“15–21 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 14–17: ‘Qëndro si Dëshmitar’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“15–21 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 14–17”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021
15–21 Shkurt
Doktrina e Besëlidhje 14–17
“Qëndro si Dëshmitar”
Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të qëndrojnë si dëshmitarë të ungjillit? Veprimtaritë në këtë përvijim të mësimit mund t’ju japin ide.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Merreni parasysh t’i ftoni disa fëmijë që të tregojnë diçka të cilën e mësuan këtë javë, në shtëpi ose në Fillore, që besojnë se është e vërtetë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund ta ndihmoj Zotin për ta bërë punën e Tij.
Merreni parasysh se si fjalët e Zotit drejtuar Dejvid Uitmerit mund t’i ndihmojnë fëmijët ta kuptojnë se si mund të marrin pjesë në punën e Perëndisë.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni shkurtimisht disa hollësi rreth familjes Uitmer (shih Shenjtorët, 1:68–71 ose përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Për shembull, tregoni kush ishte Dejvid Uitmeri dhe mënyrën se si ai dhe familja e tij e ndihmuan Jozef Smithin teksa po përkthente Librin e Mormonit.
-
Ndihmojini fëmijët të kuptojnë krahasimet mes punës në një fushë dhe pjesëmarrjes në “punë[n] e madhe dhe [të] mrekullueshme” të Perëndisë (vargu 1). Për shembull, mbledhja e të korrave mund të simbolizojë sjelljen e shpirtrave te Krishti. Mund të shfaqni figurën e një fermeri, të sillni veshje fermeri që t’i provojnë fëmijët, ose të diskutoni për detyrat e përditshme që kryejnë fermerët. Shpjegoni se Dejvid Uitmeri ishte një fermer që dëshironte të dinte se si mund ta ndihmonte Zotin. Lexojuni fëmijëve vargjet te Doktrina e Besëlidhje 14:3–4 dhe ndihmojini ata ta zbulojnë se çfarë i tha Zoti të bënte Dejvid Uitmerit. Si mund të ndihmojmë në punën e Zotit?
-
Përdorni një dhuratë për t’u dhënë mësim fëmijëve rreth dhuratës së jetës së përjetshme nga Perëndia. Për shembull, tregojuni fëmijëve një dhuratë me një letër brenda ku lexohet “Jet[a] e Përjetshme” (Doktrina e Besëlidhje 14:7). Lëreni një fëmijë ta heqë letrën mbështjellëse të dhuratës dhe të lexojë vargun te Doktrina e Besëlidhje 14:7 me zë të lartë. Tregoni se jeta e përjetshme do të thotë që të jetosh përgjithmonë me Perëndinë dhe të jesh si Ai. Jepeni dëshminë tuaj për bekimet e zbatimit të urdhërimeve dhe marrjes së jetës së përjetshme.
Doktrina e Besëlidhje 15:6; 16:6
Unë mund t’i ndihmoj të tjerët t’i afrohen më shumë Jezu Krishtit.
Xhon Uitmeri dhe Pitër Uitmeri i Riu ishin vëllezërit e Dejvid Uitmerit. Njësoj si Dejvidi, ata dëshironin të dinin se si mund ta ndihmonin Zotin. Ai u kërkoi atyre që ta ndihmonin të “s[illte] shpirtra” tek Ai.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të përshkruajnë diçka që është e rëndësishme ose me vlerë për ta (të tillë si një lodër, një libër ose një lojë). Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 15:6 ose 16:6 dhe kërkojuni fëmijëve t’i ngrenë duart kur të dëgjojnë atë për të cilën Zoti tha se është gjëja “më me vlerë”.
-
Me fëmijët, bëni një listë të mënyrave në të cilat ata mund ta ndihmojnë dikë që ta ndjekë Jezu Krishtin, të tilla si duke qenë shok/shoqe me të tjerët, duke i treguar shkrimet e shenjta një shoku/shoqeje ose duke u lutur për dikë në nevojë. Për t’iu dhënë ide fëmijëve, mund të paraqitni disa figura që lidhen me ato nga revistat e Kishës ose nga Libri i Figurave Artistike të Ungjillit. Ose fëmijët mund të bëjnë vetë vizatimet e tyre. Ftojini ata të provojnë diçka nga lista e tyre gjatë javës.
Unë mund të jem një dëshmitar/e i/e gjërave që Perëndia ka bërë për mua.
Dejvid Uitmeri u bë një nga Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit dhe katër nga vëllezërit e tij qenë mes Tetë Dëshmitarëve. Ashtu si Dejvidi dhe vëllezërit të tij, secili prej nesh mund të “qëndro[jë] si dëshmitar” i së vërtetës (Doktrina e Besëlidhje 14:8).
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve rreth Tre dhe Tetë Dëshmitarëve (shih “Kapitulli 7: Dëshmitarët Shikojnë Fletët e Arta” [Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 31–33] ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Ftojini fëmijët të vizatojnë një figurë të dëshmitarëve duke parë fletët.
-
Ftojini fëmijët ta ngjyrosin faqen e veprimtarisë së kësaj jave dhe ta përdorin atë për të treguar ngjarjen për Tre Dëshmitarët.
-
Mbani lart një kopje të Librit të Mormonit dhe lexojuni fëmijëve rreshtin e fundit te Doktrina e Besëlidhje 17:6: “Ashtu si Zoti juaj dhe Perëndia juaj jeton, ky është i vërtetë”. Tregojuni fëmijëve se si e dini që Libri i Mormonit është i vërtetë. Ftojini fëmijët të bëhen dëshmitarë të Librit të Mormonit duke e lexuar dhe u lutur për të ditur a është i vërtetë dhe më pas duke ua treguar dëshminë e tyre të tjerëve.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund ta ndihmoj Zotin për ta bërë punën e Tij.
Teksa i diskutoni zbulesat drejtuar vëllezërve Uitmer, mund të tregoni disa mënyra se si Zoti e fton secilin prej nesh ta ndihmojë Atë në punën e Tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni histori që ndieni se do të jenë frymëzuese për fëmijët, rreth Dejvid Uitmerit dhe familjes së tij (shih Shenjtorët, 1:68–71). Si e përdori Zoti familjen Uitmer që ta ndihmonte për të ndërtuar mbretërinë e Tij?
-
Në shirita letre, shkruani pyetje të thjeshta dhe shkrime të shenjta të lidhura me to nga Doktrina e Besëlidhje 14–16. Për shembull: Si është fjala e Perëndisë? (14:2.) Cila është dhurata më e madhe e Perëndisë? (14:7.) Çfarë tha Zoti se është me vlerë të madhe? (15:6; 16:6.) Ftojeni çdo fëmijë të përzgjedhë një pyetje dhe të gjejë përgjigje te vargjet.
-
Shkruani dy krerë në tabelë: Puna në Fermë dhe Puna e Zotit. Ndihmojini fëmijët të bëjnë kërkime te Doktrina e Besëlidhje 14:3–4 për fraza që lidhen me punën në fermë, dhe shkruajini ato nën kreun e parë. Çfarë na mësojnë këto fraza rreth punës së Perëndisë? Shkruajini përgjigjet e fëmijëve nën kreun e dytë. Si mund të ndihmojmë për punën e Zotit?
Unë mund të jem një dëshmitar/e i/e gjërave që Perëndia ka bërë për mua.
Te Doktrina e Besëlidhje 17, Zoti u tha Oliver Kaudërit, Dejvid Uitmerit dhe Martin Harrisit që ata do të ishin Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit. Ndihmojini fëmijët të mësojnë se si edhe ata mund të jenë dëshmitarë të së vërtetës.
-
Ftojeni një fëmijë të vijë i përgatitur që të tregojë ngjarjen e Tre Dëshmitarëve (shih “Kapitulli 7: Dëshmitarët Shikojnë Fletët e Arta” [Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 31–33], ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Çfarë mund të mësojmë nga ky tregim rreth mënyrës se si të jemi dëshmitarë trima? Mund të shfaqni edhe përzgjedhje nga materiali filmik “A Day for the Eternities” [“Një Ditë për Përjetësitë”] (ChurchofJesusChrist.org; pjesa rreth Tre Dëshmitarëve fillon rreth minutës 15:00).
-
Lexojeni së bashku premtimin e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 17:1–3 dhe ndihmojini fëmijët ta gjejnë përmbushjen e Tij te “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” te Libri i Mormonit.
-
Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 17:3–5 për të zbuluar se çfarë iu kërkua të bënin Oliver Kaudërit, Martin Harrisit dhe Dejvid Uitmerit pasi panë fletët e arta. Cilat janë disa të vërteta për të cilat ne mund të dëshmojmë? Tregojuni se si ua keni dhënë dëshminë tuaj të tjerëve dhe ftojini fëmijët që të tregojnë ndonjë përvojë që kanë pasur.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të qëndrojnë si dëshmitarë të diçkaje që mësuan në orën e mësimit sot. Kërkojuni atyre të tregojnë si e bënë atë në orën e mësimit të javës së ardhshme.