“9–15 Nëntor. Ethëri 1–5: ‘Grisni Atë Vel të Mosbesimit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“9–15 Nëntor. Ethëri 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
9–15 Nëntor
Ethëri 1–5
“Grisni Atë Vel të Mosbesimit”
Libri i Ethërit është anali i jareditëve, të cilët mbërritën në tokën e premtuar shekuj përpara nefitëve. Perëndia e frymëzoi Moronin ta përfshinte analin e Ethërit në Librin e Mormonit për shkak të rëndësisë së tij për kohën tonë. Si e ndieni se ai është i rëndësishëm për jetën tuaj?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ndërkohë që është e vërtetë se udhët e Perëndisë janë më të larta se tonat dhe ne duhet gjithmonë t’i nënshtrohemi vullnetit të Tij, Ai gjithashtu na nxit të mendojmë e të veprojmë për veten tonë. Ky është një mësim që e mësuan Jaredi dhe vëllai i tij. Për shembull, ideja e udhëtimit drejt një vendi të ri që ishte “[i] zgjedhur në të gjithë tokën”, dukej se filloi në mendjen e Jaredit dhe Zoti “pati dhembshuri” dhe premtoi se do ta plotësonte kërkesën, duke thënë: “Këtë, unë do ta bëj për ty, për shkak të kësaj kohe të gjatë që më je lutur” (shih Ethëri 1:38–43). Dhe kur vëllai i Jaredit e kuptoi se sa errësirë ishte brenda mauneve që do t’i çonin drejt tokës së tyre të premtuar, Zoti e ftoi të sugjeronte një zgjidhje, duke bërë një pyetje që ne zakonisht ia bëjmë Atij: “Ç’do që të bëj?” (Ethëri 2:23.) Mesazhi duket që është se ne nuk duhet të presim që Perëndia të na urdhërojë për të gjitha gjërat. Ne mund t’i tregojmë Atij mendimet e idetë tona dhe Ai do të dëgjojë e japë miratimin e Tij ose edhe të na këshillojë tjetërsoj. Nganjëherë e vetmja gjë që na ndan nga bekimet që kërkojmë, është “vel[i ynë i] mosbesimit” dhe nëse mund ta “gris[im] atë vel” (Ethëri 4:15), ne mund të habitemi nga ajo që Zoti është i gatshëm të bëjë për ne.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Ndërsa i lutem Zotit, Ai do të ketë dhembshuri për mua.
Ethëri 1:33–43 tregon për tri lutje të vëllait të Jaredit. Çfarë mësoni nga përgjigjja e Zotit për secilën prej këtyre lutjeve? Mendoni për një rast kur ju e keni përjetuar dhembshurinë e Zotit ndërsa i thirrët Atij në lutje. Mund të doni ta shënoni këtë përvojë dhe t’ia tregoni dikujt që mund të ketë nevojë ta dëgjojë dëshminë tuaj.
Unë mund të marr zbulesë për jetën time.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë. … Zgjidhni të bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta pasur dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për ta dëgjuar zërin e Shpirtit më shpesh e më qartë” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 96).
Ndërsa i studioni vargjet tek Ethëri 2; 3:1–6 dhe 4:7–15, çfarë të vërtetash gjeni që ju ndihmojnë ta kuptoni se si të kërkoni zbulesë vetjake? Ju mund të shenjoni me një ngjyrë pyetjet ose shqetësimet që pati vëllai i Jaredit dhe atë që bëri për to, dhe me një ngjyrë tjetër ju mund të shenjoni mënyrën se si Zoti e ndihmoi dhe ia bëri të njohur vullnetin e Tij. Çfarë ju bën përshtypje rreth mënyrës se si vëllai i Jaredit bisedoi me Zotin dhe çfarë mësoni nga kjo rreth mënyrës se si ta shtoni rrjedhjen e zbulesës në jetën tuaj?
Zoti do të më përgatitë që ta kapërcej “thellësi[në e] madhe”.
Për të arritur tek toka e premtuar, jareditët u përballën me një pengesë të madhe: kapërcimin e “thellësi[së së] madhe” (Ethëri 2:25). Fraza “thellësi [e] madhe” mund të jetë një mënyrë e përshtatshme për të përshkruar se si ndihemi nganjëherë për sprovat dhe sfidat tona. Dhe nganjëherë, si në rastin e jareditëve, kapërcimi i vetë “thellësi[së sonë] të madhe” është e vetmja mënyrë për ta përmbushur vullnetin e Perëndisë për ne. A shihni ngjashmëri në jetën tuaj me vargjet tek Ethëri 2:16–25? Si ju ka përgatitur Zoti për sfidat tuaja? Çfarë mund t’ju kërkojë Ati të bëni tani që të përgatiteni për atë që Ai ka nevojë që ju të bëni në të ardhmen?
Unë jam krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.
Në malin Shelem vëllai i Jaredit mësoi shumë për Perëndinë dhe për veten e tij. Çfarë mësoni nga Ethëri 3 rreth natyrës shpirtërore dhe fizike të Perëndisë? Si ju ndihmojnë këto të vërteta që ta kuptoni identitetin dhe potencialin tuaj hyjnor?
A ishte vëllai i Jaredit njeriu i parë që e pa Zotin?
Pasi Perëndia ua ka shfaqur veten e Tij profetëve të tjerë përpara vëllait të Jaredit (për shembull, shih Moisiu 7:4, 59), përse Zoti i tha atij: “Kurrë unë nuk i jam shfaqur njeriut”? (Ethëri 3:15.) Plaku Xhefri R. Holland ofroi këtë shpjegim të mundshëm: “Krishti po i thoshte vëllait të Jaredit: ‘Kurrë nuk i jam shfaqur njeriut në këtë mënyrë, pa dëshirën time, i nxitur vetëm nga besimi i shikuesit’” (Christ and the New Covenant [1997], f. 23).
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Ethëri 1:34–37
Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth lutjes për të tjerët? Çfarë të vërtetash të tjera rreth lutjes ilustrojnë këto vargje?
Ethëri 2:16–3:6
Çfarë na mëson shembulli i vëllait të Jaredit rreth mënyrës se si të gjejmë përgjigje për problemet dhe pyetjet tona? Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të tregojnë përvoja kur ata kërkuan dhe morën përgjigje nga Zoti.
Ethëri 4:11–12
Pas leximit të këtyre vargjeve, pjesëtarët e familjes mund të shkruajnë në fletë letre disa gjëra të përditshme që ndikojnë në familjen tuaj (të tilla si filma, këngë, lojëra ose njerëz) dhe t’i vendosin fletët në një tas. Më pas ata mund ta bëjnë me radhë duke marrë një fletë dhe duke diskutuar nëse i “bind [ata] të bëjnë mirë” (Ethëri 4:12). Çfarë ndryshimesh ndihet e frymëzuar të bëjë familja juaj?
Ethëri 5
Ju mund ta fshihni një send ose një ëmbëlsirë në një kuti dhe ta ftoni një pjesëtar të familjes të shohë brenda saj dhe t’i japë të dhëna kyç pjesës tjetër të familjes për t’i ndihmuar që të hamendësojnë se çfarë gjendet në kuti. Ndërkohë që lexoni së bashku kapitullin tek Ethëri 5, diskutoni përse është e rëndësishme që Zoti të përdorë dëshmitarë në punën e Tij. Si mund t’ua japim të tjerëve dëshminë tonë për Librin e Mormonit?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.