“3–9 Maj. Doktrina e Besëlidhje 46–48: ‘Kërkoni me Zell Dhuratat Më të Mira’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“3–9 Maj. Doktrina e Besëlidhje 46–48”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021
3–9 Maj
Doktrina e Besëlidhje 46–48
“Kërkoni me Zell Dhuratat Më të Mira”
Mendoni për fëmijët të cilëve u jepni mësim, ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 46–48. Referojuni pjesës “Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël” në fillim të këtij burimi për ide shtesë që t’i merrni parasysh.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët që të vizatojnë figura të diçkaje që e mësuan në mësimin e javës së kaluar ose në shtëpi gjatë javës së shkuar. Jepuni disa kujtues nëse është e nevojshme. Pastaj lërini të flasin për figurat.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund t’i ndihmoj të tjerët të ndihen të mirëpritur në kishë.
Ne të gjithë, përfshirë fëmijët, dëshirojmë të ndihemi të mirëpritur dhe të pranuar. Si mund t’i përdorni këto vargje për t’i ndihmuar fëmijët që t’i bëjnë të tjerët të ndihen të mirëpritur në kishë?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni me zë të lartë te Doktrina e Besëlidhje 46:5 dhe u thoni fëmijëve me fjalët tuaja se çfarë do të thotë ky varg. Tregojuni figura të njerëzve nga vende të ndryshme të botës. Pyetini fëmijët se cilët prej këtyre njerëzve do të donte Ati Qiellor që ne t’i ftonim në mbledhjet tona të Kishës. Ndihmojini fëmijët të ushtrojnë sikur ju ftojnë ju ose njëri‑tjetrin për të ardhur në një mbledhje apo aktivitet të Kishës.
-
Kërkojuni fëmijëve të përfytyrojnë sikur një mik/e po vjen në kishë për herë të parë. Ndihmojini ata të mendojnë për mënyra se si mund ta ndihmojnë mikun/en e tyre që të ndihet i/e mirëpritur. Lejojini të ushtrojnë se çfarë do të thoshin ose bënin nëse shihnin një mik/e duke u futur në godinën kishtare ose në klasë për herë të parë.
Doktrina e Besëlidhje 46:13–26
Ati Qiellor më bekon me dhuratat e Tij.
Çdonjëri prej fëmijëve të cilëve u jepni mësim, është një bir ose bijë e Atit Qiellor dhe Ai i ka bekuar ata me dhurata shpirtërore.
Veprimtari të Mundshme
-
Përdorni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 46:13–26 ose “Kapitullin 20: Dhuratat e Frymës së Shenjtë” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 77–80) që t’u shpjegoni fëmijëve disa nga dhuratat që Ati Qiellor na i jep nëpërmjet Shpirtit të Tij dhe përse na i jep Ai ato. Nëse është e mundur, tregojuni sende ose figura që përfaqësojnë secilën dhuratë. Ndaloni herë pas here që t’i pyetni fëmijët se si këto dhurata mund ta bekonin një njeri.
-
Jepini një fëmije diçka që mund të ndahet me dikë tjetër, si një copë buke apo dy lodra. Kërkojini fëmijës ta ndajë atë që i keni dhënë atij ose asaj, me një anëtar tjetër të klasës. Shpjegoni se Ati Qiellor na jep dhurata dhe dëshiron që ne t’i përdorim ato për të ndihmuar të tjerët. Tregojuni fëmijëve për një rast kur u bekuat ngaqë dikush i përdori dhuratat e tij ose të saj shpirtërore.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Ati Qiellor më jep dhurata shpirtërore për t’i bekuar të tjerët.
Dhuratat e përshkruara te Doktrina e Besëlidhje 46 – dhe shumë dhurata të tjera shpirtërore – vijnë nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Mund t’i ndihmoni fëmijët të përcaktojnë dhuratat që u janë dhënë atyre – dhe të tjera që ata mund t’i kërkojnë – ndërsa studioni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 46.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në fletë letre disa nga dhuratat shpirtërore që gjenden te Doktrina e Besëlidhje 46:13–26 dhe Nenet e Besimit 1:7, dhe fshihini nëpër dhomë. Ftojeni secilin fëmijë të gjejë njërën prej fletëve dhe të kërkojë te vargjet, që të gjejë se ku përmendet ajo dhuratë në shkrimet e shenjta. Më pas lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 46:8–9, 12. Përse Ati Qiellor na jep dhurata shpirtërore?
-
Ndihmojini fëmijët të renditin në tabelë dhuratat e Shpirtit të përmendura te Doktrina e Besëlidhje 46. Teksa renditet çdo dhuratë, flisni për mënyrën se si ajo dhuratë mund të përdoret për t’i bekuar të tjerët. Mund të ndihmojnë përshkrimet te “Kapitulli 20: Dhuratat e Frymës së Shenjtë” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 77–80). U thoni fëmijëve që secili prej tyre ka dhurata shpirtërore. Nxitini t’i kërkojnë Atit Qiellor që t’i ndihmojë për t’i dalluar dhuratat e tyre dhe mënyrën se si mund t’i përdorin ato për të ndihmuar njerëz të tjerë.
Unë mund ta mbaj shënim historinë time.
Zoti e thirri Xhon Uitmerin që të mbante një histori të Kishës. Sot ne jemi shumë të bekuar për shkak të historive të Kishës që janë mbajtur përgjatë viteve.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 47:1, 3 dhe kërkojuni fëmijëve të zbulojnë se çfarë donte Zoti që të bënte Xhon Uitmeri. Çfarë do të thotë fjala “vazhdimisht” te vargu 3? Si jemi bekuar nëpërmjet njohurisë rreth historisë së Kishës?
-
Nëse fëmijët të cilëve u jepni mësim mbajnë ditar, kërkojuni të flasin rreth gjërave për të cilat shkruajnë në ditarët e tyre. Fëmijët mund të kënaqen duke dëgjuar një histori nga ditari juaj i fëmijërisë ose nga ditari i një paraardhësi.
-
Tregojuni fëmijëve shembuj të mënyrave se si mund të mbajnë një histori të rregullt të jetës së tyre. Për shembull, ata mund të shkruajnë në një libër, të mbledhin fotografi në një album, të shtypin në kompjuter apo të bëjnë regjistrime zanore ose pamore. Ndihmojini fëmijët të bëjnë një listë të gjërave që do të ishin të mira për t’i përfshirë në historitë e tyre vetjake, të tilla si dëshminë e tyre për Jezu Krishtin. Ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim ose një afishe për ta çuar në shtëpi, me disa prej këtyre ideve që t’i kujtojnë për të mbajtur shënim historitë e tyre vetjake.
Unë mund t’i ndihmoj njerëzit e tjerë duke u dhënë nga ajo që më është dhënë.
Zoti i nxiti shenjtorët në Ohajo që t’i ndihmonin shenjtorët e tjerë duke u dhënë nga toka dhe paratë e tyre. Si mund t’i përdorni këto vargje që t’i ndihmoni fëmijët të gjejnë mënyra për t’u dhënë të tjerëve nga ajo që Perëndia u ka dhënë atyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve një hartë të Nju‑Jorkut dhe Ohajos (shih përvijimin e javës 12–18 prill tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Shpjegoni se Zoti i urdhëroi shenjtorët në Nju‑Jork dhe zona të tjera që të mblidheshin në Ohajo, por shumë prej tyre nuk kishin mjaft para që të ndërtonin shtëpi kur mbërrinin. Ndihmojini fëmijët të gjejnë te Doktrina e Besëlidhje 48:1–4 se çfarë u kërkoi të bënin Zoti shenjtorëve në Ohajo për të ndihmuar. Pyetini fëmijët se çfarë do të donin të bënin që të ndihmonin nëse po jetonin në Ohajo në këtë kohë. Çfarë na është dhënë sot që mund ta përdorim për të ndihmuar të tjerët? Për një shembull, shihni “The Coat” [“Palltoja”] (material filmik, ChurchofJesusChrist.org).
-
Lexoni së bashku vargun te Doktrina e Besëlidhje 48:4 dhe ftojini fëmijët të kërkojnë diçka që Zoti u kërkoi shenjtorëve të bënin për të ndihmuar në punën e Tij. Shpjegoni se kursimi i parave do t’u lejonte të blinin tokë dhe të ndërtonin një tempull një ditë. Për çfarë mund të kursejmë para me qëllim që të mund të ndihmojmë për të bërë punën e Zotit?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Nxitini fëmijët t’i pyesin pjesëtarët e familjes në shtëpi për një dhuratë shpirtërore që e ndiejnë se u është dhënë atyre. Gjithashtu nxitini fëmijët të luten dhe të kërkojnë një dhuratë të Shpirtit që do të donin ta zhvillonin.