“13–19 Korrik. Alma 32–35: ‘Mbillni Këtë Fjalë në Zemrat Tuaja’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“13–19 Korrik. Alma 32–35”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
13–19 Korrik
Alma 32–35
“Mbillni Këtë Fjalë në Zemrat Tuaja”
Shënojini mbresat shpirtërore që merrni teksa i studioni kapitujt tek Alma 32–35. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për shkak të asaj që mësoni?
Shënojini Mbresat Tuaja
Për zoramitët lutja ishte një praktikë e përsëritur, e përqendruar te vetja, që ndodhte vetëm një herë në javë. Ajo përbëhej nga qëndrimi në këmbë atje ku dikush mund të shihej nga të gjithë njerëzit dhe përsëritja e fjalëve të kota, vetëkënaqëse. Ndoshta më e keqja, zoramitëve u mungonte besimi te Jezu Krishti – madje e mohonin ekzistencën e Tij – dhe i përndiqnin të varfrit (shih Alma 31:9–25). Në dallim, Alma dhe Amuleku dhanë mësim me guxim se lutja ka të bëjë më shumë me atë që ndodh në zemrat tona sesa në një platformë publike. Dhe nëse nuk çon drejt dhembshurisë ndaj njerëzve nevojtarë, është “e kotë dhe nuk … vlen për asgjë” (Alma 34:28). Më e rëndësishmja, ajo është një shprehje e besimit te Jezu Krishti, i cili ofron shëlbim nëpërmjet “flijim[it të Tij të] pafundëm dhe [të] përjetshëm” (Alma 34:10). Një besim i tillë, shpjegoi Alma, lind nga përulësia dhe një “dëshir[ë që] të besoni” (Alma 32:27). Ai rritet dalëngadalë, si një pemë, dhe kërkon ushqim të vazhdueshëm. Ndërsa lexoni kapitujt tek Alma 32–35, ju mund të merrni në shqyrtim vetë besimin dhe lutjet tuaja; a e ndieni ndonjëherë të hyjë tinëz brenda jush një qëndrim si ai i zoramitëve? Si do ta ushqeni besimin tuaj te Jezu Krishti që të bëhet “një pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme”? (Alma 32:41.)
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Unë mund të zgjedh të jem i përulur.
Alma e kuptoi se zoramitët e varfër ishin të përulur dhe “të përgatitur të dëgjonin fjalën” (Alma 32:6). Ndërsa lexoni vargjet tek Alma 32:1–16, mendoni për mënyrën se si përgatiteni për ta dëgjuar fjalën e Perëndisë.
Çfarë përvojash ju kanë përulur? Çfarë keni bërë që të bëheni më të përulur? Këto vargje mund t’ju mësojnë se si të zgjidhni përulësinë në vend që të detyroheni të jeni të përulur. Për shembull, cili është ndryshimi midis të qenit “të varfër nga gjërat e botës” dhe të qenit “të varfër në zemër”? (Vargu 3.) Çfarë do të thotë të “përule[sh] sinqerisht për shkak të fjalës”? (Vargu 14.)
Unë ushtroj besim te Jezu Krishti duke e mbjellë dhe duke e ushqyer fjalën e Tij në zemrën time.
Si mendoni, përse Alma foli rreth mbjelljes së një fare si përgjigje ndaj pyetjeve të zoramitëve rreth adhurimit? Cila është fara për të cilën foli Alma? (Shih Alma 32:28; 33:22–23.) Ndërsa i lexoni vargjet tek Alma 32:17–43, vini re fjalët e frazat që ju ndihmojnë të kuptoni se si të ushtroni besim te Jezu Krishti dhe fjala e Tij. Çfarë mësoni rreth asaj që është besimi dhe asaj që nuk është ai? Më pas, ndërsa i lexoni kapitujt 33–34, kërkoni përgjigje për pyetjen e zoramitëve: “Si duhe[t] ta mb[jellim] farën?” (Alma 33:1.)
Ja një mënyrë tjetër për të studiuar kapitujt tek Alma 32–34: Vizatoni figura që përfaqësojnë faza të ndryshme të rritjes së një fare. Më pas emërtojeni secilën figurë me fjalë nga Alma 32:28–43, të cilat ju ndihmojnë të kuptoni se si ta mbillni dhe ushqeni fjalën në zemrën tuaj.
Shih edhe Mateu 13:3–8, 18–23; Hebrenjve 11; Nil L. Andersen, “Besimi Nuk Vjen nga Rastësia, por nga Zgjedhja”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 65–68.
Unë mund ta adhuroj Perëndinë në lutje, në çdo kohë dhe në çdo vend.
Këshilla e Almës dhe e Amulekut rreth adhurimit dhe lutjes kishte si qëllim që të korrigjonte keqkuptime të veçanta që i patën zoramitët (shih Alma 31:13–23). Por të vërtetat që na mësuan ata, mund ta ndihmojnë secilin prej nesh që ta kuptojë më mirë lutjen dhe adhurimin. Ndoshta mund të bëni një listë të të vërtetave për lutjen, të cilat i gjeni tek Alma 33:2–11 dhe 34:17–29. Në krah të asaj liste bëni një listë të ideve të mundshme, të gabuara për lutjen që këto të vërteta i korrigjojnë (shih Alma 31:12–23). Si do të ndikojnë gjërat që mësoni nga këto vargje, te mënyra se si luteni dhe adhuroni?
Cilët ishin Zenosi dhe Zenoku?
Zenosi dhe Zenoku ishin profetë që dëshmuan për Jezu Krishtin gjatë kohëve të Dhiatës së Vjetër, por mësimet e tyre nuk gjenden në Dhiatën e Vjetër. Nefitët patën mundësi t’i kishin mësimet e këtyre profetëve, ndoshta ngaqë ishin të përfshira në fletët prej tunxhi që Nefi i mori prej Labanit. Ato përmenden edhe te 1 Nefi 19:10–12, Jakobi [LiM] 5:1 dhe Helamani 8:19–20.
“Kjo jetë është koha … që të përgatite[mi] të takohe[mi] me Perëndinë.”
Ndërsa lexoni vargjet tek Alma 34:30–41, merrni parasysh se si mund ta “përdor[ni] më mirë kohën [tuaj] ndërsa je[ni] në këtë jetë” (vargu 33). Si mund t’ju ndihmojnë pendimi dhe durimi që të përgatiteni për t’u takuar me Perëndinë? A ka ndryshime që nevojitet t’i bëni, të cilat i keni shtyrë për më vonë? Jini të sigurt që të veproni sipas ndonjë mbrese shpirtërore që merrni.
Shih edhe Alma 12:24; Leri R. Lorens, “Çfarë më Mungon Tjetër?” Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 33–35.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Alma 32:9–11; 33:2–11; 34:38–39
Si do të ishte nëse do të lejoheshim të adhuronim dhe të luteshim vetëm të dielën? Teksa i lexoni këto vargje së bashku, pjesëtarët e familjes mund të diskutojnë se si mund të adhurojnë çdo ditë dhe përse janë mirënjohës që mund ta bëjnë këtë gjë.
Alma 32:28–43
Ky përvijim shoqërohet me figurën e një peme; ju mund ta përdorni atë që të ilustroni fjalët e Almës në këto vargje. Ose familja juaj mund të bëjë një shëtitje për të gjetur bimë në faza të ndryshme të rritjes dhe të lexojë vargje nga Alma 32 që e krahasojnë një bimë në rritje me besimin tonë. Ndoshta secili pjesëtar i familjes mund të mbjellë një farë dhe të diskutojë atë që nevojitet të bëjmë për ta ndihmuar atë të rritet. Gjatë javëve të ardhshme ju mund t’i kontrolloni farat tuaja dhe ta kujtoni njëri‑tjetrin për nevojën që t’i ushqeni vazhdimisht dëshmitë tuaja për Jezu Krishtin.
Alma 33:2–11; 34:17–29
Çfarë sugjerojnë këto vargje rreth mënyrës se si mund t’i përmirësojmë lutjet tona individuale dhe familjare?
Alma 34:31
Çfarë përvojash na kanë treguar se kur pendohemi, ne fillojmë “menjëherë” të përjetojmë bekimet e planit të shëlbimit?
Alma 34:33–35
A e di familja juaj se çfarë do të thotë të shtysh për më vonë? Ndoshta dikush mund të tregojë shembuj për shtyrjen dhe pasojat e saj negative. Çfarë do të thotë të “mos e shty[jmë] ditën e pendimit” tonë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.