“26 Tetor – 1 Nëntor. Mormoni 1–6: ‘Unë do të Doja që t’ju Bindja të Gjithëve … të Pendoheni’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“26 Tetor – 1 Nëntor. Mormoni 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020
26 Tetor – 1 Nëntor
Mormoni 1–6
“Unë do të Doja që t’ju Bindja të Gjithëve … të Pendoheni”
Ngjarjet e përshkruara te Mormoni 1–6 mund të jenë të vështira për fëmijët që t’i kuptojnë plotësisht, por ata ende mund të marrin mësime nga rrëfimi i Mormonit për të jetuarin me drejtësi në një botë të ligë. Si mund ta përdorni përvojën e tij për t’u mësuar fëmijëve se si të qëndrojnë të vërtetë ndaj ungjillit?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Çfarë dinë fëmijët rreth Mormonit? Ftojini t’ua tregojnë familjeve të tyre atë që dinë ose mësuan. Paraqitja e një figure të Mormonit si ajo që është në përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund të ndihmojë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund të jem i drejtë sikurse Mormoni.
Ndonëse fëmijët të cilëve u jepni mësim, janë të vegjël, ata mund të zhvillojnë cilësi shpirtërore dhe të jetojnë me drejtësi.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve vargjet te Mormoni 1:1–3 ose përdorni “Kapitullin 49: Mormoni dhe Mësimet e Tij” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 138–142). Ftojini që të dëgjojnë se sa vjeç ishte Mormoni kur Amaroni i dha një mision të veçantë. Pastaj kërkojuni që të ngrenë lart aq gishta [sa ishte mosha]. Për t’i ndihmuar fëmijët të përfytyrojnë se sa vjeç ishte Mormoni, paraqituni një figurë të një personi që është 10 vjeç. Ndihmojini që t’i kuptojnë cilësitë që Amaroni pa te Mormoni kur qe i ri dhe dëshmoni se fëmijët mund të jenë sikurse Mormoni kur e ndjekin Jezu Krishtin.
-
Luani një lojë në të cilën fëmijët përsëritin veprime të thjeshta që bëni ju. Pastaj paraqitni figura të gjërave që bëri Jezusi, dhe flitni për mënyrën se si mund ta ndjekim Atë (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 33–35, 41–42). Diskutoni për mënyrat se si Mormoni e ndoqi Jezu Krishtin – për shembull, duke e dhënë mësim ungjillin, duke i nxitur njerëzit t’i binden Perëndisë dhe duke i dashur të tjerët.
Ati Qiellor më jep shumë bekime.
Mësimet e Mormonit mund t’i ndihmojnë fëmijët t’i dallojnë bekimet që u ka dhënë Ati Qiellor.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve vargjet te Mormoni 3:3 dhe 9 dhe shpjegoni se nefitët nuk e kishin kuptuar që Ati Qiellor i kishte bekuar ata. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për bekimet që Ati Qiellor u ka dhënë atyre. Paraqitni figura ose sende për t’u dhënë atyre ide. Çfarë mund të bëjmë sot për të treguar se i jemi mirënjohës Atit Qiellor për bekimet tona?
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për bekimet që Ati Qiellor u ka dhënë atyre dhe kërkojuni që të bëjnë vizatime të disa prej këtyre bekimeve. Ftojini që t’i varin vizatimet e tyre diku në shtëpi ku ata mund t’i shohin dhe të kujtojnë se Ati Qiellor i bekon ata në shumë mënyra. Ju mund t’i ftoni ata gjithashtu që të përcaktojnë bekimet që vijnë nga Ati Qiellor ndërsa e këndojnë vargun e parë të këngës “I Thank Thee, Dear Father” [“T’Falënderoj Ty, At’ i Dashur”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 9).
Ati Qiellor dëshiron që unë t’i dua të gjithë njerëzit.
Në ç’mënyrë mund t’i ndihmoni fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që të kenë dëshirë për të ndier dashuri për njerëzit përreth tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojini secilit fëmijë të vizatojë një person në tabelë dhe vini në dukje se si secili person që ata vizatuan ka pamje të ndryshme nga të tjerët. Vizatoni një zemër të madhe që i përfshin të gjitha vizatimet. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se Ati Qiellor do që ne t’i duam të gjithë njerëzit. Lexoni te Mormoni 3:12, duke theksuar fjalët “dashurisë” dhe “desha”. Çfarë bëri Mormoni për ta shfaqur dashurinë e tij për të tjerët?
-
Këndoni një këngë së bashku rreth dashurisë për të tjerët, të tillë si “Jesus Said Love Everyone” [“Jezus’ Tha t’i Doni t’Gjith’”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 39), ndërkohë që paraqitni figura të fëmijëve nga anembanë botës. Dëshmoni për dashurinë e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij. Plotësojeni faqen e veprimtarisë së kësaj jave me fëmijët.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Mormoni 1:1–3; 2:1, 23–24; 3:1–3, 12, 17–22
Unë mund të jem i drejtë sikurse Mormoni.
Mormoni ishte shumë i vogël kur Amaroni e dalloi se ai do të ishte mjaft i përgjegjshëm për t’u kujdesur për analet e shenjta. Çfarë dhuntish të drejta shihni te fëmijët të cilëve u jepni mësim?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni secilin fëmijë të lexojë njërin prej fragmenteve vijuese dhe ndihmojini ata të tregojnë atë që mësojnë rreth Mormonit: Mormoni 1:1–3; 2:1, 23–24 dhe 3:1–3, 12, 20–22. Pastaj tregoni cilësitë e drejta që shihni te secili prej fëmijëve.
-
Paraqitni një figurë të Mormonit (shih figurën në përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ngaqë Mormoni ishte i përgjegjshëm dhe mjaft i mirëbesuar për t’i mbajtur e ruajtur analet nefite, ne e kemi sot Librin e Mormonit. Flitni me fëmijët se çfarë do të thotë të jesh i përgjegjshëm dhe njeri i mirëbesuar. Ftojini që të përsiatin mënyrat në të cilat ata mund të jenë më të përgjegjshëm.
Trishtimi sipas Perëndisë çon në ndryshim të vërtetë.
Mormoni pa se nefitët e ligj ishin të pikëlluar, por hidhërimi i tyre nuk ishte ai lloj trishtimi që do t’i frymëzonte ata të pendoheshin (shih Mormoni 2:13). Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë ndryshimin ndërmjet trishtimit sipas botës dhe trishtimit sipas Perëndisë që çon në pendim?
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruajini titujt vijues në tabelë: Trishtimi që çon në pendim dhe Trishtimi që nuk çon në pendim. Ftojini fëmijët që me radhë të lexojnë vargjet nga Mormoni 2:8, 10–15. Ndihmojini t’i shkruajnë gjërat që mësojnë rreth trishtimit nën titujt e duhur në tabelë. Si mund të sigurohemi që trishtimi që ndiejmë për mëkatet tona çon në ndryshim?
-
Ftojeni një anëtar të peshkopatës ose një prind të njërit prej fëmijëve t’i tregojë klasës se si trishtimi sipas Perëndisë mund të na ndihmojë të ndryshojmë që të jemi më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Përse është e rëndësishme të dallojmë nëse po ndiejmë trishtim sipas Perëndisë apo trishtim sipas botës? Ftojini fëmijët të kërkojnë te Mormoni 2:12 që të gjejnë arsyet përse pendimi duhet t’i bëjë “zemra[t tona] … të gëzohe[n]” (Mormoni 2:12).
Unë mund ta ndiej dashurinë e Atit Qiellor për të tjerët.
Shpesh është e lehtë t’i duash ata që na duan dhe janë si ne, por Mormoni tregoi se me ndihmë nga Ati Qiellor, ne mund t’i duam ata që besojnë e veprojnë ndryshe nga ne.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojeni një fëmijë të lexojë vargun te Mormoni 3:12 dhe ftojini fëmijët të shkruajnë një fjali që e përmbledh atë që mësojnë nga Mormoni rreth dashurisë për të tjerët. Ftojini fëmijët të tregojnë atë që shkruan. Si mund ta ndiejmë dashurinë që Perëndia ka për të tjerët? (Shih Moroni 7:48.) Çfarë mund të bëjmë për ta shfaqur dashurinë tonë për njerëzit në klasën tonë dhe në familjet tona?
-
Ftojini fëmijët ta plotësojnë faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Ndihmojini ata të mendojnë për mënyrat kuptimplote se si t’iu afrohemi me dashuri atyre që mund të jenë të ndryshëm nga ne.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Nxitini fëmijët ta paraqesin faqen e veprimtarisë së kësaj jave diku në shtëpi, kështu që atyre do t’u kujtohet të shfaqin dashuri për të tjerët. Jepuni mundësi në një orë të ardhshme mësimore që të tregojnë atë që bënë.