“27 Korrik – 2 Gusht. Alma 39–42: ‘Plani [i] Madh [i] Lumturisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“27 Korrik – 2 Gusht. Alma 39–42”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
27 Korrik – 2 Gusht
Alma 39–42
“Plani [i] Madh [i] Lumturisë”
Ndërsa i studioni kapitujt tek Alma 39–42, Fryma e Shenjtë mund t’ju japë ide për gjërat që po ndodhin në jetën tuaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Kur dikush që e duam ka bërë një gabim të rëndë, mund të jetë e vështirë të dini se si të përgjigjeni. Pjesë e asaj që i bën kapitujt tek Alma 39–42 kaq të vlefshëm, është që ata na zbulojnë se si Alma – një dishepull i Krishtit, i cili dikur pati mëkatet e veta të rënda për të cilat të pendohej – e trajtoi një situatë të tillë. Biri i Almës, Koriantoni, kishte kryer mëkatin seksual dhe Alma, siç bënte shpesh, pati besim te fuqia e doktrinës së vërtetë për të nxitur pendimin (shih Alma 4:19; 31:5). Në këta kapituj ne vërejmë guximin e Almës në dënimin e mëkatit, si edhe dhembshurinë dhe dashurinë e tij për Koriantonin. Dhe më së fundi, ne e ndiejmë vetëbesimin e Almës që Shpëtimtari “do të vijë … për t’i marrë … mëkatet [dhe] … për t’[u] shpallur lajme të mira të shpëtimit” atyre që pendohen (Alma 39:15). Fakti që Koriantoni më së fundi u kthye në punën e shërbesës (shih Alma 49:30), mund të na japë shpresë për falje dhe shëlbim kur kemi “shqetësim” (Alma 42:29) për mëkatet tona ose mëkatet e dikujt që e duam.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Mëkati seksual është një neveri në pamjen e Zotit.
Që t’i nguliste birit të vet seriozitetin e mëkatit seksual, Alma dha mësim “se këto gjëra janë një neveri në pamjen e Zotit” (Alma 39:5). Përse është dëlirësia e rëndësishme për ju? Përse është ajo e rëndësishme për Zotin? Shpjegimi vijues nga Plaku Xhefri R. Holland mund të jetë i dobishëm:
“Qartësisht, mes shqetësimeve të Tij më të mëdha lidhur me vdekshmërinë, është mënyra se si një person vjen në këtë botë dhe se si largohet prej saj. [Zoti] ka vendosur kufizime shumë të rrepta për këto çështje.
… Intimiteti njerëzor ruhet për një çift të martuar, sepse ai është simboli përfundimtar i një bashkimi të plotë, një plotësi dhe një bashkim që shugurohen dhe përcaktohen nga Perëndia. … Martesa u caktua që të ishte një shkrirje tërësore e një burri dhe një gruaje. … Ky është një bashkim i një tërësie të tillë sa ne përdorim fjalën vulosje për të përçuar premtimin e tij të përjetshëm” (“Personal Purity”, Ensign, nëntor 1998, f. 76).
Merreni parasysh këshillën që Alma i dha Koriantonit tek Alma 39:8–15. Si ju ndihmon ajo që ta kuptoni më mirë rëndësinë e ligjit të dëlirësisë dhe se si ta mposhtni tundimin? Mësimet e Almës gjithashtu tregojnë se sa shumë dëshiron Zoti të na falë kur pendohemi dhe se ka shpresë për ne të gjithë. Ndërsa i lexoni kapitujt tek Alma 39–42 këtë javë, kërkoni prova për mëshirën e Perëndisë. Si ju ka bekuar mëshira e Perëndisë?
Shihni edhe “Pastërtia Seksuale”, Për Forcën e Rinisë, f. 35–37.
Unë do të ringjallem dhe do të qëndroj përpara Perëndisë për t’u gjykuar.
Kur Alma vuri re se Koriantoni pati pyetje rreth Ringjalljes, ai i mësoi rreth asaj që ndodh pasi ne vdesim. Çfarë të vërtetash dha mësim Alma te kapitujt 40–41 që do të kishin qenë të dobishme për Koriantonin – dhe për këdo që ka mëkatuar – për t’i kuptuar? Ju mund t’i organizoni gjërat që mësoni duke përcaktuar temat për të cilat flet Alma (të tilla si bota e shpirtrave, ringjallja dhe rivendosja) dhe më pas duke shkruar atë që Alma na mëson për secilën prej tyre. Si mund t’ju ndihmojë të kujtuarit e këtyre të vërtetave kur ndiheni të tunduar ose kur po kërkoni falje?
Unë mund të kërkoj me besim përgjigje për pyetjet e mia rreth ungjillit.
Nganjëherë mund të mendojmë se profetët e dinë përgjigjen për çdo pyetje të ungjillit. Por vini re se gjatë gjithë kapitullit 40, Alma ka disa pyetje pa përgjigje rreth jetës pas vdekjes. Çfarë bëri ai që të gjente përgjigje? Çfarë bëri ai kur nuk mori përgjigje? Merreni parasysh se si shembulli i Almës mund t’ju ndihmojë për pyetjet që keni rreth ungjillit.
Shlyerja e Jezu Krishtit e bën të mundur planin e shëlbimit.
Koriantoni besonte se ndëshkimi për mëkatet nuk ishte i drejtë (shih Alma 42:1). Por Alma dha mësim se ka një mënyrë se si të shpëtojmë prej “gjendje[s së] mjerimi[t]” në të cilën na fut mëkati: pendim dhe besim në Shlyerjen e Jezu Krishtit, e cila është si e mëshirshme ashtu edhe e drejtë (shih Alma 42:15). Ndërsa lexoni tek Alma 42, kërkoni mënyrën se si Shlyerja e Shpëtimtarit bën të mundur për ju që të merrni mëshirë pa e “grabi[tur] drejtësinë” (vargu 25). Çfarë të vërtetash gjeni në këtë kapitull që ju ndihmojnë ta ndieni mëshirën e Tij?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Alma 39:1–9
A do të përfitonte familja juaj nga një diskutim rreth ligjit të dëlirësisë? Nëse është kështu, merrni parasysh të përdorni burimin vijues sipas nevojave të familjes suaj: Alma 39:1–9; “Pastërtia Seksuale”, Për Forcën e Rinisë, f. 35–37. Përsiatni se si mund ta ndihmoni familjen tuaj që të kuptojë bekimet e dëlirësisë dhe të intimitetit në martesë (për shembull, shihni materialin filmik “How to Talk to Your Kids about Intimacy” [“Si t’u Flitni Fëmijëve Tuaj rreth Intimitetit”] te ChurchofJesusChrist.org).
Alma 39:9–15
Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si ta shmangim mëkatin?
Alma 42:4
Ju mund të luani një lojë në të cilën përhapen nëpër dhomë fletë të vogla letre me tipare si të Krishtit ose me parime të ungjillit të shkruara në to. Mund të shihni se sa fletë letre mund të mbledhin pjesëtarët e familjes brenda një kohe të caktuar, më pas diskutoni se si gjërat e shkruara në fletët mund të na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Perëndia. Si është “koh[a e] dhënë” për ne në tokë si koha e caktuar në këtë lojë? Si mund ta përdorim “kohën [tonë të] provë[s]” në tokë që të bëhemi më shumë si Shpëtimtari?
Alma 42:12–15, 22–24
Ndoshta ju mund ta ilustroni marrëdhënien ndërmjet drejtësisë dhe mëshirës duke përdorur një vizatim të një peshoreje të thjeshtë për të diskutuar për pyetje si këto: Çfarë ndodh me peshoren kur mëkatojmë? Çfarë kërkon drejtësia që peshorja të baraspeshohet? Si i plotëson Shpëtimtari kërkesat e drejtësisë dhe e bën të mundur mëshirën?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.