“17–23 Gusht. Helamani 1–6: ‘Shkëmbi [i] Shëlbuesit Tonë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“17–23 Gusht. Helamani 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
17–23 Gusht
Helamani 1–6
“Shkëmbi [i] Shëlbuesit Tonë”
Parimet në këtë përvijim mund të ndihmojnë për ta udhëzuar studimin tuaj të kapitujve te Helamani 1–6, por mos i lejoni t’ju kufizojnë. Fryma e Shenjtë do t’ju udhëzojë për të vërtetat që keni nevojë të mësoni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Libri i Helamanit shënon si triumfet, ashtu edhe tragjeditë mes nefitëve dhe lamanitëve. Ai fillon me “një vështirësi serioze mes popullit të Nefitëve” (Helamani 1:1) dhe vështirësitë vazhdojnë të vijnë gjatë gjithë analit. Këtu lexojmë për intrigën politike, bandat e hajdutëve, mospranimin e profetëve, krenarinë [kryelartësinë] dhe mosbesimin anembanë vendit. Por ne gjithashtu gjejmë shembuj si Nefi e Lehi dhe “pjes[a] më [e] përulur [e] popullit”, të cilët jo vetëm mbijetuan, por u gjallëruan shpirtërisht (Helamani 3:34). Si e bënë ata këtë? Si qëndruan të fortë ndërkohë që qytetërimi i tyre filloi të dobësohej dhe të shpërbëhej? Në të njëjtën mënyrë secili prej nesh qëndron i fortë mes “furtun[ës] … [së] fuqishme” që djalli e dërgon të “lëshohe[t] mbi [ne]” – duke e ndërtuar jetën tonë “mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, … një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Krenaria më ndan nga Shpirti dhe forca e Zotit.
Ndërsa lexoni kapitujt te Helamani 1–6 dhe gjatë gjithë Librit të Mormonit, ju mund të vini re një model në sjelljen e nefitëve: Kur nefitët janë të drejtë, Perëndia i bekon dhe ata përparojnë. Pas njëfarë kohe, ata bëhen krenarë dhe të ligj, duke bërë zgjedhje që çojnë drejt shkatërrimit dhe vuajtjes. Më pas ata përulen dhe frymëzohen që të pendohen, dhe Perëndia i bekon edhe njëherë. Modeli përsëritet kaq shpesh sa disa njerëz e quajnë atë “cikli i krenarisë”.
Kërkoni shembuj të këtij cikli teksa lexoni. Ju madje mund të doni t’i shënoni shembujt kur i gjeni. Ja disa pyetje që ju ndihmojnë ta kuptoni këtë model dhe të shihni se si mund të gjejë zbatim te ju:
-
Çfarë provash të krenarisë shihni mes nefitëve? (Shih, për shembull, Helamani 3:33–34; 4:11–13.) A shihni shembuj të ngjashëm të krenarisë te vetja juaj?
-
Cilat janë pasojat e krenarisë dhe të ligësisë? (Shih Helamani 4:23–26.) Cilat janë pasojat e përulësisë dhe të pendimit? (Shih Helamani 3:27–30, 35; 4:14–16.)
-
Çfarë donte Helamani që të mbanin mend bijtë e tij? (Shih Helamani 5:4–12.) Si mund t’ju ndihmojë mbajtja mend e këtyre të vërtetave që t’i shmangeni bërjes krenarë?
Shih edhe Diter F. Uhtdorf, “Krenaria dhe Priftëria”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 55–58.
Unë mund të jem i kënaqur kur ia jap zemrën time Perëndisë.
Te Helamani 3, Mormoni përshkroi një rast kur Kisha kishte përparuar dhe u bekua kaq shumë sa edhe udhëheqësit u habitën (shih vargjet 24–32). Përfundimisht disa njerëz u bënë krenarë, ndërkohë që njerëz të tjerë u bënë “gjithnjë e më të fortë në përulësinë e tyre … madje në pastrimin dhe në shenjtërimin e zemrave të tyre” (Helamani 3:35). Vini re te vargjet 34–35 se çfarë bënë njerëzit më të përulur që të bëheshin të shenjtëruar. Si ju ndihmojnë këto gjëra që të bëheni më të shenjtëruar? Mund t’ju ndihmojë të dini se Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) e përcakton shenjtërimin si “procesi i çlirimit nga mëkati, i bërjes i dëlirë, i pastër dhe i shenjtë nëpërmjet shlyerjes së Jezu Krishtit”. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për ta ndjekur shembullin e këtyre dishepujve? Çfarë po bëni për t’ia dhënë zemrën tuaj Perëndisë?
Besimi im është forcuar nëpërmjet “provave të mëdha që [kam] marrë”.
Plaku Xhefri R. Holland njëherë u tha atyre që po hasnin vështirësi me besimin e tyre: “Ju keni më shumë besim sesa mendoni se keni, për shkak të asaj që Libri i Mormonit e quan ‘prova të mëdha’ [Helamani 5:50]. … [Fryti i të jetuarit] të ungjillit [është i] duksh[ëm] në jetën e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme kudo” (“Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 94). Ndërsa i lexoni këto vargje, mendoni për provat që Zoti ju ka dhënë. Për shembull, ndoshta ju nuk e keni dëgjuar në mënyrë të mirëfilltë zërin e Zotit, por a keni ndier “një pëshpëritje” nga Fryma e Shenjtë që “depërtoi deri në thellësinë e shpirtit”? (Helamani 5:30; shih edhe DeB 88:66). Ndoshta keni qenë në errësirë, i keni thirrur Perëndisë për besim më të madh dhe keni qenë të “mbushur me atë gëzim që është i patregueshëm” (Helamani 5:40–47). Çfarë përvojash të tjera e kanë forcuar besimin tuaj te Krishti dhe tek ungjilli i Tij?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Helamani 3:27–30
Ndërkohë që profeti Mormon i përmblodhi analet e shenjta, ai herë pas here përdori frazën “kështu ne shohim” për të theksuar të vërteta të rëndësishme. Çfarë donte ai që ne të shihnim te Helamani 3:27–30? Gjatë gjithë studimit tuaj këtë javë ju mund të ndaleni herë pas here për t’i pyetur pjesëtarët e familjes se si do ta plotësonin frazën “dhe kështu ne shohim” lidhur me atë që kanë lexuar. Çfarë të vërtetash duan të theksojnë ata?
Helamani 5:6–7
Gjyshi i vdekur i Presidentit Xhorxh Albert Smith, Xhorxh A. Smithi, iu shfaq atij në ëndërr dhe e pyeti: “Dua të di se çfarë ke bërë me emrin tim”. Presidenti Smith u përgjigj: “Nuk kam bërë asnjëherë ndonjë gjë me emrin tënd për të cilën të duhet të turpërohesh” (në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Xhorxh Albert Smith [2011], f. xxvii). Pas leximit të vargjeve te Helamani 5:6–7, ndoshta ju mund të flitni me pjesëtarë të familjes suaj rreth kujtimit dhe nderimit të emrave që mbajmë mbi vete, përfshirë emrin e Shpëtimtarit.
Helamani 5:12
Për ta ndihmuar familjen tuaj të përfytyrojë se çfarë do të thotë të kesh “një bazë [të] sigurt”, ndoshta ju mund të ndërtoni një strukturë të vogël së bashku dhe ta vendosni në lloje të ndryshme bazash [ose themelesh]. Më pas mund të krijoni një “erë … të fuqishme” duke spërkatur ujë mbi të dhe duke përdorur një ventilator ose tharëse flokësh për të krijuar erën. Çfarë i ndodhi strukturës kur u vendos mbi bazat e ndryshme? Në ç’mënyrë është Jezu Krishti si “një bazë [e] sigurt” në jetën tonë?
Helamani 5:29–33
Çfarë përvojash kemi pasur lidhur me dallimin e zërit të Perëndisë në jetën tonë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.