“15–21 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 14–17: ‘Qëndro si Dëshmitar’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“15–21 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 14–17”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
15–21 Shkurt
Doktrina e Besëlidhje 14–17
“Qëndro si Dëshmitar”
Familja dhe miqtë e Jozef Smithit nganjëherë i kërkonin atij që të kërkonte zbulesë rreth asaj çfarë Perëndia donte që ata të bënin. Ndërsa i lexoni këto zbulesa, merrni parasysh se çfarë drejtimi ka Perëndia për ju.
Shënojini Mbresat Tuaja
Edhe pse puna e përkthimit po ecte mirë, nga maji i 1829-ës situata në Harmoni ishte bërë edhe më e vështirë për Jozefin, Emën dhe Oliverin. Armiqësia nga fqinjët po rritej ndërsa përkrahja nga familja e Emës po venitej. Duke ndier se Harmonia nuk ishte më një vend i sigurt, Oliveri u vu në kontakt me një mik i cili kishte shprehur interes në punën e Jozefit: Dejvid Uitmerin. Dejvidi jetonte me prindërit dhe motrat e vëllezërit e tij në Fajet të Nju-Jorkut, rreth 160 kilometra larg. Ai e kishte takuar Oliverin një vit më parë dhe që nga ajo kohë Oliveri i kishte shkruar atij disa letra, duke treguar përvojat e tij të punës me Profetin. As Dejvidi dhe as ndonjë njeri në familjen e tij nuk e kishin takuar ndonjëherë Jozefin. Por kur Oliveri pyeti nëse ai dhe Jozefi mund të shpërnguleshin në shtëpinë e Uitmerit për të përfunduar përkthimin e Librit të Mormonit, familja Uitmer me gatishmëri i hapi dyert. Dhe Zoti kishte më shumë gjëra në ruajtje për familjen Uitmer sesa thjesht të strehonte Profetin. Ai kishte disa udhëzime të veçanta për ta, të cilat gjenden te Doktrina e Besëlidhje 14–17, dhe me kalimin e kohës ata do të bëheshin një nga familjet themeluese të Kishës dhe dëshmitarë të Rivendosjes që po shpalosej.
Për më shumë informacion rreth familjes Uitmer, shih Saints [Shenjtorët], 1:68–71.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Unë mund të marr pjesë në “punë[n] e madhe dhe [të] mrekullueshme” të Perëndisë.
Kur e takoi Jozef Smithin, Dejvid Uitmeri ishte një i ri i përkushtuar ndaj punës së tij në fermën e familjes. Por Zoti kishte në mendje një punë të ndryshme për Dejvidin – ndonëse në njëfarë mënyre ishte pak si bujqësia. Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 14:1–4, vini re se si Zoti e krahason punën e Tij me llojin e punës që njihte Dejvidi. Çfarë mësoni për punën e Zotit nga ky krahasim?
Si mundet që ju “t[a] shty[ni] drapërin [tuaj]”? (Vargu 4.) Vini re premtimet që jepen gjatë gjithë këtij seksioni për ata që “kërko[jnë] të sjell[in] dhe të ndërt[ojnë] Sionin” (vargu 6).
Fjala e Perëndisë është “e gjallë dhe e fuqishme”.
Zoti e krahasoi fjalën e Tij me një “shpatë me dy tehe” (Doktrina e Besëlidhje 14:2). Çfarë ju sugjeron ky krahasim për fjalën e Perëndisë? Për shembull, si është fjala e Tij e gjallë, e fuqishme dhe e mprehtë? Si e keni përjetuar ju fuqinë e fjalës së Perëndisë?
Merrni parasysh mënyra të tjera se si Perëndia e përshkruan fjalën e Tij. Për shembull, çfarë mësoni ju rreth fjalës së Perëndisë nga krahasimet në fragmentet vijuese?
Jeta e përjetshme është “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”.
Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 14:7, përsiatni se përse jeta e përjetshme është “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”. Kjo pikëpamje nga Presidenti Rasëll M. Nelson mund të ndihmojë: “Për shkak të planit të madh të Perëndisë për lumturinë, familjet mund të vulosen në tempuj dhe të përgatiten që të kthehen për të banuar në praninë e Tij të shenjtë përgjithmonë. Kjo është jeta e përjetshme!” (“Falë i Qoftë Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 77.)
Merrni parasysh të shtoni referencat-kryq te vargu 7 që ju ndihmojnë të kuptoni më shumë për jetën e përjetshme (shih “Jetë e Përjetshme” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Çfarë mësoni që ju frymëzon të përpiqeni fort për jetën e përjetshme?
Sjellja e shpirtrave te Krishti është me vlerë të madhe.
Që të dy, Xhon dhe Piter Uitmeri, donin të dinin se çfarë “do të [ishte] më me vlerë” në jetën e tyre (Doktrina e Besëlidhje 15:4; 16:4). A e keni menduar ndonjëherë këtë për veten tuaj? Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 15–16, përsiatni se përse sjellja e shpirtrave te Krishti është me vlerë kaq të madhe. Si mund t’i ftoni shpirtrat te Krishti?
Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 18:10–16.
Zoti përdor dëshmitarë për të vendosur fjalën e Tij.
Çfarë është një dëshmitar? Përse Zoti përdor dëshmitarë në punën e Tij? (Shih 2 Korintasve 13:1.) Përsiatini këto pyetje ndërsa lexoni fjalët e Perëndisë drejtuar Tre Dëshmitarëve te Doktrina e Besëlidhje 17. Gjithashtu mund të jetë e dobishme që të shqyrtoni pjesën “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” te Libri i Mormonit. Si ndihmojnë dëshmitarët në plotësimin e “qëllime[ve] … të drejta” të Perëndisë? (Vargu 4.)
A e dini se Meri Uitmeri gjithashtu mori një dëshmi për fletët e arta? Engjëll Moroni ia tregoi ato asaj si shenjë mirënjohjeje për sakrificat që ajo bëri, ndërkohë që Jozefi, Ema dhe Oliveri po jetonin në shtëpinë e saj (shih Saints [Shenjtorët], 1:70–71). Çfarë mësoni nga përvoja e saj rreth marrjes së një dëshmie?
Shih edhe Saints [Shenjtorët], 1:73–75; Ulises Soares, “Dalja në Dritë e Librit të Mormonit”, Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 32–35.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 14:1–4.Merreni parasysh ta ftoni familjen tuaj të gjejë fraza që lidhen me bujqësinë në këto vargje. Përse Zoti mund ta krahasojë punën e Tij me një korrje? Çfarë mund të bëjmë ne për të ndihmuar në punën e Tij?
-
Doktrina e Besëlidhje 14:2.Veprimtaria për këtë varg te pjesa “Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta”, rendit disa fragmente të shkrimeve të shenjta rreth fjalës së Perëndisë. Ndoshta pjesëtarët e familjes mund t’i lexojnë ato dhe të tregojnë se çfarë mësojnë. Si na frymëzojnë këto fragmente të shkrimeve të shenjta që “[t’ia] v[ëmë] veshin” fjalës së Perëndisë?
-
Doktrina e Besëlidhje 15:6; 16:6.Këto vargje mund të frymëzojnë një bashkëbisedim rreth gjërave që janë më me vlerë për familjen tuaj (shih edhe Doktrina e Besëlidhje 18:10).
-
Doktrina e Besëlidhje 17.Familjes suaj mund t’i pëlqejë të vizatojë figura të çdo sendi që panë Tre Dëshmitarët (shih vargun 1). Ndërsa lexoni seksionin 17, kërkoni fraza që na mësojnë rreth rëndësisë së Librit të Mormonit. Si mund të jemi dëshmitarë të Librit të Mormonit? Familja juaj mund të shohë gjithashtu materialin filmik “A Day for the Eternities” [“Një Ditë për Përjetësitë”] (ChurchofJesusChrist.org).
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj”, Himne, nr. 173.
Zëra të Rivendosjes
Lusi Mek Smithi, Tre dhe Tetë Dëshmitarët
Engjëlli Moroni ua tregoi fletët e arta Jozef Smithit, Oliver Kaudërit, Dejvid Uitmerit dhe Martin Harrisit në pyllin afër shtëpisë së familjes Uitmer në Fajet të Nju-Jorkut. Në atë kohë prindërit e Jozefit po vizitonin familjen Uitmer. Lusi Mek Smithi, nëna e Jozefit, përshkroi efektin që pati te dëshmitarët kjo përvojë e mrekullueshme:
“Ora ishte rreth tre ose katër e mëngjesit. Znj. Uitmer, Z. Smith dhe unë ishim ulur në dhomën e gjumit. Unë u ula në anë të shtratit. Kur Jozefi hyri, ai u lëshua pranë meje. ‘Baba! Nënë!’, tha ai. ‘Ju nuk e dini sa i lumtur jam. Zoti ka bërë që fletët t’u tregohen edhe tre të tjerëve përveç meje, të cilët gjithashtu kanë parë një engjëll dhe do të dëshmojnë për të vërtetën e asaj që kam thënë. Sepse ata e dinë vetë se unë nuk po përpiqem t’i mashtroj njerëzit. Dhe unë ndihem vërtet sikur u lehtësova nga një barrë e lemerishme, që ishte thuajse tepër e madhe për mua që ta duroja. Por tani ata do të duhet të mbajnë një pjesë dhe më gëzon shpirtin se nuk do të jem më plotësisht i vetëm në botë.’ Pastaj hyri Martin Harrisi. Dukej gati i pushtuar nga gëzimi i tepërt. Ai më pas dëshmoi për atë që kishte parë dhe kishte dëgjuar, ashtu siç bënë edhe të tjerët, Oliveri dhe Dejvidi. Dëshmia e tyre ishte e njëjta në përmbajtje me atë që gjendet te Libri i Mormonit. …
Martin Harrisi, veçanërisht, dukej krejtësisht i paaftë për t’i shprehur ndjenjat e tij me fjalë. Ai tha: ‘Tani kam parë një engjëll nga Qielli, i cili me siguri ka dëshmuar për të vërtetën e gjithçkaje që kam dëgjuar në lidhje me analin, dhe sytë e mi e kanë parë atë engjëll. I kam parë edhe fletët, i mbajta ato në duart e mia dhe mund t’i dëshmoj të gjithë botës të njëjtën gjë. Por unë kam marrë për vete një dëshmi që fjalët nuk mund ta shprehin, që asnjë gjuhë nuk mund ta përshkruajë dhe unë e bekoj Perëndinë me çiltërsinë e shpirtit tim që ka denjuar të më bëjë mua, madje mua, një dëshmitar të madhështisë së veprës dhe planeve të Tij në emër [të] fëmijëve të njerëzve.’ Oliveri dhe Dejvidi gjithashtu u bashkuan me të në lëvdatat solemne ndaj Perëndisë për mirësinë dhe mëshirën e Tij. Ne u kthyem në shtëpi [në Palmira, Nju-Jork] të nesërmen, në një shoqëri të gëzueshme dhe ngazëlluese.”1
Lusi Mek Smithi ishte gjithashtu e pranishme kur të Tetë Dëshmitarët u kthyen nga përvoja e tyre:
“Pasi këta dëshmitarë u kthyen në shtëpi, engjëlli iu shfaq sërish Jozefit; kohë në të cilën Jozefi i dorëzoi fletët në duart e tij. Atë mbrëmje zhvilluam një mbledhje, në të cilën të gjithë dëshmitarët dhanë dëshmi për faktet e lartpërmendura; dhe e gjithë familja jonë, madje edhe Don Karlos [Smithi] i cili ishte vetëm 14 vjeç, dëshmoi për të vërtetën e periudhës ungjillore të ditëve të mëvonshme – e cila në atë kohë kishte filluar plotësisht.”2