Eja, Më Ndiq
17–23 Gusht. Helamani 1–6: “Shkëmbi i Shëlbuesit Tonë”


“17–23 Gusht. Helamani 1–6: ‘Shkëmbi i Shëlbuesit Tonë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“17–23 Gusht. Helamani 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

valë që përplasen në shkëmbinj

17–23 Gusht

Helamani 1–6

“Shkëmbi i Shëlbuesit Tonë”

Veprimtaritë në këtë përvijim kanë për qëllim t’u japin shkëndijë ideve dhe frymëzimit në zemrën dhe mendjen tuaj. Idetë më të mira zakonisht vijnë teksa i përsiatni me lutje shkrimet e shenjta dhe nevojat e fëmijëve të cilëve u jepni mësim.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për t’i përkrahur fëmijët në të mësuarit e tyre të ungjillit në shtëpi, ftojini disa prej tyre të tregojnë diçka që mësuan këtë javë. Përshkruani mënyrën se si ju e studioni ungjillin në shtëpi dhe flitni për mënyrat se si fëmijët mund t’i ndihmojnë familjet e tyre të mësojnë nga Libri i Mormonit.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Helamani 5:12

Unë mund ta ndërtoj themelin tim mbi Jezu Krishtin.

Helamani i mësoi bijtë e tij, Nefin dhe Lehin, që ta ndërtonin jetën e tyre mbi shkëmbin e Shëlbuesit të tyre. Përsiatni se si do të bëni të njëjtën gjë për fëmijët të cilëve u jepni mësim.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një figurë të një tempulli ose ndërtese tjetër, dhe shpjegoni se ndërtesat kanë nevojë për themele të forta që të mos shemben nga era e stuhitë. Për ta ilustruar këtë, ftojini fëmijët të përpiqen ta lëvizin një gur duke i fryrë atij. Lexojini disa nga rreshtat e parë te Helamani 5:12 dhe kërkojuni fëmijëve të ngrenë duart kur dëgjojnë se kush është “shkëmbi” që duhet të jetë baza jonë.

  • Ftojini fëmijët të bëjnë gjeste teksa ju lexoni te Helamani 5:12. Për shembull, ata mund të tundin krahët e tyre kur ju lexoni rreth “furtun[ës së] fuqishme” të djallit dhe të qëndrojnë në vend kur lexoni për “shkëmbin e Shëlbuesit tonë”.

  • Ftojini fëmijët t’ju ndihmojnë të ndërtoni një strukturë duke përdorur kallëpe ose materiale të tjera. Fillojeni duke formuar një “bazë [të] sigurt” dhe u flitni për mënyrën se si Jezu Krishti duhet të jetë themeli i jetës sonë. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë gjëra që mund të bëjnë për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe lërini që t’i shtojnë një bllok themelit të strukturës për çdo gjë që ata tregojnë.

  • Ftojini fëmijët ta ngjyrosin faqen e veprimtarisë dhe ndihmojini ta presin. Ç’mund të bëjmë për ta ndërtuar jetën tonë mbi themelin e Jezu Krishtit? Tregoni disa prej mënyrave se si e keni ndërtuar jetën tuaj mbi Shpëtimtarin dhe mënyrën se si bërja e kësaj e ka bekuar jetën tuaj.

Helamani 5:21–52

Fryma e Shenjtë pëshpërit me një zë të qetë, të ulët.

Përshkrimi te Helamani 5:29–30, 45–47 i zërit që lamanitët dëgjuan, është i ngjashëm me mënyrën se si ne shpesh e përshkruajmë mënyrën se si na flet Fryma e Shenjtë. Ju mund t’i përdorni këto vargje për t’i ndihmuar fëmijët ta dallojnë zërin e Shpirtit.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni rrëfimin e Nefit dhe Lehit në burg. Ju mund të përdorni “Kapitullin 37: Nefi dhe Lehi në Burg” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 99–102). Kur të flitni për zërin që dëgjuan lamanitët, flitni me zë të butë. Përsëriteni historinë disa herë dhe ftojini fëmijët të pëshpëritin me ju. Tregojuni fëmijëve rreth rasteve kur Fryma e Shenjtë ju ka pëshpëritur dhe e ka forcuar dëshminë tuaj.

  • Lexoni te Helamani 5:30 dhe këndoni me fëmijët një këngë rreth Frymës së Shenjtë, të tillë si “Zëri i Ulët i Qetë” (Liahona, prill 2006, f. M13). Vini në dukje fjalë te vargu i shkrimit të shenjtë dhe kënga që përshkruajnë mënyrën se si na flet Fryma e Shenjtë (shih edhe Helamani 5:45–47). Përdoreni vargun te Helamani 5:29 dhe vetë përvojat tuaja për t’u treguar fëmijëve disa shembuj të gjërave të mira që mund të na frymëzojë Fryma e Shenjtë të bëjmë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Helamani 1–6

Kur jam i përulur, Ati Qiellor do të më bekojë.

Libri i Mormonit përmban shumë shembuj të rreziqeve të krenarisë e bekimeve të përulësisë dhe disa prej këtyre shembujve shfaqen te Helamani 1–6. Teksa i studioni këta kapituj, përsiatni se si mund t’i përdorni këta shembuj për t’i mësuar fëmijët në klasën tuaj.

Veprimtari të Mundshme

  • Lërini fëmijët t’ju ndihmojnë të vizatoni në tabelë diagramin vijues të “ciklit të krenarisë”. Lexoni së bashku vargjet te Helamani 3:24, 33–34 dhe 4:11–15 dhe ftojini fëmijët të tregojnë me gisht pjesët e ciklit që përshkruhen nga këto vargje.

  • Shkruajini në tabelë fjalët I Përulur dhe Kryelartë. Shkruani disa shembuj të veprimeve të përulura ose kryelarta në shirita letre dhe ftojini fëmijët që me radhë të zgjedhin një letër dhe ta vendosin pranë fjalës në tabelë që e përshkruan atë veprim. Cilat janë disa prej mënyrave se si mund të zgjedhim të jemi të përulur?

cikli i krenarisë

“Cikli i krenarisë.”

Helamani 5:5–14

Unë do ta ndërtoj themelin tim mbi Jezu Krishtin.

Helamani 5:12 përmban shëmbëlltyra të fuqishme të ndërtimit të themelit tonë mbi Jezu Krishtin. Si mund t’i përdorni këto shëmbëlltyra për t’ua ilustruar këtë parim fëmijëve? Bërja e kësaj do të ndihmojë në përgatitjen e fëmijëve për tundimet dhe sprovat me të cilat do të përballen.

Veprimtari të Mundshme

  • Sillni në klasë disa lloje materialesh që mund të përfaqësojnë themele të dobëta ose të forta (të tilla si topa pambuku ose një gur të sheshtë apo tullë). Ftojini fëmijët të ndërtojnë një kullë duke përdorur blloqe ose materiale të tjera mbi llojet e ndryshme të themeleve. Çfarë i bën disa themele më të forta sesa të tjerat? Lexoni së bashku te Helamani 5:12 dhe pyetini fëmijët se përse mendojnë që Jezu Krishti është “një bazë e sigurt” për jetën tonë. Si mund ta ndërtojmë jetën tonë mbi Të? Ftojini që të kërkojnë te Helamani 3:27–29, 35 dhe Nenet e Besimit 1:4 për të gjetur ide.

  • Ftojini fëmijët që t’u hedhin një sy të shpejtë vargjeve te Helamani 5:5–14 dhe të numërojnë se sa herë përmendet fjala “kujtoni”. Çfarë u mësoi Helamani bijve të tij që duhej të kujtonin? Si mund të na ndihmojë të kujtuarit e këtyre gjërave që ta bëjmë Jezu Krishtin themelin e jetës sonë?

Helamani 5:20–52

Pendimi e zëvendëson errësirën shpirtërore me dritë.

Lamanitët që shkuan në burg për të vrarë Nefin dhe Lehin, u rrethuan nga një errësirë e mirëfilltë. Kur mëkatojmë, ne jemi në errësirë shpirtërore. Helamani 5:20–52 na mëson mënyrën se si mund të davaritet “reja e errësirës” sonë shpirtërore (vargu 41).

Veprimtari të Mundshme

  • Bëjeni klasën sa më të errët që të jetë e mundur; pastaj lexojeni ose përmblidheni rrëfimin te Helamani 5:20–40 duke përdorur një elektrik të vogël dore. Si mund të jenë ndier lamanitët ndërsa ishin në errësirë? Ftojini fëmijët të mbajnë vesh atë që Aminadabi u mësoi njerëzve të bënin që errësira të davaritej, dhe më pas lexoni vargun 41. Pastaj ndizini dritat dhe lexojini së bashku vargjet 42–48. Çfarë na mësojnë këto vargje për bekimet që sjell pendimi në jetën tonë?

  • Ftojini fëmijët të përfytyrojnë sikur po i mësojnë një fëmije më të vogël për Frymën e Shenjtë. Si mund t’i përdorin vargjet te Helamani 5:29–33, 44–47 për të dhënë mësim ndjesinë që shkakton zëri i Shpirtit dhe disa prej gjërave që na thotë Shpirti? Si ju ka frymëzuar Fryma e Shenjtë të pendoheni? Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja kur e kanë ndier paqen dhe ngushëllimin e Frymës së Shenjtë.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’i pyesin pjesëtarët e familjes për mënyrën se si e kanë ndërtuar ata jetën e tyre bazuar te Jezu Krishti. Ose ata mund t’u tregojnë familjeve të tyre se si planifikojnë ta ndërtojnë vetë jetën e tyre bazuar tek Ai.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Dëshmoni për Jezu Krishtin. Ju keni një mundësi të shenjtë për të ndihmuar në forcimin e dëshmive në rritje të fëmijëve në klasën tuaj. Ndihmojini ta ndiejnë dashurinë e Jezusit për ta dhe jepeni dëshminë tuaj për Të shpesh.