“31 Maj – 6 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 60–62: ‘Gjithë Mishi Është në Dorën Time’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“31 Maj – 6 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 60–62”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
31 Maj – 6 Qershor
Doktrina e Besëlidhje 60–62
“Gjithë Mishi Është në Dorën Time”
Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim se kur i studiojmë shkrimet e shenjta, “dëshmitë do të rriten. Zotimi do të forcohet. Familjet do të fuqizohen. Zbulesa vetjake do të vërshojë” (“The Power of the Word”, Ensign, maj 1986, f. 81).
Shënojini Mbresat Tuaja
Në qershor të vitit 1831, Jozef Smithi mbajti një konferencë me pleqtë e Kishës në Kirtland. Atje, Zoti i organizoi disa nga pleqtë në dyshe shoqëruese dhe i dërgoi në kontenë Xhekson të Misurit, me këtë porosi: “Prediko[ni] gjatë udhës” (Doktrina e Besëlidhje 52:10). Shumë prej pleqve e bënë këtë me zell, por të tjerët jo. Pra, kur erdhi koha për t’u kthyer në Kirtlad, Zoti tha: “Me disa [pleq] unë nuk jam mjaft i kënaqur, sepse ata nuk do t’i hapin gojët e tyre, por e fshehin talentin që u kam dhënë atyre, për shkak të frikës nga njerëzit” (Doktrina e Besëlidhje 60:2). Shumë prej nesh mund të ndiejnë keqardhje për këta pleq – ne gjithashtu mund të ndihemi ngurrues për t’i hapur gojët tona dhe për ta përhapur ungjillin. Ndoshta edhe ne pengohemi prej “frikës nga njerëzit”. Ndoshta vëmë në dyshim denjësinë apo aftësitë tona. Cilado qofshin arsyet tona, Zoti “e njeh dobësinë e njeriut dhe se si të [na] ndihmojë” (Doktrina e Besëlidhje 62:1). Të përhapura kudo në këto zbulesa që iu dhanë misionarëve të hershëm, janë disa ndjenja sigurie të cilat mund të na ndihmojnë ta mposhtim frikën tonë për ta përhapur ungjillin – ose ndonjë frikë tjetër me të cilën mund të jemi duke u përballur: “Unë, Zoti, sundoj në qiejt lart”. “Jam në gjendje t’ju bëj të shenjtë.” “Gjithë mishi është në dorën time.” Dhe “merrni zemër, fëmijë të vegjël; pasi unë jam në mes tuaj”. (Doktrina e Besëlidhje 60:4, 7; 61:6, 36.)
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zoti është i kënaqur kur unë e hap gojën time për të përhapur ungjillin.
Të gjithë kemi pasur përvoja kur mund t’i kishim folur dikujt për ungjillin, por për ndonjë arsye, nuk e bëmë. Ndërsa lexoni fjalët e Zotit drejtuar misionarëve të hershëm të cilët nuk arritën ta “hapnin gojën”, mendoni rreth mundësive tuaja për ta përhapur ungjillin. Në ç’mënyrë është dëshmia juaj e ungjillit si një “talent” ose si një thesar nga Perëndia? Në çfarë mënyrash ndonjëherë ne e “fshehi[m] talentin” tonë? (Doktrina e Besëlidhje 60:2; shih edhe Mateu 25:14–30).
Zoti i korrigjoi këta misionarë të hershëm, por Ai gjithashtu u përpoq që t’i frymëzonte ata. Çfarë mesazhesh inkurajuese nga Ai gjeni te seksionet 60 dhe 62? Si e mbështetin këto mesazhe vetëbesimin tuaj për përhapjen e ungjillin? Në ditët në vijim, kërkoni mundësi për ta hapur gojën dhe për të treguar atë me të cilën Perëndia ju ka besuar.
Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 33:8–10; 103:9–10; Diter F. Uhtdorf, “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 15–18.
Doktrina e Besëlidhje 61:5–6, 14–18
A janë të gjitha ujërat të mallkuara nga Zoti?
Paralajmërimi i Zotit te Doktrina dhe Besëlidhje 61 ishte, pjesërisht, një paralajmërim për rreziqet që mund të haste populli i Tij ndërkohë që udhëtonin për në Sion nëpër lumin Misuri, i cili në atë kohë njihej si i rrezikshëm. Ky paralajmërim nuk duhet të interpretohet sikur nënkupton se duhet të shmangim udhëtimet nëpërmjet ujit. Zoti ka “gjithë fuqinë”, përfshirë fuqinë mbi ujërat (vargu 1).
Zoti është i gjithëfuqishëm dhe mund të më ruajë.
Gjatë rrugës së kthimit për në Kirtland, Jozef Smithi dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës patën një përvojë që ishte kërcënuese për jetën në lumin Misuri (shih Saints [Shenjtorët], 1:133–134). Zoti e shfrytëzoi këtë mundësi për t’i paralajmëruar dhe udhëzuar shërbëtorët e Tij. Çfarë gjeni te Doktrina dhe Besëlidhje 61 që ju nxit ta vini mirëbesimin tuaj te Zoti ndërsa përballeni me vetë sfidat tuaja? Për shembull, pse është e rëndësishme të dini se Zoti është nga “përjetësia në përjetësi”? (Vargu 1.)
Ekzistojnë ide të ngjashme në seksionin 62. Çfarë ju mëson Zoti për veten e Tij dhe fuqinë e Tij në këtë zbulesë?
Përsiatni mbi përvojat që e kanë rritur besimin që keni pasur, kur Zoti ju ndihmoi të mposhtni fatkeqësi shpirtërore ose fizike.
Zoti dëshiron që unë të marr disa vendime “si t[ë më] duket [mua] mirë”.
Nganjëherë Zoti na jep drejtim të veçantë dhe në raste të tjera na e lë neve në dorë të vendosim. Si e shihni këtë parim të ilustrohet te Doktrina e Besëlidhje 62? (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 60:5; 61:22). Si e keni parë këtë parim në jetën tuaj? Përse është e mirë për ne që të marrim disa vendime pa një drejtim të posaçëm nga Perëndia?
Shih edhe Ethëri 2:18–25; Doktrina e Besëlidhje 58:27–28.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 60:2–3.Përse disa misionarë të hershëm ishin ngurrues për ta përhapur ungjillin? Përse nganjëherë ngurrojmë? Merreni parasysh të interpretoni me role mënyrën se si pjesëtarët e familjes mund ta përhapin ungjillin në mjedise të ndryshme.
-
Doktrina e Besëlidhje 61:36–39.Çfarë arsyesh shohim te këto vargje për të “m[arrë] zemër”? (Shih edhe Gjoni 16:33.) Ndoshta familja juaj mund të shkruajë ose vizatojë figura të gjërave që u sjellin atyre gëzim dhe t’i mbledhin ato në një kavanoz të emërtuar “merrni zemër”. (Sigurohuni që të përfshini figura të Shpëtimtarit dhe kujtues të dashurisë së Tij për ne.) Gjatë gjithë javës, kur pjesëtarë të familjes kanë nevojë për një kujtues mbi arsyet për të qenë të lumtur, ata mund të zgjedhin diçka nga kavanozi.
-
Doktrina e Besëlidhje 61:36.Si mund ta ndihmoni familjen tuaj të kujtojë se Shpëtimtari është “në mes[in tonë]”? Ju mund të vendosni së bashku se ku të shfaqni dukshëm një figurë të Tij në shtëpinë tuaj. Si mund ta ftojmë Shpëtimtarin në jetën tonë të përditshme?
-
Doktrina e Besëlidhje 62:3.Ndoshta ju mund të bëni një mbledhje dëshmish familjare pasi ta lexoni këtë varg. Për të shpjeguar se çfarë është një dëshmi, ju mund të tregoni pjesë nga mesazhi i Presidentit M. Rasëll Ballard “Pure Testimony” (Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 40–43). Përse është e rëndësishme që t’i shënojmë dëshmitë tona?
-
Doktrina e Besëlidhje 62:5, 8.Pse Zoti nuk na jep urdhërime për çdo aspekt të jetës sonë? Sipas vargut 8, si duhet t’i marrim vendimet?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Këngë e sugjeruar: “Dëshmia”, Himne, nr. 75