“6–12 Korrik. Alma 30–31: ‘Virtyti [i] Fjalës së Perëndisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“6–12 Korrik. Alma 30–31”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
6–12 Korrik
Alma 30–31
“Virtyti [i] Fjalës së Perëndisë”
Alma dëshmon për “ndikim[in e] fuqishëm” të fjalës së Perëndisë (Alma 31:5). Ndërsa i lexoni kapitujt tek Alma 30–31, shënojini mbresat tuaja kur ndieni ndikimin e fuqishëm që ka mbi ju fjala e Perëndisë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Tregimet tek Alma 30–31 vënë qartë në dukje fuqinë e fjalëve – për të mirë dhe për të keq. “Fjalë[t e] mëdha” dhe “lajkat[uese]” të një mësuesi të rremë, të quajtur Korihor, kërcënuan që të sillnin “shumë shpirtra në shkatërrim” (Alma 30:31, 47). Në mënyrë të ngjashme, mësimet e një kundërshtari nefit të quajtur Zoram e çuan një grup të tërë njerëzish që të binin “në gabime të mëdha” dhe të “prish[nin] udhët e Zotit” (Alma 31:9, 11).
Në dallim, Alma pati besim të patundshëm që fjala e Perëndisë do të kishte “ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa shpata, ose çdo gjë tjetër” (Alma 31:5) – përfshirë fjalët e Korihorit dhe të Zoramit. Fjalët e Almës shprehën të vërtetë të përjetshme dhe tërhoqën prej fuqive të qiellit për ta bërë të heshtte Korihorin (shih Alma 30:39–50) dhe ato ftuan bekimin e qiellit mbi ata që shkuan me të për t’i kthyer zoramitët tek e vërteta (shih Alma 31:31–38). Këta janë shembuj të vlefshëm për pasuesit e Krishtit sot, kur “fjalë të mëdha” dhe “gabime të mëdha” përsëri kanë një ndikim të fuqishëm në mendjet e njerëzve (Alma 30:31; 31:9). Por ne mund ta gjejmë të vërtetën duke i mirëbesuar, siç bëri Alma, “virtyti[t të] fjalës së Perëndisë” (Alma 31:5).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Çfarë është një antikrisht?
Tek Alma 30:6, Korihori quhet “Antikrisht”. Një antikrisht është dikush që do të veshë maskën e Krishtit, por në të vërtetë do të jetë kundërshtar i Krishtit (shih 1 Gjon 2:18–22; 4:3–6; 2 Gjon 1:7). Në një kuptim më të gjerë është dikush ose diçka që falsifikon ungjillin e vërtetë ose planin e shpëtimit dhe që haptazi apo fshehurazi vihet në kundërshtim të Krishtit (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Antikrisht”).
Çfarë falsifikime të ungjillit të vërtetë vini re në botën e sotme? Për shembull, Motra Xhuli B. Bek, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim: “Çdo doktrinë ose parim që e dëgjojmë nga bota, që është kundër familjes, është gjithashtu një antikrisht” (“Teaching the Doctrine of the Family”, Ensign, Mar. 2011, f. 15).
Libri i Mormonit mund të më ndihmojë t’i bëj ballë ndikimit të atyre që përpiqen të më mashtrojnë.
Ndërsa i lexoni vargjet tek Alma 30:6–31, mësimet e Korihorit mund të duken të njohura. Kjo është sepse, siç na mësoi Presidenti Ezra Taft Benson, Libri i Mormonit zbulon dhe mund të na forcojë kundrejt “synimeve, strategjive dhe doktrinave të liga të djallit në kohën tonë. Llojet e braktisësve në Librin e Mormonit janë të ngjashëm me llojet që kemi sot. Perëndia, me njohurinë e tij paraprake të pafundme, i dha formë në mënyrë të tillë Librit të Mormonit që ne të mund ta kuptojmë gabimin dhe të dimë se si të luftojmë konceptet e rreme arsimore, politike, fetare dhe filozofike të kohës sonë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson, [2014], f. 139).
Merreni parasysh bërjen e një liste të doktrinave të rreme që dha mësim Korihori tek Alma 30:6–31. Cilat janë disa nga pasojat e të besuarit të këtyre mësimeve? Për shembull, cila është rrjedhoja e të besuarit se “kur njeriu vdes, çdo gjë mbaron për të”? (Alma 30:18.) Cilat doktrina të rreme, të dhëna mësim nga Korihori, janë të ngjashme me doktrinat e rreme që vini re sot në botë?
Leximi rreth ndërveprimit midis Korihorit dhe Almës mund t’ju ndihmojë të përgatiteni për situatat kur të tjerët mund të përpiqen t’ju mashtrojnë. Mund të jetë e dobishme të studioni tek Alma 30:29–60 që të kuptoni se si u mashtrua Korihori (shih veçanërisht vargjet 52–53). Çfarë mund të mësoni nga përgjigjja e Almës ndaj mësimeve të Korihorit? (Shih Alma 30:31–35.)
Fjala e Perëndisë ka fuqi t’i udhëheqë njerëzit drejt drejtësisë.
Problemi i zoramitëve që u shkëputën nga nefitët, mund t’u jetë dukur disave si diçka që kishte nevojë për një zgjidhje politike ose ushtarake (shih Alma 31:1–4). Por Alma kishte mësuar që të mirëbesonte te “virtyti [i] fjalës së Perëndisë” (Alma 31:5). Çfarë mësoni nga Alma 31:5 rreth fuqisë së fjalës së Perëndisë? Si e keni parë fjalën e Perëndisë ta çojë “popullin të bë[jë] atë që [është] e drejtë”? (Alma 31:5.) Përsiatni se si mund ta “provoni” (përdorni ose vini në provë) fjalën e Perëndisë për ta ndihmuar dikë që e doni.
Për ta kuptuar më tej metodën e Almës për shpëtimin e të tjerëve, ju mund t’i krahasoni qëndrimet, ndjenjat dhe veprimet e tij me ato të zoramitëve, siç përshkruhen tek Alma 31. Mund të ndihmojë një tabelë si ajo që vijon. Çfarë ndryshimesh vini re? Si mendoni se mund të bëheni më shumë si Alma?
Zoramitët |
Alma |
---|---|
Zoramitët Besonin se njerëzit jashtë grupit të tyre ishin të dënuar për të shkuar në ferr (Alma 31:17). | Alma Besoi se zoramitët ishin “vëllezërit” e tij dhe shpirtrat e tyre ishin “të çmueshëm” (Alma 31:35). |
Zoramitët I vendosën zemrat e tyre mbi pasuritë (Alma 31:24, 28). | Alma Dëshironte të sillte shpirtra te Jezu Krishti (Alma 31:34). |
Zoramitët | Alma |
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Alma 30:44
Merreni parasysh të lexoni dhe diskutoni së bashku vargun tek Alma 30:44 ndërsa dilni për një shëtitje ose shihni pamje të krijimeve të Perëndisë. Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë se çfarë shohin që dëshmon për Perëndinë. Si na ndihmojnë këto gjëra – ose përvoja të tjera që i kemi pasur – për të ditur se Perëndia është i vërtetë?
Alma 30:56–60
Çfarë mësojmë nga Alma 30:56–60 rreth mënyrës se si djalli i trajton pasuesit e tij? Çfarë mund të bëjmë ne që ta mbrojmë shtëpinë tonë kundër ndikimit të tij?
Alma 31:20–38
Pas leximit të vargjeve tek Alma 31:20–38 me familjen tuaj, ju mund të diskutoni për pyetjet vijuese: Si ishte lutja e Almës e ndryshme nga lutja e zoramitëve? Si mund ta ndjekim shembullin e Almës në lutjet tona vetjake dhe familjare?
Fëmijët më të vegjël mund të vendosin një gur nën jastëkët e tyre që t’i ndihmojë të kujtojnë të luten çdo mëngjes e çdo mbrëmje. Atyre mund t’u pëlqejë ta zbukurojnë gurin e tyre.
Alma 31:23
Çfarë po bëjmë çdo ditë në shtëpinë tonë që të mësojmë rreth Perëndisë dhe të flasim për Të?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.