“8–14 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 12–13; Joseph Smith – Historia 1:66–75: ‘Mbi Ju, Bashkëshërbëtorët e Mi’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“8–14 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 12–13; Joseph Smith – Historia 1:66–75”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021
8–14 Shkurt
Doktrina e Besëlidhje 12–13; Joseph Smith – Historia 1:66–75
“Mbi Ju, Bashkëshërbëtorët e Mi”
Fëmijët të cilëve u jepni mësim, vijnë nga situata të larmishme dhe kanë nevoja të ndryshme. Teksa përgatiteni, mendoni rreth mënyrës se si mund t’i ndihmoni ata më së miri që t’i mësojnë të vërtetat të cilat jepen mësim te Doktrina e Besëlidhje 12–13 dhe Joseph Smith – Historia 1:66–75.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët që të tregojnë raste kur kanë parë dikë të pagëzohet ose të marrë një bekim priftërie. Si e morën priftërinë Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Gjon Pagëzori e rivendosi Priftërinë Aarone.
Më 15 maj 1829, Gjon Pagëzori iu shfaq Jozef Smithit e Oliver Kaudërit dhe iu dha Priftërinë Aarone. Si do t’i bekojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, po të mësojnë rreth kësaj ngjarjeje?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve rreth mënyrës se si u rivendos Priftëria Aarone (shih Joseph Smith – Historia 1:68–70; shih edhe “Kapitulli 6: Jozefit dhe Oliverit u Jepet Priftëria”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 26–27). Ose ftoni një burrë të lagjes të vijë në klasë dhe ta tregojë historinë sikur të ishte ai Gjon Pagëzori, duke u lexuar fëmijëve atë që u tha Gjoni Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit.
-
Paraqitni figura të Gjon Pagëzorit duke pagëzuar Shpëtimtarin dhe duke rivendosur Priftërinë Aarone (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 35, 93; shih edhe imazhin te përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth asaj që po ndodh në figura (shih Mateu 3:13–17; Doktrina e Besëlidhje 13; Joseph Smith – Historia 1:68–70).
-
Ndihmojini fëmijët të mësojnë një këngë rreth priftërisë, të tillë si “Priftëria u Rivendos” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 60). Ftojini fëmijët të marshojnë rrotull dhomës teksa këndojnë, duke e mbajtur me radhë në dorë figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.
Priftëria është fuqia e Perëndisë.
Mësimet rreth rivendosjes së Priftërisë Aarone janë raste të shkëlqyera për t’i ndihmuar fëmijët që ta kuptojnë më mirë se çfarë është priftëria dhe si mund t’i bekojë ajo ata.
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni disa sende në klasë, përfshirë një çelës. Paraqitini sendet dhe kërkojuni fëmijëve të dëgjojnë teksa ju lexoni te Doktrina e Besëlidhje 13 dhe të gjejnë sendin që përmendet në shkrimet e shenjta. Çfarë mund të bëjmë ne me një çelës? Shfaqni figura të gjërave që mund të bëjmë për shkak se u rivendos Priftëria Aarone (shih faqen e veprimtarisë së kësaj jave; shih edhe Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 103–104, 107–108). Tregojuni fëmijëve se si jua ka bekuar jetën priftëria.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët ta mësojnë frazën Priftëria është fuqia e Perëndisë, kërkojuni atyre të duartrokasin kur e thonë secilën rrokje. Shfaqni një objekt që ka nevojë për bateri që të funksionojë, dhe jepni mësim se, ashtu siç i sjell fuqi bateria objektit, priftëria e sjell fuqinë e Perëndisë në jetën tonë. Jepeni dëshminë tuaj për bekimet që ju kanë ardhur për shkak të priftërisë.
Joseph Smith – Historia 1:66–75
Unë mund të pagëzohem.
Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri lexuan për pagëzimin në Librin e Mormonit dhe dëshironin të dinin më tepër. Ju mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta presin me padurim pagëzimin e tyre dhe të mësojnë më tepër rreth kësaj ordinance të shenjtë.
Veprimtari të Mundshme
-
Shfaqeni materialin filmik “Restoration of the Aaronic Priesthood” [“Rivendosja e Priftërisë Aarone”] (ChurchofJesusChrist.org). Ndalojeni materialin filmik herë pas here për t’u bërë fëmijëve pyetje si: “Pse shkuan në pyll Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri?” dhe “Si mendoni ju, si u ndien Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri pasi u pagëzuan?” Kërkojuni atyre të tregojnë si mendojnë se do të ndihen kur të pagëzohen.
-
Tregojuni fëmijëve historinë e pagëzimit të Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit (shih Joseph Smith – Historia 1:68–74; shih edhe “Kapitulli 6: Jozefit dhe Oliverit u Jepet Priftëria”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 26–28). Theksojeni gëzimin që ndien Jozefi dhe Oliveri dhe tregojuni fëmijëve rreth pagëzimit tuaj. Ftojini ata të bëjnë një vizatim të vetvetes duke u pagëzuar një ditë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Doktrina e Besëlidhje 13; Joseph Smith – Historia 1:66–72
Gjon Pagëzori e rivendosi Priftërinë Aarone.
Tregimet për rivendosjen e Priftërisë Aarone mund t’i ndihmojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të kuptojnë të vërteta të rëndësishme rreth priftërisë dhe shugurimeve në priftëri.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojini së bashku vargjet te Joseph Smith – Historia 1:66–72 dhe ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të gjërave që përshkruajnë këto vargje. Pastaj lërini fëmijët që ta thonë historinë duke përdorur figurat e tyre. Ftoni dikë të tregojë një përvojë të kohës kur ai se ajo pa dikë që u shugurua në një detyrë në priftëri. Si ngjasonte ajo me mënyrën se si u shuguruan Jozefi dhe Oliveri sikurse përshkruhet te Joseph Smith – Historia 1:66–72?
-
Jepuni fëmijëve disa minuta kohë që të bëjnë një listë të të gjithë gjërave që dinë për Gjon Pagëzorin, dhe më pas lejojuni atyre ta tregojnë atë që shkruan. Ftojini fëmijët të punojnë në dyshe për të lexuar një prej fragmenteve vijuese dhe ta shtojnë atë në listën e tyre: Mateu 3:13–17; Doktrina e Besëlidhje 13; Joseph Smith – Historia 1:66–72.
Unë marr bekime nëpërmjet Priftërisë Aarone.
Ne marrim shumë bekime nëpërmjet Priftërisë Aarone. Çfarë mund të bëni ju për t’i ndihmuar fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë se këto bekime bëhen të mundura ngaqë u rivendos priftëria?
Veprimtari të Mundshme
-
Futni figura pagëzimi dhe sakramenti në një kuti që do çelës që të hapet. Diskutoni arsyen se pse janë të rëndësishëm çelësat dhe lërini fëmijët ta përdorin çelësin për ta hapur kutinë. Ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 13 dhe të gjejnë fjalë dhe fraza që u mësojnë atyre se cilat bekime vijnë nga Priftëria Aarone.
-
Shfaqeni materialin filmik “Blessings of the Priesthood” [“Bekimet e Priftërisë”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe kërkojuni fëmijëve të përcaktojnë mënyrat se si janë bekuar njerëzit në materialin filmik për shkak të priftërisë.
Joseph Smith – Historia 1:73–74
Fryma e Shenjtë mund të më ndihmojë t’i kuptoj shkrimet e shenjta.
Pasi Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri u pagëzuan, Fryma e Shenjtë i ndihmoi ata t’i kuptojnë më mirë shkrimet e shenjta. Kjo mund të jetë zemërdhënëse për fëmijët, të cilëve shkrimet e shenjta mund t’iu duken të vështira për t’u kuptuar.
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni një figurëformuese të thjeshtë në klasë dhe ftojini fëmijët t’i bashkojnë pjesët. Teksa e bëjnë atë, pyetini ata si ngjason leximi i shkrimeve të shenjta me formimin e një figurëformueseje. Lexojini së bashku vargjet te Joseph Smith – Historia 1:73–74 dhe ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë i ndihmoi Jozefin dhe Oliverin që t’i kuptonin shkrimet e shenjta. Çfarë mund të bëjmë ne për të kërkuar ndihmën e Frymës së Shenjtë teksa i studiojmë shkrimet e shenjta?
-
Ftojini fëmijët të bëjnë një libërshenjues që mund ta vënë te shkrimet e shenjta, i cili t’u kujtojë atyre të kërkojnë ndihmën e Frymës së Shenjtë kur të lexojnë. Ndoshta mund të gjejnë një frazë frymëzuese te Joseph Smith – Historia 1:74 që mund ta shkruajnë te libërshenjuesi i tyre.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Nëse nuk keni kohë që fëmijët ta plotësojnë faqen e veprimtarisë në klasë, merreni parasysh që të marrin kopje në shtëpi, që ata të mund të punojnë me të me familjet e tyre.