Doktrina e Besëlidhje 2021
3–9 Maj. Doktrina e Besëlidhje 46–48: “Kërkoni me Zell Dhuratat më të Mira”


“3–9 Maj. Doktrina e Besëlidhje 46–48: ‘Kërkoni me Zell Dhuratat më të Mira’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“3–9 Maj. Doktrina e Besëlidhje 46–48”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

njerëz që mblidhen pranë një pellgu

Mbledhja e Kampit, nga Worthington Whittredge

3–9 Maj

Doktrina e Besëlidhje 46–48

“Kërkoni me Zell Dhuratat më të Mira”

Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 46–48, shkruajeni çdo mbresë që merrni. Më pas ju mund të pyesni, ashtu siç sugjeroi Plaku Riçard G. Skot: “A ka edhe më shumë që duhet ta di?” (“Të Fitosh Udhëheqje Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 8).

Shënojini Mbresat Tuaja

Ndërsa Parli P. Prati, Oliver Kaudri, Ziba Petersoni dhe Peter Uitmer i Riu u larguan nga Kirtlandi dhe u transferuan në fusha të tjera pune, ata lanë mbi njëqind të kthyer në besim që kishin shumë zell, por pak përvojë ose udhëheqje. Nuk kishte manuale udhëzuese, nuk kishte mbledhje trajnuese të udhëheqjes, as transmetime të konferencës së përgjithshme – në fakt, nuk kishte as shumë kopje të Librit të Mormonit që qarkullonin. Shumë nga këta besimtarë të rinj ishin tërhequr drejt ungjillit të rivendosur nëpërmjet premtimit për shfaqje të mrekullueshme të Shpirtit, veçanërisht ato shfaqje që i dinin nga studimi i Dhiatës së Re (shih, për shembull, 1 Korintasve 12:1–11). Shpejt, disa shprehje të pazakonta adhurimi – përfshirë rënia në tokë ose përdredhja si gjarpër – u përhapën në mbledhjet e tyre të Kishës. Shumë njerëz e kishin të vështirë të dallonin se cilat shfaqje ishin nga Shpirti dhe cilat nuk ishin. Duke parë pështjellimin, Jozef Smithi u lut për ndihmë. Përgjigjja e Zotit është po aq e vlefshme sot, kur njerëzit shpesh i hedhin poshtë ose i shpërfillin gjërat e Shpirtit. Zoti zbuloi se shfaqjet shpirtërore janë të vërteta dhe qartësoi se çfarë janë — dhurata nga një Atë i dashur Qiellor, që “jepen për përfitimin e atyre që [e] duan [Atë] e që i zbatojnë të gjitha urdhërimet e [Tij]” (Doktrina e Besëlidhje 46:9).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 46:1–6

Të gjithë kërkuesit e zellshëm janë të mirëpritur të adhurojnë në Kishën e Zotit.

Mbledhjet e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme duhet të jenë midis mbledhjeve më të mirëpritura dhe frymëzuese në botë. Si na këshillon Zoti te Doktrina e Besëlidhje 46:1–6, për t’i pritur ata që marrin pjesë në mbledhjet tona? A ndihen të mirëpritur miqtë dhe njerëzit e lagjes suaj në shërbesat e adhurimit të lagjes suaj në Kishë? Çfarë po bëni për t’i bërë mbledhjet tuaja në Kishë vende ku njerëzit të duan të rikthehen? Përsiatni se si përpjekjet tuaja për të ndjekur Frymën e Shenjtë në mbledhjet e Kishës mund të ndikojnë në përvojën tuaj.

Shih edhe 3 Nefi 18:22–23; Moroni 6:5–9.

Doktrina e Besëlidhje 46:7–33

Perëndia ka dhënë dhurata shpirtërore për t’i bekuar fëmijët e Tij.

Shenjtorët e hershëm besonin në dhurata shpirtërore, por u nevojitej pak udhërrëfim rreth qëllimit të tyre. Teksa studioni për dhuratat e Shpirtit duke përdorur vargjet te Doktrina e Besëlidhje 46:7–33, përsiatni se përse është e rëndësishme që ju “gjithmonë të kujt[oni] përse jepen ato” (vargu 8). Merrni parasysh mënyrën se si këto vargje gjejnë zbatim në këtë thënie nga Plaku Robert D. Hejls: “Këto dhurata u janë dhënë atyre që janë besnikë ndaj Krishtit. Ato do të na ndihmojnë t’i dimë e të japim mësim të vërtetat e ungjillit. Ato do të na ndihmojnë t’i bekojmë të tjerët. Ato do të na udhëheqin të kthehemi tek Ati ynë Qiellor” (“Gifts of the Spirit”, Ensign, shkurt 2002, f. 16). Çfarë tjetër mësoni nga këto vargje rreth shfaqjeve shpirtërore? Si mund t’ju ndihmojnë këto të vërteta që të “mos mashtroheni”? (Vargu 8.)

Përsiatni se cilat janë dhuratat tuaja shpirtërore – dhe se si mund t’i përdorni ato “për përfitimin e fëmijëve të Perëndisë” (vargu 26). Nëse keni një bekim patriarkal, ka mundësi që ai të përcaktojë dhurata që ju janë dhënë.

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dhurata të Shpirtit”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

Doktrina e Besëlidhje 47

Zoti dëshiron që Kisha e Tij të mbajë një histori.

Thirrja e Xhon Uitmerit për të mbajtur një histori të Kishës vazhdoi një traditë të gjatë të mbajtësve të analeve mes popullit të Perëndisë (shih 2 Nefi 29:11–12; Moisiu 6:5; Abraham 1:28, 31). Në fakt, pozicioni i Historianit dhe Shkruesit të Analeve të Kishës ekziston edhe sot. Si mendoni, përse mbajtja e një historie është kaq e rëndësishme për Zotin? Përsiatni për këtë teksa lexoni udhëzimet e Tij drejtuar Xhon Uitmerit rreth kësaj detyre te seksioni 47. Merrni gjithashtu në shqyrtim se cilat përvoja vetjake ju nevojitet të shënoni. Për shembull, çfarë ju ka mësuar Zoti, gjë të cilën doni ta ruani?

Teksa përsiatni për këto pyetje, merrni parasysh këtë ide nga Plaku Marlin K. Xhensen, i Të Shtatëdhjetëve, i cili shërbeu si Historian dhe Shkrues i Analeve të Kishës nga viti 2005 deri në vitin 2012:

“Ne mbajmë anale për të na ndihmuar të kujtojmë. … Ne dëshirojmë t’i ndihmojmë anëtarët e Kishës të kujtojnë gjërat e mëdha që ka bërë Zoti për fëmijët e Tij. … Mësimet nga e kaluara na ndihmojnë të përballojmë të tashmen dhe na japin shpresë për të ardhmen tonë” (“There Shall Be a Record Kept among You”, Ensign, dhjetor 2007, f. 28, 33).

Për të mësuar më shumë rreth punës që po bëhet aktualisht nën drejtimin e Historianit të Kishës, vizitoni faqen history.ChurchofJesusChrist.org.

Xhon Uitmeri

Xhon Uitmeri u thirr që të mbante një histori të Kishës.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 46:2–6.Çfarë mund të bëjmë si familje për t’u siguruar që të tjerët të ndihen të mirëpritur në mbledhjet tona të Kishës? (Shih edhe 3 Nefi 18:22–23.) Figura që shoqëron këtë përvijim mund t’i shtojë vlerë këtij diskutimi.

Doktrina e Besëlidhje 46:7–26.Çfarë dhuratash shpirtërore shohim te njëri‑tjetri? Si mund ta bekojnë këto dhurata familjen tonë?

Doktrina e Besëlidhje 47.Si mund t’i inkurajoni pjesëtarët e familjes suaj që t’i shënojnë historitë e tyre vetjake gjatë gjithë javës? Ju mund të tregoni disa pjesë nga ditari juaj vetjak ose të tregoni një histori rreth një paraardhësi (shih FamilySearch.org). Disa familje lënë kohë për disa minuta çdo javë në mënyrë që gjithsecili të shkruajë në ditarin e tij ose të saj. Ju mund të jepni disa shtytje për të filluar ditarin, si për shembull: “Çfarë ndodhi këtë javë që ju do të doni që ta dinë nipërit ose mbesat tuaja?” ose “Si e patë dorën e Zotit në jetën tuaj këtë javë?” Fëmijët e vegjël mund të vizatojnë figura të përvojave të tyre ose ju mund t’i regjistroni ata duke treguar historitë e tyre. Çfarë bekimesh vijnë nga mbajtja e “një histori[e] të rregullt”? (Vargu 1.)

Doktrina e Besëlidhje 48.Shenjtorët në Ohajo u urdhëruan që ta ndanin tokën e tyre me ata që po shpërnguleshin në Ohajo nga Shtetet e Bashkuara lindore. Çfarë mund të japim ne për të plotësuar nevojat e të tjerëve?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?” (Himne, nr. 139).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni histori dhe shembuj. Shpëtimtari shpesh përdori histori dhe shëmbëlltyra për të dhënë mësim parime të ungjillit. Mendoni për shembuj dhe histori nga vetë jeta juaj, të cilat mund t’i japin jetë një parimi të ungjillit për familjen tuaj (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 22).

njerëz në kishë

Ati Qiellor u jep fëmijëve të Tij dhurata shpirtërore për të bekuar jetën e të tjerëve.