Eja, Më Ndiq
20–26 Korrik. Alma 36–38: “Shiko te Perëndia dhe Jeto”


“20–26 Korrik. Alma 36–38: “Shiko te Perëndia dhe Jeto”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“20–26 Korrik. Alma 36–38”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

burrë duke u lutur

Ilustrim nga Joshua Dennis

20–26 Korrik

Alma 36–38

“Shiko te Perëndia dhe Jeto”

“Ndërsa ndieni gëzimin që vjen nga të kuptuarit e ungjillit, ju do të ndieni dëshirën për ta zbatuar atë që mësoni” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 19). Shënojini mendimet dhe mbresat tuaja rreth mënyrës se si t’i vini në jetë të vërtetat që po mësoni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Kur Alma pa ligësinë përreth tij, ai ndjeu “dhimbje” të thella, “fakeqësi” dhe “ankthe të shpirtit” (Alma 8:14). “Ligësi[a] … mes këtij populli”, tha ai për zoramitët, “i shkakton dhembje shpirtit tim” (Alma 31:30). Ai ndjeu diçka të ngjashme pasi u kthye nga misioni i vet te zoramitët – ai vërejti se “zemrat e njerëzve filluan të ngurtësoheshin dhe që ata filluan të fyhen për shkak të rreptësisë së fjalës” dhe kjo bëri që zemra e tij të “pikëll[ohej] shumë” (Alma 35:15). Çfarë bëri Alma lidhur me atë që pa dhe ndjeu? Ai nuk e bë thjesht i shkurajuar ose cinik për gjendjen e botës. Në vend të kësaj, “ai bëri që djemtë e tij të mblidheshin tok së bashku” dhe u mësoi atyre “gjërat që [kishin] të bë[nin] me drejtësinë” (Alma 35:16). Ai u mësoi atyre se “nuk ka udhë ose mjet tjetër, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtojë, por vetëm në dhe nëpërmjet Krishtit. … Vër re, ai është fjala e vërtetësisë dhe e drejtësisë” (Alma 38:9).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Alma 36

Unë mund të lindem nga Perëndia kur jam i përulur dhe pendohem.

Pak vetë do të kenë përvoja aq dramatike sa kthimi i Almës në besim. Por ka parime në përvojën e tij nga të cilat ne të gjithë mund të mësojmë dhe të cilat mund t’i vëmë në jetë, sepse çdo njeri duhet të “lind[et] nga Perëndia” (Alma 36:23). Ndërsa lexoni tek Alma 36, kërkoni parime që mund t’i vini në jetë. Për shembull, si ndihet rreth mëkatit dikush që është lindur nga Perëndia? Po rreth Jezu Krishtit? Ju gjithashtu mund të kërkoni ndryshime që mund të pritni t’i shihni te bindjet dhe veprimet e dikujt që lindet nga Perëndia.

Shih edhe Mosia 5:7; 27:25–26; Alma 5:14; 22:15; Helamani 3:35.

Alma 36

Jezu Krishti shleu për mëkatet e botës.

Ju mund të vini re në këtë kapitull disa përsëritje të rrëfimit të Almës për kthimin e tij në besim. Kjo është ngaqë Alma 36 është një shembull i shkëlqyer i një forme të poezisë hebraike të quajtur kiazmë, në të cilën fjalët ose idetë paraqiten në një rend të caktuar, duke çuar drejt një ideje qendrore dhe më pas përsëriten në renditjen e kundërt. Tek Alma 36, ideja te vargu 3 përsëritet te vargu 27, ideja te vargu 5 përsëritet te vargu 26, e kështu me radhë. Ideja qendrore është mesazhi më i rëndësishëm i kiazmës. Shihni nëse mund të gjeni idenë qendrore te vargjet 17–18. Vini re se si “përqendr[imi] në këtë mendim”, ndikoi tek Alma dhe e ndryshoi jetën e tij. Si ka ndikuar te ju kjo e vërtetë? Çfarë idesh të tjera të përsëritura gjeni në këtë fragment?

Si ju frymëzon që ta ndiqni shembullin e Almës dhe të ktheheni te Shpëtimtari, ky rrëfim mbi pendimin dhe faljen?

Për më shumë informacion për kiazmën, shih Book of Mormon Student Manual (Church Educational System manual [2009], f. 232–233).

Alma 37

Shkrimet e shenjta janë ruajtur “për një qëllim të urtë”.

A keni menduar ndonjëherë se çfarë mrekullie dhe bekimi është t’i kemi shkrimet e shenjta sot? Perëndia na “ka besuar … me këto gjëra që janë të shenjta” (Alma 37:14). Ndërsa lexoni kapitullin tek Alma 37, kërkoni bekimet që vijnë nga pasja e shkrimeve të shenjta. Si i keni përjetuar ju këto bekime? Si mund t’i përdorim shkrimet e shenjta për të ndihmuar që “t’u tregoj[më] brezave të ardhshëm fuqinë e [Perëndisë]”? (Alma 37:18.)

Tek Alma 37:38–47, Alma e krahason “fjalë[n e] Krishtit” me Liahonën. Nëse përsiatni këtë krahasim, mendoni thellë për mënyrat se si i keni përjetuar mrekullinë dhe fuqinë e mësimeve të Krishtit “ditë për ditë” (Alma 37:40).

Shih edhe D. Tod Kristoferson, “Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 32–35.

grua duke lexuar shkrimet e shenjta

Shkrimet e shenjta na mësojnë se si ta ndjekim Perëndinë.

Alma 37:6–7

“Nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen.”

Nganjëherë mund të ndiejmë se problemet tona janë kaq të mëdha dhe të ndërlikuara, sa zgjidhjet duhet të jenë gjithashtu të mëdha dhe të ndërlikuara. Prapëseprapë, herë pas here Zoti zgjedh të përdorë “gjëra të vogla dhe të thjeshta” (Alma 37:6) për të përmbushur veprën e Tij dhe për ta bekuar jetën e fëmijëve të Tij. Ndërsa i lexoni vargjet tek Alma 37:6–7, përsiatni dhe shënoni mënyrat se si e keni parë të veprojë ky parim në jetën tuaj. Cilat janë disa gjëra të vogla dhe të thjeshta që Zoti i përdor për t’ju bekuar dhe për ta kryer punën e Tij?

Shih edhe Alma 37:41–46; Dallin H. Ouks, “Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 89–92.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Alma 36:5–26

Edhe pse përvoja e Almës është e jashtëzakonshme, kthimi i tij në besim ilustron disa parime që gjejnë zbatim për të gjithë ne. Ftojeni secilin pjesëtar të familjes të zgjedhë një varg nga Alma 36:5–26 që na mëson rreth të qenit i “lindur nga Perëndia”. Çfarë mësojmë nga këto vargje? Ndoshta pjesëtarë të familjes mund të tregojnë se si i kanë vënë në jetë parimet e përshkruara nga Alma.

Alma 36:18–21, 24

Si mund t’i përdorim këto vargje për ta ndihmuar dikë që ta kuptojë se pendimi është një përvojë e gëzueshme dhe jo një përvojë e frikshme? Si mund të na frymëzojë pendimi që ta përhapim ungjillin te njerëz të tjerë?

Alma 37:6–7, 38–46

Cilat janë disa prej “gjërave të vogla dhe të thjeshta” (Alma 37:6) të cilat sjellin gjëra të mëdha në jetën tonë? Në ç’mënyra është fjala e Krishtit sikurse Liahona? Si mund ta ndihmojmë njëri‑tjetrin që t’i studiojmë shkrimet e shenjta me më shumë zell?

Alma 37:35

Përse është gjë e urtë që të mësojmë se si t’i zbatojmë urdhërimet që “në rininë” tonë?

Alma 38:12

A e di familja juaj se çfarë është një fre? Ndoshta mund t’u tregoni atyre një figurë të një freri dhe të flisni se si ai përdoret për të kontrolluar një kafshë. Çfarë do të thotë t’i “freno[jmë] … pasionet” tona? Si na ndihmon frenimi i pasioneve tona që të “mbushe[mi] me dashuri”?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Shënojini mbresat. Kur shënoni mbresa shpirtërore, ju i tregoni Zotit se e vlerësoni drejtimin e Tij dhe Ai do t’ju bekojë me zbulesë më të shpeshtë. Teksa studioni, mbajini shënim mendimet tuaja. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 1230.)

engjëlli u shfaqet Almës dhe bijve të Mosias

Engjëlli u Shfaqet Almës dhe Bijve të Mosias, nga Clark Kelley Price