“12–18 Tetor. 3 Nefi 20–26: ‘Ju Jeni Fëmijët e Besëlidhjes’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“12–18 Tetor. 3 Nefi 20–26”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
12–18 Tetor
3 Nefi 20–26
“Ju Jeni Fëmijët e Besëlidhjes”
Kur fliste për shkrimet e shenjta, Jezusi shpesh përdorte fjalën kërkoj (shih 3 Nefi 20:11; 23:1, 5). Ndërsa lexoni kapitujt tek 3 Nefi 20–26, për çfarë do të kërkoni?
Shënojini Mbresat Tuaja
Kur i dëgjoni njerëzit të përdornin terma si shtëpia e Izraelit, a e ndieni se po flasin për ju? Nefitët dhe lamanitët ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të Izraelit – historia e tyre madje fillon në Jerusalem – por për disa prej tyre, Jerusalemi duhet të jetë dukur si “një vend që është larg prej nesh, një vend që ne nuk e dimë” (Helamani 16:20). Po, ata ishin “një degë e pemës së Izraelit”, por ishin edhe të “humbur nga trungu i tij” (Alma 26:36; shih edhe 1 Nefi 15:12). Por kur Shpëtimtari iu shfaq atyre, Ai donte që ata të dinin se nuk ishin të humbur për Të. “Jeni nga shtëpia e Izraelit”, tha Ai, “dhe jeni nga besëlidhja” (3 Nefi 20:25). Ai mund të thotë diçka të ngjashme për ju sot, sepse kushdo që pagëzohet dhe bën besëlidhje me Të, është gjithashtu nga shtëpia e Izraelit, “nga besëlidhja”, pavarësisht nga kush e keni prejardhjen ose ku jetoni. Me fjalë të tjera, kur Jezusi flet për shtëpinë e Izraelit, Ai po flet për ju. Udhëzimi për t’i bekuar “të gjitha fiset e tokës” është për ju (3 Nefi 20:27). Ftesa që të “zgjoh[eni] përsëri dhe [të] vish[ni] forcën”, është për ju (3 Nefi 20:36). Dhe premtimi i Tij i çmuar: “Mirësia ime nuk do të largohet prej teje, as besëlidhja e paqes sime nuk do të hiqet”, është për ju (3 Nefi 22:10).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Në ditët e mëvonshme Perëndia do të kryejë një punë të madhe dhe të mrekullueshme.
Shpëtimtari i dha turmës disa premtime mbresëlënëse dhe profetizoi rreth së ardhmes së popullit të Tij të besëlidhjes – dhe kjo ju përfshin ju. Ashtu siç tha Presidenti Rasëll M. Nelson: “Ne jemi mes popullit të besëlidhjes së Zotit. I yni është privilegji për të marrë pjesë personalisht në përmbushjen e këtyre premtimeve. Ç’kohë e mrekullueshme për të jetuar!” (“Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 79; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 106).
Kërkoni profeci rreth ditëve të fundit në fjalët e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 20–22. Cilat nga këto profeci janë veçanërisht emocionuese për ju? Çfarë mund të bëni që të ndihmoni për t’i përmbushur profecitë në këta kapituj?
Vini re që 3 Nefi 21:1–7 vë në dukje se dalja në dritë e Librit të Mormonit (“këto gjëra” te vargjet 2 dhe 3) është shenjë që premtimet e Perëndisë kanë filluar tashmë të përmbushen. Cilat janë ato premtime dhe si na ndihmon Libri i Mormonit që t’i përmbushim ato?
Shih edhe Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.
Shpëtimtari do që unë t’i kërkoj fjalët e profetëve.
Fjalët dhe veprimet e Jezusit gjatë gjithë këtyre kapitujve zbulojnë mënyrën se si ndihet Ai rreth shkrimeve të shenjta. Çfarë mësoni rreth shkrimeve të shenjta tek 3 Nefi 20:10–12; 23 dhe 26:1–12? Çfarë gjeni në këto vargje që ju frymëzon “t’i kërkoni këto gjëra me zell”? (3 Nefi 23:1.)
Perëndia është i mëshirshëm me ata që kthehen tek Ai.
Tek 3 Nefi 22 dhe 24 Shpëtimtari citon fjalë nga Isaia dhe Malakia që janë plot simbole dhe krahasime të gjalla – gurë themelesh plot ngjyra, qymyre në zjarr, argjend i pastruar, dritare të qiellit. Mund të jetë interesante që të bëni një listë të atyre gjërave. Çfarë ju mëson secila rreth marrëdhënies së Perëndisë me popullin e Tij? Për shembull, 3 Nefi 22:4–8 e krahason Perëndinë me një bashkëshort dhe popullin e Tij me një bashkëshorte. Leximi rreth këtyre shëmbëlltyrave mund t’ju nxitë të mendoni rreth vetë marrëdhënies suaj me Zotin. Si janë plotësuar në jetën tuaj parimet në këta kapituj? (Shih veçanërisht 3 Nefi 22:7–8, 10–17; 24:10–12, 17–18.)
Zemra ime duhet të kthehet drejt paraadhësve të mi.
Kthimi i premtuar i Elijas është pritur me shumë dëshirë prej judenjve anembanë botës për shumë shekuj. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e dinë se Elija është kthyer, duke iu shfaqur Jozef Smithit në Tempullin e Kirtlandit në vitin 1836 (shih DeB 110:13–16). Puna e kthimit të zemrave tek etërit – puna në tempull dhe për historinë familjare – ka kohë që ka filluar. Çfarë përvojash keni pasur që ju ndihmuan ta kthenit zemrën tuaj drejt paraardhësve tuaj?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
3 Nefi 22:2
Pas leximit të këtij vargu, ndoshta mund të bëni një çadër në shtëpi dhe të flitni rreth mënyrës se si Kisha është e ngjashme me një çadër në një vend të shkretë. Çfarë mund të nënkuptojnë frazat “zgjat litarët” e saj dhe “forco kunjat” e saj? Si i ftojmë të tjerët të gjejnë “strehim” në Kishë?
3 Nefi 23:6–13
Nëse Shpëtimtari do t’i shqyrtonte analet që ka mbajtur familja jonë, çfarë pyetjesh mund të na bënte Ai? A ka ndonjë ngjarje të rëndësishme ose përvojë shpirtërore që duhet ta shënojmë? Tani mund të jetë një kohë e mirë që të krijoni një anal familjar ose t’i shtoni atij dhe të këshilloheni së bashku rreth asaj që do të përfshini. Pjesëtarëve më të vegjël të familjes mund t’u pëlqejë ta zbukurojnë analin me fotografi ose vizatime. Përse është e rëndësishme t’i shënojmë përvojat shpirtërore të familjes sonë?
3 Nefi 24:7–18
Si i kemi përjetuar bekimet e pagimit të së dhjetës që premtohen në këto vargje? Mesazhi i Plakut Dejvid A. Bednar “Pragjet e Qiellit” (Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 17–20) mund t’i ndihmojë pjesëtarët e familjes që t’i dallojnë këto bekime.
3 Nefi 25:5–6
Si do t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes suaj që t’i kthejnë zemrat e tyre drejt etërve të tyre? Ndoshta ju mund të caktoni pjesëtarë të familjes që të mësojnë rreth njërit prej paraardhësve tuaj dhe t’i tregojnë pjesës tjetër të familjes atë që mësojnë (shih FamilySearch.org). Ose mund të punoni së bashku që të gjeni një paraardhës i cili ka nevojë për ordinancat e tempullit dhe të planifikoni një udhëtim për në tempull që t’i kryeni ato ordinanca.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.