“3–9 Gusht. Alma 43–52: ‘Qëndrojmë të Vendosur në Besimin e Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“3–9 Gusht. Alma 43–52”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020
3–9 Gusht
Alma 43–52
“Qëndrojmë të Vendosur në Besimin e Krishtit”
Teksa planifikoni veprimtari, ju mund të gjeni ide këtu te sugjerimet për mësimdhënie si për fëmijët më të vegjël edhe për fëmijët më të mëdhenj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që u kujtohet rreth disa prej njerëzve dhe historive tek Alma 43–52, të tilla si kapiten Moroni ose titulli i lirisë. Për t’i ndihmuar ata që të kujtohen, paraqitni figura nga Tregime të Librit të Mormonit, Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Alma 43:17–21; 48:7–8; 49:1–5; 50:1–6
Unë mund të gjej mbrojtje shpirtërore tek ungjilli.
Për t’i mbrojtur nefitët kundër lamanitëve, Moroni e përgatiti popullin e tij me armatim dhe fortifikata. Përpjekjet e tij na mësojnë se si mund të gjejmë siguri shpirtërore.
Veprimtari të Mundshme
-
U thoni fëmijëve diçka për luftën ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve (shih Alma 43), duke theksuar se nefitët vishnin armatim për ta mbrojtur veten. Ju mund të përdorni “Kapitullin 31: Kapiten Moroni Mund Zerahemnën” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 85–88). Lexoni tek Alma 43:19 dhe ftojini fëmijët të tregojnë me gisht pjesët e trupit të tyre ndërsa i dëgjojnë ato në shkrimin e shenjtë.
-
Shpjegoni se pikërisht ashtu si nefitët ishin në një luftë fizike, ne jemi në një luftë shpirtërore kundër Satanit, i cili nuk do që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë. Vizatoni një fëmijë në tabelë dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që na mbrojnë shpirtërisht ashtu sikur armatimi i mbron trupat tanë (për shembull, lutja, leximi i shkrimit të shenjtë ose zbatimi i urdhërimeve). Sa herë që përmendet diçka, vizatoni një pjesë të armatimit te fëmija në tabelë.
Alma 46:11–16; 48:11–13, 16–17
Unë mund të jem besnik sikurse kapiten Moroni.
Moroni është shembull i madh besimi, guximi dhe shërbimi. Merrni parasysh se si mund t’i frymëzoni fëmijët që ta ndjekin shembullin e tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni figurën e Moronit në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Tregojuni fëmijëve për titullin e lirisë dhe atë që ishte shkruar në të, duke përdorur fraza nga Alma 46:11–16. Ju mund t’i referoheni “Kapitullit 32: Kapiten Moroni dhe Titulli i Lirisë” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 89–90). Lërini fëmijët të ndihmojnë për të treguar sa më shumë që është e mundur nga historia. Vini në dukje se Moroni e përdori titullin e lirisë për t’i ndihmuar nefitët që të kujtonin se çfarë ishte e rëndësishme për ta.
-
Ndihmojini fëmijët të krijojnë një titull të lirisë për veten e tyre ose për klasën tuaj. Filloni duke i ndihmuar të mendojnë për gjëra në të cilat besojnë, ose gjëra që Ati Qiellor dëshiron që ata t’i kujtojnë. Lërini të bëjnë vizatime të këtyre gjërave në një fletë të madhe letre ose ju mund të sillni figura për ta që t’i ngjitin në letër.
-
Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë për disa njerëz me të cilët duan të ngjajnë dhe përse duan që të jenë si ata. Pastaj tregojuni atyre disa fjalë nga Alma 48:11–13 që e përshkruajnë Moronin dhe ftojini të hamendësojnë se kë po përshkruajnë këto fjalë. Paraqitni një figurë të Moronit dhe flitni për mënyrat se si mund të jemi sikurse ai.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Alma 43:17–21; 48:7–8; 49:1–5; 50:1–6
Unë mund të gjej mbrojtje shpirtërore tek ungjilli.
Bota ka shumë rreziqe shpirtërore, por ka shumë gjëra që fëmijët mund t’i mësojnë nga nefitët rreth mënyrës se si ta mbrojnë veten.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni secilin fëmijë ta lexojë në heshtje njërin prej vargjeve vijuese që përshkruajnë mënyrën se si u përgatitën nefitët për betejë kundër lamanitëve: Alma 43:19; 48:8; 49:1–5 dhe 50:2–4. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që mësuan (jepni ndihmë nëse është e nevojshme). Shpjegoni se ne jemi në një luftë shpirtërore kundër Satanit dhe duhet ta mbrojmë veten shpirtërisht, ashtu sikurse nefitët e mbrojtën veten fizikisht nga lamanitët. Çfarë lloj armatimi apo fortifikatash shpirtërore mund të ndërtojmë për ta mbrojtur veten në betejat tona shpirtërore?
-
Ndihmojini fëmijët të bëjnë një mburojë nga një fletë e madhe letre ose kartoni dhe kërkojuni që të shkruajnë në të gjëra që na mbrojnë shpirtërisht. Jepini secilit fëmijë një copë letër dhe ftojini fëmijët që të shkruajnë diçka të keqe që Satani mund të na tundojë ta bëjmë (të tillë si të gënjejmë, të vjedhim ose të jemi jo dashamirës). Kërkojuni që t’i mbledhin shuk letrat si topa dhe të gjuajnë drejt mburojës për të ilustruar mënyrën se si ungjilli mund të na mbajë të sigurt nga Satani (shih edhe Efesianëve 6:16).
Alma 46:11–16; 48:11–13, 16–17
Unë mund të jem besnik sikurse kapiten Moroni.
Moroni qe një dishepull besnik dhe i fortë i Jezu Krishtit, i cili i frymëzoi nefitët që ta jetonin ungjillin (shih Alma 48:17). Çfarë mund të mësojnë fëmijët në klasën tuaj nga shembulli i tij?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku tek Alma 46:11–16. Çfarë donte Moroni që të kujtonin nefitët? (Shih vargu 12.) Si i ndihmoi ai ata që t’i kujtonin këto gjëra? Kërkojuni fëmijëve të renditin disa gjëra që Ati Qiellor do që ne t’i kujtojmë. Lërini fëmijët të krijojnë vetë “titujt [e tyre] të lirisë” me fraza ose figura që do t’i ndihmojnë t’i kujtojnë këto gjëra.
-
Kërkojini një fëmije të lexojë tek Alma 48:17. Për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë arsyen përse ne ftohemi që të jemi si Moroni, ftojini që të studiojnë vargjet tek Alma 48:11–13, 16. Kërkojuni që të gjejnë fjalë dhe fraza që na ndihmojnë të kuptojmë arsyen përse Moroni ishte një dishepull kaq i madh i Jezu Krishtit. Teksa e tregojnë atë që gjejnë, nxitini të mendojnë për gjëra të veçanta që mund të bëjnë për të qenë më shumë si Moroni.
Satani na tundon dhe na mashtron pak e nga pak.
Fëmijët kanë nevojë të dinë se Satani do të përpiqet të na tundojë që të bëjmë mëkate të vogla që të mund të na çojë në mëkat më të madh.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojini së bashku vargjet e zgjedhura nga Alma 47:4–19 dhe shpjegojuni fëmijëve mënyrën se si Amalikia fitoi kontroll mbi ushtrinë e Lehontit, ndonëse anëtarët e ushtrisë kishin “caktuar në mendjen e tyre” që nuk do të detyroheshin të luftonin me nefitët. Çfarë do të kishte ndodhur nëse Amalikia do t’i kishte thënë Lehontit atë që planifikonte të bënte që prej fillimit? Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si Satani përpiqet të na mashtrojë?
-
Paraqitni një figurë të një shtëpie që është e mirëmbajtur dhe të një shtëpie që është lënë pas dore, ose paraqitni një figurë të një kopshti të shëndetshëm dhe një kopshti plot me barëra të këqij. Lërini fëmijët të flasin rreth asaj që shohin në figura dhe se si mund të kenë ndodhur këto ndryshime me kalimin e kohës. Çfarë mund të kishte bërë pronari i shtëpisë ose i kopshtit për ta parandaluar këtë? Shpjegoni se njerëzit mund të bëhen në mënyrë graduale mëkatarë nëse nuk u bëjnë ballë tundimeve të Satanit për të kryer mëkate të vogla (të tilla si të jenë të pandershëm ose të shohin pornografi) dhe më pas mëkate më të mëdha. Cilat janë disa gjëra të këqija që ne kemi nevojë të përpiqemi fort që të mos i bëjmë në jetën tonë?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Kërkojini secilit fëmijë të përmendë një gjë që ai apo ajo dëgjoi ose ndjeu sot, dhe që dëshiron t’ia tregojë një pjesëtari të familjes. Nxitini ata që të ndjekin ecurinë e planeve të tyre.