Eja, Më Ndiq
24–30 Gusht. Helamani 7–12: “Kujtoni Zotin”


“24–30 Gusht. Helamani 7–12: ‘Kujtoni Zotin’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“24–30 Gusht. Helamani 7–12”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Nefi duke u lutur në kullën e një kopshti

Ilustrim i Nefit në kullën e një kopshti, nga Jerry Thompson

24–30 Gusht

Helamani 7–12

“Kujtoni Zotin”

Nefi, Lehi dhe njerëz të tjerë patën “përditë shumë zbulesa” (Helamani 11:23). Zbulesa e shpeshtë nuk është vetëm për profetët – ajo është në dispozicion për ju, gjithashtu. Mbajtja shënim e mbresave tuaja mund t’ju ndihmojë të merrni zbulesë në mënyrë më të vazhdueshme.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ati i Nefit, Helamani, i kishte nxitur bijtë e tij që të “mbani[n] mend, mbani[n] mend”. Ai donte që ata të mbanin mend paraardhësit e tyre, të mbanin mend fjalët e profetëve dhe para së gjithash të mbanin mend “Shëlbuesi[n] tonë që është Krishti” (shih Helamani 5:5–14). Është e qartë që Nefi vërtet mbajti mend, sepse ky është i njëjti mesazh që ai ia shpalli popullit vite më vonë “pa u lodhur” (Helamani 10:4). Ai pyeti: “Si mund ta keni harruar Perëndinë tuaj?” (Helamani 7:20). Të gjitha përpjekjet e Nefit – predikimi, lutja, kryerja e mrekullive dhe bërja e kërkesës ndaj Perëndisë për një zi buke – ishin përpjekje për t’i ndihmuar njerëzit që të ktheheshin te Perëndia dhe ta kujtonin Atë. Në shumë mënyra, kur e harrojmë Perëndinë, ne kemi një problem madje më të madh sesa kur nuk e njohim Atë, dhe është e lehtë ta harrojmë Atë kur mendja jonë shpërqendrohet nga “gjërat e kota të kësaj bote” dhe mjegullohet nga mëkati (Helamani 7:21; shih edhe Helamani 12:2). Por, siç tregon shërbesa e Nefit, nuk është kurrë vonë të kujtoni dhe të “ktheh[e]ni te Zoti, Perëndia juaj” (Helamani 7:17).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Helamani 7–11

Profetët zbulojnë vullnetin e Perëndisë.

Ka shumë profetë të përshkruar gjatë gjithë Librit të Mormoni, por Helamani 7–11 është një vend veçanërisht i mirë për të mësuar se çfarë është një profet, çfarë bën ai dhe se si duhet t’i marrim fjalët e tij. Teksa i lexoni këta kapituj, kushtojuni vëmendje veprimeve, mendimeve dhe ndërveprimeve të Nefit me Zotin. Si ju ndihmon shërbesa e Nefit që të kuptoni më mirë rolin e profetit në kohën tonë? Ja ku janë disa shembuj. Çfarë tjetër gjeni?

Helamani 7:17–22:Profetët bëjnë thirrje për pendim dhe paralajmërojnë për pasojat e mëkatit.

Helamani 7:29; 9:21–36:Profetët e dinë nëpërmjet zbulesës nga Perëndia se çfarë u nevojitet njerëzve të dëgjojnë.

Helamani 10:7:Profetëve u jepet fuqia për të vulosur në tokë dhe në qiell (shih edhe Mateu 16:19; DeB 132:46).

Helamani 10:4–7, 11–12:

Si ndikojnë këto vargje te mënyra si ndiheni rreth profetit tonë të gjallë? Çfarë na ka dhënë mësim ai kohët e fundit? Çfarë po bëni që ta dëgjoni dhe ta ndiqni drejtimin e tij?

Helamani 9–10

Shenjat dhe mrekullitë janë të dobishme, por nuk janë të mjaftueshme për të ndërtuar besim jetëgjatë.

Nëse shenjat ose mrekullitë do të ishin të mjaftueshme për ta ndryshuar zemrën e një njeriu, atëherë të gjithë nefitët do të ishin kthyer në besim nëpërmjet shenjave të jashtëzakonshme që Nefi i bëri te Helamani 9. Në vend të kësaj, u krijua “përçarje mes popullit” (Helamani 10:1) ngaqë shumë prej tyre “i ngurtësuan akoma zemrat e tyre” (Helamani 10:15). Si reagojnë shpesh të ligjtë ndaj shenjave dhe mrekullive? (Shih Helamani 10:12–15; shih edhe 3 Nefi 2:1–2.) Cili është rreziku kur i bëjmë shenjat themelin e dëshmisë?

Helamani 10:2–4

Përsiatja fton zbulesë.

Nëse jeni ndier ndonjëherë të shtypur, të shqetësuar ose të pështjelluar, ju mund të merrni një mësim të rëndësishëm nga shembulli i Nefit te Helamani 10:2–4. Çfarë bëri ai kur u ndie “i mërzitur”? (Vargu 3.)

Presidenti Henri B. Ajring na mësoi: “Kur përsiatim, ne ftojmë zbulesë nga Shpirti. Përsiatja, për mua, është mendimi dhe lutja që bëj, pasi i lexoj e i studioj me kujdes shkrimet shenjta” (“Shërbeni me Shpirtin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 60). Si mund të krijoni një zakon të përsiatjes? Që të lexoni rreth një mënyre për ta përsiatur rregullisht fjalën e Perëndisë, shihni mesazhin e Vëllait Devin G. Durrant “Zemra Ime i Përsiat Ato Vazhdimisht” (Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 112–115).

Shih edhe Fjalët e Urta 4:26; Lluka 2:19; 1 Nefi 11:1; 2 Nefi 4:15–16; 3 Nefi 17:3; Moroni 10:3; DeB 88:62.

Helamani 12

Zoti do që unë ta kujtoj Atë.

Te Helamani 12, Mormoni, i cili po përmblidhte analin, përmbledh disa prej mësimeve që mund të mësojmë nga tregimi i Nefit në kapitujt e mëparshëm. Merreni parasysh ta përdorni këtë përmbledhje si mundësi për të shqyrtuar vetë zemrën tuaj. Madje mund të bëni një listë të gjërave të cilat Mormoni thotë se i bëjnë njerëzit që ta harrojnë Zotin. Çfarë ju ndihmon ta kujtoni ose mbani mend Atë? Çfarë ndryshimesh jeni frymëzuar të bëni nisur nga ajo që mësuat?

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Helamani 7–9

Çfarë ngjashmërish shihni midis gjërave që bëri Nefi, dhe asaj që bëjnë profetët sot? Çfarë po na mëson profeti ynë sot? Ndoshta ju mund të zgjidhni disa nga këshillat e kohëve të fundit që ka dhënë profeti, dhe të diskutoni si familje për mënyrat se si mund t’i ndiqni më mirë ato këshilla.

Helamani 10:4–5, 11–12

Si e tregoi Nefi se ai kërkoi vullnetin e Zotit në vend të vullnetit të vet? Si mund ta ndjekim shembullin e Nefit? Cilat janë disa mënyra se si familja jonë mund ta kërkojë më mirë vullnetin e Zotit?

Helamani 11:1–16

Çfarë dëshironte Nefi dhe çfarë bëri ai rreth asaj? Çfarë mësojmë rreth lutjes nga shembulli i Nefit?

Helamani 11:17–23

Çfarë mësojmë për Lehin, vëllanë e Nefit, te Helamani 11:17–23? Cilin njohim ne që jeton një jetë të drejtë pa marrë shumë lavdërim?

Helamani 12:1–6

A mund të mendoni për një mësim me sende që mund ta përdorni për ta ndihmuar familjen tuaj të kuptojë se çfarë do të thotë fjala “paqëndrueshmëri”? Për shembull, ju mund ta ftoni një pjesëtar/e të familjes që të përpiqet të baraspeshojë diçka duke e mbajtur mbi kokë. Më pas mund të ftoni pjesëtarë të familjes që të kërkojnë te Helamani 12:1–6 arsyet përse njerëzit mund të jenë të paqëndrueshëm në ndjekjen e Zotit. Si mund të mbetemi të qëndrueshëm shpirtërisht?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Rishikoni. Ja ku është një ide për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes të mbajnë mend shkrimet e shenjta që po mësojnë: Përzgjidhni një varg që e mendoni domethënës dhe vëreni në shtëpinë tuaj atje ku pjesëtarët e familjes do ta shohin shpesh. Ftoni pjesëtarë të tjerë të familjes që me radhë të zgjedhin një shkrim të shenjtë për ta paraqitur dhe diskutoni për atë kur mblidhet familja, në raste të tilla si në vaktet e ngrënies ose në lutjen familjare.

Seantumi zbulohet se është vrasësi

© The Book of Mormon for Young Readers, Seantumi – Vrasësi Zbulohet, nga Briana Shawcroft; nuk mund të kopjohet