“3–9 Gusht. Alma 43–52: ‘Qëndrojmë të Vendosur në Besimin e Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“3–9 Gusht. Alma 43–52”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
3–9 Gusht
Alma 43–52
“Qëndrojmë të Vendosur në Besimin e Krishtit”
Mund të duket se ngjarjet e përshkruara tek Alma 43–52 nuk kanë domethënie të veçantë për ju. Por, si në të gjitha shkrimet e shenjta, Zoti ka një mesazh për ju. Kërkojeni atë plot lutje.
Shënojini Mbresat Tuaja
Kur i lexojmë këto fjalë në fillim të kapitullit Alma 43 – “Dhe tani, po kthehem në një rrëfim të luftërave mes Nefitëve dhe Lamanitëve” – është e natyrshme të pyetni veten përse Mormoni i përfshiu këto histori luftërash kur ai pati hapësirë të kufizuar te fletët (shih Fjalët e Mormonit 1:5). Është e vërtetë që ne kemi pjesën tonë të luftërave në ditët e mëvonshme, por ka vlerë në fjalët e tij përtej përshkrimeve të strategjisë dhe tragjedisë së luftës. Fjalët e tij gjithashtu na përgatitin për luftën në të cilën “që të gjith’ thirremi” (Himne, nr. 159), luftë që po e zhvillojmë çdo ditë kundër forcave të ligësisë. Kjo luftë është reale dhe rezultati ndikon mbi jetën tonë të përjetshme. Ashtu si nefitët, ne jemi “frymëzuar nga një qëllim më i mirë”, që është ai i “Perëndisë tonë, fesë sonë, lirisë sonë dhe … paqes sonë, [familjeve tona]”. Moroni e quajti këtë “çështja e të Krishterëve”, e njëjta çështje për të cilën po luftojmë sot (Alma 43:45; 46:12, 16).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Betejat në Librin e Mormonit më mësojnë rreth betejave të mia kundër ligësisë.
Leximi rreth luftërave midis nefitëve dhe lamanitëve mund të jetë më domethënës për ju nëse kërkoni ngjashmëri me betejat tuaja vetjake, shpirtërore. Ndërsa i lexoni kapitujt tek Alma 43–52, vini re çfarë bënë nefitët që i bëri ata të suksesshëm (ose të pasuksesshëm). Më pas përsiatni mënyrën se si mund ta përdorni atë që mësoni, për t’ju ndihmuar që t’i fitoni betejat tuaja shpirtërore. Teksa studioni vargje si ato që vijojnë, shkruani mendimet tuaja rreth mënyrës se si mund ta ndiqni shembullin e nefitëve:
-
Alma 43:19. Nefitët u përgatitën me armatim. (Unë mund të përpiqem fort për ta përgatitur veten time me armatimin shpirtëror.)
-
Alma 43:23–24. Ata kërkuan udhërrëfimin e profetit.
Gjithashtu vini re se si lamanitët dhe të shkëputurit nga nefitët u përpoqën t’i mundnin nefitët. Këto gjëra mund t’ju paralajmërojnë rreth mënyrave se si kundërshtari mund të përpiqet t’ju sulmojë. Teksa studioni, shkruani se si Satani mund t’ju sulmojë në mënyra të ngjashme:
-
Alma 43:8. Zerahemna u përpoq t’i zemëronte njerëzit e tij që ai të mund të kishte pushtet mbi ta. (Kur zemërohem me njerëz të tjerë, unë i jap Satanit pushtet mbi mua.)
-
Alma 43:29. Lamanitët dëshironin t’i bënin robër nefitët.
Kur përpiqem fort që të jem besnik si Moroni, unë vërtet do të bëhem më shumë si Shpëtimtari.
A dëshironi të mund të bëheni më shumë si Shpëtimtari dhe ta pakësoni pushtetin e kundërshtarit në jetën tuaj? Një mënyrë është ta ndiqni këshillën tek Alma 48:17 për t’u bërë “sikurse Moroni”. Kushtojuni vëmendje tipareve dhe veprimeve të Moronit që përshkruhen gjatë gjithë kapitujve tek Alma 43–52, por veçanërisht te 46:11–28 dhe 48:7–17. Çfarë ju bën përshtypje rreth këtij “njeri[u] … [të] fuqishëm”? Si mund ta dobësojnë fuqinë e djallit në jetën tuaj tiparet dhe veprimet si ato të Moronit? Përsiatni se çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni që ta ndiqni shembullin e Moronit dhe të bëheni më shumë si Shpëtimtari.
Satani na tundon dhe na mashtron pak nga pak.
Satani e di se shumica prej nesh nuk janë të gatshëm të kryejnë mëkate të mëdha ose të besojnë gënjeshtra të mëdha. Si rrjedhim, ai përdor gënjeshtra dhe tundime dinake për të na çuar drejt mëkateve të vogla në dukje – aq shumë sa ai mendon se ne do t’i pranojmë. Ai vazhdon ta bëjë këtë gjë derisa ne të jemi larguar shumë nga siguria e të jetuarit me drejtësi.
Mund ta gjeni këtë model në rrëfimin e Amalikias që mashtron Lehontin, i cili gjendet tek Alma 47. Teksa studioni, përsiatni mënyrën se si Satani mund të jetë duke u përpjekur që t’ju mashtrojë, siç u përshkrua nga Plaku Robert D. Hejls:
“Amalikia tradhtar e nxiti Lehontin të ‘zbriste poshtë’ dhe e takoi atë në luginë. Por kur Lehonti i la lartësitë, atij iu dha helm ‘pak nga pak’ gjersa vdiq dhe ushtria e tij ra në duart e Amalikias (shih Alma 47). Me argumente dhe akuza, disa njerëz na ndërsejnë ne që të lemë lartësinë. Lartësia është aty ku është drita. … Është toka e sigurisë” (“Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 74).
Shih edhe 2 Nefi 26:22; 28:21–22.
Uniteti sjell siguri.
Në rrethanat e shënuara në fillim të kapitullit tek Alma 50, duket sikur lamanitët nuk kishin asnjë mundësi kundër nefitëve. Armatimi, fortifikimet dhe përpjekjet e bashkuara të nefitëve i bënë të dukeshin të pamposhtshëm (shih Alma 49:28–30 dhe 50:17–20). Por lamanitët shpejt pushtuan shumë prej qyteteve të tyre – përfshirë ato që Moroni i kishte fortifikuar (shih Alma 51:26–27). Si ndodhi kjo? Kërkoni përgjigje ndërsa i lexoni këta kapituj (shih veçanërisht vargjet tek Alma 51:1–12). Përsiatni se çfarë paralajmërimesh mund të ketë ky rrëfim për ju dhe familjen tuaj.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Alma 45:2–8
Leximi i këtyre vargjeve së bashku mund ta frymëzojë familjen tuaj që të kryeni biseda për ungjillin veç e veç me pjesëtarë të familjes, ashtu siç bëri Alma me Helamanin.
Alma 46:12–22
Titulli i lirisë i frymëzoi nefitët që t’i zbatonin urdhërimet e Perëndisë dhe ta mbronin besimin e tyre. Çfarë na frymëzon ne të bëjmë të njëjtën gjë? Ndoshta familja juaj mund të krijojë titullin e vet të lirisë – një flamur ose banderolë me fjalë apo figura që ju kujtojnë t’i zbatoni urdhërimet e Perëndisë çdo ditë.
Alma 48:7–9; 49:1–9; 50:1–6
Ndërkohë që familja juaj lexon për fortifikimet e nefitëve, ju mund të diskutoni se si po e fortifikoni shtëpinë tuaj ndaj kundërshtarit. Fëmijëve mund t’u pëlqejë të ndërtojnë një fortesë me objekte të tilla si karrige dhe batanije, ose mund të vizatojnë se si e përfytyrojnë që dukeshin fortifikimet e nefitëve.
Alma 51:1–12
Çfarë na mësojnë këto vargje për atë që mund të ndodhë brenda familjeve tona kur kemi grindje? Si mund ta rritim unitetin tonë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.