët e profetit të Perëndisë dhe e përputh shpirtërisht me kujdes, me durim, vullnetin tim me mësimet e tij të frymëzuara, besimi im në Zotin Jezu Krisht gjithmonë rritet. Nëse zgjedhim ta vëmë mënjanë këshillën e tij dhe vendosim se ne e dimë më mirë se Ai, besimi ynë vuan dhe këndvështrimi ynë i përjetshëm errësohet” (“Profeti i Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 27). Si e pohojnë fjalët dhe veprimet e nefitëve te Helamani 16 atë që dha mësim Plaku Andersen? Çfarë zotimesh vetjake mendoni se duhet të bëni lidhur me profetët e Zotit dhe mesazhet e tyre?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Helamani 13:3–4
Çfarë frymëzimi merr familja juaj nga përgjigjja e Samuelit ndaj urdhrit të Zotit te Helamani 13:3–4? Gjatë studimit tuaj familjar këtë javë, ndoshta ju mund t’i nxitni pjesëtarët e familjes që të japin përshtypjet që iu “vi[jnë] në zemrën” e tyre.
Helamani 13:38
Ideja që lumturia mund të gjendet “duke bërë paudhësi”, është e zakonshme në kohën tonë. Në çfarë mënyrash na ka sjellë lumturi të vërtetë të jetuarit e ungjillit?
Helamani 15:3
Si tregon korrigjimi nga ana e Perëndisë dashurinë e Tij për ne? Ftojini pjesëtarët e familjes që me përulësi t’i kërkojnë Zotit se çfarë mund të bëjnë për t’u përmirësuar.
Helamani 15:5–8
Çfarë mësojmë për kthimin në besim nga lamanitët, të përshkruar në këto vargje? Si mund ta ndjekim shembullin e tyre?
Helamani 16:1–3
A do t’i pëlqente familjes suaj të luante me role historinë e Samuel Lamanitit? Pas leximit të tregimit, ndoshta pjesëtarët e familjes mund ta bëjnë me radhë duke qëndruar mbi një karrige dhe duke lexuar disa nga profecitë e Samuelit, ndërkohë që pjesëtarë të tjerë të familjes bëjnë sikur hedhin shigjeta ose gurë. Kjo mund ta ndihmojë familjen tuaj të kuptojë se si mund të jenë ndier Samueli dhe nefitët. Fëmijëve të vegjël mund t’u pëlqejë gjithashtu të bëjnë vizatime të ngjarjes. Si mund të jemi të ngjashëm me Samuelin dhe t’u flasim të tjerëve për ungjillin pavarësisht nga frika jonë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.