Doktrina e Besëlidhje 2021
1–7 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 10–11: “Që të Mund të Dalësh Fitues”


“1–7 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 10–11: ‘Që të Mund të Dalësh Fitues’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“1–7 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 10–11”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

dorëshkrimi i Librit të Mormonit

Kopje e dorëshkrimit origjinal të Librit të Mormonit.

1–7 Shkurt

Doktrina e Besëlidhje 10–11

“Që të Mund të Dalësh Fitues”

Shënimi i mbresave ndërsa lexojmë shkrimet e shenjta është si mbjellja e farave; madje edhe mbresat e vogla mund të çojnë drejt zbulesës vetjake, domethënëse.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ndërsa përkthimi i Librit të Mormonit përparonte, natyrisht që doli një pyetje: “Çfarë duhej të bënin Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri për ato faqe të përkthimit që kishin humbur?” Veprimi logjik mund të ishte kthimi pas dhe ripërkthimi i asaj pjese, por Zoti mund të shihte diçka që ata nuk mund ta shihnin – njerëz të ligj po komplotonin për t’i ndryshuar fjalët në ato faqe që të ngjallnin dyshime mbi punën e frymëzuar të Jozefit. Perëndia kishte një plan që t’i demaskonte përpjekjet e Satanit dhe të zhdëmtonte për atë që kishte humbur. Ky plan filloi mijëra vite më parë kur profeti Nefi u ndje i frymëzuar për të krijuar një anal të dytë që të trajtonte të njëjtën periudhë kohore. Më vonë, Mormoni u frymëzua që ta përfshinte këtë anal te Libri i Mormonit “për një synim të urtë” që Zoti e dinte (shih Fjalët e Mormonit 1:3–7).

“Urtësia ime”, i tha Zoti Jozefit, “është më e madhe se djallëzia e djallit” (Doktrina e Besëlidhje 10:43). Ky është një mesazh sigurues në një kohë si kjo e jona, kur përpjekjet e vazhdueshme të kundërshtarit për ta dobësuar besimin po shtohen. Ashtu si Jozefi, ne mund të jemi “besnik[ë] dhe të vazhdo[jmë]” në veprën që Perëndia na ka thirrur që të bëjmë (vargu 3). Atëherë ne do të zbulojmë se Ai tashmë na ka siguruar një mënyrë kështu që “portat e ferrit nuk do të triumfojnë” ndaj nesh (vargu 69).

Shih Shenjtorët, 1:51–61.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 10:1–33

Satani kërkon ta shkatërrojë veprën e Perëndisë.

Satani do të parapëlqente që ne të harrojmë se ai ekziston – ose të paktën të mos arrijmë t’i dallojmë përpjekjet e tij për të ndikuar te ne (shih 2 Nefi 28:22–23). Por fjalët e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 10 zbulojnë se Satani është në kundërshtim të vazhdueshëm dhe veprues ndaj veprës së Perëndisë. Ndërsa lexoni vargjet 1–33, identifikoni se si Satani kërkoi ta shkatërronte veprën e Perëndisë në kohën e Jozef Smithit (shih edhe vargjet 62–63). Çfarë ngjashmërish shihni te mënyrat se si punon Satani sot? Ju mund t’i kërkoni Zotit t’ju ndihmojë të shihni se si Satani mund t’ju tundojë. Çfarë mësoni nga seksioni 10 që mund t’ju ndihmojë t’u bëni ballë përpjekjeve të Satanit?

Doktrina e Besëlidhje 10:34–52

“Urtësia [e Zotit] është më e madhe se djallëzia e djallit.”

Më shumë se 2 400 vjet më parë, Zoti u përgatit që të zhdëmtonte për faqet e humbura të Librit të Mormonit (shih 1 Nefi 9). Çfarë mësoni për Zotin nga Doktrina e Besëlidhje 10:34–52? Çfarë provash të urtësisë dhe njohurisë paraprake të Zotit keni parë në jetën tuaj?

Anali që Perëndia e përgatiti për të zëvendësuar dorëshkrimin e humbur, gjendet tani te 1 Nefi deri tek Omni. Si mund t’ju kenë “[dhënë] kuptim më të madh [për] ungjilli[n]” historitë dhe mësimet në këtë anal? (Doktrina e Besëlidhje 10:45.)

Mormoni duke përmbledhur fletët e arta

Mormoni duke Përmbledhur Fletët, nga Tom Lovell

Doktrina e Besëlidhje 11

Nëse i kërkoj Perëndisë, unë do të marr.

Disa nga pjesëtarët e familjes dhe miqtë e Jozef Smithit i kërkuan atij që të kërkonte vullnetin e Zotit në emër të tyre. Jozefi ishte i lumtur që ta bënte atë, por Zoti ishte gjithashtu i gatshëm t’u jepte atyre zbulesë vetjake. Te Doktrina e Besëlidhje 11, një zbulesë që mori Jozefi për vëllanë e tij më të madh, Hajrëmin, Zoti tha: “Unë do të të jap nga Shpirti im, … dhe atëherë ti do të dish … gjithë gjërat, cilatdo që dëshiron prej meje” (Doktrina e Besëlidhje 11:13–14).

Zoti tha se fjalët e Tij ishin për “[të] gjithë at[a] që kanë dëshira të mira dhe e kanë shtyrë drapërin e tyre për të korrur” (vargu 27). Te Doktrina e Besëlidhje 11, çfarë po përpiqet t’ju thotë Zoti rreth zbulesës vetjake? Rreth pjesëmarrjes në veprën e Perëndisë? Çfarë mesazhesh të tjera ka Ai për ju?

Doktrina e Besëlidhje 11:15–26

Ndërsa kërkoj të “fito[j] fjalën [e Perëndisë]”, unë do të marr Shpirtin dhe fuqinë e Tij.

Madje përpara se Libri i Mormonit të përkthehej, Hajrëm Smithi ishte i entuziazmuar për ta predikuar ungjillin. Ndërsa lexoni përgjigjen e Zotit ndaj dëshirave të tij, merrni parasysh se çfarë do të thotë për ju ta “fitosh fjalën [e Perëndisë]” (vargu 21). Si ju ndihmon fitimi i fjalës së Perëndisë që të shërbeni në Kishë? Si e sjell ai fuqinë e Perëndisë në jetën tuaj?

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 10:5.Çfarë mësojmë nga ky varg për fuqinë e lutjes? Përse “lut[emi] gjithmonë”? (Për më shumë ide, shih Dejvid A. Bednar, “Lutuni Kurdoherë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 41–44.)

Doktrina e Besëlidhje 10:38–46.Për ta ndihmuar familjen tuaj që të diskutojë se si Zoti zhdëmtoi për faqet e humbura të përkthimit të Librit të Mormonit, ndoshta pjesëtarët e familjes mund të flasin rreth diçkaje që e kanë humbur kohët e fundit. Si u ndien ata kur zbuluan se ajo kishte humbur? Si u ndien ata kur e gjetën atë? Edhe pse faqet e humbura të Librit të Mormonit nuk u gjetën asnjëherë, si e zhdëmtoi Zoti atë që humbi, sipas vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 10:38–46?

Doktrina e Besëlidhje 10:55–70.Ftojini pjesëtarët e familjes të gjejnë ose të shenjojnë fraza që fillojnë me “Unë jam”, “Unë do të”, “Unë do t’i” ose “Unë do t’u”. Çfarë mësojmë nga frazat “Unë jam” rreth asaj se kush është Jezu Krishti dhe si është Ai? Çfarë mësojmë nga frazat “Unë do të”, “Unë do t’i” ose “Unë do t’u” rreth asaj që Ai bën? Nxitini pjesëtarët e familjes të tregojnë se si këto të vërteta e forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti.

Doktrina e Besëlidhje 11:12–14.Leximi i këtyre vargjeve mund t’i ndihmojë pjesëtarët e familjes suaj ta dallojnë se kur Shpirti po komunikon me ta. Ju mund të ndizni një elektrik dore në dysheme dhe ta ftoni një pjesëtar të familjes të shkojë atje ku ndriçon drita. Si është kjo e ngjashme me ndjekjen e udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë? Cilat përvoja vetjake mund të tregoni?

Doktrina e Besëlidhje 11:15–30.Merrni parasysh të bëni një listë të gjërave që Zoti i tha Hajrëm Smithit të bënte kështu që ai të mund të ishte gati për ta përhapur ungjillin. Për çfarë duhet të punojmë si familje?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Kërko, Përsiat dhe Lutu”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66; shih “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Zbatojini shkrimet e shenjta në jetën tuaj. Pas leximit të një fragmenti të shkrimeve të shenjta, kërkojuni pjesëtarëve të familjes që të tregojnë mënyra se si mesazhi gjen zbatim në jetën e tyre. Për shembull, ata mund të tregojnë se si Shpirti ka ndikuar tek ta në mënyrat që përshkruhen te Doktrina e Besëlidhje 11:12–13.

Jozef dhe Hajrëm Smithi

Jozef dhe Hajrëm Smithi, nga Ken Corbett