Eja, Më Ndiq
16–22 Nëntor. Ethëri 6–11: “Që e Keqja të Mund të Zhduket”


“16–22 Nëntor. Ethëri 6–11: ‘Që e Keqja të Mund të Zhduket’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“16–22 Nëntor. Ethëri 6–11”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

maunet jaredite në det

Unë do t’ju Nxjerr Përsëri nga Thellësitë, nga Jonathan Arthur Clarke

16–22 Nëntor

Ethëri 6–11

“Që e Keqja të Mund të Zhduket”

Idetë në këtë përvijim nuk janë udhëzime që duhet t’i ndiqni. Ato kanë qëllim që të bëhen shkëndijë për krijimtarinë tuaj dhe të ftojnë frymëzim.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Përdorni figura nga përvijimi i kësaj jave dhe i javës së fundit tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, për t’i ndihmuar fëmijët të përsëritin atë që kanë mësuar rreth kalimit të detit nga jareditët. Lërini që me radhë të tregojnë atë çfarë dinë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Ethëri 6:2–12

Ati Qiellor mund të më ngushëllojë kur jam i frikësuar.

Duhet të ketë qenë frikësuese për jareditët që të “shty[heshin] nga era mbi valët e detit” (Ethëri 6:5). Por Zoti i mbajti të sigurt ata dhe i ndihmoi. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të kthehen te Zoti kur ndihen të frikësuar?

Veprimtari të Mundshme

  • Duke përdorur fjalë dhe fraza nga Ethëri 6:2–12, përshkruajuni fëmijëve udhëtimin e jareditëve përmes detit. Ftojini fëmijët të bëjnë sikur po hipin në maune dhe sikur mauna e tyre po lëviz dhe po mbulohet nga dallgët. Si do të ishte po të qëndronim në një maune të vërtetë në ujëra të trazuara? Çfarë mund të bëjmë kur jemi të frikësuar? Lexojini së bashku vargjet 7 dhe 9 për të parë se çfarë bënë jareditët kur u frikësuan.

  • Tregoni për një rast kur ishit të frikësuar dhe Ati Qiellor ju ngushëlloi. Tregojuni fëmijëve një himn apo këngë që ju ndihmon ta “falëndero[ni] dhe lavdëro[ni] Zotin” (Ethëri 6:9) për ndihmën e Tij. Lërini fëmijët të thonë këngët e tyre të parapëlqyera të Fillores dhe t’i këndojnë së bashku disa prej tyre.

  • Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët që të bëjnë maune prej letre. Shpjegoni se maunet i ndihmuan jareditët të ishin të sigurt edhe kur ishin të rrethuar nga uji (shih Ethëri 6:7, 10). Çfarë na ka dhënë Ati Qiellor që të na mbajë të sigurt në udhëtimin tonë për t’u kthyer tek Ai?

Ethëri 6:9, 12, 30; 7:27; 10:2

Unë mund të jem falënderues.

Pasi mbërritën të sigurt në tokën e premtuar, jareditët ishin aq mirënjohës sa “derdhën lotë gëzimi” (Ethëri 6:12). Si mund të nxitni një shpirt falënderimi te fëmijët të cilëve u jepni mësim?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve fraza nga Ethëri 6:9 e 12 për t’u mësuar atyre mënyrën se si jareditët ia shfaqën mirënjohjen e tyre Zotit që i ndihmoi të mbërrinin në tokën e premtuar. Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra për të cilat janë mirënjohës. Këndoni së bashku, ashtu si bënë jareditët, një këngë që shpreh mirënjohje, të tillë si “I Thank Thee, Dear Father” [“T’Falënderoj Ty, At’ i Dashur”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 9).

  • Lexojuni fëmijëve nga Ethëri 10:2 për të treguar se edhe shumë vite më pas, jareditët e mbajtën mend se si Zoti i kishte ndihmuar paraardhësit e tyre ta kapërcenin oqeanin. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si i ka bekuar Zoti ata. Pastaj lërini fëmijët të bëjnë vizatime që të kujtohen për këto bekime (ose ndihmojini që të zgjedhin nga disa prej figurave që sillni, ndoshta nga një revistë Kishe).

Ethëri 7:24–27

Unë bekohem kur e ndjek profetin.

Libri i Ethërit e paraqet qartë se kur jareditët i ndoqën profetët, ata u bekuan; dhe kur i hodhën poshtë profetët, jeta e tyre u bë më e vështirë. Mendoni për mënyrat se si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se po e njëjta gjë është e vërtetë për ne.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një figurë të profetit të gjallë dhe pyetini fëmijët se çfarë dinë për të. Çfarë bën një profet? Shpjegoni se jareditët kishin profetë gjithashtu dhe kurdo që e ndoqën profetin, ata u bekuan dhe ishin të lumtur (shih Ethëri 7:24–27). Si mund ta ndjekim profetin?

  • Këndoni së bashku një këngë rreth profetëve, të tillë si “Follow the Prophet” [“Ndiqe Profetin”] (Children’s Songbook, f. 58; shih edhe Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 4–27, 67–87). Flitni me fëmijët rreth gjërave që profetët na kanë mësuar të bëjmë (për shembull, leximi i shkrimeve tona të shenjta çdo ditë, mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë ose shërbimi për të tjerët) dhe ftojini që të aktrojnë sikur po i binden asaj këshille kur ju thoni “Ndiqe profetin!”

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Ethëri 6:2–12

Unë mund t’i mirëbesoj Atit Qiellor që të më udhërrëfejë drejt jetës së përjetshme.

Rrëfimi i udhëtimit të jareditëve përmes detit mund të krahasohet me udhëtimin tonë përmes vdekshmërisë. Të dyja udhëtimet ndonjëherë janë të rrezikshme dhe kërkojnë besim se Zoti do të na udhërrëfejë dhe mbrojë.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku vargjet tek Ethëri 6:2–12, duke ndaluar shpesh në mënyrë që fëmijët të mund të bëjnë vizatime të asaj që po lexojnë. Si është udhëtimi i jareditëve sikurse jeta jonë? Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë dhe etiketojnë se cilat pjesë të ndryshme të vizatimeve të tyre mund të përfaqësojnë jetën tonë. Për shembull, jareditët mund të na përfaqësojnë ne. Maunet mund të përfaqësojnë shtëpinë tonë, Kishën ose ungjillin. Çfarë mund të përfaqësojë era, uji, gurët e ndritshëm dhe toka e premtuar?

  • Ndihmojini fëmijët të gjejnë fjalë dhe fraza tek Ethëri 6:2–12 që tregojnë se si jareditët i mirëbesuan Perëndisë. Paraqitni shembuj të mënyrës se si mbështetja te Perëndia ju ka ndihmuar gjatë periudhave të vështira në jetën tuaj. Nxitini fëmijët të tregojnë ndonjë përvojë të ngjashme që kanë pasur.

    jareditët duke udhëtuar me kafshë

    Udhëtimi i Jareditëve përmes Azisë, nga Minerva Teichert

Ethëri 6:30; 7:27; 10:2

Të kujtuarit e asaj që Zoti ka bërë për mua, më sjell paqe.

Një gjë që i dalloi mbretërit e drejtë jareditë nga të ligjtë, është se mbretërit e drejtë i “kujt[uan] gjërat e mëdha që Zoti kishte bërë” për ta (Ethëri 7:27). Si mund t’i frymëzoni fëmijët të kujtojnë atë që Zoti ka bërë për ta?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të lexojnë vargjet tek Ethëri 6:30, 7:27 e 10:2 individualisht ose në grupe të vogla dhe të gjejnë diçka që kanë të përbashkët këto vargje. Shprehni ndjenjat tuaja rreth asaj që ka bërë Zoti për ju dhe ftojini fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë.

  • Tregojuni fëmijëve se si përpiqeni t’i mbani mend mënyrat në të cilat Zoti ju ka bekuar ju dhe familjen tuaj. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund të kujtohen për atë që Zoti ka bërë për ta. Jepini secilit një fletë letre dhe ftojini të përsiatin e të shkruajnë diçka që Ai ka bërë për ta kohët e fundit. Sugjeroni që të krijojnë një zakon të rregullt të të shkruarit të bekimeve që vënë re nga Zoti.

Ethëri 9:28–35; 11:5–8

Zoti është i mëshirshëm kur unë pendohem.

Ndonëse jareditët shpesh i hodhën poshtë profetët dhe u bënë të ligj, Zoti i fali përherë ata kur e përulën veten e tyre dhe u penduan.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku vargjet nga Ethëri 9:28–35 dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë për tre ose katër fjali të shkurtra që e përmbledhin atë që ndodhi në këto vargje. Pastaj lexoni tek Ethëri 11:5–8 dhe ndihmojini fëmijët të përcaktojnë ngjashmëritë ndërmjet dy rrëfimeve. Çfarë mësojmë nga këto histori?

  • Kërkojuni fëmijëve të mendojnë rreth njerëzve të tjerë në Librin e Mormonit që e përulën veten dhe u falën. Përdorni figura nga Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose nga Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet për t’i ndihmuar që të kujtohen. Jepni dëshminë tuaj se Zoti na fal kur pendohemi me sinqeritet.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’u tregojnë familjeve të tyre diçka që ka bërë Ati Qiellor për ta, për të cilën janë mirënjohës.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët të jenë krijues. “Teksa u jepni mësim fëmijëve, lejojini të ndërtojnë, vizatojnë, ngjyrosin, shkruajnë dhe krijojnë. Këto gjëra janë më shumë sesa veprimtari argëtuese – ato janë thelbësore për të mësuarin” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25).