Eja, Më Ndiq
27 Korrik – 2 Gusht. Alma 39–42: “Plani i Madh i Lumturisë”


“27 Korrik – 2 Gusht. Alma 39–42: ‘Plani i Madh i Lumturisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“27 Korrik – 2 Gusht. Alma 39–42”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Jezusi dhe Maria

O Grua, Pse po Qan? nga Mark R. Pugh

27 Korrik – 2 Gusht

Alma 39–42

“Plani i Madh i Lumturisë”

Pasi t’i studioni me lutje kapitujt tek Alma 39–42, planifikoni veprimtari për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë. Ju mund të gjeni ide mes veprimtarive vijuese që mund të përshtaten për çdo grupmoshë.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojeni secilin fëmijë të ngrihet në këmbë dhe të tregojë diçka rreth ungjillit që ai apo ajo e ka mësuar kohët e fundit në shtëpi ose në kishë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Alma 39:1, 10–11

Unë mund të jem një shembull i mirë.

Alma e nxiti Koriantonin të mësonte nga shembulli i mirë i vëllezërve të tij dhe e paralajmëroi Koriantonin që të mos ishte shembull i keq për të tjerët.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegoni se Shibloni dhe Koriantoni ishin vëllezër dhe se Shibloni ishte një shembull i mirë për Koriantonin. Ftojini fëmijët ta përsëritin me ju këtë pyetje: “A nuk ka dhënë ai një shembull të mirë për ty?” (Alma 39:1.) Kërkojuni fëmijëve të flasin për dikë që është një shembull i mirë për ta.

  • Luani një lojë ose këndoni një këngë gjatë së cilës fëmijët ju ndjekin apo ju imitojnë juve. Lëreni secilin fëmijë të ketë radhën për të qenë udhëheqësi ose shembulli. Pyetini fëmijët se si mund të jenë një shembull i mirë për dikë.

  • Paraqitni figura të Jezusit duke bërë gjëra të mira dhe shpjegoni se Ai është shembulli ynë i përkryer. Shpjegoni se ne mund të jemi shembuj të mirë, siç ishte Jezusi. Ftojini fëmijët të vizatojnë figura të vetes duke qenë shembuj të mirë.

Alma 39:9, 13

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të më ndihmojnë t’i ndreq gabimet e mia.

Ndonëse fëmijët e vegjël nuk kanë nevojë që të pendohen, të treguarit atyre rreth Koriantonit mund t’i ndihmojë që të fillojnë të kuptojnë se çfarë do të thotë pendim.

Veprimtari të Mundshme

  • Pa u futur në hollësi për natyrën e mëkateve të tij, shpjegoni se Koriantoni bëri një zgjedhje të gabuar. Çfarë mund të thoshim për ta ndihmuar atë? Lexojuni fëmijëve se çfarë i tha Koriantonit Alma, i ati i tij: “Të pendohesh dhe të heqësh dorë nga mëkatet e tua” (Alma 39:9). U thoni atyre se “të pendohesh” do të thotë se ne i kërkojmë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit të na falin dhe të na ndihmojnë që t’i ndreqim gabimet tona dhe se ne më pas përpiqemi të jemi më shumë si Ata.

  • Jepini një fëmije diçka të rëndë për ta mbajtur ndërkohë që ju tregoni një histori rreth dikujt që bëri diçka të gabuar dhe u ndie keq. U thoni fëmijëve se sendi është sikurse ndjenjat e këqija që mund të kemi ne kur bëjmë gabim. Hiqeni sendin e rëndë nga fëmija kur të dëshmoni se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund t’i heqin ndjenjat e rënda, të këqija dhe të na ndihmojnë t’i korrigjojmë gabimet tona kur pendohemi. Këndoni së bashku një këngë rreth pendimit, të tillë si “Pendimi” (Liahona, tetor 2004, f. M16).

Alma 40:23

Unë do të ringjallem.

Ndihmojini fëmijët të presin me padurim ditën kur ata dhe njerëzit e tyre të dashur do të ringjallen.

Veprimtari të Mundshme

  • Teksa lexoni me zë të lartë nga Alma 40:23, vërini fëmijët ta përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar që ta përfytyrojnë atë që po u mëson ky varg. Ftojeni secilin fëmijë ta përdorë faqen e veprimtarisë për t’i dhënë mësim një fëmije tjetër se çfarë është ringjallja.

  • Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit të ringjallur dhe mësojuni fëmijëve një këngë rreth Ringjalljes, të tillë si “Did Jesus Really Live Again?” [“Jezusi a Jetoi Sërish?”] ose “Ai Ësht’ Ngritur!” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 45; Himne, nr. 118). Ndaloni herë pas here për të shpjeguar kuptimin dhe domethënien e fjalëve dhe frazave.

  • Pyetini fëmijët nëse ka vdekur ndonjë person që e ata njihnin. Jepni dëshminë tuaj se një ditë ai person dhe çdo njeri tjetër do të ringjallen për shkak të Jezu Krishtit. Nëse është e nevojshme, përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të shpjeguar se çfarë do të thotë të ringjallesh.

    Maria dhe Jezusi

    Maria dhe Zoti i Ringjallur, nga Harry Anderson

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Alma 39:1, 10–11

Unë mund të jem një shembull i mirë.

Këshilla e Almës për Koriantonin mund t’i ndihmojë fëmijët që ta kuptojnë rëndësinë e ndjekjes së shembujve të mirë dhe e të qenit shembuj të mirë.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegoni se biri i Almës, Koriantoni, bëri një mëkat të rëndë ndërkohë që duhej të kishte qenë duke predikuar ungjillin. Lexojeni me fëmijët gjysmën e fundit të vargut tek Alma 39:11 dhe kërkojuni që të dëgjojnë se si ndikoi mëkati i Koriantonit te zoramitët. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për njerëzit që mund të ndikohen nga veprimet e tyre. Si mund të jenë ata shembuj të mirë për këta njerëz?

  • Lexoni së bashku tek Alma 39:1. Si ishte vëllai i Koriantonit, Shibloni, një shembull i mirë? Kërkojuni fëmijëve të gjejnë përgjigje shtesë për këtë pyetje tek Alma 38:2–4. Tregoni për disa shembuj të mirë në jetën tuaj dhe ftojini fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë.

  • Sillni një elektrik dore ose një figurë të diellit dhe krahasojeni dritën me fuqinë e një shembulli të drejtë. Ashtu siç mund të na ndihmojë drita nga elektriku i dorës ose dielli që ta shohim shtegun që kemi nevojë të ndjekim, një shembull i drejtë na tregon se çfarë duhet të bëjmë me qëllim që ta ndjekim Atin Qiellor. Tregoni një përvojë kur ju ndihmoi shembulli i mirë i një personi. Çfarë mund të bëjnë fëmijët që të jenë një shembull i mirë për të tjerët? Dëshmoni se Jezu Krishti është shembulli ynë i përkryer.

Alma 39:9–13

Unë mund të pendohem kur bëj gabime.

Ashtu si të gjithë ne, fëmijët të cilëve u jepni mësim, mëkatojnë dhe bëjnë gabime. Si mund t’i frymëzoni ata që të “heq[in] dorë nga mëkatet e t[yre]” dhe të pendohen? (Alma 39:9.)

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të tregojnë një përvojë kur u lënduan. Çfarë bënë për të ndihmuar në shërimin e dëmtimit të tyre? Shpjegoni se mëkati e dëmton shpirtin tonë, por Shpëtimtari mund të na shërojë kur pendohemi.

  • Kërkojuni fëmijëve të gjejnë frazën “të pendohesh dhe të heqësh dorë nga mëkatet e tua” tek Alma 39:9 dhe ndihmojini të kuptojnë se çfarë do të thotë “të pendohesh” dhe “të heqësh dorë”. Dëshmoni se pendimi është i mundur nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. Lexoni së bashku tek Alma 39:10–14 për të gjetur gjëra të tjera që mund t’i bëjmë, të cilat do të na ndihmojnë të pendohemi dhe ta shmangim mëkatin.

Alma 40:6–7, 11–14, 21–23

Pas vdekjes, shpirti ynë shkon në botën e shpirtrave deri në Ringjallje dhe Gjykim.

Është e natyrshme ta pyesim veten se çfarë na ndodh pasi vdesim. Fjalët e Almës mund t’i ndihmojnë fëmijët të gjejnë përgjigje të frymëzuara.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani vdekje, bota e shpirtrave, ringjallje dhe gjykim në fletë të veçanta letre dhe vendosini në tabelë sipas një renditjeje rastësore. Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë domethënien e këtyre termave. Lexoni me fëmijët tek Alma 40:6–7, 11–14 dhe 21–23, dhe kërkojuni që t’i vendosin fjalët në tabelë në rendin sipas së cilës ndodhin.

  • Shkruani në tabelë një listë me pyetje që mund të marrin përgjigje nga Alma 40:6–7, 11–14 dhe 21–23, dhe ftojini fëmijët ta lidhin secilën pyetje me vargjet që i japin përgjigje asaj. Për shembull, pyetja “Si do të duket trupi im kur të ringjallem?” mund të marrë përgjigje nga Alma 40:23. Nëse është e nevojshme, shpjegojuni fjalë të vështira fëmijëve ndërsa lexojnë. Nxitini fëmijët të tregojnë arsyen përse janë mirënjohës për planin e Atit Qiellor.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Nxitini fëmijët të falënderojnë një anëtar të familjes që ka qenë një shembull i mirë për ta dhe të mendojnë një mënyrë se si mund të jenë shembuj të mirë këtë javë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përfshijini shqisat. “Shumica e fëmijëve (dhe të rriturve) mësojnë më mirë kur përfshihen shqisa të shumta. Gjeni mënyra për t’i ndihmuar fëmijët që t’i përdorin shqisat e tyre të të shikuarit, të dëgjuarit dhe të prekurit teksa mësojnë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25).