“24–30 Maj. Doktrina e Besëlidhje 58–59: ‘Përfshihen me Zell në një Kauzë të Mirë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“24–30 Maj. Doktrina e Besëlidhje 58–59”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
24–30 Maj
Doktrina e Besëlidhje 58–59
“Përfshihen me Zell në një Kauzë të Mirë”
Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Shkrimet e shenjta do të na ndihmojnë të zgjidhim të gjitha pyetjet tona vetjake sepse duke i lexuar ato, ne e ftojmë dhe e kualifikojmë veten për frymëzimin e Frymës së Shenjtë, i cili do të na udhërrëfejë për tek e gjithë e vërteta” (në David A. Edwards, “Are My Answers in There?” New Era, maj 2016, f. 42).
Shënojini Mbresat Tuaja
Kur pleqtë e Kishës e panë për herë të parë vendndodhjen e qytetit të Sionit – Indipendens, Misuri – nuk ishte ajo që prisnin. Disa menduan se do të gjenin një komunitet punëtor, plot gjallëri, me një grup të fortë shenjtorësh. Në vend të kësaj ata gjetën një vendbanim kufitar të populluar pak, të cilit i mungonte qytetërimi me të cilin ishin mësuar dhe në të cilin banonin kolonë të ashpër kufitarë të vend të shenjtorëve. Doli që Zoti nuk po u kërkonte thjesht të vinin në Sion – Ai donte që ata ta ndërtonin atë.
Kur pritshmëritë tona nuk përputhen me realitetin, ne mund të kujtojmë atë që Zoti u tha shenjtorëve në vitin 1831: “Ju nuk mund të shihni me sytë tuaj natyrorë, në këtë kohë, planin e Perëndisë tuaj … dhe … lavdinë që do të pasojë pas shumë mundimesh” (Doktrina e Besëlidhje 58:3). Po, jeta është plot mundime, madje ligësi, por ne mund të “shkaktoj[m]ë shumë drejtësi; sepse është në [ne] fuqia” (vargjet 27–28).
Shih edhe Saints, 1:127–133.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 58:1–5, 26–33, 44; 59:23
Bekimet vijnë sipas kohës së Perëndisë dhe zellit tonë.
Shenjtorët hodhën themelin e Sionit në kontenë Xhekson të Misurit, ku ata duruan shumë sprova. Ata me siguri shpresuan se gjatë jetës së tyre kjo zonë do të lulëzonte në një vend ku të gjithë shenjtorët të mund të mblidheshin. Sidoqoftë, shenjtorët u dëbuan nga konteja Xhekson brenda pak viteve dhe Zoti zbuloi se populli i Tij do të duhej të “pris[te] për një stinë të vogël për shëlbimin e Sionit” (Doktrina e Besëlidhje 105:9).
Ndërsa i studioni fragmentet vijuese, kërkoni arsyet përse bekimet mund të mos jepen për një periudhë kohe. Pyetjet më poshtë mund t’ju ndihmojnë të përsiatni.
Doktrina e Besëlidhje 58:1–5; 59:23. Cilat mesazhe në këto vargje e forcojnë aftësinë tuaj për t’i duruar mundimet me më shumë durim? Çfarë bekimesh keni marrë pas mundimeve? Si mendoni, përse disa bekime vijnë vetëm pas mundimeve?
Doktrina e Besëlidhje 58:26–33. Çfarë roli luan të qenit i “përfshi[rë] me zell në një kauzë të mirë” për përmbushjen e premtimeve të Perëndisë? Çfarë roli luan bindja juaj?
Doktrina e Besëlidhje 58:44. Cila është lidhja midis “lutjes së besimit” dhe vullnetit të Zotit për ne?
Doktrina e Besëlidhje 59, kreu i seksionit
Kush ishte Polli Najti?
Polli Najti dhe bashkëshorti i saj, Jozef Najt Plaku, ishin disa nga besimtarët e parë në thirrjen profetike të Jozef Smithit. Polli dhe Jozefi i dhanë mbështetje jetike Profetit në punën e përkthimit të Librit të Mormonit. Familja Najt u largua nga Kollsvilli në Nju‑Jork, për t’u mbledhur me shenjtorët në Ohajo dhe më vonë u urdhëruan që të shpërnguleshin në kontenë Xhekson të Misurit. Teksa udhëtonin, shëndeti i Pollit filloi të venitej, por ajo ishte e vendosur ta shihte Sionin përpara se të vdiste. Ajo kishte qenë në Misuri vetëm pak ditë kur ndërroi jetë (shih Saints, 1:127–128, 132–133). Doktrina e Besëlidhje 59 u mor në ditën kur ajo ndërroi jetë dhe vargjet 1 e 2 duket se i drejtohen posaçërisht asaj.
Mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë sjell bekime materiale dhe shpirtërore.
Pasi premtoi t’i bekonte shenjtorët në Sion “me urdhërime, e jo pak”, Zoti i dha një theksim të posaçëm një urdhërimi në veçanti: urdhërimit për ta nderuar “ditën [e Tij] të shenjtë” (Doktrina e Besëlidhje 59:4, 9). Ndërsa studioni te Doktrina e Besëlidhje 59:9–19, përsiatni përse nderimi i Shabatit do të kishte qenë kaq i rëndësishëm për këta shenjtorë teksa përpiqeshin të ndërtonin Sionin.
Ju gjithashtu mund të përsiatni pyetje si këto: A po e përdor ditën e Shabatit në mënyrën që Zoti kishte për qëllim të përdorej? Si më ndihmon mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë që të qëndroj i “panjollë nga bota”? (Vargu 9.) Çfarë mund të bëj që t’i “drejto[j] lutje Më të Lartit”? (Vargu 10.)
Pas leximit të vargjeve të mëposhtme, çfarë frymëzoheni të bëni për ta mbajtur më plotësisht të shenjtë ditën e Shabatit? Zanafilla 2:2–3; Eksodi 20:8–11; 31:13, 16; Ligji i Përtërirë 5:12–15; Isaia 58:13–14; Marku 2:27; Gjoni 20:1–19; Veprat e Apostujve 20:7.
Ju mund të përfitoni gjithashtu nga njëri prej shumë materialeve filmike ose burimeve të tjera rreth ditës së Shabatit që gjenden te sabbath.ChurchofJesusChrist.org.
Shih edhe Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 129–132; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ditë e Shabatit”.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 58:26–29.Ndoshta pjesëtarë të familjes mund të bëjnë një listë të disa prej gjërave ku ata janë “përfshi[rë] me zell”. A janë të gjitha ato “kauz[a] të mir[a]”? Pse Zoti dëshiron që ne të bëjmë “shumë gjëra me vullnetin [tonë] të lirë”? Kërkojini çdo pjesëtari të familjes të mendojë për atë që mund të bëjë këtë javë për të “shkakt[uar] shumë drejtësi”. Më vonë ata mund të raportojnë mbi atë që bënë.
-
Doktrina e Besëlidhje 58:42–43.Çfarë ndjejnë pjesëtarët e familjes kur i lexojnë këto vargje? Si mund ta ndihmojnë këto vargje dikë që ka nevojë të pendohet?
-
Doktrina e Besëlidhje 59:3–19.Çfarë do të thotë ndoshta të “kurorëzohen … me urdhërime”? (Vargu 4.) Teksa i lexoni urdhërimet te vargjet 5–19, diskutoni mbi bekimet që keni marrë duke iu bindur secilit prej këtyre urdhërimeve.
Ju mund të vini re gjithashtu se si përdoren fjalët “gëzim”, “ngazëllim”, “të ngazëllyera” dhe “të gëzuar” për të përshkruar urdhërimin për ta nderuar ditën e Shabatit. Si mund ta bëni Shabatin më të gëzueshëm? Ndoshta familja juaj mund të bëjë një lojë me karta që përputhen, të cilat përshkruajnë gjëra që mund të bëni për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit.
-
Doktrina e Besëlidhje 59:18–21.Çfarë mund të bëni për ta “poh[uar] … dorën e [Perëndisë] në gjithçka”? (Vargu 21.) Merrni parasysh të bëni një shëtitje ose të shihni figura, për të vënë re gjërat që e “kënaq[in] syrin dhe … [e] gëz[ojnë] zemrën” (vargu 18). Ju mund të bëni fotografi ose të vizatoni figura të asaj që gjeni dhe më pas të flisni rreth mënyrës se si mund ta tregoni mirënjohjen tuaj për këto gjëra. Si e kemi parë dorën e Perëndisë në jetën tonë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “T’Drejtën Zgjidh”, Himne, nr. 150.