Eja, Më Ndiq
24–30 Gusht. Helamani 7–12: “Kujtoni Zotin”


“24–30 Gusht. Helamani 7–12: ‘Kujtoni Zotin’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“24–30 Gusht. Helamani 7–12”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Pamja
Nefi duke u lutur në kullën e një kopshti

Ilustrim i Nefit në kullën e një kopshti, nga Jerry Thompson

24–30 Gusht

Helamani 7–12

“Kujtoni Zotin”

Teksa lexoni te Helamani 7–12, përsiatni mënyrën se si historitë dhe parimet në këta kapituj mund t’i bekojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim. Idetë në këtë përvijim mund ta plotësojë frymëzimin që merrni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Pyetini fëmijët se çfarë dinë rreth profetit Nefi, birit të Helamanit (shih Helamani 7–12). Nëse është e nevojshme, shpjegoni ndryshimin ndërmjet këtij profeti të quajtur Nefi dhe profetit të quajtur Nefi në fillim të Librit të Mormonit.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Helamani 7:20

Zoti do që unë ta kujtoj Atë.

Nefi pyeste veten se si populli i tij ishte larguar nga Perëndia dhe e kishte harruar Atë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë mënyra se si mund ta kujtojnë Atin Qiellor dhe Jezusin?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve një përvojë kur harruat diçka të rëndësishme. Pyetini nëse kanë harruar ndonjëherë ndonjë gjë. Lexojuni atyre vargun tek Helamani 7:20 dhe shpjegoni se nefitët kishin zgjedhur ta harronin Perëndinë. Profeti Nefi donte që ata ta kujtonin Perëndinë. Sillni në një çantë figura që përfaqësojnë mënyrat se si fëmijët mund ta kujtojnë Atin Qiellor dhe Jezusin. Lërini fëmijët që me radhë të zgjedhin një figurë dhe të tregojnë se si ne mund ta kujtojmë Perëndinë çdo ditë.

  • Ndihmojini fëmijët ta plotësojnë faqen e veprimtarisë së kësaj jave.

Helamani 8:13–23

Profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin.

Nefi dëshmoi se Jezu Krishti do të vinte dhe ai e ftoi popullin e tij të pendohej dhe ta ndiqte Atë. Përdorini këta kapituj për t’u mësuar fëmijëve se profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit dhe u thoni fëmijëve se profetët si Nefi na ftojnë që ta ndjekim Jezusin. Lexojini fjalët vijuese për profetët nga Helamani 8:22: “Ata kanë dëshmuar për ardhjen e Krishtit dhe e pritnin atë; dhe janë gëzuar për [atë] ditë”. Tregojuni fëmijëve diçka që ka thënë profeti ynë i gjallë rreth Shpëtimtarit.

  • Këndoni së bashku një këngë për profetët, të tillë si “Follow the Prophet” [“Ndiqe Profetin”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 58). Zgjidhni një frazë kyç nga kënga dhe shkruani një fjalë nga fraza në secilën prej letrave në formën e gjurmëve të këmbëve. Vendosini gjurmët e këmbëve në dysheme që çojnë drejt figurës së Shpëtimtarit. Ftojini fëmijët ta ndjekin shtegun e gjurmëve të këmbëve dhe ndihmojini që t’i lexojnë fjalët.

Helamani 10:11–12

Unë do t’i bindem Atit Qiellor.

Shembulli i Nefit për bindjen mund t’i frymëzojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që t’i binden Zotit.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni vargjet te Helamani 10:2, 11–12 dhe ndihmojini fëmijët ta kuptojnë se Nefi iu bind Perëndisë. Ftojini fëmijët që ta aktrojnë atë që bëri Nefi. Për shembull, kërkojuni që të ecin drejt njërës anë të dhomës (sikur të ishin duke shkuar në shtëpi), të ndalojnë, të kthehen mbrapsht dhe të ecin drejt anës tjetër të dhomës (sikur të ishin duke u kthyer për të mësuar njerëzit). Ndihmojini të kuptojnë se Nefi donte që t’i bindej Zotit, ndonëse atij i duhej të bënte diçka të vështirë.

  • Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ndonjëherë Ati Qiellor do që ne të bëjmë diçka që është e ndryshme nga ajo që duam të bëjmë, por ne mund t’i bindemi Atij ashtu siç bëri Nefi. Tregoni thënie si këto: “Ndonjëherë dua të zemërohem, por Ati Qiellor do që të jem … ” dhe lërini fëmijët t’i përfundojnë thëniet. Nxitini fëmijët të kujtohen që të ndalojnë dhe të mendojnë rreth asaj që do Ati Qiellor që ata të bëjnë dhe pastaj ta bëjnë atë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Helamani 7–11

Unë do të jemi shpirtërisht i sigurt kur e ndjek profetin.

Presidenti Xhejms E. Faust dha mësim: “Siguria jonë qëndron në vënien vesh të asaj çfarë thotë [Presidenti i Kishës] dhe në ndjekjen e këshillës së tij” (“Continuous Revelation”, Ensign, nëntor 1989, f. 10).

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të bëjnë në tabelë një listë të gjërave që bën një profet (shih “Profeti”, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ndihmojini të kërkojnë te Helamani 7:1–2, 27–29; 8:22–23 dhe 10:3–4, 6–7 për të parë se si i bëri Nefi disa prej gjërave që janë në listën e tyre. Kur e kemi parë profetin tonë sot që t’i bëjë këto gjëra? Jepni dëshminë tuaj për profetin e gjallë.

  • Lexoni së bashku nga Helamani 11:3–7 (ose përsëriteni “Kapitullin 39: Nefi Merr Fuqi të Madhe”, Tregime të Librit të Mormonit, f. 108–110). Kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh për atë çfarë u ndodhi njerëzve që nuk ia vunë veshin profetit. Çfarë mund të ndodhë kur nuk ia vëmë veshin profetit? Si bekohemi kur e ndjekim Atë? Tregoni diçka që na ka mësuar profeti ynë dhe nxitini fëmijët t’i ndjekin mësimet e tij.

Helamani 7:20–21

Zoti do që unë ta kujtoj Atë.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, do të përballen me shpërqendrime që mund t’i bëjnë ata ta harrojnë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Si mund t’i frymëzoni fëmijët që t’u kushtojnë kohë gjërave shpirtërore?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku nga Helamani 7:20–21 dhe pyetini fëmijët se çfarë mendojnë se do të thotë ta harrosh Perëndinë. Shpjegoni se fjala harroj mund të ketë gjithashtu kuptimin “të lësh pas dore” ose “të shpërfillësh”. Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe ftojini fëmijët të vizatojnë gjëra për të cilat ata harxhojnë shumë kohë duke i bërë, të cilat mund t’i bëjnë ata ta harrojnë Zotin. Vërini vizatimet e tyre para figurës së Jezusit. Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për gjërat që mund të bëjnë çdo ditë për ta kujtuar Atin Qiellor dhe Jezusin. Teksa shprehin mendimet e tyre, hiqini vizatimet një e nga një derisa të zbulohet figura e Shpëtimtarit.

  • Ftojini fëmijët ta plotësojnë faqen e veprimtarisë së kësaj jave.

Helamani 10

Kur i përsiat fjalët e Perëndisë, unë mund të marr zbulesë.

A e dinë fëmijët të cilëve u jepni mësim, se çfarë do të thotë të përsiatësh? Ndihmojini të kuptojnë se Nefi u bekua me zbulesë kur i meditoi gjërat që Zoti i kishte treguar atij.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë se çfarë do të thotë të meditosh (shih “Meditoj”, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ftojini të mendojnë për fjalë të tjera që ilustrojnë se çfarë do të thotë meditoj. Pastaj kërkojuni të lexojnë vargjet te Helamani 10:1–3 dhe ta zëvendësojnë fjalën meditoj me fjalët për të cilat menduan. Çfarë ndodhi kur Nefi i meditoi shkrimet e shenjta? (shih Helamani 10:3–7). Tregoni për një rast kur ju morët zbulesë pasi e medituat një shkrim të shenjtë ose një zbulesë të kohëve të sotme apo një përvojë shpirtërore.

  • Jepuni fëmijëve kohë që të lexojnë nga Helamani 10 ose lexojeni atë së bashku, dhe nxitini që të gjejnë një varg që do të donin ta meditonin gjatë javës në vijim. Ftojini që ta shkruajnë vargun që zgjodhën në një letër ose kartë dhe ta vendosin në një vend që t’u kujtojë atyre ta meditojnë atë varg gjatë javës pasuese. Në një orë të ardhshme mësimore, jepuni kohë që të tregojnë atë që mësuan kur e medituan vargun.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Nxitini fëmijët t’ia tregojnë familjeve të tyre atë që planifikojnë të bëjnë për ta kujtuar Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin çdo ditë. Ata gjithashtu mund t’i ftojnë familjet e tyre që t’u bashkohen atyre në qëllimin e tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni ftesa që e respektojnë lirinë e zgjedhjes. Kur i ftoni fëmijët të veprojnë sipas asaj që ju u keni mësuar, mendoni për mënyrat se si ta nderoni lirinë e tyre të zgjedhjes ndërsa e vënë në zbatim atë që mësojnë. Për shembull, pas një mësimi për Shpëtimtarin, ju mund të pyesni: “Çfarë do të bëni që ta kujtoni Shpëtimtarin këtë javë?”

Shtyp në Letër