“17–23 Maj. Doktrina e Besëlidhje 51–57: ‘Kujdestar Besnik, i Drejtë e i Mençur’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“17–23 Maj. Doktrina e Besëlidhje 51–57”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
17–23 Maj
Doktrina e Besëlidhje 51–57
“Kujdestar Besnik, i Drejtë e i Mençur”
Studimi i shkrimeve të shenjta ju ndihmon të dalloni zërin e Zotit, sepse shkrimet e shenjta u dhanë me anë të Tij nëpërmjet Shpirtit të Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 18:34–36).
Shënojini Mbresat Tuaja
Për anëtarët e Kishës në vitet 1830, mbledhja e shenjtorëve dhe ndërtimi i qytetit të Sionit ishin punë shpirtërore, si dhe tokësore, me shumë çështje praktike për t’u trajtuar: Nevojitej dikush që të blinte dhe shpërndante tokën ku shenjtorët mund të vendoseshin. Nevojitej dikush të shtypte libra dhe botime të tjera. Dhe nevojitej dikush që të administronte një dyqan për të siguruar mallra për ata që ishin në Sion. Në zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 51–57, Zoti caktoi dhe udhëzoi njerëz që t’i bënin këto detyra dhe Ai e përcaktoi Indipendens në Misuri si “vendi[n] qendror” të Sionit (Doktrina e Besëlidhje 57:3).
Por ndërsa aftësi për gjëra të tilla si blerja e tokës, shtypja e librave dhe administrimi i një dyqani janë të vlefshme për anën materiale të ndërtimit të Sionit, këto zbulesa gjithashtu na mësojnë se Zoti dëshiron që shenjtorët e Tij të bëhen shpirtërisht të denjë për t’u quajtur një popull i Sionit. Ai e thërret secilin prej nesh që të jetë një “kujdestar besnik, i drejtë e i mençur”, duke pasur një shpirt të penduar, “[duke] qëndr[uar të] vendosur” në përgjegjësitë tona të caktuara (shih Doktrina e Besëlidhje 51:19; 52:15; 54:2). Nëse mund ta bëjmë atë – pavarësisht nga aftësitë tona tokësore – Zoti mund të na përdorë për të ndërtuar Sionin dhe Ai “do ta shpejtoj[ë] qytetin në kohën e tij” (Doktrina e Besëlidhje 52:43).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zoti dëshiron që unë të jem një kujdestar besnik, i drejtë e i mençur.
Nëse do të ishit anëtar i Kishës në vitin 1831, ju mund të ishit ftuar që ta jetonit ligjin e përkushtimit duke ia dhënë pronësinë e pasurisë suaj Kishës nëpërmjet peshkopit. Më pas ai do t’ju kthente, në shumicën e rasteve, atë që dhuruat, ndonjëherë me një tepricë. Por ajo nuk ishte më thjesht prona juaj – ajo ishte kujdestaria juaj.
Sot procedurat janë të ndryshme, por parimet e përkushtimit dhe të kujdestarisë janë ende jetike për punën e Zotit. Merrini në shqyrtim këto fjalë nga Plaku Kuentin L. Kuk: “Jetojmë në kohë të rrezikshme kur shumë vetë besojnë që ne nuk jemi të përgjegjshëm para Perëndisë dhe që nuk kemi përgjegjësi apo kujdestari vetjake për ne vetë ose të tjerët. Shumë vetë nga bota përqendrohen te kënaqësia vetjake … [dhe] nuk besojnë se janë rojtarë të vëllait të tyre. Mirëpo, në Kishë, ne besojmë se këto kujdestari janë një mirëbesim i shenjtë” (“Kujdestaria – një Mirëbesim i Shenjtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 91).
Ndërsa lexoni te seksioni 51, mendoni për atë që Perëndia ju ka mirëbesuar. Çfarë duan të thonë fjalët “kujdestar” (vargu 19) dhe “përkushtuar” (vargu 5), dhe çfarë nënkuptojnë ato për pritshmëritë që ka Perëndia për ju? Çfarë parimesh gjeni te seksioni 51 dhe te fjalët e Plakut Kuk që ju mësojnë se çfarë do të thotë të jeni një kujdestar? (Shih veçanërisht vargjet 9, 15–20.)
Shih edhe Mateu 25:14–30; ChurchofJesusChrist.org.
Doktrina e Besëlidhje 52:14–19
Perëndia dha një model për shmangien e mashtrimit.
Me shumë njerëz që pretendonin shfaqje shpirtërore, shenjtorët e hershëm ishin të shqetësuar rreth të qenit të mashtruar. Si mund ta dallonin se kush ishte “pran[uar] nga [Perëndia]”? (Vargu 15.) Te Doktrina e Besëlidhje 52:14–19, Zoti dha një model të dobishëm. Si mund ta vini në zbatim këtë model për të dalluar mesazhet e rreme në botë? Ju gjithashtu mund ta përdorni këtë model për të vlerësuar veten tuaj: merrni parasysh të përdorni fraza nga këto vargje për të shkruar pyetje të tilla si: “Kur flas, a është shpirti im i penduar?”
Unë mund t’i drejtohem Zotit kur lëndohem nga zgjedhjet e të tjerëve.
Si pjesë e mbledhjes në Ohajo, një grup shenjtorësh të udhëhequr nga Njull Najti mbërritën nga Kollsvilli në Nju‑Jork dhe u nevojitej një vend për të jetuar. Liman Kopli kishte një fermë të madhe pranë Kirtlandit dhe ai besëlidhi që t’i lejonte shenjtorët të vendoseshin në tokën e tij. Megjithatë, shpejt pasi filluan të vendoseshin atje, Kopli u lëkund në besimin e tij, e shkeli besëlidhjen e tij dhe i dëboi shenjtorët nga prona e vet (shih Saints [Shenjtorët], 1:125–128).
Siç shënohet te seksioni 54, Zoti i tha Njull Najtit atë që shenjtorët duhej të bënin për situatën e tyre. Çfarë gjeni në këtë zbulesë që mund t’ju ndihmojë kur zotimet e pambajtura apo vendimet jo të mira të një personi tjetër ndikojnë te ju?
Doktrina e Besëlidhje 56:14–20
Të bekuar janë të pastrit në zemër.
Në këto vargje, Zoti u foli si të pasurve dhe të varfërve; mund të jetë interesante të krahasoni këshillat e Tij për këto dy grupe. Cilat gjëra në këto vargje mendoni se lidhen me ju personalisht? Në ç’mënyrë përqendrimi te pasuritë mund ta “gërryejë” shpirtin tuaj? (Vargu 16.) Çfarë do të thotë për ju të jeni të “pastër në zemër” (vargu 18) lidhur me gjërat materiale?
Shih edhe Jakobi [LiM] 2:17–21.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 51:9.Ju mund të luani një lojë që i pëlqen familjes dhe më pas të bisedoni se si do të ishte loja ndryshe, nëse dikush do të kishte mashtruar. Përse është e rëndësishme që të “veproj[m]ë me ndershmëri” njëri me tjetrin? Si na ndihmon ndershmëria që të “j[emi] një”?
-
Doktrina e Besëlidhje 52:14–19.Ndërsa diskutoni për modelin e përshkruar në këto vargje, familjes suaj mund t’i pëlqejë të shikojë modele të tjera që i përdorni – të tilla si modele për të qepur veshje ose për të bërë një punim dore. Ju mund të punoni së bashku për të bërë diçka nga një model, ndërkohë që flisni për modelin që dha Zoti për të shmangur mashtrimin.
-
Doktrina e Besëlidhje 53:1.Merreni parasysh që t’i tregoni familjes suaj një përvojë kur ju, ashtu si Sidni Gilberti, e pyetët Zotin “lidhur me thirrjen” tuaj.
-
Doktrina e Besëlidhje 54:2; 57:6–7Çfarë do të thotë të “qëndro[jmë të] vendosur” (Doktrina e Besëlidhje 54:2) në atë që Perëndia na ka kërkuar të bëjmë? Ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes të qëndrojnë në këmbë dhe të përmendin diçka që Perëndia u ka kërkuar të bëjnë.
-
Doktrina e Besëlidhje 55.Si i përdori Zoti aftësitë e Uilliam Felpsit si shkrimtar dhe tipograf? (Për shembull, shihni indeksin e autorëve në librin e himneve për një listë të himneve që shkroi ai.) Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të bisedojnë rreth talenteve dhe aftësive që shohin te njëri-tjetri. Si mund të japin ndihmesë talentet tona në punën e Perëndisë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “‘Jep’, Tha o Rrëkeza”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 116.